Home » Lajme » Kreu i Aleancës Popullore Artur Dojaka ne konference per shtyp pas ngjarjeve në KQZ

Kreu i Aleancës Popullore Artur Dojaka ne konference per shtyp pas ngjarjeve në KQZ

Kreu i Aleancës Popullore Artur Dojaka ka dhënë sot pasdite një konferencë për media në zyrat e kësaj partie, pas ngjarjeve në KQZ. Ky Komision mori sot në shqyrtim kërkesën e AP-së për ndryshimin e emrit të kryetarit bazuar në një vendim gjykate. Por në mënyrë të papritur dhe jashtë rendit të ditës një përfaqësues   PDIU kërkoi çregjistrimin e Aleancës Popullore  nga listat e 23 Qershorit. Kërkesa solli pështjellim në sallë. Kreu i AP, Dojaka tentoi të merrte fjalën por u ndërpre arbitrarisht nga kryetarja e KQZ dhe e njëjta sjellje me moslejim të marrjes së fjalës u konsumua edhe ndaj përfaqësuesve ligjorë të AP, të pranishëm në sallë.
Juristi i AP-se tha për mediat e pranishme që “është absurde që të mos njohësh një vendim gjykate dhe dhjetë-fish absurde të kërkohet çregjistrimi i një partie të regjistruar”.

Përfaqësues të PD-së dhe PDIU-së vijuan me kërkesat e tyre pa lejuar asnjë nga të pranishmit e AP-së të fliste. KQZ me 4 anëtarë u tërhoq më pas për të marrë vendim duke thënë se do kthehej në sallë për 10 minuta. Por tërheqja për vendim zgjati plot 35 minuta. Mësohet se gjatë kësaj kohe përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë dhe drejtues të koalicionit të majtë kanë shprehur rezerva të forta për atë që po ndodhte në KQZ me AP-në që përfaqëson në këto zgjedhje komunitetin çam.

Pas 35 minutave, KQZ doli me një vendim që ishte krejt i kundërt nga pritshmëritë që krijoi sjellja e tyre me përfaqësuesit e AP-së. Kryetarja Lefterije Lleshi shpalli që njihte vendimin e gjykatës për ndryshimin e emrit të kryetarit të AP-së dhe që nuk pranohej e as merrej në shqyrtim kërkesa e PDIU-se për çregjistrimin e AP-së.

*Fjala e Dojakës*

Në 18 e 30 e ditës se sotme, disa orë pas këtyre ngjarjeve kreu i AP-së Artur Dojaka doli në një konferencë për media ku tha: “Aleanca Popullore vjen pas një dite të vështirë në KQZ. Ky institucion konsumoi sot një tentativë për të mos lejuar pjesëmarrjen e Aleancës Popullore në zgjedhjet e 23 Qershorit. Kjo përpjekje dështoi, në saj të mbështetjes së aleatëve politikë dhe miqve tanë ndërkombëtarë, por është rasti të shprehim zhgënjimin tonë të thellë për mungesën e  profesionalitetit dhe paragjykimet në vendimmarrje të trupës së anëtarëve të mbetur të KQZ-së. E konsideroj të papranueshëm komunikimin e tyre skandaloz me kryetarin dhe përfaqësuesit juridikë të Aleancës Popullore gjatë mbledhjes së djeshme. Denoncojmë përpjekjen e mazhorancës nëpërmjet përfaqësuesit të PDIU-së për të kryer një agresion hileqarësh duke dalë jo vetëm nga rendi i ditës por edhe nga i gjithë kuadri ligjor kushtetues i vendit. PSE-të e kësaj përpjekje të dështuar sot në KQZ lidhen me atë që përfaqëson Aleanca Popullore dhe shqetësimin për mbështetjen e  saj të gjerë në komunitetin çam.
Garantojmë Dështim Idrizin dhe ata që janë para dhe pas tij se nuk ka marifet apo hilera procedurash që mund të dalin mbi këtë mbështetje dhe vullnet popullor. Çamët e kanë bërë zgjedhjen e tyre në 23 Qershor”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch