Home » Opinione, Vendore » 21 vjetori i Referendumit dhe bisedimet për serbët e Kosovës në Bruksel, kurse për shqiptarët e Luginës me një “nëpunës” të Beogradit

21 vjetori i Referendumit dhe bisedimet për serbët e Kosovës në Bruksel, kurse për shqiptarët e Luginës me një “nëpunës” të Beogradit

             “Po qe se ke humbur pasurinë, ke humbur pak,

                                                                        Po qe se ke humbur shëndetin, ke humbur shumë,

                                                                        Po qe se ke humbur besimin, atëherë ke humbur gjithçka!”

                                                                                    (Hivzi Sylejmani, romani “Njerëzit”)

 

 

 

 

 

 

Shkruan: Nehat Hyseni

Ky përvjetor  i Referendumit është më i rëndësishëm, pikërisht në këtë vit  janë duke u zhvilluar bisedimet për serbët e veriut të Kosovës, si dhe jannë shënuar hapat e pare të bisedimeve të shqiptarve të Luginës me Beogradin.Për dallim nga dialogu që po zhvillohet për serbët e veriut të Kosovës, në Bruksel, bisedimet për shqiptarët e Luginës  aktualisht  janë duke u zhvilluar midis një “nëpunësi” shtetërorë të Serbisë i cili shërben vetëm si “postier” midis shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe Qeverisë së Serbisë. Në këto rethana, çështja e shqiptarve të Luginës, sa duket, po trajtohet si  “punë e vogël”. Prandaj, atyre nuk u ofrohet asgjë më tepër se sa një farsë bisedimesh,pa çka se ata janë dyfish më tepër në numër në krahasim  me serbët e veriut të Kosovës! Besimi në disa liderë aktualë të Luginës ka humbur deri në atë masë, sa që populli ka humbur çdo shpresë, meqë ata nuk i mbajtën premtimet para TV kamerave, e ku  mbetet me u besua atyre në bisedimet me dyerë të mbyllura, jashtë syrit dhe veshëve të publikut?!

                 Kremtimi  i 21 vjetorit të Referendumit

Jemi në vigjilie të kremtimit të 21 vjetorit të Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, në të cilin shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u deklaruan për “Autonomi Politke e Territoriale, me të drejtë bashkimi Kosovës”.

Shpresojmë që, për dallim nga shumë përvjetorë të mëparshëm kur  shumë subjekte politike të shqiptarëve të Luginës e harruan fare këtë eveniment historik, ose disa të tjerë improvizuan sa për sy e faqe, ose si thonë te ne “për mos me u koritë”.

Ndërkaq, më të paktë ishin ata që organizuan manifestime dinjitoze, për ta përkujtuar popullatën shqiptare të kësaj treve të gjeografisë shqiptare se akoma nuk I kemi realizuar objektivat e tij dhe se kemi obligime për të bërë akoma më shumë në këtë rrugë të ndërtimit të ardhmërisë sonë më të lumtur, duke u mbështetur në realizimin e kauzës së përcaktuar në deklarimin e parë në historinë e shumëvuajtur shekullore, të deklarimit të lirë vullnetit të vet politik.

Ky përvjetor është më i rëndësishëm, meqë pikërisht në këtë vit  janë duke u zhvilluar , edhe atë me një tempo tejet intensive, pikërisht në këtë vit  janë duke u zhvilluar pikërisht në këtë vit  bisedimet për serbët e veriut të Kosovës, si dhe jannë shënuar hapat e pare të bisedimeve të shqiptarve të Luginës me Beogradin.

Ky vit filloi me “stuhi” politike  në Luginë, lidhur me lapidarian e UÇPMB-së në Preshevë dhe kriojoi situatë dramatike, që shqetësoi të gjithë shqiptarët e kësaj treve dhe jo vetëm ata, por edhe opinionin mbarëshqiptarë, duke u vendosur kështu në fokus të vëmendjes së tyre.

Organizimi i tribunave politike kushtuar Referendumit do të ishte tejet e nevojëshme për kyçjen e popullatës në diskursin politik dhe transparencën e politikbërjes shqiptare lidhur me zgjidhjen e çështjes së tyre., duke kyçur forcat dhe idetë kreative  të të  rinjve dhe të gjitha forcave shoqërore, politike e kulturore.

Manifestimet e ndryshme kulturore, gjithashtu do të ishin të mirëseardhura për shenimin e kësaj date kaq të rëndësishme, si psh. Koncerteve, shfaqjeve teatrale-drammave, komedive e tj. apo të “party”-ve të të rinjve, etj. Pse jo, do të ishin të mirëseardhura edhe manifestimet e ndryshme fetare kushtuar Referendumit.

                                          F a r s a

Në vlugun e “turbo” bisedimeve të Brukselit për statusin e serbëve të veriut të Kosovës, midis kryeministrit Thaçi dhe premierit Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pas poshtërimit denigrues dhe përdhosjes së vlerave më sublime dhe dinjitetit të tyre njerëzorë e kombëtar, është inicuar “dialogu” i tyre me Beogradin.

Ky  “dialog”, ose më mirë me thënë i ashtuquajturi dialog, për dallim nga ai që po zhvillohet për serbët e veriut të Kosovës, që është duke u zhvilluar në nivelin më të lartë të ekzekutivit shtetërorë, pra midis kryetarëve të qeverive respektive, me ndërmjetësimin e instancës më të lartë diplomatike të Këshillit të BE-së, aktualisht  është duke u zhvilluar midis një “nëpunësi” shtetërorë të Serbisë, kryetarit të Trupit Koordinues Zoran Stankoviq,  i cili nuk ka kurrëfarë kompetencash domethënëse dhe shërben vetëm si “postier” dhe urë midis shqiptarëve të Luginës dhe Qeverisë së Serbisë. Dhe asgjë më tepër!

Pra, z. Stankoviq, në takimin me shqiptarët e Luginës vetëm bëri “regjistrimin” e kërkesave të tyre, duke e vënë veten në pozitë të një “sporteli”, nga i cili ai si “postier” do t’ia bartë ato Qeverisë. Shtrohet pyetja: Çka pastaj?

Përgjigja është e qartë: Pastaj, z. Stankoviq do t’i merrë “përgjigjet” nga Qeveria e Serbisë dhe do t’ua përcjellë ato shqiptarve të Luginës. Pastaj, prap vërejtjet eventuale do t’ia përcjellë Qeverisë, dhe viceversa (anasjelltas). Pra, këto bisedime do të jenë një lojë “ping-pongu”, midis lidershipit shqiptarë të Luginës, z. Stankoviq dhe Qeverisë në Beograd, duke hedhur topin nga njëri tek tjetri.

                                          Loja e ping-pongut

Deri kur do të zgjasë kjo lojë “ping-pongu”?

Natyrisht, deri sat ë jetë nevoja. Kur të përfundojnë bisedimet, me gjasë gjeo-politike, për serbët e veriut të Kosovës, do të kryhet edhe këtu loja. Kuptohet, nëse bihet dakord për me u marrë vesh dhe nëse nuk ndodhë që, të bien dakord për mos me u marrë vesh për asgjë.

Atëherë çfarë do të ndodhë?

Asgjë. Ky “tren” për ta dërguar Serbinë në datën e anëtarsimit të saj në BE do të “kaloj” dhe do të pritet tjetri. Sepse, as BE e as SHBA nuk e kanë ndërmend me e lënë Serbinë në duarë të Rusisë, sepse e dojnë atë kah veti.

Në këto rethana, çështja e shqiptarve të Luginës, sa duket, po trajtohet si  “punë e vogël”. Prandaj, atyre nuk u ofrohet asgjë më tepër se sa një farsë bisedimesh. Pa çka se ata janë dyfish më tepër në numër në krahasim me serbët e veriut të Kosovës!

                                        “Matematika politike”

Këtu kemi të bëjmë me një lloj “matematike” që quhet “matematikë politike” alla-europiançe, sipas të cilës, një  gjysmë (serbi), ose 50%, apo 0.5 është më i madh se sa tërësia, apo 100%, apo 1 (shqiptar) i plotë!

Keni të drejtë nëse u bêtë nervozë nga kjo lodhje truri me “matematikë”. Edhe po të mos i bini në fije, nuk është marre. Sepse, të jem i sinqertë, as unë, edhepse po ju duket (ndoshta) se po e luaj rolin e mësuesit apo profesorit, si deformim profesional që mund ta kem, si edhe shumë ish kolegë të mi, ju siguroj se nuk po e kuptoj me tamam as unë. Bile, bile, nuk po e kuptoj fare!

Prandaj, po ju thërrasë të gjithëve, që bashkërisht, ashtu si mësonim dikur në shkollë, por tani pa dërrasë të zezë, të fillojmë nga “deshifrimi” i kësaj farë dreq “matematike poltike”.

Pra, serbët e Kosovës, ndoshta ka nga ata që nuk e dijnë, për nga numri janë dyfish më pak se sa shqiptarët e Luginës së Preshevës. Megjithatë, edhepse ata janë më pak për nga numri, vlera e tyre aktualisht në tavolinën e bisedimeve është shumëfish, ndoshta dhjetra e qindra herë më e madhe se ajo e shqiptarve.

Kjo do të thotë se: një shqiptar nuk është i barabartë me një serb, bile as me gjysmën e tij, e ndoshta as me të dhjetën pjesë të tij. Vlera e shqiptarit të Luginës së Preshevës është pakrahasueshëm më e vogël se sa ajo e e serbit të Kosovës, prandaj edhe nuk na u krahasuakan. Së paku, ashtu po na thotë “politika” dhe ashtu po veprohet: si nga europianët, ashtu edhe nga lidershipi kosovarë në bisedime, e për lidershipin serb të mos flasim fare, sepse mund të shkoj hesapi aq larg, e ndoshta nuk dalim as të jemi njerëz sipas tyre! Apo në variantin më tërë të jemi “njerëz me bishta”.

Po lidershipi i shqiptarve të Luginës ku gjendet në këtë vorbull të “matematikës politike” që aktualisht po aplikohet në këtë trevë, ku vlen krahasimi i Hanko Hallës së Ali Asllanit midis “gjerdanit prej ari” dhe thëngjillit. Sepse, njëri na qenka për në “gushë” e tjetri për në furrë”…

                         “Burrëria” e lidershipit të Luginës

Ky lidership është trim, i mençur dhe mbi të gjitha është I fjalës, bile kemi nga ata “trima mbi trima” që nuk lejojnë Serbinë me ua luajtë “as një milimetër lapidarin” sepse ata do ta “bojkotojnë Serbinë”, do të japin “dorëheqje të parevokueshme”, do të “tërhiqen nga pushteti”, do të veprojnë me “rrugë alternative”, do të…, e do të …Sepse, ata janë burra të fjalës, atë çka e “pështyejnë, nuk e lëpijnë” edhe le të bëhet “deti kos”.

Burrat shqiptarë, e sidomos burrat  e Moravicës ashtu e kanë. Se “burri lidhet për fjale, e kau për brina” thotë fjala e urtë popullore.  Sidomos këta burra, e thanë “rrastë” para “vatanit e para miletit”, midis Prishtinës mu në KTV. Prandaj, burrat preshevarë e burrat shqiptarë e bënën të vetën edhe i mbushën me gëzim anekënd miletin, duke i parë këta “burra të dheu”.

Por ama, këta burra e kishin lënë “lapidarin përballë Daçiqit” dhe xhandarmerisë serbe me qëndrue, sikur me qenë ai ndonjë robot lufte që i përdorte Amerika në Gjrin Persik apo që i përdorin gjithandej ushtritë moderne në botë. Prandaj, as nuk nevoitej kujdestari e kujdes. Tek e fundit, aty ishin gazetarët për ta “ruajtur” atë. Dhe ata fjetën qetë e rahat duke e lënë lapidarian ta mbrojë vetveten.

Nuk ishin këto fjalë mllefi dhe ironie, por trishtimi, për gjendjen reale në duarë të kujt, pra të çfarë lidershipi gjëndet aktualisht fati i shqiptarve të Luginës, ku fjala e dhënë nuk vlenë as “pesë pare” dhe gjithçka thuhet, premtohet e betohet në vlerat më të shenjëta kombëtare, fetare e burrërore, ka afat më pak se bora që shkrihet në diell. Andaj edhe sillemi sikur nuk ndodhi asgjë!

Pra, kemi një kredibilitet (besim) të përdhosur deri në pikën e fundit të lidershipit shqiptar të Luginës, të cilët para pak kohë u quajtën me epitete më poshtëruese nga politikanët shqiptarë të Kosovës. Mirë e  tha dhe me shumë urti e formuloi këtë gjendje të tmerrëshme, një mik i imi para disa ditësh: “Nuk po hidhërohem se liderët tanë u fyen nga politikanët kosovarë, por po fyhem e po tmerrohem nëse ia kanë qëlluar”!

Ky është konteksti politik në të cilin janë duke u zhvilluar bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel për serbët e veriut të Kosovës, si dhe bisedimet midis shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe një nëpunësi serb që do t’ia përcjellë “regjistrin” e kërkesave të tyre Beogradit.

Besimi në disa liderë aktualë të Luginës ka humbur deri në atë masë, sa që popullit i ka humbur çdo shpresë se diçka e mirë mund të bëhet dhe mund të ndodhë realisht. E si mud të jet ndryshe, kur liderët e tyre politik, e që tani do të zhvillojnë dialog në emër të tyre me Serbinë, as fjalët dhe premtimet e dhëna para auditorit të TV nacionalë nuk i përmbajnë.  Ku mbetet me u besua atyre në bisedimet me dyerë të mbyllura, jashtë syrit dhe veshëve të publikut?!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch