Home » Kulturë, Lajme » 15 maj 2018 – Theodhoros Pangallos në Tiranë – Honoris Causa nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë – Promovimi i librit të tij “Me Papandreun në Europë”

15 maj 2018 – Theodhoros Pangallos në Tiranë – Honoris Causa nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë – Promovimi i librit të tij “Me Papandreun në Europë”

Botimet Toena dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
organizojnë vizitën e z. Theodhoros Pangallos në Tiranë, në dt. 15 maj 2018.
 
Programi i aktiviteteve të parashikuara, 15 maj 2018 
Me praninë e SH.T.Z. Ilir Meta – President i Republikës së Shqipërisë
Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të z. Theodhoros Pangallos.
Ju mirëpresim!
———————————————–
Fragment nga libri:

Theodhoros Pangallos

“Me Papandreun në Europë”

 

“Njohja e vërtetë me Papandreun filloi pasi më bëri zëvendësministër të qeverisë në vitin 1982 dhe mori përmasa kryesisht falë udhëtimeve që bënim së bashku, në të cilat, ishte e shkruar që të kishim edhe shkëmbime pikëpamjesh dhe diskutime, që shumë pak prej bashkëpunëtorëve të tij kishin rastin të  bënin me të. Dhe kryesorja, besoj se pak veta kishin rastin ta dëgjonin të fliste për gjithçka që kishte lidhje me shkencën dhe diturinë, përveç rrethit të miqve të tij të ngushtë, të cilët, sigurisht, dinë gjëra në lidhje me jetën e tij private, shumë më tepër sesa mund të dinte kushdo tjetër, por, në fund të fundit, mendoj se këto gjëra nuk duhet të na interesojnë.

Hapësira së cilës do të mundohemi t’i japim jetë nëpërmjet faqeve të këtij libri, është ajo që ka të bëjë me Papandreun si lider i madh i një vendi, i cili luftonte të inkuadrohej në procesin e integrimit europian. Disa prej gjërave që kemi diskutuar apo kemi bërë së bashku, dhe që i takojnë asaj hapësire të ndërmjetme midis politikës së ushtruar publikisht dhe jetës krejtësisht private, mendoj se janë tregues të qartë mbi mënyrën me të cilën mendonte dhe merrte vendime ai burrë i madh shteti. Paralelisht, gjithmonë në lidhje me veprimtarinë e Papandreut dhe pjesëmarrjen e Greqisë në takimet ku shkonim bashkë, do të ndeshim edhe politikanë të tjerë të mëdhenj europianë dhe disa të tjerë më të vegjël.

Periudha që na intereson është e një rëndësie përcaktuese për integrimin e Greqisë në familjen europiane dhe për ekzistencën e ngrehinës europiane. Nuk jam i predispozuar të paraqes një vepër historike. Shumicën e atyre që do të shkruaj këtu, shumë nga miqtë e mi i kanë dëgjuar të treguara prej meje. Nëse sot ndiej nevojën që t’i hedh në letër, kjo ndodh për faktin se sa herë më dëgjonin, ata më inkurajonin ta bëja, që të mos humbisnin, jo aq për faktin se eksperienca ime personale kishte rëndësi të madhe, por sepse i referohen atij politikani të madh dhe asaj ecurie të rëndësishme të Greqisë drejt Europës.”———————————————————————-

CV-ja Theodhoros Pangallos

Theodhoros Pangallos

Ish-zëvendëskryeministër i qeverisë së Greqisë, ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Transporteve dhe Komunikacionit, ish-ministër i Kulturës, ish-deputet i Atikës.

U lind në Elefsina, më 17 gusht 1938. Studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe për financë (Doktor i Shkencave Ekonomike) në Universitetin Pantheon-Sorbonë të Parisit.

Që prej vitit 1969 deri në 1978 punoi në Sorbonë si asistent profesor dhe hulumtues për çështje të zhvillimit ekonomik, të programimit dhe të planifikim-rregullimit të territorit. Shërbeu gjithashtu si drejtor i Institutit të Zhvillimit Ekonomik në të njëjtin Universitet. Në vitin 1981 u zgjodh për herë të parë deputet me partinë PASOK, dhe është rizgjedhur duke e ripërtërirë pa ndërprerje mandatin deri në vitin 2012.

Në vitin 1982 shërbeu si zëvendësministër i Tregtisë, në vitin 1984 shërbeu si zëvendësministër i Jashtëm për Çështje të Komunitetit Europian dhe në periudhën 1985 – 1989 shërbeu në postin e ministrit Plotësues të Punëve të Jashtme.

Në tetor 1993 u betua përsëri si ministër Plotësues i Punëve të Jashtme. Në korrik 1994 mori detyrën e ministrit të Transportit dhe të Komunikacionit. Në janar të vitit 1996 u betua si ministër i Punëve të Jashtme, duke e ushtruar këtë detyrë deri në shkurt të vitit 1999. Në prill të vitit 2000 u betua si ministër Kulture dhe qëndroi në këtë post deri në nëntor të vitit 2000.

Që nga viti 2004 deri në zgjedhjet e vitit 2009 përfaqësoi Parlamentin Grek në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Europiano-Perëndimor dhe të Këshillit të Europës.

Më 6 tetor 2009 u betua si zëvendëskryeministër. Ushtroi këtë funksion deri në muajin maj 2012.

Ka shkruar shumë artikuj dhe libra të ndryshëm, midis të cilëve përmendim: “Globalizmi dhe e Majta” (2001), “Profetë efemerë –ngërçe të neoliberalizmit dhe lëvizje sociale në epokën e globalizmit” (2005), “Europa në udhëkryq” (2005), “Ndërhyrje tek Aktualiteti” (1994), “Greqia në Komunitetin Europian” (1988), “Të gjithë së bashku i hëngrëm” (2012), dhe “Ndërhyrje te politika” (2014), “Fjalorthi i kollotumbës” (2017).

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch