Home » Opinione » 0pinion: MES DY ZJARRESH!

0pinion: MES DY ZJARRESH!

Dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova dhe Serbia, akoma s’kanë arritur njohjet reciproke të ndërsjella.

Serbia nuk e pranon Pavarësinë e Kosovës nga ana e vet, ndërsa Republika e Kosovës, vazhdon t’i injorojë institucionet paralele serbe, që veprojnë posaçërisht në pjesën veriore saj.

Ndonëse e kaluara e afërt, solli përfundimin e luftës në mes këtyre dy shteteve, prapë se prapë, marrëdhëniet në mes Prishtinës dhe Beogradit, janë të brishta.

Serbia, akoma vazhdon t’i bojkotojë institucionet kosovare në veri të Kosovës, duke mohuar sovranitetin e saj, dhe duke i përcjellë probleme në vazhdën e njohjeve ndërkombëtare të mëvetësisë së shtetit më të ri në botë.

Jo shumë vonë në vite, nga insistimet e shumta si nga ana e SHBA-ve po ashtu edhe nga BE, Serbia nisi një dialog, i ashtuquajtur “dialog teknik” me Kosovën.

Me pak rezultate pozitive, sidomos për Kosovën, sot ky dialog pritet të vazhdohet në sferën politike, gjë që do ta dëmtonte akoma më shumë shtetin kosovar.

Kosova edhe pse gëzon përkrahje të shumë fuqive Botërore, sikur SHBA-të, Gjermania, Turqia, etj, akoma është impotente në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vet të përcaktuar ndërkombëtarisht.

 

Ditëve të fundit, po flitet se shteti Serb do të organizojë një Referendum me qytetarët e vet, lidhur me çështjen se në çfarë drejtimi do të shkojë shteti serb: të zgjedh BE-në si alternativë, apo Kosovën.

Një gjë të tillë Serbia nuk e ka problem, ngase me Referendumin ajo do të manipulojë si të dojë, ashtu sikur manipulohen rezultatet e zgjedhjeve në shumë shtete ballkanike, dhe prapë nuk do të vendos populli, por do të vendosin persona të veçantë, duke marrë barrën në shpinën e tyre.

Shqetësimin rreth çështjes së Referendumit, i cili mendohet se do të mbahet në tetor të këtij viti, e kanë shfaqur haptas shqiptarët, që jetojnë aktualisht në jug të Serbisë.

Gjatë marsit të vitit 1992, shqiptarët e Luginës së Preshevës, e mbajtën një Referendum, duke e shprehur vullnetin e tyre politik për bashkimin me Kosovë, si pjesë integrale të së cilës kanë qenë historikisht.

Spektri politik shqiptar i Luginës së Preshevës e ka ngrirë këtë vullnet politik, për ta përdorur vetëm gjatë fushatës elektorale, ose hartimit të ndonjë Platforme politike.

Po si kur të realizohet Referendumi në Serbi, me pyetjen se kah do të shkojë Serbia: në Kosovë, apo në BE, atëherë si do të deklarohen shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Mbesim me shpresën se përgjigjen për këtë pyetje, do të marrim së pari nga shteti amë Shqipëria, që kurrë s’u interesua për bërthamën shqiptare në Serbi, pastaj duke kërkuar përgjigje edhe nga autoritet kosovare, të cilët përsërisin gabimin e Shqipërisë, e pastaj edhe nga faktori politik shqiptar, që vepron në Luginë, i cili është i ngrirë në aspektet mbarëkombëtare.

Për një proces të tillë, fjalën duhet ta japin, këta faktorë relevantë, me këshillimin se si të veprojnë shqiptarët e jugut të Serbisë, të cilët kanë dëshirë ta quajnë veten, herë Kosovë Lindore e herë Luginë e Preshevës.

Ta bojkotojnë ose të dalin në Referendum, këtu qëndron çështja. Mes dy zjarresh! Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të votojnë për Serbinë, kur dihet se shumë procese në këtë shtet, ata i kanë bojkotuar, apo të votojnë për Kosovën, idealin e përhershëm, mirëpo kësaj radhe do ti shkonte për shtati Serbisë vota e shqiptarëve pro Kosovës.

Çështja e Referendumit në Serbi dhe kremtimi i 100 vjetorit të shtetit shqiptar, janë dy ngjarje, të cilat vjeshtën e këtij viti, në Luginën e Preshevës, do ta bëjnë për mos ta harruar kurrë!

Ja, si po katandisen shqiptarët e Luginës…!

Drilon Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch