Home » Histori, Lajme » 8 dhjetori udhërrëfyesi i lirisë, demokracisë dhe i ardhmërisë sonë të përbashkët

8 dhjetori udhërrëfyesi i lirisë, demokracisë dhe i ardhmërisë sonë të përbashkët

Nga Azgan Haklaj

Dita e lirisë në 30- vjetorin e saj në prangat e neodiktaturës
8 dhjetori është ngjarje kulmore në epokën moderne të shqiptarëve e padyshim një nga datat më të shenuara në kalendarin historik të Kombit Shqiptar.Është data simbolike e studentëve heroikë të dhjetorit 90- të, të cilët me guxim e kurajo të jashtëzakonshme, me një dashuri sublime për Atdheun tonë, lirinë e tij e Flamurin Kuqezi u ngritën me një forcë prej Anteu kundër diktaturës së egër staliniste që e kishte kthyer vendin tonë me izolimin, reprezaljet e dhunën ndaj lirisë, fjalës së lirë e disidencës në një Kubë të dytë pas vendit të diktatorit Fidel Kastro.Djemtë dhe vajzat shqiptare që u ngritën kundër tiranisë, kundër diktaturës më barbare në dhjetorin e stuhishëm të paharruar 90- të çelën një epokë të re historike për Kombin tonë.Ata me një vendosmëri stoike u shnderruan në gardianë të lirisë së një populli të shtypur e të shfrytëzuar deri në palcë nga një juntë sundimtarësh, të cilët në emër të pushtetit e privilegjeve personale e kishin rreshtuar Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore në kahjen e kundërt të historisë së saj dhe botës së lirë demokratike e të civilizuar, në kampin socialist.I takon kështu këtij brezi të jashtëzakonshëm liridashës, demokratë e patriotë dhe 8-të dhjetorit ditës simbol të tyre një mirënjohje e përjetëshme nga të gjithë bashkëkombasit e vet e brezat e ardhshëm pa dallime politike e ideologjike, sepse ata luftuan me heroizëm e vendosmëri për lirinë, demokracinë e të ardhmen europiane të Shqipërisë, shtëpisë tonë të përbashkët, në njërën nga udhëkryqet më të veshtira të historisë së saj.Brezi i viteve 90- të si çdo gjeneratë tjetër janë kalimtarë e të përkohshëm në këtë tokë, por Atdheu ynë është i përjetshëm, e të gjithë që kontribuan për lirinë e demokracinë në ato kohë të veshtira janë krenar që fati ua caktoj misionin të bëjnë realitet endrrën e korifejëve të Rilindjes Kombëtare, të etërve të pavarësisë, të Naimit dhe Fishtës, Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe europiane.Brezi i dhjetoristëve, intelektualët e vertetë e disidentë antikomunistë e kanë parë në dhjetorin e 90- të Europën ashtu siç e shohin sot e në të ardhmen si tokën e premtuar dhe shtepinë e tyre të natyrshme pas 6- të shekujsh të robërisë otomane e gjysëm shekulli të dhunës dhe terrorit komunist.Europa demokratike dhe e qytetëruar të cilës Naimi i madh i drejtohej me fjalët hyjnore:”Ti dritë që lind nga perëndon” ishte modeli ekonomik, kulturor, social, të cilin protagonistët e dhjetorit 90- të dinin ta implementonin në Atdheun e tyre që po këpuste prangat e një izolimi të gjatë e të tmerrshëm.Parulla e studentëve dhe rinisë së dhjetorit:”E duam Shqipërinë si Europa”, s’ka gjë të përbashkët me premtimin politik dhe elektoral të politikanëve mashtrues, cinikë e të pabesë.Pabesia e klasës politike ndaj levizjes studentore të 8- tě dhjetorit është nyja gordiane, është treguesi më i qartë i dhunimit të demokracisë e degradimit të institucioneve të shtetit, e cila me anë të krizave artificiale politike riciklon në pushtet elitat e korruptuara të lidhura me njëmijë fije me diktaturën komuniste e sigurimin e shtetit, të cilat e kanë kthyer shtetin në një çiflig tipik mesjetar, ku bujkërobërve u duhej të punonin ditë e natě për feudalin në këmbim të një cope buke për të mbajtur frymën gjallë.Sot pas tre dekadash kemi tě drejtë të shtrojmë pyetjen:Kush i priu këtij populli në gjithë këtë kohë drejt tokës së perçudnuar, drejt stepave të Rusisë, drejt Gadishullit Arabik, drejt shkretëtirave të Saharasë e Anadollit, në vend që ta çonte drejt Europës, tokës së premtuar.8 dhjetori është ditë historike nderimi e falenderimi por edhe reflektimi të thellë e më në fund rrefim.Ku janë protagonistët e dhjetorit sot?! Protagonistët e dhjetorit e në radhë të parë elita e tyre drejtuese disa janë vrarë mizorisht nga ata që e ndërrojnë stafetën e pushtetit kur ju intereson lehtësisht si instrumentisti meloditë e të tjerët janë shpërndarë si zogjtë e korbit në të pesë kontinentet, sepse e kanë parë se në Shqipëri i kanë marrë frenat në dorë bijtë e bijat, nipërit e mbesat e etërve të diktaturës, agjentët e sherbimeve sekrete, të sigurimit të shtetit e të mafjes dhe disa të pakët nga familjet e shquara patriotike e antikomuniste, të cilët ashtu siç e shiti Juda Krishtin tek romakët për 30- aspra kanë shkelur mbi gjakun, nderin e sakrificat e të parëve të tyre duke i puthur këmbët Ayatollah Berishës e më vonë Sulltan Ramës për pushtet e privilegje përsonale.E theksova me lart se 8-të dhjetori është e duhet të jetë për brezin tonë rrëfim.Dy protagonistët e megamashtrimit të madh dhe arkitektët e devijimit të kursit europiam të shqiptarëve kanë emër e mbiemër.Ata janë Sali Berisha dhe Edi Rama.I pari protagonist i marrëveshjes me Ramiz Alinë e Fatos Nanon dhe i dyti trashëgimtar i këtij të fundit, të cilit ia bleu partinë me paratë e Sorosit dhe ia dha arratinë e syrgjynosi në ekzil në akord të plotë me Berishën, siç bënin sulltanët dhe sadrazemët turq me pashallarët që i konsideronin rrezik për pushtetin e tyre.Nano ja ka mbathur disa herë dhe i ikuri nuk gjykohet me moralin e të drejtës zakonore shqiptare.Sa për Berishën dhe Ramën s’ka nevojë ti vajtojë askush në ditën e kjametit sepse ata janë vajmedeti i këtij vendi dhe populli, modelet më negative të pushtetarit e lidershipit politik.Ata kanë demonstruar çdo orë e çdo ditë si kryetar të qeverisë dhe të partive të tyre karrierizmin, bajraktarizmin, egon e pangopur për pushtet absolut dhe egërsinë bizantinootomane me të cilën i kaně luftuar të gjithë ata që kanë guxuar të mendojnë ndryshe  nga Ayatollahu i mplakur tashmë e djali i tij shpirtëror sulltani mjekërbardhë.Shqipëria është sot peng i mbrapështive të tyre, i modelit të shëmtuar politik e qeverisës që ata kanë demonstruar.Rama e Berisha njeri me lidhje gjaku e tjetri besnik i nomenklaturës së lartë të diktaturës kundër të cilës u ngritën studentët e dhjetorit janë përgjegjësit e vetëm për izolimin e dytë të shqiptarëve pas atij që diktatori Hoxha i imponoj vendit tonë për gjysëm shekulli.Sot portat e Europës nuk janë të mbyllura për shqiptarët për shkak të problemeve të brendshme të saj siç po trumpeton qeveria dhe media pranë saj.Jo aspak.Eshtë refuzuar qeveria e jo Shqipëria.Bashkimi Europian është themeluar mbi germadhat e shkatërrimin apokaliptik që la Lufta e Dytë Botërore në kontinentin tonë, pikërisht për ti dhënë jetë paqes, lirisë, demokracisë, mirëqenies dhe të ardhmes së popujve të saj.Europa kërkon nga ne të mos e harrojmë kurrë të kaluarën tonë të errët, diktaturën staliniste e krimet e saj.Europa ku duhet të integrohemi ne kërkon të bëjmë të njëjtat sakrifica për lirinë e demokracinë siç kanë bërë qytetarët e saj, së paku prej afro tre shekujsh që nga Epoka e Revolucionit Francez.E ndërkaq zëri i Adheut dhe historia jonë na urdhëron ti flakim në greminë armiqtë e lirisë, civilizimit, siç shprehej në kohën e tij kolosi i lirisë Gjergj Fishta.Ky vendim i takon sovranit.Zoti e bekoftë 8 dhjetorin, lirinë, demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch