Home » Kulturë » 10 vjet të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë “: RUAJTJA E GJUHËS AMTARE, DETYRË PARËSORE E ÇDO SHQIPTARI

10 vjet të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë “: RUAJTJA E GJUHËS AMTARE, DETYRË PARËSORE E ÇDO SHQIPTARI

Nga: Llazar Vero

-publicist,Filadelfia-SHBA

Llazar Vero

 

 

 

 

 

Ll.Vero

  1.Në vënd të hyrjes

Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, festoi 10-vjetorin e shkollës në gjuhën tonë amtare,”Gjuha Jonë”. Ishte një ngjarje e bukur, e mbushur me mbresa e kujtime, me këngë e recitime, por dhe me shkëmbime mendimesh për të nxjerrë mësime nga përvoja e deritanishme dhe, ende më shumë. Dëshira e të gjithëve është për të mos mbetur në këtë nivel, ku jemi, por për të shkuar më tej , në numër dhe cilësi. U synua jo për një festim sa për të kaluar radhën, pra “shihni se ç’kemi bërë ne”, po për një analizë pune dhe përcaktim detyrash për të ardhmen.

Përgatitjet filluan  kohë më parë. Që në ditët e para të majit iu dërguan ftesat shkollave shqipe, për të cilat kishim siguruar adresat elektronike dhe postare, për të marr pjesë në këto festime  dhe sidomos në bashkëbisedimin, “Ruajtja e gjuhës amtare – detyrë parësore e çdo shqiptari”. Për këtë qëllim, u hartua e u nis edhe një listë temash për të diskutuar. Kur kishte filluar veprimtaria, nga Patison i Nju Xhersit erdhën dy zonja, Gonxhe Metaj dhe Zëra Musliu,  shoqëruar nga disa vajza të reja, që përfaqësonin Shkollën  shqipe, “Fondi i Përbashkët Shqiptar”. Sigurisht, kjo nuk ishte e mjaftueshme, pasi të tjerët nuk u përgjigjën?!

Pamje nga salla, ku u  organizua veprimtaria

Pamje nga salla, ku u  organizua veprimtaria…

2.Një kremtim pune dhe gëzimi

Kështu, temat e bashkëbisedimit  i morën përsipër t’i përgatisnin disa anëtarë të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, mësues dhe prindër të nxënësve të shkollës sonë. Ndërsa përgatitjen e koncertit të fëmijëve e bëri, si përherë, kompzitori i njohur, sidomos për këngët kushtuar fëmijëve, Hamdi Gjana. Për problemet e tjera të organizimit të një feste të tillë, çdo anëtar i kryesisë së Shoqatës mori diçka përsipër dhe ata e kryen më së miri. Ja, Oriola Suku, anëtarja më e re e kryesisë, mori përsipër dhe realizoi me nivel profesional dizajnin e vlerësimit, “Pishtar i gjuhës shqipe”, fletëpalosjen dhe pullën ngjitëse, kushtuar kësaj ngjarjeje. Ndërsa zëvendëskryetari i ri i kryesisë së Shoqatës, Dritan Matraku, me të tjerë, zgjidhi problemet e organizmit të darkës, “Bukë e kripë dhe zemër”. Bashkim Bërdufi mori përsipër riparimin e sallës së mbledhjeve etj. Kështu me radhë, sekretari “veteran” i kësaj Shoqate, Vlashi Fili dhe Bujar Gjoka, LlazarVero, Sadik Elshani, Suzana Vangjeli, Petrit Zanaj etj. dhe më i shqetësuari, kryetari i ri i Shoqatës Tajar Domi, kishin nga një pjesë për realizimin me sukses të këtij përvjetori.

Dhe ja, erdhi dita e mirëpritur e  festës.  Si rrallëherë, salla e veprimtarive kulturore të Shoqatës ishte kaq e mbushur. Kishte nga ata, të cilët qëndronin në këmbë dhe disa të tjerë kaluan në mjediset e kafenesë, që është në vazhdim të sallës e guzhinës. Ishin të gjithë brezat së bashku: gjyshërit, prindërit dhe fëmijët. Salla e veprimtarive kishte disa ndryshime, nga ajo më e fundit. Në mure kishte më shumë portrete të njerëzve të shquar, të penës dhe fjalës së Kombit tone, por dhe me portretet e Presidentit të parë Amerikan, George Washington dhe të mikut të shqiptarëve,   Presidentit Wodroë Wilson.

Mësues të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, Filadelfia

Mësues të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, Filadelfia

Ceremoninë e rastit e hapi kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Tajar Domi. Pasi falënderoi pjesëmarrësit dhe miqtë e ardhur nga larg, grupin muzikor të violinistit të shquar Zeqir Sulkuqi, me këngëtaren e njohur Eglantina Toska dhe në tastierë pedagogun e pianistin nga Elbasani, Ellis Lloshi, në emër të këshillit drejtues të Shoqatës, ai u shprehu mirënjohjen e thellë sponsorizuesëve të Bashkësisë Shqiptare në Filadelfia.Ata ishin: familja Risilia, që me shumën e dhënë u bë e mundur blerja e kësaj ndërtese; familja Rrapi e dr.Silvana Çumani, Mexhit Kobaci etj., që në vite kanë mbështetur me bujari jetën e Shoqatës dhe të Shkollës shqipe. Më tej, folësi përshëndeti mësueset e e para të shkollës shqipe këty, Mirela Qirici, Mirjana Kina, Luljana Toshi etj., të cilat kanë punur vullnetarisht për tre vite me radhë, gjithë mësueset e tanishme, nxënësit dhe prindërit, që e kanë përcjellë me dashuri gjuhën shqipe, te fëmijët.

Pas kësaj fjale e kishin radhën zërat fëminorë të nxënësve të shkollës, që kënduan këngën himn të  shkollës, me titull: “Gjuha Jonë”, me tekst dhe muzikë të kompozitorit Hamdi Gjana. Emocione vërteta të fuqishme percolli kjo këngë te pjesëmarrësit.Të gjithë e pwrgwzuan autorin e saj dhe fëmijët e mrekullueshëm të shkollës: Anxhelina Sali, vëllezërit Vjonis dhe Aris Ramizi, Vanesa Shehu, Nadija Sulçaj, Irini Ramizi, motrat Erona dhe Fijona Shurdhiqi, Emma Rama dhe vogëlushja Alba Sinani, për këtë këngë të bukur.

 3.Bashkëbisedim për mbarëvajtjen e shkollës

Bashkëbisedimin e hapi Ll.Vero, anëtar i këshillit drejtues të Shoqatës, që është i ngarkuar nga kryesia e saj për ndjekjen nga afër të jetës së shkollës. Pasi bëri një kthim pas, në historinë e gjuhës shqipe dhe të sakrificave të mëdha, që janë dashur të bëhen për ruajtjen dhe shkrimin e saj, duke nderuar veprën e  martirëve të saj, si Budi, Bogdani, Bardhi dhe, më afër, Naum Veqilharxhi e Kostandin Kristoforidhi ose Papa Kristo Negovani e  Petro Nini Luarasi, etj., ai theksoi se është i pandashëm ruajtja e identitetit kombëtar nga trinomi:”Gjuha shqipe – Shqipja në  Flamur – Shqipëria”.

Më tej, ai vazhdoi:  “Kështu, 10 vjetë më parë,  në emër të Gjuhës Shqipe, Flamurit dhe Atdheut,  ngritëm këtë faltore të vogël me emrin Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”. Në të, kemi derdhur kaq mund dhe përkushtim, për t’u shërbyer qënieve më të pafajshme dhe më të bukura, fëmijëve të emigrantëve shqiptarë. E bëmë këtë, sepse gjuha amtare është fizinomia dhe identiteti i një kombi, i një individi…… Asgjë më shumë nuk duam të bëjmë, veç të çojmë në vend porosinë e Naimit të madh: “Gjuhë të tjera të mësojmë, por gjuhën shqipe ta kemi zonjë”.  Larg mburrjeve boshe, por duke e parë realitetin në sy, ligjëruesi theksoi se edhe kjo shkollë, që ne e shohim me krenari, është vetëm një filiz, nje fillesë për ç’ka duam të bëjmë.   Me një mesatare prej 50 nxënsish në vit , nuk ka vend për eufori. Të mendosh se në Filadelfia jetojnë rreth 25000 shqiptarë, ose 5-6 mijë familje, kuptohet se sa i madh do të ishte numri i nxënësve në shkollat shqipe.  Po në tërë Amerikën?! Pa pritur as nga qeveritë shqiptare ose amerikane,vetë ne së bashku mund ta kthejmë në realitet këtë ëndërr, duke e çuar shkollën dhe mësuesin sa më afër fëmijëve… Ja, edhe në këtë ndërtesë që kemi sot, mund te mësojnë 250-300 fëmijë çdo vit, duke shfrytëzuar të plota ditët e shtuna e të diela, pse jo, dhe të premten në mbrëmje”.

Studentë, ish-nxënës të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, Filadelfia

Studentë, ish-nxënës të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, Filadelfia

Mësuesja Rajmonda Bardhi ka vite që punon në këtë shkollë, pas një përvoje jo të shkurtër, kur ishte mësuese  e shkollës fillore në Shqipëri. Ajo vjen nga një familje mësuesish të respektuar nga rrethi i Fierit. Ndërsa vetë  i përket brezit të tretë të tyre. Në diskutimin, që bëri solli përvojën e një mësimdhenëseje cilësore, që punon  shumë e përkushtuar me fëmijët. Përvojës së saj në Shqipëri ajo i ka shtuar tani edhe atë të punës me fëmijët e emigrëntëve.  ” Në punën tonë, krahas arritjeve, -tha ajo,-ka edhe të meta. Pra, është nënvlerësimi i mësimit të gjuhës amtare në familje, së pari dhe punës më cilësore në shkollë, nga mësuesit. Prandaj kërkohet një bashkëpunim dhe gërshetim i punës ndërmjet mësuesve e prindërve”. Duke u ndalur në punën që bëhet në shkollë me nxënësit, krahas disa problemeve të mësimdhënies, ajo ngriti nevojën për më shumë orë qëndrimi në shkollë, duke e shtuar kohën e mësimit, të paktën edhe më nje orë më shumë në javë. Në këtë mënyrë, do të forcohet më tej puna në trekëndëshin mësues-nxënës-prind.

Një nga problemet ose më saktë justifikimet e prindërve, që nuk i sjellin fëmijët në shkollën shqipe dhe që nuk flasin shqip në familje, është dhe pretendimi se mësimi i gjuhës  shqipe i pengon fëmijët në mësimin e anglishtes. Rreth kësaj çështjeje, u përqendrua diskutimi i sekretarit të Shoqatës, Vlashi Fili, i cili me shëmbuj nga jeta në shkollën tonë dhe më gjërë, solli fakte dhe argument, se sa i pavënd dhe bosh ishte ky qëndrim. ” Është argumentuar shkencërisht dhe vërtetuar në praktikë, që fëmija mund të mësojë disa gjuhë, pa penguar njëra -tjetrën, – tha ai, duke e përfunduar fjalën e tij,- bile do të thosha se ato ndihmojnë njëra -tjetrën dhe zhvillimin mendor të fëmijës”.

“Prindi është kryesori për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët” – ishte baza e diskutimit të Irena Çepeles, nënë e një fëmije, që ndjek shkollën shqipe këtu.  “Cila është arsyeja, që edhe pse jetojmë në vendin më demokratik në botë, ku mundësia e zotërimit të më shumë se një gjuhe, diversiteti, si dhe gjithëpërfshirja nxiten dhe mirëpriten, fëmijët tanë të lindur në pjesën dërmuese nga të dy prindërit shqiptarë, nuk e flasin dhe lexojnë gjuhën e mëmës? Le të mos harrojmë për asnjë moment natyrën dhe ndjenjat atdhetare, të cilat për shumë janë arësyeja themelore, përse duhet t’u mësojmë fëmijëve shqip dhe të përqëndrohemi në arsyet e tjera më praktike, të cilat janë të shumta, por unë do të përmend disa”. Kështu, me një frymë debati  shoqëror, por edhe të argumentuar, ajo theksoi se përvetësimi i një gjuhe të dytë, e ndihmon fëmijën në studimet shkollore, se gjuha e mëmës është një burim kryesor i përvojave vetjake për fëmijët, se gjuha amtare na lidh dhe bashkon me rrethin familjar e shoqëror, se nëpërmjet saj ne u tregojmë fëmijëve se trashëgimia jonë kulturore është pjesë themelore e ekzistencës sonë si komb, etj. Duke përfunduar,  tha  se si nënë e dy vajzave, njëra prej të cilave flet dhe shkruan shqip e tjetra kupton pjesërisht, por nuk flet rrjedhshëm, është plotësisht e vetëdijshme për faktin që përgjegjësia për këtë bie pikërisht mbi ne, prindërit e saj.

Fjala e Ivzi Cipurit, në këtë bashkëbisedim për problemet e ruajtjes së gjuhës shqipe te fëmijët, më tepër se një diskutim i thjeshtë, ishte një studim që argumentonte shkencërisht se mësimi  i anglishtes nuk iështë pengesë për mësimin e shqipes dhe se teknologjia moderne e lehtëson mësimin e gjuhës amtare. Duke sjellë shëmbuj nga bashkësi të tjera, që jetojnë në Amerikë dhe argumentimin shkencor nga shumë studiues të këtyre fushave, ai solli për pjesëmarrësit një informacion të gjerë.  “Studimet kanë  vërtetuar,-theksoi më tëj ai,- përfitimet, që vijnë nga mësimi i një gjuhe të dytë, jo vetëm në zhvillimin e aftësive gjuhësore të nxënësve, por eshe për aftësitë njohëse – krijuese të tyre. Mësimi i një gjuhe tjetër në SHBA mbetet domosdoshmëri për të gjitha moshat, nga parashkollorët e deri në klasën e 12-të”.

4.Nderim për punën e përkushtuar të mësuesve

Për të nderuar punën disavjeçare dhe të përkushtuar të mësueseve, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, me këtë rast, përgatiti e miratoi vlerësimin “Pishtar i gjuhës shqipe”. Vlashi Fili, sekretar i Shoqatës,  lexoi emrat dhe motivacionin për secilën mësuese, të shoqëruar me në tufë lulesh.  Kjo ishte mirënjohja e shoqatës dhe gjithë bashkësisë shqiptare, në Filadelfia, për punën e tyre të çmuar në mësimdhënien e gjuhës shqipe te fëmijët. Mësueset Elvira Budo, Mirela Qirici, Mirjana Kina, Luljana Toshi, Mimoza Priftanji, Lindita Hysko, Sotir Binjaku, Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papaj, Irini Zenelaj, Kozara Doko, Majlinda Tahiraj, Kësmete Begollari e Adelina Ramizi, duke falënderuar për nderin e bërë, u zotuan që do të punojnë edhe më tej, në shërbim të shkollës shqipe në emigracion.

Të pranishmit në këtë bashkëbisedim dhe festim mbresëlënës të 10-vjetorit të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia, në fund i përshëndeti  Sadik Elshani, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”.  Pas një përmbledhjeje të shkurtër të kësaj ngjarjeje të shënuar, ai tha: “Të shpresojmë se kjo veprimtari, që zhvilluam sot, ky bashkëbisedim, do të na shërbejë, do të na ndihmojë që t’i organizojmë, t’i bashkërendojmë përpjekjet e punët tona edhe më mire, duke i identifikuar problemet dhe sfidat, me të cilat ballafaqohemi dhe qasjet, masat që duhen marrë, për ta kaluar çdo pengesë. Prandaj, kërkohet bashkëpunim dhe ndihmesa e të gjithëve”.

Pas këtyre fjalëve,  ai i ftoi pjesëmarrësit në koktejin tradicional,”Bukë e kripë e zemër”. Më tej e kishte fjalën grupi muzikor “Egnatia”, me drejtues violinistin e njohur Zeqir Sulkuqi, këngëtaren Eglantina Toska dhe në tastierë, pianistin Elis Lloshi. Kënga dhe vallja  popullore, pjesë klasike dhe popullore në violinë, mbushën orët e mbrëmjes jubilare.

Qershor, 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch