Home » Këshilli Nacional, Lajme » Abelard Tahiri: Lugina e Preshevës të mos mbetet Luginë e dëshpërimit

Abelard Tahiri: Lugina e Preshevës të mos mbetet Luginë e dëshpërimit

Ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur në takim kryetarin Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot është takuar me kryetarin Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, ministri Tahiri në këtë takim ka thënë se autoritetet e Kosovës do të kujdesen që Lugina e Preshevës mos të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit.

“Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e një pas njëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone”, ka thënë ndër të tjerash Tahiri.

Ai po ashtu ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë te jenë më të diskriminuarit në Evropën Juglindore dhe se sipas tij, i gjithë ky diskriminim vjen për shkak të etnisë së tyre.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Republika e Kosovës dhe institucionet e saj duhet ta kenë një agjendë të mirëfilltë dhe sistematike që adreson çështjet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, në mënyrë që komuniteti shqiptar që jeton në atë pjesë, të rigjenerohet edhe në planin socio-ekonomik edhe në atë socio-politik e kulturor.

Për shkak të përbërjes etnike, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një ndër rajonet më të diskriminuara në Evropën Juglindore, si pasojë e politikës dezintegruese të Serbisë dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda një vendi që aspiron Bashkimin Evropian.

Në takim të përzemërt me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa, ndamë bashkërisht perspektivën për hapat e mëtejmë që duhet t’iu paraprijmë, për të arritur kështu rezultate konkrete dhe një lidhje shumë më të fuqishme në mes institucioneve tona dhe qytetarëve që jetojnë në atë pjesë.

Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e një pas njëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone.

Lugina ka nevojë për investime dhe për edukim. Ne e kemi obligim që ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë, të stimulojmë zhvillimin ekonomik e social dhe kultivimin akoma më të fuqishëm të lidhjeve tona kulturore.

Republika e Kosovës aspiron relacione të shëndosha me vendet fqinje, dhe trajtimi i popullsisë shqiptare brenda këtyre vendeve, është kapitulli më thelbësor që do përcaktojë këto relacione.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch