Home » Opinione » A duhet bërë ndryshime në strukturën e “meritokracisë” së LDK-së?

A duhet bërë ndryshime në strukturën e “meritokracisë” së LDK-së?

Nehat Hyseni1Shkruan: Nehat Hyseni

Pas dështimit të LDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2013, e sidomos pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, ku gjithashtu u zhgënjye elektorati i saj meqë nuk u arritën pritjet që kjo parti të del e para dhe t’i prijë ndryshimeve qeverisëse në Kosovë, doemos shtrohet çështja e analizës së shkaqeve dhe arsyeve se pse është duke ndodhur kjo.
Plogështia e fushatës parazgjedhore të LDK-së dhe imponimi me kokëfortësi i gjeneratës së vjetër në pozitat udhëheqëse dhe në ballë të fushatës, për pjesën më të madhe të votuesve, sa duket, ishte e papranueshme.

Prandaj, sa duket, ata u përgjigjën me mosdalje fare në votim, duke krijuar kështu, përkundër kushteve ideale të motit, pjesëmarrje tejet të ulët në zgjedhje.
Është krijuar bindja se brendapërbrenda LDK-së është krijuar një keqkuptim i madh:
kuadrot e vjetra që gjenden në pozita vendimmarrëse që nga themelimi i saj para 25 vjetësh, e konsiderojnë veten më “të merituarit” në radhët e kësaj partie dhe veprojnë si “baballarë” të saj, duke mos i lëshuar me këmbëngulje pozitat në ballë të çdo evenimenti dhe funksioni partiak. Disa nga këta “baballarë” të LDK-së mendojnë se me këta ka filluar aktivitetin kjo parti dhe (ndoshta) me këta edhe duhet të përfundoj kjo parti, duke krijuar dhe kultivuar me fanatizëm një botëkuptim konzervativist brenda LDK-së, të bazuar në “meritokraci” që ia zen frymën risive dhe ndryshimeve, të cilat janë të domosdoshme në parti, për t’u përgatitur dhe aftësuar
pastaj për ta ndryshuar shoqërinë kosovare në përgjithësi.

Problemi qëndron pikërisht në faktin se kjo “meritokraci” dhe këta “baballarë” të LDK-së janë bërë pengesë e madhe dhe bllokues të zhvillimeve dhe ndryshimeve brenda strukturave udhëheqëse të saj. Dikush, me shaka i quajti “Bllokmenë të LDK-së”, të cilët e kanë gozhduar këtë parti qe tetë vjet në opozitë.
Për ata, siç u pa puna, më mirë preferojnë që vet të jenë në ballë të LDK-së, pa e çarë fare kokën dhe pa marrë fare përgjegjësi për ta vënë në pozitë, duke i fituar zgjedhjet.
Rezultatet e dobëta në zgjedhje të shumicës së këtyre “bllokmenëve”, edhepse ishin imponuar në fillim të Listës zgjedhore, megjithatë një pjesë e madhe e tyre nuk arriti që të fitoj për deputetë, si psh. Eqrem Kryeziu, i cili, deri më tani kishte humbur edhe garën për kryetar komune, Skender Hyseni dhe shumë të therë.
Pra, reformimi radikal i LDK-së, poqese pretendon t’i fitojë zgjedhjet dhe të del parti e parë dhe fituese, është i domosdoshëm!
Nuk duhet lejuar që koalicioni i tanishëm qeverisës LDK, AAK, Nisma, me mbështetje të VV, të krijoj bindje të gabuar se kinse LDK qenka “fituese” dhe kështu të bllokohet reformimi radikal i kësaj partie, për t’iu kthyer nami dhe shkëlqimi i dikurshëm i saj tek votuesit, kur ishte partia e parë dhe fituese absolute e të gjitha zgjedhjeve në Kosovë.

Pra, ndryshimet duhet filluar pa hezitim dhe sa më parë brenda LDK-së, e cila së pari duhet ta ndryshoj veten si parti, për tu përgatitur për ndryshimet aq të domosdoshme të qeverisjes në Kosovë.
Me këto ndryshime të mirëfillta strukturore brenda saj do të rikthehej besimi i elektoratit të “fjetur”rugovist, i cili, meqë është i pakënaqur me ofertën zgjedhore të LDK-së, gjithënjë e më shumë po abstenon nga zgjedhjet, duke shkaktuar pjesëmarrje gjithënjë e më të ulët.
Poqese mbisundon fryma e vërtetë reformatore brenda saj, LDK do të bëhej parti e parë dhe do ta qeverisë Kosovën si parti e vetme, në koalicion me minoritarët, duke i dhënë kështu kontribut mirëqeverisjes dhe mirëqenies popullore dhe ardhmërisë së
Republikës së Kosovës drejtë anëtarësimit në NATO dhe në BE.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress