Home » Opinione » A do të anashkalohet Lugina e Preshevës?

A do të anashkalohet Lugina e Preshevës?

Shkruan: Nehat Hyseni

“Grupi i unitetit” duhet të udhëtoj në Prishtinë, ku do të duhej të dorëzoj Propozimin për zgjidhjen e çështjes së shqiptarve të Luginës. Presim që edhe çështja e Luginës së Preshevës të vendoset  në mënyrë të barabartë me atë të serbëve të Kosovës, si problem i cili nuk guxon të neglizhohet, duke e lënë fatin e tyre në duarë të një farse politike që Serbia don ta realizoj  duke angazhuar një “nëpunës” nga Beogradi që të “merret me ta”. Edhe ne duhet të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit, në mënyrë që të mos bëhemi vet problem, në të ardhmen e afërt.

Vizita e baroneshës Ashton

Se si do të kaloj vizita e Kryediplomates së Këshillit të BE-së, baroneshës Catherine Ashton më 14 mars 2013 në Prishtinë dhe (ndoshta) në Beograd, varet nga qëndrimi i Prishtinës zyrtare lidhur me kërkesat serbe në dialogun e Brukselit. Poqese e merr “vizën”, dmth. miratimin e atyre kërkesave nga kreu politik i Kosovës, atëherë ajo do të udhëtoj edhe në Beograd.

Njëkohësisht, kjo do të thotë se deklaratat e Presidentit të Serbisë z. Tomislav Nikoliq, se Prishtina ka “lëshuar pe” dhe se ka vendosur që për këtë qëllim edhe t’i ndryshoj ligjet dhe Kushtetutën e vet, edhe përkundër demantimeve të Kryeministrit të Kosovës z. Thaçi, megjithatë,  nuk do të jenë larg të vërtetës.

Kështu, nënshkrimi i marrëveshjes do të jetë vetëm çështje kohe, meqë ajo mund të konsiderohet si akt i kryer.

Qartësimi i dilemave

Por, megjithatë, vizita e baroneshës Ashton do t’i qartësoj të gjitha dilemat.

Duke u nisur nga kërkesat e serbëve të Kosovës dhe nivelit të të drejtave të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, se a do të kenë pushtet legjislativ, pra të miratimit të ligjeve pavarësisht loegjislacionit të Republikës së Kosovës, si dhe kompetenca ekzekutive, që dmth. zbatimin e atyre ligjeve pavarësisht Qeverisë së Kosovës, e që duket fare e pabesueshme, sepse do ta shndërronte Kosovën në bashkësi të shteteve të pavarura, apo në konfederatë. Kuptohet se ka pak gjasa që kjo të kaloj.

Në vend të ligjeve të veçanta, sa duket, më reale është të pritet propozimi i kompetencave për nxjerrjen e “rregullave” të veçanta të cilat do të ushtroheshin në nivel të Asociacionit të komunave. Pra, ngjajshëm me situatën e pakicës gjermane në Belgjikë.

Si do që të jetë puna, për neve shqiptarët e Luginës së Preshevës do të ishte zgjidhje e pranueshme ajo zgjidhje që propozohet për serbët e Kosovës dhe miratohet nga Qeveria e Kosovës dhe nga Këshilli i BE-së dhe nga kryediplomatja baronesha Catherine Ashton.

Fleksibiliteti që duhet vlerësuar

Sepse, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë qasje fleksibile ndaj këtij procesi, duke vendosur që të jenë maksimalisht bashkëpunues dhe ndihmues të tij, pa shtruar kushte të veçanta për vete, e që nuk janë paraparë si standarde edhe për serbët e Kosovës.

Të bindur se ky konstruktivitet dhe fleksibilitet politik  i shqiptarve të Luginës së Preshevës, do të shpërblehet e vlerësohet dhe do të merret në konsideratë, duke e trajtuar edhe çështjen e statusit të tyre politik në Serbi sipas parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës, duke i kontribuar kështu paqes dhe stabiltetit afatgjatë në këtë rajon të trazuar të Ballkanit.

Andaj, presim me plotë të drejtë që edhe çështja e Luginës së Preshevës të vendoset  në mënyrë të barabartë me atë të serbëve të Kosovës, si problem i cili nuk guxon të neglizhohet dhe të lihet anash, duke ia lënë fatin e tyre në duarë të një farse politike që Serbia don ta realizoj “shkel e shko”, duke angazhuar një “nëpunës” nga Beogradi që të “merret me ta”.

Të mos lejojmë padrejtësi të reja historike

Kjo do të ishte një padrejtësi e madhe historike që do t’i bëhej shqiptarve të Luginës, duke rrezikuar që të ndizen  sërish konfliktet dhe trazirat që do ta destabilizonin rajonin.

Ky gabim dhe kjo padrejtësi historike nuk guxon të ndodhë, meqë do të ishte sinjal i keq edhe për të tjerët se nuk shpërblehet konstruktiviteti dhe kontributi mirëqenies dhe paqes.

Përkundrazi, të gjithëve do t’u bëhej e qartë se rruga e bisedimeve dhe e dialogut paqësor shqiptarët por dhe të tjerët do t’i lej në robëri.

Andaj, do të ipej “drita jeshile” për konflikte të armatosura, si rrugë e vetme drejtë vendosjes së lirisë dhe arritjes së barazisë dhe të drejtave kombëtare.

Kam bindjen se nesër, dmth. më 14 mars 2013 “grupi i unitetit” duhet medoemos të udhëtoj në Prishtinë, ku do të duhej të dorëzoj Propozimin me shkrim për zgjidhjen e çështjes së shqiptarve të Luginës. Ky rast nuk duhet lëshuar.

Me këtë gjest, do t’i bëhej me die edhe Kryediplomates së BE, por edhe opinionit se pa zgjidhjen edhe të çështjes tone, nuk ka dhe nuk mund të ket zgjidhje afatgjate dhe paqe e mirëqenie në Ballkan.

Kështu do t’ia bënim me die të gjithëve se edhe ne duhet të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit, në mënyrë që të mos bëhemi vet problem, në të ardhmen e afërt.

Revanshizmi si kërcnim

Pastaj do të del puna se e mbyllim një konflikt, për të hapur tjetrin.Ose, e zgjidhim një problem, por e neglizhojmë tjetrin. Duke vepruar kështu me padrejtësi dhe me neglizhim të problemeve, në venmd që t’i zgjidhim, vetëm sa do të krijonim problem (ndoshta) edhe më të mëdha.

Nuk guxon akoma të mbretëroj bindja e kohës së Millosheviqit se me pacifizimin dhe me fuqinë shfarosëse të armëve mund ta “zgjidhim” çështjen e shqiptarve të Luginës, duke e ndarë ate nga çështja e serbëve të Kosovës.

Mos të harrojmë se çfarë pasojash imediate mund të shkaktoj paraqitja e revanshizmit shkatërrimtarë, i cili vështirë se do të mundë të kontrollohej, si reagim ndaj lënies anash dhe moszgjidhjes së çështjes së shqiptarve të Luginës.

Pasojat do të ishin të pariparueshme dhe të pakontrollueshme, duke rrezikuar të rrënojë të gjitha investimet e bëra në Kosovë dhe rajon. Zinxhiri i efekteve “domino” në situatën gjysmë të ndezur ballkanike, vështirë se mund të parashikohet se kur dhe ku do të ndalej.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch