Home » Opinione » Abrogimi i Kuvendit të Kosovës nga Serbia

Abrogimi i Kuvendit të Kosovës nga Serbia

Shkruan: Nehat Hyseni

Pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese nga delegatët (deputetët)  shqiptarë të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, në kushte të jashtëzakonshme, jashtë sallës dhe ndërtesës së Kuvendit, pasoi abrogimi i Kuvendit të KSA të Kosovës nga Serbia.

Me këtë u suprimua autonomia politike e Kosovës, “bazën juridike” të së cilës e kishin krijuar me “miratimin” e mëhershëm “ne tanke”, të Amendamentit 47, me të cilin i mundësohej Kuvendit të Serbisë që ta ndryshoj Kushtetutën e Kosovës pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës.
Entuziazmi popullor që ishte arritur me miratimin e Deklaratës Kushtetuese kishte arritur kulmin. Kudo në popull, në rrugë, kafene dhe në vizitat shtëpiake midis miqësh dhe shokësh bëhej urimi dhe nuk përmbahej ngazëllimi dhe gëzimi që ua kishte kapluar zemrën dhe mendjen.
Maratona antikosovare dhe antishqiptare që kishte mbërthyer skenën e zymtë politike kosovare karakterizohej nga sulmet e fuqishme dhe të pandërprera politike që vinin si uragan shkatërrues nga qarqet politike, partiake e shtetërore nga Serbia dhe  Federata e atëherëshme Jugosllave.

 

Të gjithë i kishin drejtuar “shigjetat “kah Kosova dhe nuk ndihmonte shumë as mbështetja e vakët dhe tejet e zbehtë e republikave joortodokse, pra katolike  (Sllovenisë dhe Kroacisë) si dhe e disa politikanëve muslimanë të Bosnjes dhe Hercegovinës. Ndërkaq, klasa politike e Kosovës ishte e brishtë dhe kryesisht fokusohej në përpjekjet sizifiane,egoiste dhe naive për të ruajtur dhe rifituar besimin politik tek Serbia dhe Jugosllavia e atëherëshme, duke e shndërruar veten shpeshëherë në palaço me skena tragji-komike në skenën e atëherëshme politike.

 

Ata kryesisht e “mbronin” veten me garën e pashpjegueshme, naive dhe kontraproduktive në luftën kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë” duke menduar se më në fund do të stabilizohej situata politike dhe se skena politike do të lundroj në ujëra më të qeta.
Mirëpo, në vend që të realizohej pritshmëria e tyre, që i pati shndërruar në vegla të rrezikshme të Serbisë në rrënimin e bazës intelektuale, kulturore e politike-shretërore të Kosovës me “diferencimin ideo-politik” fatëkeq, që kishte bërë kërdinë në Kosovë, duke i rrënuar pamëshirshëm kuadrot më të spikatura kombëtare shqiptare, si dhe institucionet e Kosovës.
Në këtë luftë “kundër nacionalizmit dhe irredentizmit”  ishin përzier edhe interesat meskine të shumë kuadrove shqiptare, të cilët donin të ndërtonin karrierë politike duke u dëshmuar skajshmërisht si antishqiptarë dhe si të devotshëm ndaj Serbisë, pjesa më e madhe e të cilëve ishte martuar me joshqiptare, kryesisht me serbe dhe malazeze, si puna e Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Rrahman Morinës etj. Edhe lufta kundër të ashtuquajturit klanit të gjakovarëve, tanimë kishte marrë krahë nga “jogjakovarët” në krye me Azem Vllasin dhe të tjerët, duke i kontribuar, qoftë me sulme, apo me pasivitet politik dhe institucional të kreut të politikës kosovare, rrënimit politik të Fadil Hoxhës dhe të tjerëve.

 

Pra, ishte krijuar një mendësi shkurtëpamëse dhe egoiste deri në eksteem tek klasa politike shqiptare e Kosovës së atëherëshme, duke rezonuar e vepruar me logjikën e mbrapshtë që ta shpêtojnë veten e tyre duke sulmuar të tjerët dhe duke rrënuar institucionet dhe mëvetësinë politike të Kosovës. Pritjet e tyre se më në fund do të pushoj uragani rrënues politik nga Serbia dhe Jugosllavia e atëherëshme nuk u realizuan. Ato u shuan definitivisht më 5 korrik 1990, kur ishte thirrur mbledhja e Kuvendit  të Kosovës, në të cilën nuk morën pjesë delegatët (deputetët) shqiptarë, me përjashtim të disa mjeranave politikë që ishin deklaruar definitivisht si proserbë dhe antishqiptarë të përbetuar.

Meqë skena politike shqiptare e Kosovês së atëherëshme ishte unifikuar si kurrë më parë, Radio Televizioni i Prishtinës, si dhe gazeta “Rilindja” kishin  lajmëruar se delegatët shqiptarë nuk do të merrnin pjesë, disave nga punëtorët e Kuvendit na ishte caktuar detyra që ta kontrollonim situatën në hyrje të Kuvendit që delegatët e painformuar shqiptarë t’i informonim se “nuk ka mbledhje për ne”.

 

Forcat policore ishin të shumta, edhe më të dendura se më 2 korrik dhe të vendosura kudo, e sidomos tek hyrja. Kosova ishte në gjendje shtetërrethimi asokohe nga të ashtuquajtura Forca speciale të Jugosllavisë dhe Serbisë. Kjo na vështirësonte” misionin” tonë, duke e bërë skajshmërisht të rrezikshëm.
Me gjithë informimin e opinionit në RTP, kishte delegatë që nuk ishin informuar dge ne që lëviznim për të mos i rënë në sy policisë, e kushim shumë të vështirë t’i afriheshim delegatëve dge t’i pëshpërusnim tek ceshi “s’ka mbledhje”. Sa më kujtohet, nja 10 apo 11 delegatë shqiptarë kushin ardhur, por pasi i informuam, ara nuk morën pjesë në mbledhje atë ditë.

 

Më kujtohet sidomos një delegat, ka qenë ing. i makinerisë dhe vinte nga një ndërmarrje e madhe punuese,  nga Ferronikeli dhe pasi iu afrova dhe i pëshpërita ” s’ka mbledhje”, ai për çudi, donte sqarime shtesë: “kush ka thonë”. Po i them, “ishte në TVP”. Ai ma kthen: “nuk e kom pa”. Polici që afrohej dhe bëhej gati për me më kap, u shpërqëndrua nga një britmë e papritur, që erdhi nga larg dhe për fat shpëtuam.
Duhet theksuar se pas kësaj date 5 korrik 1990, që ishte ditë e enjte, më 7 korrik 1990, që ishte ditë pune meqë ishte e shtunë e parë e muajit, ne sgqiptarët shkyam në punë të gjithë, edhepse 7 korriku ishte festëvshtetërore e Serbisë dhe nuk punohej. Policia erdhi dhe na urdhëroi që të dilnim nga zyrat dhe të shkonim në shtëpi, meqë ishte festë. Por, ne u grumbulluam të gjithë para ndërtesës, duke kërkuar me ngulm që të hynim në punë, meqë pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut ne “nuk i njihnim festat e Serbisë”.
Aktivisti për të drejtat e njeriut, profesori i nderuar Zekerija Cana erdhi tek ne dhe donte të na bindë të shpërndahemi, duke komunikuar me kreun policor dhe kur ua kumtoi këmbëngulêsinë tonë për të hyrë në punë, si dhe “arsyet” e përmendura, atëherë na urdhëruan të shpërndahemi dhe na sulmuan, duke na goditur me shufra gome.
Pastaj, ditën e hënë, më 9 korrik 1990, meqë ishte cendosur roja e Serbisë tek hyrja, që shoqërohej nga rojet policore kosovare, nuk na lejuan të hyjmë në punë, duke na kumtuar se jemi në pushim vjetorë të gjithë punëtorët shqiptarë, kurse serbët jo.
Pas përfundimit të “pushimit” , në gusht, na lejuan vetëm nga një punëtorē për shërbim apo njësi të punojmë dhe meqë refuzuam të punojmë, u përjashtuam (pjesa më e madhe) nga puna, duke iu bashkangjitur armatês së madhe të shqiptarve të Kosovës të përjashtuar nga puna, duke ia lënë serbëve institucionet shtetërore e publike dhe ndërmarrjet punuese.
Rrënimi i autonomisë politike e territoriale të Kosovës, tani më, definitivisht, kishte ndodhur.

 

Kthim prapa nuk kishte. Serbia nuk u besonte më shqiptarve, bile as kuadrove “të dëshmuara” të tyre, të cilët dikur i quante “shqiptarë të ndershëm” (pošteni albanci).
Sllobodan Millosheviqi kishte marrë në duar të veta timonin e Serbisë dhe të Jugosllavisë, duke shkaktuar luftëra të përgjakëshme dhe shfarosëse në Kroaci, Bosne dhe pastaj edhe në Kosovë. Ai e shkatërroi Jugosllavinë Avnoj-ane, në emër të krijimit të Serbisë së Madhe. Ky “rrugëtim” i tij i përgjakshëm filloi, por dhe mbaroi në Kosovë, me realizimin e Pavarësisë së saj.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch