Home » Lajme » “ÇANTË” ME LIBRA TË BUKUR, NGA NJË UDHËTIM I PAHARRUAR…

“ÇANTË” ME LIBRA TË BUKUR, NGA NJË UDHËTIM I PAHARRUAR…

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

1.

Që të bësh një udhëtim nga Tirana, në Shkup, Preshevë e Prishtinë, nuk është ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme. Por, që të përjetosh gjithë ato ndjenja të bukura, të pashlyera e të paharruara, ndoshta, është një rastësi.  Kjo ndodhi pikërisht me udhëtimin tonë, të një grupi prej 11 vetash, nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, pikërisht në ato troje të stërlashta arbërore, nga data 24-27 maj 2011. Sigurisht, lexuesit mund t’i ketë tërhequr vëmendjen edhe ndonjë shkrim tjetër i mëparshëm nga unë. Por mendova dhe nuk kisha si ta  anashkaloja edhe tematikën e shkrimeve të mia, kushtuar takimeve shumë të ngrohta, miqësore e mbresëlënëse me kolegë  krijues, publicistë, poetë e shkrimtarë. Me dashamirësinë, që i dallon gjithnjë, ata më dhuruan  ndonjë krijim të tyrin, shumica me shënime vlerësuese dhe emocionuese .

E mira e të mirave, do të ishte që të shkruaja, veçmas, diçka për secilin autor dhe krijimet e tij. Por kjo tani, në një shkrim, është e pamundur. Prandaj, duke gjetur rastin që t’i falënderoj  nga zemra ata autorë krijues, për librat e dhuruara, mendova që mos t’i vendos në bibliotekën time familjare, pa i informuar më parë lexuesit tanë, për to. Sigurisht, kërkoj mirëkuptimin e secilit prej tyre, që  kësaj here do të shkruaj vetëm nga pak radhë.

2.

Së pari, dëshiroj të përmend këtu krijuesen e re, Albulena  Pllana, bijë e mikut tim nga Prishtina, Ganiut.  E bëj këtë gjë edhe sepse ai ishte mjaft i përkushtuar për krijimtarinë e vajzave të tij. Kur i dhashë “Formularin” për veprën “Fjalori i Autorëve Shqiptarë”, ai u tregua i gatshëm dhe e dërgoi menjëherë të plotësuar, përmes Internetit. Por unë mora me vete dhe një kopje të librit të Albulenës, me titullin “Zana dhe miku i saj, dreri” (Prishtinë, 2010). Është botim i dytë, i plotësuar  e i ilustruar, qëkur autorja ishte në klasën e 12-të, të Gjimnazit “Xhevdet Doda”  dhe përmban 18 tregime të shkurtëra për fëmijë. Më pare, ajo ka publikuar librat me poezi për fëmijë,“ Dashuria për lulet”( 2004), “”Në pritje” (2005), “Njomëza arbërore për Pavarësi” (2005) e “Doli ylberi” (2006). Pra, siç shihet, ka zgjdhur letërsinë për fëmijë dhe i urojmë gjithnjë suksese, në këtë gjini të bukur e të veshtirë! Veç, në “garë” me të është dhe e motra, 14-vjeçarja Fisnike Pllana, nxënëse e shkollës “I.Qemali”. Në vitin 2008, ka botuar librin e saj, me poezi për fëmijë,” Erë pranvere”. Sigurisht, vazhdon të shkruajë me frymëzim, përderisa babai është i bindur se ajo, së shpejti, do të botojë libra të tjerë dhe do përfshihet në “Fjalorin e Autorëve Shqiptarë”.

Pas këtyre autoreve të reja dhe të talentuara, dëshiroj të përmend mikun tim të kahershëm, që në kohën, kur ai studionte për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, arsimtarin e shkrimtarin nga Bujanoci, Arsim Halili. Ai ka publikuar librin e parë me poezi, “Heshtje e shprishur” (2009) dhe tjetrin, po kështu me poezi, që ma dha me shënimin e tij, “Ndal, stacioni i dashurisë” (Gjilan, 2010). Por, me këtë rast, po zbuloj edhe një “sekret” tonin. Sapo u ktheva në Tiranë nga udhëtimi, që përmenda më lart, ai më nisi me internet vëllimin e tij me intervista, kushtuar disa krijuesve, miq të tij. Kjo sepse dëshironte që unë të jem redaktor i  këtij libri, gjë që e pranova me kënaqësi.

Po në Preshëvë, takova e u njoha  edhe me krijimtarinë e Bilall Maliqit, aktualisht kryar i Klubit Letrar të Luginës së Preshevës, “Fenix”.  Deri tani, ka publikuar 13  libra, në poezi e në prozë. Ndërsa libri, që ai më dhuroi, mban titullin “Hullive artistike”(Vështrime).Është publikuar këtë vit, me pasthënje të Mr.Nazmi Beqirit (Kumanovë). Libri u kushtohet botimeve e krijimtarisë së disa autorëve, që janë:  Sadete Presheva,  Dr. Sabile Keçmezi, Albina Idrizi, Riza Greiçevski, Hysen Këqiku, Sinan Sadiku, Sevdail Demiri, Nehat Ramizi, Milazim Arifi,  Dr.Jahi Staneci, Mr.Bislim Pireva, Mr.Nazmi Beqiri, Mr.Misin Misini, Burbuqe A.Agushi, Arsim Halili, Halim Hasani, Engjëll Koliqi e Agron Boriçi.

Shefqete Goslaci, është autore  tjetër, kjo nga Prishtina, e librit me titull, “Porta të hapura”. E veçanta dhe e paharruara, është se ajo ma dhuroi këtë libër pikërisht në shtëpinë e këngëtares së madhe  të Kombit tonë, Nexhmije Pagarusha, kur ishim së bashku për vizitë tek ajo. Kënaqësi për mua ishte, kur mësova se kjo poete ka qenë pjesëtare e UÇK-së. I ndarë më katër cikle, libri në fjalë përmban mjaft poezi të bukura, të shkruara me frymëzim. Më parë, ajo ka botuar këta libra: “Gjaku-gjakut, i përgjigjet”(2002) dhe “Më ke urë në qiell”(2007).

Autor librash, i trevës shqiptare të Preshevës, është edhe Avni Shaqiri.  Më 1999, ka botuar përmbledhjen e parë me poezi për të rritur, “Fjollë kujtimi”. Ndërsa mua më dhuroi librin e tij, me vjersha për fëmijë e të ilustruar, “Gjeli karatist”. Redaktor i librit është Jonuz Fatahaj.

Me pamjen e bukur të një fëmije në kopertinë, që vështron mendueshëm, është libri  me vjersha  e ilustrime, i autorit Abdullah Troshupa, “Kush më solli në jetë”. Në fakt, i ndarë në cikle, ky libër përmban edhe poezi me temë atdhetare, si “Thirrja e Atdheut”, Gjeçovit, “Masakra e Reçakut”, vjershat kushtuar Xhemail Mustafës, Sadik Prishtinës-Luma, Agim Ramadanit etj. Më parë, ai ka publikuar librat për fëmijë e të rinj: “Porosia e vëllait”,(1995), “”Dallgët e shpresës” (2006), “Cigareshitësja”(2008).

Agron Boriçin, lindur në Preshevë më 1954,  e takova gati rastësisht. Megjithatë, ai u tregua dashamirës e ma dhuroi librin e tij-dramë, me titullin “Ëndrra”. Nga jetëshrimi i tij, mëson se  ky regjisor ka inskenuar 30 drama të gjinive të ndryshme, si dhe skeçe etj.  Është autor i dramave: “Ago Ymeri”, “Kalorësit e Akopalipsës”, “Berbethorja”, tre pjesë të “Kabare TV Llaçka”. Njihet ndër themeluesit e Festivalit tradicional Mbarëkombëtar “Ditët e Komedisë Shqiptare”, në vitin 1994. Vazhdon të krijojë me sukses.

Në listën e librave, që pata kënaqësinë të marr nga kolegët e ndryshëm krijues, ishin dhe këta: “Arsimi fillor shqip, në Komunën e Preshevës, 1945-1995” (Preshevë, 2001), me autorë: Haki Sylejmani, Selver Murati e Rexhep Selimi; monografia “Sadik Prishtina” (nga Sami Luma),”Ilirët në Protohistori” (nga Prof.Ibrahim Kelmendi), “Gjuha e veprave të Çajupit” (nga Mr.Xhevat H.Emërllahu). Kryetari i Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore, Xhemaledin Salihu më dha librin “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë”, me 12 punime të lexuara në tubimin shkencor, që u mbajt në atë qytet, më 24 dhjetor 2010.

Me vlera të veçanta është dhe revista letrare “Jeta e Re” (Nr.1), Prishtinë-2011, me mbi 460 faqe dhe ku ka studime e vështrime të  autorëve shqiptarë e të huaj, për çështje të ndryshme. Interes paraqet edhe revista kulturore e letrare “Qendresa”(Nr.1), Preshevë, 2011, botim i Klubit Letrar “Feniks”. Në të, janë përfshirë vjersha e skica, nga afër 50 autorë, shqiptarë dhe të huaj. Në këtë seri librash hyjnë: Gjimnazi “Xhevdet Doda”- Prishtinë (1971-2-001) dhe, lidhur me të, “Libri i Kujtimeve” (1994-1995). Miqtë e mi nga Bujanoci, më dhanë tre numra të revistës javore-informative “Perspektiva” dhe në shkollën 8-vjeçare të Preshevës, revistën “Filloristi” (viti IV, nr.15, prill 2011). Ndërsa nga komuna shqiptare e Shkupit ruaj botimet, me tekst e ilustrime: “Profil i Komunës së Çairit” dhe “Plani  strategjik i Komunës së Çairit”.

…Tani, që u njoha sadopak me këta libra e disa revista dhe botime tjera, të cilat i mora dhurata të çmuara, në një “çantë” të veçantë, nga udhëtimi im në Shkup, Preshëvë e Prishtinë, dëshiroj t’i përshendes  nga zemra të gjithë autorët e tyre dhe t’u uroj: Shëndet të mirë, krijimtari të bollshme e cilësore dhe lumturi familjare! Në takime të tjera, paçi sa e sa vepra të reja dhe që të hyjnë sa më denjësisht në fondin e bibliotekave, në mjedise të përbashkëta dhe në familjet tona.

Tiranë, 8 qershor 2011

This is a great time to introduce homeworkers wanted the concept of interest and loans

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch