Home » Lajme » “Akademia” Nexhmije Pagarusha

“Akademia” Nexhmije Pagarusha

Ëndrra ishte prekur. E tëra ishte prekur. Ndonëse vonë. shumë vonë, nga shkaku I gardhijeve të hekurta, i doganave që ngriheshin si malet pa mundur dot që të na vrisnin dashurinë dhe bashkimin shpirtëror të një kombi që nuk thyhet lehtë.
Ndonëse do të donim që ta takonim në një skenë tërë drita, ajo na priste me derë të hapur në një kat të dytë të një pallatin pranë postës së re të Prshtinës. Në një shtëpi me orendi shumë të thjeshta, për të mos thënë edhe pak të vjetëruara nga koha. Kohët e fundit po sëmuret shpesh dhe nuk mund të takojë sa e sa shqiptarë që kërkojnë ta takojnë e ta dëgjojnë atë përvojë taë jashtëzakonshme jetësore dhe artistike. Dhe lumturia ishte me ne atë ditë. Në një kënd të dhomës ishte një pjano që e kishte të mbyllur kapakun e saj.
Gjithësesi nuk kishte një grimë pluhuri. Kishin kaluar vetëm disa ditë kur e madhja Nexhmije Pagarusha  kishte ditëlindjen. Paska ditëlindjen
Pagarusha???!!! Po si s’u gjet një grup pushtetarësh, të paktën ata të kulturës, që ta uronin këkë artiste të madhe me detyrimin e asaj që ka bërë, me detyrimin e një brezi që duhet të kthejë me krenari rrugën e bukur të shumë artistëve në Kosovë, në Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë.??!!!!
Kishte mbushur jo pak, por 78 vjet  jetë. Dhe ende buzëqeshte ngrohtë.
Buzëqeshte ëmbëlsisht. Bash si kënga që ajo na ka dhënë për 40 vjet me
radhë e tani, me atë tingull hyjnor që po përcillet në liri në të gjithë trojet amtare.
Duke na bërë që krenia të kalojë edhe lartësinë e Maleve të Sharrit, edhe të Tomorit, edhe të Korabit,  edhe të maleve të Sulit në Çamëri.
Dhe ishte një ditë e bukur maji. E ngrohtë. Një ditë e zhurmshme prishtinase me zëra fëmijësh, tregtarësh që kishin mbushur shitoret. Aty, në shtëpinë e saj me një ballkon të mbushur me lule, të cilave ajo iu shërben çdo ditë, takimi kthehej në një heshtje tërë madhështi, tërë nderim, tërë mirënjohje. Fjala, loti, përkëdhelja e duarve të saj të rrudhura, fisnikëria, nostalgjia, nderimi, brenga, trishtimi, aroma e lules ishin bashkuar fort, fort me njëri-tjetrin atë ditë.
Vinim nga krahina të ndryshme. Tufa e luleve të majit prishtinase ndërrohej sa në një dorë në tjetrën. Do të donim që këtë tufë me lule t’ia jepnim në skenat e shumta të të gjithë vendeve të botës ku ajo për 40 vjet ka kënnduar në radhët e Anasmblit “ Shota” Kallauzi i takimit ishte Shefqete Gosalci.. Një poete dhe një këngëtare zëëmbël që në Kosovë drejton me aq dashuri e me sakrificë në detyrën e sekretares së
Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegas”.
Ishim takuar në Tiranë dhe i isha lutur që të ma mundësonte këtë takim edhe për t’iu dhuruar librin tim të fundit me poezi “Pesha e qiellit të
vendlindjes” ku kisha edhe një poezi për të, të titulluar “Lokja e këngës”. Dhe Shefqetja e bëri fort mirë detyrën. Për mua e për  miqtë  e mi. Shtëpia e saj ishte afër asaj të këngëtares dhe shumë herë ajo e pyeste për shëndetin. Vetë Shefqetes I duhej që të shërbente pak më shumë edhe për babain e saj që nuk ishte mirë me shëndet..
Në këtë ekip, në këtë delegacion, nëse do t’i jepnim një emër zyrtar ishte profesor Murat Gecaj. Me origjinë nga Bujani i Tropojës, por një dashamirës I përjetshëm i muzikës që Artistja e përmasave të mëdha Nexhmije Pagarusha ka bërë në vite. Ishte edhe një mësuese e mirë, Zyba Hysa nga Vlora, një poete e mire dhe nënkryetare e Shoqatës për Bashkimin Kombëtar.  Rrallë çaste të tjera të vijë në jetë si të asaj dite maji. Artistja mban ende në emrin e saj atë emër të fshatit të  lindjes që është në Malishevë, atë të Pagarushës. Duket se do të nderonte prej kohësh jo vetëm këtë fshat, por mbarë shqiptarët e të gjithë trojeve. Kur po bënim ato hapa të gëzuar, tërë emocion, tërë mirënjohje, më vinin në mendje të gjithë epitetet që ajo i ka marrë në jetën e saj dhe që I takojnë të tëra, mbase edhe të tjera po kaq simbolikë si ato që jemi mësuar t’I përmendim sa herë që duam që t’i bëjmë portretin. Bilibili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqiptare, Primadona  e Melosit Popullor, Ema Sumak shqiptare, Madam Batërflaj,
Fyti i Kristaltë. Për të ardhur te titulli i lartë “Këngëtarja e Shekullit”. Në poezinë që kisha bërë dhe do t’ia lexoja aty, i ulur në atë divan të thjeshtë unë, po  i bëja një epitet të ri “Lokja e këngës”. “Edhe nëna ime quhej Loke” – na thotë e gëzuar ajo. Hej sa do të gëzohej sot nënë lokja kur të shohte çikën e saj , tashmë në moshën 78-vjeçare që I ka dhënë kaq shumë kombit.
Po vinim nga Çairi i Shkupit me rreth 63 000 shqiptarë që  i përcjellin këngët e saj në dasma e gaze. Po vinim nga Presheva ku fjala artistike e autorëve të mbarë trojeve amtare për dy ditë me radhë kishte mbushur skenën e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” ku u bëmë edhe ne pjese me krijimet tona të bëra aty si poezia “O, sa mirë të jesh në Preshevë!” Kur po kalonim malet e mbushur me gjelbërim mes Maqedonisë dhe Preshevës të shoqëruar nga informacioni aq I pasur që na jepte preshevari tërë kulturë  Xhemaledin Salihu, na u desh që të këndonim nën  zë këngë legjendare të kënduar dikur nga kjo artiste ku do të
veçonim këngën “Baresha”. Një simfoni e tërë Një kulm që nuk vjen më as në interpetim, as në tekst e as në kompozim. Bashkë me respektin për
bashkëshortin e saj të nderuar Rexho Mulliqi na u desh që të kujtonim edhe të madhin Rifat Kukaj. Vite më parë miku im poet Hajro Ulqinaku më pat thënë se, për 30 vjet me radhë ai shkonte në Ulqin. Një ditë aty në buzë të detit ai gjeti edhe vdekjen.
Aso kohe dallga e nderimit në një poezi ma mori për dore fjalën e mençur me poezinë “Lavërtari i fjalës”. Poezinë do ta botoja në librin me poezi “Djepi I këngës”. Një rastësi e bukur edhe për mua. Ky njeri me fjalën e tij të ëmbël ishte bërë djepi i këngës së madhe të kënduar nga Nexhmije Pagarusha.
Trishtimin  e valës ta dëbojë kah mot ky qiell e ky diell ulqinak/* nanat fisnike ta mbjellin dhe në dimër për të trëndafilin e Kujtesës ..”
Ishim përfshirë në radhët e Institutit të Integrimit të Kulturës
Kombëtare. Ditën e orën që po i bënim vizitë këngëtares së madhe një pjesë e grupit tone ishte në takimin me Akademinë e Kosovës. Kur u ribashkuam, i thamë se edhe ne kishim shkuar për të takuar një “Akademi” të Kulturës Shqiptare që vazhdon të
mbajë kanatët e dyrve të vlerave të larta kaherë të hapura. Me një Akademi si Nexhmije Pagarusha mund të krenohet çdo komb për shekuj me radhë.
Profesor Murati Gecaj ka një jetë të tërë që shkruan, që publikon shkrime libra, brenda e jasht vendit,  por para saj qan, qan Mos bre burrë! Edhe këngëtarja përlotet, qan dhe e shoqëron fjalën me një zë që çuditërisht ende është kumbues.
Gati sikur kërkon që të na sjelle edhe një herë para nesh Zambakun e
Prizrenit, Prishtinën, Bareshën…
-Kam vizituar shumë vende të botës, kam takuar shumë e shumë artistë. Kam shkuar
në opera e ansamble po këtë emocion nuk e kam provuar kurrë, kurrë. Më ka vdekur vëllai, por këtu po qaj më shumë se atë ditë.-thotë profesor Murat Gecaj
- Nuk qajmë për ju zonja Nexhmje,- thotë poetja Zyba,- por po qajmë për
artin që përcollët ju në vite dhe që tani ka mbetur në hije.
Në pamundësi që të filmojë këtë takim të përbashkët, nxjerr celularin
dhe e pyet me shumë  kujdes këngëtaren që t’i marrë asaj mençurinë, zërin, kujtesën e viteve, njerëzit që ajo ka takuar.. Para saj jeton pengjet më të mëdha, më të trishtueshme që jo vetëm nuk do të realizohen kurrë, por që merr edhe një revolta të brendshme me vete.
E ka nisur karrierën e saj më 1967 në Beograd edhe e ka mbyllur zyrtarisht më 1997  në Sarajevë. 30 vjet në skenë
Pengu i parë:
Po si s’u gjet në vitin e largët 1967 një teknik zëri që të regjistronte në një disk, në një kasetë zërin e kësaj sopranoje që po ekzekutonte përkryeshëm veprat muzikore të Beethovenit, Puçinit, Verdit Ishte viti 1948 dhe vetëm 15 vjeç ishtenexhmija kur ngjiste shkallët e Radio Prishtinës si soliste e ja tani, në moshën 78-vjeçare ajo vazhdon që të jetë një këshilltare e muzikës në Radio Kosova dhe në Radio Bluje Sky.
Pengu i dytë:
Po s’i s’u gjet një kompani muzikore e financuar nga shteti apo edhe nga dashamrës të muzikës kombëtare që të bëjë një disk me këngët e
zgjedhura të kënduara nga Nexhmije Pagarusha???  Kohët e fundit shumë here derdhen edhe lumë për gjëra edhe më pak të nevojshme. Dhe nuk janë pak, por 150 këngë të kënduara nga ajo.
Pengu i tretë:
Pse nuk evidentohet me saktësi e gjithë rruga e artit të saj që të bëhet tamam si një model të pakrahuesëshëm për pjesën njerëzore, për artsitët e rinj?
Pengu i tretë
Po si s’u gjet mundësia që të bëhet sa më parë (kur atë e kemi pranë nesh) një libër me kujtime të brezave për këtë rrugë të befasishme arti?
-Ia bani të fala Arditit që më dha një jetë të dytë,–na thotë ajo-
Kanë kaluar 11 vjet nga ajo ditë dhe unë mbaj mend si tani. Një djalë i mrekullueshëm dhe me talent.
Mbretëresha kërkon që të rrëfejë. Me dhimbjen e gëzimin e saj:
-Kënga që kam kënduar ishte si një ëndërr. Nuk e dija se çfarë jehone do të kishte ajo. Nuk mbaj mend se në cilin vend kam shkuar, por mbaj mend vetëm Shqipërinë dhe artistët e saj. Nuk e harroj kurrë Shqipqrinë. Për ditëlindjen time mora mesazhe nga Vaçe Zela. Më rëndon shumë shëndeti i saj. Burri I saj është mik i ngushtë me vëllain tim. Është fat të kesh artistë si Vaçja.
Është bash si një vullkan e nuk dua që të bëj krahasim për të se nuk i gjej dot.
Më pengojnë kohërat që ta bëj krahasimin. Edhe Avni Mula ka qenë një
këngëtar I madh dhe i papërsëritshëm. Kur këndoja, djalin donin ta dënonin për këngën time.
I trembte edhe kënga jonë e bukur. Këtu pranë kam Melin. E kam si motër e më shërben Nuk më ndan nga motra e saj Për 7 vjet marr një shpërblim nga Radio Televizioni Shtetëror i Kosovës, po unë nuk e pranova. “Çfarë po baj–iu thashë – unë nuk po bëj gjë! Mirë, më thanë, atë e dimë ne. Para pak kohësh nga Universiteti i Prizrenit që drejtohet nga gjermanët, më dhanë një pension të veçantë. Arti i vërtetë nuk matet kurrë me para. Ndërsa shteti më ka vlerësuar vetem me  një letër.
Dhe më tej diku, nga nënjastëku nxjerr një dosje të madhe. Janë poezi dhre falenderime të sjella nga njerëz të thjeshtë nga të gjithë trojet. . Lexon dhe komenton pak. I njeh ata që i kanë shkruar me emra, po disa nuk i njeh. Dhe lexon bukur. Njëri është nga Prizreni. O, sa fjalë të ëmbla! Sa fjalë nderimi!
Na mbetën në mendje vargjet e Nasip Rushitit nga Ferizaj. Një dosje e
veçantë që ajo e ruante me kujdes dhe besoj se  e lexonte në vetminë e saj për të mundur nostalgjinë e viteve. Për të mundur shqetësimin e sëmundjes. Për të respektuar ata që i kanë shkruar, ashtu si i ka dashur gjithmonë njerëzit e thjeshtë që iu dedikonte këngën..
Duket se Shefqetja kishte shumë punë në të ardhmen. Ajo duhet që të
Grumbullonte të gjithë krijimet letrare që janë bërë për të. I dhamë fjalën që ta ndihmonim sa më shumë. Drita-Nexhmije duhet që të mos errësohej asnjëherë, aspak. Asnjë
ditë. Në atë hapësirë kohore me minuta që iknin shumë shpejt, më erdhi edhe mua radha për të folur. Isha Krushku i Parë i këtij takimi dhe shokët po më falenderonin për këtë ditë të lumtur. Po jo. Lavdia i përkiste asaj Zonje të nderuar.
Ne ishim poetë, këngëtarë, gazetarë, por Nexhmije Pagarusha ishte Kryepoetja e Tingujve lulërorë shqiptarë. Poezinë për të  “Lokja e këngës”  e kisha mbaruar në Boston të Amerikës në vitin e kaluar në një kohë që ajo ngjizej poër afro 30 vjet. Pa le të realizoja këtë ëndërr që ta takoja sy më sy. Atje ku shqiptarizmi kishte të paktën 100 vjet që ishte ende i gjallë. Në poezinë për të tregoja se do të doja të isha gardian i tingujve dhe i dashurisë që ajo ka përcjellë në vite. Më erdhi sërish simboli i ujëvarës së tingujve që më kishte future të tërin brenda vetes. Nga forca që merrja me këngën e saj më dukes se të gjitha lisat e vendlindjes i mbaja në duar si të ishin kukulla. Po ia merrja gjithë dritën fareve të botës për të ndriçuar pishtarin e këngës shqiptare të saj. Në udhëkryqet njerëzore, të gjithë me këtë Loke kënge kemi edhe një semafor të pagabueshëm rrëzëllitës. Kemi këngë që kanë në hapësirat e tyre zambakët, dallandyshet, zogjtë, nuset, selvitë… E kur bëhet fjalë për Nexhmijen–aktore, na vjen keq që nuk i kemi parë të gjithë. Ajo ishte aktore atëherë kur edhe paragjykimi ishte i dukshëm për një femër.
Sa herë që i thonin se do të shkonim, ajo ngrinte sytë e saj lutës dhe na pyeste: “Kaq shpejt po shkoni? Rrini edhe ca! Jam mirë me shëndet. Sot qenkam mire shumë mirë. Ju jap fjalën se edhe një muaj të tërë nuk do të sëmurem.”
Kur shkuam të takonim pjesën tjetër të shokëve me profesor Ibrahim Gashin, Prof Hulusi Hakon, Ibahim Hajdërmataj, mësuese Liljanën dhe Fatbardhin, iu treguam për mbresat. Pas pak do të takonim mësuesët e nxënësit e gjimnazit shumë të njohur të Prishtinës “Xhevdet Doda” dhe do të priteshim edhe në Ministrinë e Arsimit Teknologjisë dhe Shkencës së Kosovës. Secili prej nesh meditonte për të gjetur një ushtar të ri të rrëfimit të së nesërmes. Një portret? Një skicë? Një poezi të re? Një reportazh? Një tekst kënge?
….Mbretëresha e Këngës Kosovare Nexhmije Pagarusha me një ditëlindje
Pranverore e me një jetë të tërë në art, mbeti aty. Me duart miqësore të zgjatura drejt rrugës që do të bënim pas pak. Me një gaz që ia lexoje në fytyrë, në fjalë, ajo me zonjën Meli  do të kthehej në dhomë. Do të jetonin  sërish me mbresat e takimit, ashtu si po bënim edhe ne. Do të lexonte poezitë e falenderimet që I vinin nga të katër anët e botës. Ndoshta do të rilexonte edhe poezinë time “Lokja e këngës”. Na u desh që  edhe ne të jetonim sërish emocione të takimit.
Të një lumturie të re. Ku edhe fjala nganjëherë nuk ka forcë që ta shprehë atë që ndjen. Të asaj historie që na bën  të njohim më mire vetveten si individë e si komb.
Namik Selmani
Maj, 2011

Addressing how a parent or educator helps shape a child’s http://www.cheephomeworkhelp.com future financial behavior is necessary

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch