Home » Opinione » 21 vjetori i Referendumit të shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel

21 vjetori i Referendumit të shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel

Shkruan: Nehat Hyseni

Përvjetori i 21-të i Referendumit të shqiptarve të Luginës së Preshevës është duke u shënuar në kohën e zhvillimit intensiv të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel,  ku do të vendoset fati i serbëve të veriut të Kosovës. Edhepse shqiptarët e Luginës janë dyfish më tepër në numër se ata, megjithatë, çështja e tyre nuk u  përfshi fare në ato bisedime. Derisa për serbët e Kosovës ofrohen ndihma dhe kushte marramendëse nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, shqiptarët  e Luginës persekutohen, nëpërkëmben dhe keqtrajtohen nga pushteti i Serbisë, duke ua rrënuar kujtimet për dëshmorët dhe duke ngritur përmendore për vrasësit e tyre, duke ua ndaluar Abetaren e përbashkët dhe duke e militarizuar çdo pllëmbë të tokës së tyre stërgjyshore. Referendumi i arriti, bile edhe i tejkaloi, në aspektin e publicitetit, si dhe të organizimit të gjithëmbarshëm të të gjithë shqiptarëve të Luginë,  parashikimet dhe pritjet tona, duke u paraqitur në top lajmet e Agjencive kryesore botërore , europiane e rajonale. Edhepse ka kaluar një kohë kaq e gjatë nga mbajtja e Referendumit, megjithatë nuk kemi unitet të plotë të shqiptarëve reth institucioneve të tyre të përbashkëta në nivel të Luginës. Lënia pasdore e fatit të shqiptarve të Luginës, duke i shuar të gjitha shpresat e tyre për një jetë dhe të ardhëme të dinjitetëshme dhe njerëzore, rrezikon të shpërthej dhe sikur kërcnon me gjendjen e padurueshme, të pashpresë dhe të patolerueshme në të cilën aktualisht është lënë kjo pjesë e gjeografisë shqiptare.

 

  1. 1.     Fillet e organizimit të pavarur politik të shqiptarve të Luginës

 

Organizmi i pavarur politik i shqiptarve të Luginës së Preshevës filloi në vitin 1990,  duke shenuar hapat e parë të organizimit të pavarur politik nga Vranja, Leskovci e Beogradi, me themelimin e partisë së parë politike të shqiptarëve që kishte shtrierje,  (me  formimin e degëve) në tri komunat e banuara me shqiptarë në Serbi: në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe në diasporë, më 19 gusht 1990. Kjo ishte Partia për Veprim Demokratik  (PVD), me seli në Preshevë.

Ndërkaq, pak kohë më parë,gjithashtu në Preshevë, ishte formuar edhe Shoqata e Pavarur Demokratike (SHPD), e cila më vonë u shndërrua në parti politike me organizim dhe shtrierje vetëm në komunën e  Preshevës.

Ky organizim i pavarur politik erdhi pas formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK) më 23 dhjetor 1989, që tubonte të gjithë shqiptarët e Kosovës, si dhe në diasporë. Ajo ishte dhe mbeti një kohë të gjatë si parti e vetme politike e shqiptarëve të Kosovës dhe nuk përfshiu, edhe përkundrejt vullnetit dhe dëshirës së madhe të popullit, për arsye të kuptueshme organizative e  politike, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

  1. 2.     Frytet e këtij organizimi

Edhepse fillimisht kishte zikzake dhe huti të ndryshme politike, duke shfryrë shpeshëherë folklorizëm e radikalizëm jorealist, megjithatë përvojat e para pluraliste, përkundër sfidave të mospasjes së eksperiencës, filluan të japin frytet e para të organizimit të pavarur politik të shqiptarve të Luginës, duke dhënë deputetin e parë në zgjedhjet e para pluraliste në Serbi, si dhe organizimin e pushtetit lokal në Preshevë,fillimisht  pjesmarrjen, kurse më vonë edhe udhëheqjen  në pushtetin lokal të Bujanocit, si dhe pjesmarrjen në pushtetin lokal të Medvegjës.

Duhet pranuar se sfidat ishin të mëdha në këtë rrugëtim dhe të mundimshëm, përplotë me pasiguri, të panjohura e rreziqe, në kushtet e luftës në Kroaci dhe Bosne, si dhe në pacifizimin e Kosovës dhe Luginës së Preshevës, me forca të mëdha ushtarake e policore, të vendosura nga regjimi fashist i Millosheviqit, si dhe nga bandat kriminale të Arkanit, Sheshelit etj.

Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992,  shqiptarët organizuan Referendumin me pytjen: “A jeni për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkëngjitjes Kosovës?

Deklarimi i shqiptarëve ishte masovik, plebishitar e solemn, duke shenuar një numër rekord të daljes në votim, reth 98.60% e tyre u deklaruan “PËR”.

Pra, siç shihet, Referendumi kishte dy ditë të përcaktuara për mbajtjen e tij: datën 1 dhe 2 mars.

  1. 3.     Caktimi i datës dhe  pyetjes (opcionit) të Referendumit

Ne i caktuam dy ditë për mbajtjen e Referendumit, për arsye sigurie. Meqë nuk ishim të sigurtë se do të lejoheshim nga pushteti  dhe se  si do të reagonin organet policore ndaj  mbajtjes së votimit në vendvotimet e vendosura kryesisht në shtëpi e lokale private. Prandaj, kishim lënë një ditë “rezervë” që në rast të dështimit në ditën e parë, për shkak të intervenimit eventual të pushtetit serb, do të riorganizoheshim për ditën e dytë, duke iu përshtatur rethanave që do të na imponoheshin, në mënyrë që ai të mos dështoj kurrësesi.

Gjithashtu, duhet përmendur edhe faktin se ne kishim caktuar pikërisht këtë date të mbajtjes së tij, meqë përkonte metë njejtën date të Referendumit të Bosnes, i cili ishte në fokus të interesit të opinioinit dhe për të cilin ishin caktuar atëherë për ta mbikëqyrur reth 200 vëzhgues ndërkombëtarë. Andaj, ne shpresonim se kjo do t’i ndihmonte edhe internacionalizimit të Refrendumit dhe çështjes tonë, duke qenë në kontakt me ata dhe duke kërkuar që një pjesë e atyre vëzhguesve, së paku 5-10 prej tyre ta pë paku 5-10 prej tyre ta përcillnin situatën edhe tek ne.

Mirëpo, kërkesa jonë që u dërgua atëherë nga ish sekretari i PVD-së, i ndjeri Rexhep Hasani dhe autori  i këtij teksti SDA-së së Sanxhakut me seli në Novi Pazar, për t’ia përcjellur atë autoriteteve të Bosnes, nuk mundi të realizohej për shkak të planit të përcaktuar dhe  agjendës së ndërkombëtarëve.

  1. 4.     Jehona e Referendumit

Ky ndërkombetarizim i çështjes tonë që arriti sukses të madh dhe krijoi një satisfaksion tek ne, meqë u kurorëzuan me sukses angazhimet dhe investimet tona në këtë projekt madhor kombëtar. Nga kjo kohë, Serbia kurrë nuk mundi ta injoroj çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës si çështje „inekzistente“, bile këtë nuk e arriti as në kohën e regjimit të Millosheviqit.

Përkundrazi, kjo çështje filloi të shërbej si „balancë“ midis serbëve të Kosovës dhe çështjes sonë,  si „çështje e shqiptarve në Serbi“.  Sidomos pas vitit 1999, problemet tona filluan të shërbejnë për krahasim me pozitën e serbëve në Kosovë, edhepse kjo bëhej në mënyrë tejet të zbehtë. Kështu, politika kosovare nuk e shfrytëzonte sa duhet këtë argument në luftën kundër propagandës agresive të Serbisë për avancimin e pozitës së serbeve në Kosove.

Kurse, të gjitha subjektet politike të shqiptarve të Luginës së Preshevës miratuan Deklaratën për parimin e „reciprocitetit të plotë të pozitës së tyre me serbët e Kosovës“ dhe kërkesës së tyre këmbëngulëse që „ të trajtohen njësoj sikur serbët e Kosovës“.

Ky veprim vizionar dhe i pjekur politik i shqiptarve të Luginës,  jo vetëm që kishte rëndësi për ngritjen e çështjes së tyre, që tani ishte përkeqësuar në mënyrë drastike me ndarjen me kufi shretëror nga Kosova. Por, ndihmonte edhe ndërkombëtarët për ta kuptuar çështjen tonë.  Sepse, ne nuk kërkonim “asgjë më shumë, por dhe asgjëmë pak“ se ç’kërkonin serbët e Kosovës!
Vlerat e Referendumit, edhepse nuk ekzistonin kushte dhe rethana objektive për realizimin e plotë në praktikë të vullnetit politik të shqiptarve të Luginës, të deklaruar në Referendum, megjithatë shërbenin si bazament i fuqishëm i veprimit politik dhe si synim dhe pretendim i përhershëm politik i tyre. Dhe kjo shfrytëzohej dhe mbështetej fuqishëm dhe pa asnjë  dilemë apo luhatje, nga të gjitha subjektet dhe partitë shqiptare te Luginës, pa asnjë përjashtim.

Deklarimi i shqiptarve të Luginës së Preshevës për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës, ishte plebishitar dhe paraqet deklarimin e vullnetit të tyre politik për herë të parë në historinë e tyre.  Publiciteti dhe informimi i denjë i opinionit ndërkombëtarë me anë të agjencive informative të nivelit më të lartë boteror, si psh. në CNN, Reuters, Franspress international, Yutel  etj., dhe pothuajse te gjitha agjencitë informative europiane e rajonale, e informuan opinionin botëror për problemet tona dhe për vullnetin, vizionin, si dhe për opcionin dhe ofertën tonë politike.

Pra, ky Referendum i arriti, bile edhe i tejkaloi, në aspektin e publicitetit, si dhe të organizimit të gjithmbarshëm dhe mobilizimit të të gjithë shqiptarëve të Luginës, të gjitha parashikimet dhe pritjet tona, duke u paraqitur në top lajmet e Agjencive kryesore botërore e europiane. Edhe optimistët më të mëdhenjë atëherë u befasuan me suksesin e jashtëzakonshëm që u arritë në promovimin dhe prezentimin e tij në mediat me renome botërore, europiane e rajonale.Me këtë ne ia tërhoqëm vëmendjen opinionit ndërkombëtarë për problemet tona, duke ua bërë të qartë edhe vullnetin dhe vizionin tonë politik për zgjidhjen e çështjes sonë.

Ndërkaq, jo vetëm data e mbajtjes së Referendumit kishte alternativë, duke mundësuar variantin “rezervë”, por edhe vet pyetja e Referendumit ishte e ndarë në dy pjesë.

  1. 5.     Plani “A” për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës

Pjesa e parë e pyetjes së Referendumit kishte të bënte me deklarimin për “Autonomi politike e territoriale” në kuadër të republikës apo shtetit serb. Ky ishte opcioni i parë, apo thënë me gjuhën aktuale politike: Plani “A” për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës me anë të Autonomisë.

Niveli i autonomisë që do ta kërkojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës do të varet nga rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi që, sipas agjendës së përcaktuar, do të përfundojnë më 16 prill 2013.

Poqese serbëve të veriut të Kosovës u mundësohet krijimi I Asociacionit të komunave serbe: Zubin Potokut, Leposaviqit, Zveçanit dhe komunës serbe të veriut të Mitrovicës me kompetenca të Autonomisë territorial dhe në lëmin e sigurisë nuk shpërbëhen strukturat paralele serbe, kjo do të krijonte presedan, duke tejkaluar edhe konceptin europian mbi të drejtat kolektive të minoriteteve dhe do të kishte efekt zinxhirorë, në situatën e koklavitur ballkanike. Mbetet të shihen edhe rezultatet lidhur me gjyqësinë, financat dhe doganat.

Pra, zgjidhjet që do të aplikoheshin për serbët e veriut të Kosovës, të cilët përbëjnë 50% të numrit të shqiptarve të Luginës së Preshevës Kuptohet se Kurse, në rast të prishjes së kufijve midis shteteve apo ndarjes eventuale të Kosovës, ne kishim paraparë opcionin “B”: “Bashkëngjitjen me Kosovën”.

Sigurisht se ishim të vetëdijshëm për rrezistencën dhe refuzimin e shtetit serb ndaj çfarëdo autonomie të shqiptarëve të Luginës, meqë pushteti i atëhershëm totalitarë e ultranacionalist i Millosheviqit kishte arritur ta rrënoj Autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, si dhe kishte bërë tentativë ( të pasukseshme) për rrënimin e republikës sllovene, kurse me Kroacinë kishte zhvilluar luftë të ashpër duke shfrytëzuar njësitë e rregullta të Armatës Jugosllave, e cila ishte kryekëput në duar të serbëve.

Kjo armatë masakroi popullatën boshnjake, duke synuar që ta shfarosë ate nga faqja e dheut në luftën e cila filloi menjëherë pas mbajtjes së Referendumit të kësaj republike, me të cilin e deklaroi vullnetin politik dhe e shpalli pavarësinë e shtetit të Bosnes dhe Hercegovinës.

Duke qenë në kontakt të përhershëm dhe duke u këshilluar për çdo hap dhe për çdo veprim politik me faktorin politik shqiptar të udhëhequr atëherë nga presidenti historik Ibrahim Rugova dhe me bashkëpunëtorin e ngushtë të tij Prof.dr. Fehmi Aganin, si dhe me faktorin ndërkombëtar, ne i kushtuam rëndësi dhe përkushtim realizimit të autonomisë së shqiptarëve të Luginës duke bërë përpjekje për themelimin e institucioneve të shqiptarëve në nivel të Luginës.

5.Plani “B”

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përcaktuar me vendosmëri dhe besim se do të ket mirëkuptim për problemet e tyre dhe se do t’u mundësohen të njejtat  standarde dhe të drejta që do t’u sigurohen edhe serbëve të veriut të kosovës, të cilët, po e përsërisim, janë dyfush më pak për nga numri se ne.

Por, poqese shterren të gjitha mundësitëdhe na mbyllen të gjitha dyertë, atëherë nuk mbetet opcion tjetër përpos realizimit të pjesës së dytë të pyetjes së Referendumit: “bashkëngjitjes me Kosovën”.

Jemi të vetëdijshëm se kjo rrugë kërkon edhe harmonizimin e qëndrimeve dhe miratimin edhe nga Kosova zyrtare, si dhe marrje të pëlqimit të ndërkombëtarëve. Por, shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim dhe përkrahje të fuqishme vëllazërore gjithëkombëtare shqiptare, si dhe nga instancat ndërkombëtare.    
6.(Mos)organizimi institucional i shqiptarve në nivel  të Luginës
Mirëpo, edhepse ekzistonte një unitet i fuqishëm dhe i paluhatshëm në deklarimet e lidershipit të shqiptarve të Luginës, megjithatë mungonte organizimi institucional, duke formuar nje institucion të përbashkët të tyre.

Nismat për themelimin e institucioneve të përbashkëta për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës gjithnjë  vazhdimisht sfidoheshin nga interesat parciale e grupore, që ishin të lidhura me interesat e (keq)qeverisjes në pushtetin lokal dhe me garën politike për (keq)menaxhimin e buxhetit komunal dhe të parasë publike, duke favorizuar firmat e familjarëve dhe sponzorizuese të tyre në ndarjen e tenderave pa respektuar procedurat ligjore dhe kriteret për ndarjen e tyre.

Aktivitetet reth formimit të Këshillit Kombëtarë të Shqiptarëve të Luginës, që u mundësuan pas miratimit të Ligjit mbi KK në vitin 2009,  shënuan ndarjen e partive politike të shqiptarve në dy blloqe: „PËR“  dhe „KUNDËR“. Kuptohet se kundër formimit të KKSH ishin partitë politike që qeverisnin pushtetin lokal dhe ato nuk donin t’i rrezikonin interesat e tyre dhe levërditë materiale që ua mundësonte ai pushtet, ku ata kishin krijuar një „mazhorancë“ të brishtë, kurse në nivelin qendror të Luginës ata e ndienin veten të „rrezikuar“ si pakicë.

Natyrisht se kjo keqdashje dhe ky qëndrim i tyre parcial dhe  grupor u sfidua nga  votuesit shqiptarë, të cilët dolën masovikisht në zgjedhjet e 6 qershorit 2010, duke shenuar shifrën rekorde të daljes në votime prej 56,70%, duke mundësuar këshku konstituimin e organeve dhe institucioneve të KKSH me legjitimitet shumëfishë më të plotë seç ishte arritur ndonjëherë më parë në zgjedhjet për kuvendet komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Pastaj, u  formua edhe  administrata, selia dhe lokacionit përkatës dhe buxheti.

KKSH paraqet, pra, institucionin e parë dhe të vetëm të shqiptarve të Luginës së Preshevës, i cili është i pranuar dhe i mbështetur  nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Qeveria e Serbisë. Kompetencat e tij janë të përcaktuara në pesë lëmi të mbrojtjes së të drejtave kombëtare të shqiptarve të Luginës.

Por, gjatë funksionimit të tij, KKSH është duke hasur në pengesa të mëdha dhe në injorim të plotë nga Qeveria e Serbisë, me anë të Trupit Koordinues, si dhe nga partitë politike shqiptare të cilat aktualisht qeverisin pushtetin lokal në Preshevë dhe në Bujanoc.

Kështu, krijohet një pasqyrë e realitetit politik  paradoksal që aktualisht  është i mpranishëm në Luginë. Partitë shqiptare, edhepse zyrtarisht „nuk e pranojnë“ Trupin Koordinues, ato shkëlqyeshëm bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë kundër KKSH! Bile, ato marrin edhe ndihma materiale të majme nga TK, pa e „pranuar fare“ TK-në, siç ishte rasti në dhjetor 2012. Pra, kjo „enigmë“ ia turbullon fare mendjen çdo shqiptari!

Ndërkaq, në mungesë të unitetit politik reth KKSH, aktualisht përdoret Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të kuvendeve komunale: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Por, edhepse të gjithë këta këshilltarë shqiptarë kanë votën e popullit, megjithatë ky organ ka vetëm kompetenca dhe karakter deklarativ dhe nxjerrë vetëm deklarata politike, të cilat ligjërisht nuk e obligojnë asnjë administratë komunale. Pastaj , ky Kuvend nuk ka buxhet, staf dhe administratë përkatës, e as lokacion (zyre) të vetat. Pra, mjerisht, ky është realiteti aktual i (mos)organizimit institucional të shqiptarve të Luginës.

 7. S f i d a t

  Mosekzistimi i i një institucioni me kompetenca të plota politike, administrative dhe  ekzekutive për të gjithë shqiptarët e Luginës, paraqet sfidë në vete. Ky fakt pamundëson, ose në rastin më të mirë, e dobëson pozitën negociuse të shqiptarve të Luginës në raport me Qeverinë e Serbisë dhe me institucionet ndërkombëtare.

Një përvojë e hidhur u provua edhe me rastin e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, ku lidershipi shqiptar i Luginës dështoi plotësisht, duke u sjellur me papërgjegjësi dhe jokorrektësi të skajshme lidhur me organizimin dinjitoz të mbrojtjes së padhunëshme civile të tij, si dhe me organizim të një kujdesi dhe kujdestarie modeste qytetare. Efektet negative të sjelljes së tillë ndikuan në përkeqësimin e marëdhënieve Shqipëri-Serbi, duke anuluar vizitën e Ministrit shqiptar të shëndetësisë në Beograd, që kishte për detyrë negocimin e ndërtimit të maternitetit në Preshevë nga Qeveria shqiptare, si shenjë e mbështejes vëllazërore të shtetit shqiptar  për ne. Mirëpo, kjo vizitë u anulua, duke e çuar në pakthim dorën e ndihmës dhe bujarisë vëllazërore të shtetit amë.

Si  „zëvendësim“ që ndoshta do t’i shërbej Ragmi Mustafës si „ngushëllim“, ishte pritja e ngrohtë  e ministres serbe Kalanoviq, e cila premtoi se do ta ndërtoj Qeveria e Serbisë këtë maternitet. Pra, u bë e qartë se ministrja serbe na bëri të ditur se Shqipërisë nuk i lejohet t’i ndihmoj shqiptarët, sepse ata e kanë ministren „e tyre“, si dhe premierin e „tyre“ Daçiq.

Pra, kjo u arritë falë“ meritave“ të disa politikanëve të (pa)përgjegjshëm të Luginës, të cilët janë „trima“ dhe e“ mbajnë fjalën“. Natyrisht se papërgjegjësia e tyre e skajëshme bëri që disa poltikanë kosovarë si dhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i quajtën ata „matrapazë“, „të pa dinjitet“, „pa ndjenja kombëtare“ etj. Kurse, këta e vazhdojnë avazin e vjetër dhe fare nuk e prishin „terezinë“, duke qeverisur me dinjitetin e përdhosur e baltosur skajshmërisht.

Pra, i tillë ishte fati i Lapidarit. Se çfarë do të jet fati i shqiptarve të Luginës dhe ardhmja e tyre në këto kushte të papërgjegjësisë së plotë dhe mosorganizimit institucional të tyre, nuk është vështirë të supozohet.

Prandaj, lënia pasdore e fatit të shqiptarve të Luginës së Preshevës, të cilët aktualisht janë lënë në duar të këtilla të papërgjesisë totale politike, duke i shuar të gjitha shpresat e tyre për një jetë dhe të ardhme të dinjitetshme dhe njerëzore, rrezikon të shpërthej të sikur kërcnon me gjendjen e padurueshme, të pashpresë dhe të patolerueshme në të të cilën aktualisht është lënë kjo pjesë e gjeografisë shqiptare.

(Autori ka qenë kryetar i Qendrës për Informim – zëdhënës i Referendumit, si dhe kryetar i Degës së PVD-së në Preshevë)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch