Home » Opinione » Opinion – KOMANDANTI…

Opinion – KOMANDANTI…

Shiu i majit, i cili bie, pandërprerë, gjatë shënimit të përvjetorëve të lavdisë kombëtare, në Luginën e Preshevës, freskon zemrat e nënave të zhuritura nga malli për djemtë e tyre të flijuar për lirinë e Atdheut.

 

Lulet e majit, shndërrohen në kurora lulesh për t’i zbukuruar varrezat, pllakat përkujtimore dhe lapidarët e dëshmorëve të kombit.

“Ditët e Komandant Lleshit”, alias Ridvan Qazimi, në Bujanoc, po përcillen me një varg aktivitetesh dhe manifestimesh të ndryshme, të cilat tashmë janë bërë tradicionale.

Po mbushen 12 pranvera nga vrasja tinëzare e ish-kryenegociatorit të ekipit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Komandant Lleshit, dhe ende asnjë gjurmë për zbardhjen e këtij krimi, i cili preku në shpirt e zemër gjithë shqiptarët, anekënd viseve etnike.

Dinjiteti kombëtar, atdhedashuria, janë vlera patriotike për të cilat Komandant Lleshi u flijua, ra dëshmor për t’u ngritur në Altarin e lirisë. Edhe sot pas 12 vjetësh, ruhen të freskëta kujtimet për njeriun e pushkës dhe të paqes.

Për trimërinë dhe heroizmin e Komandant Lleshit, ndjehemi krenarë dhe mburremi për rrugën tonë të drejtë rreth realizimit të aspiratave shekullore për liri dhe bashkim kombëtar.

Amaneti

 

Heshtja e armëve dhe fillimi i proceseve politike për zgjidhjen e krizës në Luginën e Preshevës, të paraparë me marrëveshjen e Konçulit, të 21 majit 2001, nuk përmbushi amanetin e të rënëve për liri.

 

Gjatë kësaj periudhe 13 vjeçare, janë nënshkruar disa marrëveshje e janë nxjerrë disa platforma e deklarata politike për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në këtë rajon, por mjerisht ato kanë mbetur vetëm në letër.

 

Beogradi, jo vetëm që nuk ka vullnet për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve në Luginë, por, ai, qëllimisht krijon probleme të reja artificiale për t’i futur edhe më shumë ata në telashe. Në këtë mënyrë pushteti aktual serb, si ai i mëparshmi, realizon ëndrrën e kahershme për spastrimin etnik të elementit shqiptar në këto hapësira.

 

Heqja me forcë e Lapidarit të dëshmorëve të ish UÇPMB-së, në Preshevë, nga xhandarmëria serbe, burgosja me qindra vjet burg të çlirimtarëve, janë dëshmia më e qartë se ky shtet nuk i lë të qetë shqiptarët as në varrë e as mbi tokë.

 

Stërngarkimi i zonave kufitare me forca të shumta serbe, moslejimi i përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, vazhdimi i gjyqeve politike ndaj ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, dhe presione të tjera politike dhe ekonomike që i dalin përpara shqiptarëve të Luginës, janë probleme, që mbajnë të trazuar shpirtrat e shqiptarëve për një qasje të re të krizës në Luginë.

Respekti

Përçarjet në skenën politike, të Luginës së Preshevës, reflektohen edhe në përvjetorët e lavdisë kombëtare, në protesta dhe manifestime të tjera, çka paraqet mungesën e respektit për këto evenimente të larta kulturore.

Jo vetëm në momentet e përkujtimit të dëshmorëve të kombit, por në vazhdimësi të përhershme, ndjenja e respektit duhet të merret si obligim moral, njerëzor e kombëtar, në shërbim të çështjes kombëtare.

Lulet e majit, të cilat ujiten me gjakun e dëlirë të bijve e bijave më të mirë të kombit, janë mesazhi më i fuqishëm, janë shembulli më i qartë, janë vërejtja më serioze për ne, të dimë se si sillemi, ku jemi dhe çfarë bëjmë për të ardhmen e vendit tonë.

Ky mosunitet shqiptar, po ndikon edhe në zbehjen e shënimeve të datave të lavdisë shqiptare dhe po paraqet një mangësi organizative, e cila nuk i shkon për shtati askujt, përveç Beogradit, i cili po e dëshiron një çorientim të tillë të shqiptarëve për t’i sunduar më lehtë e më mirë!

Drilon Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch