Home » Opinione » 91 VJEÇARI REXHEP GALI BALIDEMAJ: “MANDELA I PLAVË-GUCISË”

91 VJEÇARI REXHEP GALI BALIDEMAJ: “MANDELA I PLAVË-GUCISË”

Esad GJONBALAJ
Kryetar i Fondacionit Plavë-Guci
Nju Jork – SHBA
91 VJEÇARI REXHEP GALI BALIDEMAJ:
 “MANDELA I PLAVË-GUCISË” –
Lindi me 19 Dhjetor të vitit 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë. Katër vitet e shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, ndërsa katër vitet e tjera, të cilat atëherë quheshin gjimnaz, i kreu në Plavë në gjuhën serbe, pasi nuk ekzistonin shkolla me mësim në gjuhën shqipe.
Rexhepi ishte djalë i shkathët e i mprehtë dhe si i tillë ra në sy te ministrit shqiptar, i cili në vitin 1941 i vizitoi këto treva. Me iniciativen e ministrit Qazim Koculi shkoi në Tiranë, ku u regjistrua në gjimnaz. Rexhepi ishte i brumosur me ndjenja patriotike andaj së shpejti ra në kontakt me të rinjtë anti-fashist shqiptarë si Kajo Karafili, Qemal Stafa e të tjerë, ku sëbashku me ta mori pjesë në disa aksione antifashiste.
Në verën e vitit 1943 Rexhepi u kthye në vendlindje, ku u angazhua në lëvizjen rinore të Plavës e Gucisë e në vjeshtën e atij viti, u regjistrua në arradhët partizane me të cilat luftoi gjërë në Trieste në Slloveni.
Pas kapitullimit të Gjermanisë ai vazhdoi të edukohet dhe në Beograd kreu kursin për shifrant, ndërsa ne vitin 1946, pas i kaloi të gjitha testet e aftësive fizike dhe mendore e dërguan ne Kiev të BRSS-së, ku qëndroi dy vite dhe u aftësua për pilot.
Në vitin 1948 kthehet në Zagreb të Kroacisë dhe fillon punën si pilot ushtarak.
Me daljen e Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948 ai u përcaktua për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e Rezolutës ishte Shqipëria, andaj sipas bindjeve të tij, ku ishte Shqipëria ishte edhe Rexhep Balidemaj.
Në vitin 1949 arrestohet si Informbiroist dhe dënohet me 6 vite burg. Dënimin e vuajti në burgun më famëkeq të ish-Jugosllavisë, në Goli Otok. Në burg e keqtrajtuan jo vetëm si Informbiroist, por edhe si shqiptar, megjithatë Rexhepi i përballoi të gjitha dhe pas vuajtjes së dënimit në vitin 1956 u kthye në vendlindje.
Nga UDB-ja ai tani përcillej vazhdimisht, e cila mori si pretekst një rast kur Rexhepi doli në mbrojtje të një bashkëfshatari të tij, të cilin donin ta arrestonin. Kjo u mjaftoi që ta akuzonin dhe në bazë të nenin 133 për propagandë armiqësore me gojë e dënojnë me 3 vite burg, të cilat i vuajti në burgun e Kotorrit.
Pas vuajtjes së këtij dënimi përsëri kthehet në vendlindje, ku me ndihmën e disa të afërmëve të tij punësohet si rojtar pyjesh.
 Pavarësisht se nuk kishte asnjë mundësi veprimi UDB-ja vazhdimisht i krijonte insinuate dhe pas tre viteve përsëri e arrestojnë dhe e dënojnë me dy vite burg, të cilat i mbajti në ishullin Gërgur. Pas daljes nga burgu megjitheqë tanimë ishte i martuar e me dy fëmijë nuk kishte kurrëfarë mundësie të punësohej.
Në konferencën e Brionëve të vitit 1965 u aprovua një Rezolutë në bazë të së cilës u ndalua ndjekja e të dënuarëve si Informbiroist. Disa bashkëvendas të tij, të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë e punësuan në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”, ku punoi deri në vitin 1981.
 Rexhepi Gali Balidemaj, megjithëqë tanimë ishte i moshuar në shpirt ndjehej akoma i ri dhe burgimet e torturat në vend që ta ligështonin dhe e kishin kalitur fort. Me të dëgjuar për demonstratat e studentëve të vitit 1981 iu bashkangjit atyre, ku sëbashku me shumë të rinj përsëri arrestohet nga policia serbe.
Megjithëqë ishte i moshuar me procedurë të shkurtuar e dënojnë me dy muaj burg, të cilat i mbajti në burgun e Lipjanit.
Rexhepi qëndrimin e tij në burg e shfrytëzoi për t’u njohtuar me veprimtarë të rinj të çështjes shqiptare dhe pasi doli nga burgu e vazhdoi veprimtarinë e tij. Në atë kohë ishte vështirë të veprohej, por veprimmarët shqiptarë kishin zbuluar një formë të re veprimi, e cila quhej „treshe“. Treshet ishin grupe të vogla prej tre aktivistësh, ku secili prej tyre ishte pjestar i një tresheje tjetër për të cilen shokët e treshes së tij nuk kishin dijeni. Ky sistem u tregua efikas, sepse të arrestuarit edhe po të donin mund të tregonin vetëm për veprimtarët e treshes së vet, kështuqë këputej zinxhiri i arrestimeve.
Rexhepi Gali Balidemaj, megjithëqë në moshë të thyer, por nga pamja fizike dukej vital,  u bë pjesëtarë i treshes ku veproi gjer në vitin 1983, kur e arrestojnë përsëri dhe e dënojnë me 5 vite burg me akuzën për agjitacion e propagandë armiqësore.
Tanimë për veprimtatinë e Rexhep gali Balidemaj kishin dëgjuar të gjithë, andaj atë e mrri në mbrojtje avokati i njohur Bajram Kelmendi dhe falë angazhimit të tij dënimin ia zbritën nga 5 në 3 vite burg, të cilat i mbajti në burgun e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjurakovcit.
Ishte bërë tanimë pjesë e jetës së Rexhep Gali Balidemajt që të mos dorëzohej, andaj ai merr pjesë në protestën, e cila organizohet me rastin e vrasjes së dëshmores Ylfete Humolli dhe për këtë arsye nga gjykata për kundravajtje denohet me dy muaj burg.
91 vjeçari Rexhep Gali Balidemaj është një nga shembujt më kuptimplotë, që në mënyrë figurative e përmbushë shprehjen „një jëtë në shërbim të çështjes kombëtare“. Ai ishte dhe mbetet simbol e burim frymëzimi për të rinjtë, jo vetëm nga Plava e Gucia, por për hapësirën gjithëshqiptare. Populli i Plavës e Gucisë e sidomos të rinjtë e këtyre trevave, Rexhep Galin Balidemaj e quajnë me krenari “Mandela i Plavës e Gucisë“.
Fondacioni Plavë Guci - logo
Esad GJONBALAJ
Kryetar i Fondacionit Plavë-Guci
Nju Jork – SHBA

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch