Home » Lajme » 100-vjetori i Pavarësisë: “Dita e Mësuesit, 7 Mars 2012”

100-vjetori i Pavarësisë: “Dita e Mësuesit, 7 Mars 2012”

     

 VEPRIMTARI E SHOQATËS SË ARSIMTARËVE TË SHQIPËRISË

Nga: Prof. Murat Gecaj

sekretar i Përgjithshëm i SHASH

Me rastin e “Ditës së Mësuesit-2012”, Festës së Arsimit Kombëtar Shqiptar dhe në kuadrin e veprimtarive për 100-vjetorin e  Shpalljes së Pavarësisë, Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë,  organizoi festimin e 7 Marsit – “Ditën e Mësuesit-2012”, në Sallën e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, ditën e hënë, datë 5 mars 2012, ora 17.00.

Ishin të pranishëm anëtarë të kësaj Shoqate, mësues e pedagogë, nxënës e studentë, arsimtarë veteranë, “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar”, përfaqësues nga disa shkolla 9-vjeçare e të mesme të kryeqytetit;  punonjës të arsimit, kulturës e shkencës; nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë.

Pasi e hapi tubimin, znj. Yllka Beçi, kryetare e SHASH, lexoi temën e saj, “Puna e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912”. Në të, ndër të tjera, ajo nënvizoi përkushtimin e gjithë anëtarëve të kësaj Shoqate; të mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve, të prindërve e mbarë shqoqërisë shqiptare, që t’i çojmë sa më përpara arritjet në fushën e mësimit dhe të edukimit në shkolla. Veçanërisht, kujdes po tregohet që të organizohen dhe zhvillohen veprimtari sa më masive e të bukura: kulturore, artistike e sportive e tjerë, për të ndriçuar udhën e përshkuar e për të ruajtur traditat atdhetare, arsimore e kulturore, në këtë 100-vjetor të lavdishëm të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare.

.

Më tej, ajo përmendi, shkurtimisht, veprimtaritë e zhvilluara nga kjo Shoqatë gjatë 16 vjetëve të saj, sidomos për përkujtimin e ngjarjeve historike, për traditat në fushën e arsimit dhe figurat e shquara të tij etj. Synimi i të gjithëve është që Shqipëria të zhvillohet e të përparojë, për t’u renditur sa më denjësisht në familjen e madhe demokratike europiane e më gjerë. Gjithashtu, ajo u ndal në përpjekjet që bëhen, në të gjitha trojet amtare e në diasporën shqiptare, që të zhvillohet arsimi në gjuhën shqipe, që fëmijtë e emigrantëve tanë ta mësojnë sa më mirë shkrim-këndimin shqip.

Pastaj, Murat Gecaj lexoi punimin e tij, me titullin: ”Ndihmesa e Qeverisë së Vlorës, për arsimin kombëtar shqiptar”. Ndër të tjera, ai dëshmoi  se cilët ishin delegatët,-mësues dhe drejtues të shkollave shqipe-, që e nënshkruan Aktin e Pavarësisë sonë Kombëtare, si dhe ata mësues e drejtues të arsimit, që u përkushtuan me të gjitha aftësitë e tyre: mendore, fizike e financiare, që të hapeshin sa më shumë shkolla shqipe, në të gjitha trojet amtare shqiptare. Këtu, veçanërisht, u ndal në rolin e madh të Kryetarit të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali, si dhe ministrit të Arsmit, Luigj Gurakuqi. Po aty, folësi tregoi shtrirjen e shkollave shqipe, në atë periudhë historike, jo vetëm në Vlorë e rrethinat e saj, por në të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi e Çamëri.

 



 

 

 

 

 

Ndërsa për  disa aspekte të zhvillimit të arsimit në vendin tonë, sot, foli Ma. Mimoza Demollari, mësuese në Gjimnazin “Sami Frashëri” të kryeqytetit.  Tema e saj ishte: “Edukimi atdhetar i nxënësve, me idealet e rilindësve tanë dhe detyrat e shumta, që kemi për formimin e gjithanshëm të tyre, në mbrojtje të interesvae të Kombit shqiptar dhe më gjerë”. Punimin e shoqëroi edhe me pamje të ndryshme, që ishin përgatitur nga nxënësit e shkollës, ku ajo shërben.

Përshëndetja e një grupi nxënësish dhe recitimet e tyre të frymëzuara, u pritën me duartrokitje nga të pranishmit. Po kështu, u dëgjuan me vëmendje edhe fjalët e disa pjesëmarrësve, si Fadil Kepi, Elsa Dedndreaj, Namik Selmani e tjerë. Arsimtari veteran e studiuesi Xhavit Mëzezi i dhuroi kësaj Shoqate veprën e tij, në katër gjuhë, me proverba, fjalë tw
urta dhe thënie tw mençura. Gjithashtu, u lexuan përshëndetjet e dërguara nga disa anëtarë e veprimtarë të kësaj Shoqate dhe nga mësues, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Në këtë ceremoni festive iu shpërndanë të pranishmëve lule dhe ata vizituan  ekspozitën e pikturës, përgatitur nga mësuesja Julika Simo. Në fund, së bashku, morën pjesë në koktejin e shtruar, me këtë rast.

Për zhvillimin e kësaj veprimtarie të bukur ndihmuan: Muzeu Historik Kombëtar, biznesmeni Shyqyri Duraku dhe Studio Grafike “Delta Print” (me Burhan Canin).

(Fotot nga: B.Xhama e M.Gecaj)

Tiranë, 5 mars 2012

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch