Home » Kulturë » AFRORE SHAIPI: E REJA PUBLICISTE E POETE, NGA PRESHEVA…

AFRORE SHAIPI: E REJA PUBLICISTE E POETE, NGA PRESHEVA…

Afrore ShaipiNga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

1.

Me ndërmjetësinë e kolegut e mikut tim, arsimtarit e publicistit Bardhyl Mezini, banues familjarisht në Tiranë, u lidha përmes Internetit me të renë krijuese nga Presheva, Afrore Shaipi. Në përgjigje të kërkesës sime, ajo më dërgoi të dhënat jetëshkrimore të  mëposhtme:

Përshëndetje, z. Murat Gecaj! Në radhë të parë, uroj të jeni sa më mirë me shëndet. Z. Bardhyl, shpesh herë, na dërgon punimet tuaja. Por, me këtë rast, po ju përgëzoj për librin, që po punoni për femrat krijuese. Sinqerisht, nuk e di nëse i përshtatem një libri të tillë. Megjithatë, në shenjë respekti, po ju tregoj diçka për veten time.

Quhem Afrore Shaipi dhe jam maturante, nga Presheva. Kur kam qenë më e vogël, kam shkruar disa poezi, mirëpo më pas jo më. Kështu që nuk jam poete e mirëfilltë. Mirëpo, kohë pas kohe, shkruaj artikuj për ngjarje të ndryshme nëpër gazeta. Kam botuar disa shkrime publicistike për Preshevën dhe problemet e të rinjëve dhe qytetarëve tjerë të këtushëm. Kam shkruar edhe ese, në shenjë nderimi për përvjetorët e Pavarësisë së Shqiprisë ose personaliteteve të shquar kombëtare shqiptare. Ndër ta, do të veçoja esenë për Ibrahim Këlmendin, intelektualin e atdhetarin e njohur, nga Presheva. 

Përveç arritjeve në shkollë, mund të them se kam interesim për gjuhët e huaja. Përpos gjuhëve, që i mësojme këtu, pra anglishtes, e cila është bërë gjuhë kryesore e domosdoshme në ditët e sotme dhe përpos serbishtes, meqë tani jam qytetare e këtij shteti, kam mesuar edhe spanjishten. Në kohët e fundit, pata nisur edhe mësimet për italishten, megjithatë kam patur pak ngecje. Z.Bardhyl më pati ofruar e këshilluar edhe mësimin e esperantos. Po, për të qenë e sinqertë, e kam lenë pak pasdore, për shkak të disa detyrave, që i kam patur në shkollë.

Meqenëse jam në përfundim të gjimnazit, kam vendosur që në të ardhmen të studioj në degën e juridikut. Një profesion të tillë, e kam pasion dhe ka vite që e ëndërroj. Mendoj që ai luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe, mbi të gjitha, kërkon përkushtim dhe korrektësi. Pikërisht për shkak të studimeve për drejtësinë, po interesohem për tema të ndryshme shoqërore, si diskriminimin, barazinë gjinore, pozitën e gruas, lidershipin etj. Prandaj dhe ju pyeta për librat e znj.Kozeta Zavalani. 

Shumë faleminderit dhe me respekt: Afrore Shaipi.

(E kam emrin në Facebook dhe e-mailin: afrore.sh@live.com)”.

 

2.

Tani, kur u njohëm shkurtimisht me Afroren, po ndalemi dhe në disa publikime të saj. Më shumë se dy vjet më parë, kur Shqipëria e Kosova, por edhe Presheva e mbarë trojet shqiptare e dispora, u përfshinë nga gëzimi popullor për festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ajo shkroi e publikoi artikullin “Lapidari-mburrje, zhgënjim, shpresë…” (Gazeta “Nacional”, Preshevë, 2013). Ndër të tjera, aty shkruante: Me sa duket, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë na solli shumë krenari, guxim e vullnet dhe jo vetëm ne qytetarëve të thjeshtë, por bile edhe politikanëve tanë shqiptarë! U bënë të gjitha ato festime, ngjarje e veprimtari për nder të figurave më të shquara të Kombit, heronjve e trimave, që dhanë jetën për lirinë tonë. U thurën poezi e këngë, u bënë premtime të shumta, se shumë shpejt ideali i bashkimit kombëtar do të bëhet realitet…Madje edhe në Preshevën e vogël, nën ndikimin e atdhetarizmit të këtij 100 përvjetori të madh, u ndërtua një lapidar kushtuar 27 heronjëve, që lirinë tonë e paguan me jetët e veta dhe mbi gjakun e tyre ne krijuam jetët tona. Sa bukur, që të paktën një ditë u kujtuam t’i nderojmë këta trima, të cilët gati i harruam!?” Më tej, shtjellon ngjarjen, që ai lapidar nuk u lejua nga Qeveria e Beogradit, sepse ua vriste sytë atdhetarizmi i shqiptarëve. Ndërsa në mbyllje Afrorja shkruan: “E, Lugina nuk meriton që të mbetet gjithmonë në këtë realitet, se edhe ajo ka të drejtë të frymojë lirshëm shqip, edhe UÇPMB ka të drejtë të ketë, të paktën, një lapidar dhe unë, si gjithë preshevarët, kemi të drejtë që një ditë, kur të dalim rrugëve të Preshevës, të mos tmerrohemi nga tanket e ushtrisë dhe uniformat e xhandarëve!?”

Por Afrorja përsëri iu ka kthyer temës së Festës sonë Kombëtare, në 101-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, përmes shkrimeve: “Shqipëria dhe shqiptarët, në këtë përvjetor” dhe “Një vit pas heqjes së lapidarit”. Këta shkrime janë botuar në gazetën “Bota sot” të Kosovës dhe në “Dituria”-Suedi e “Dielli”-Boston. Por edhe revistën shkollore “Gjimnazisti” ajo ka trajtuar tema jo vetëm për arsimin, por dhe me interes të përgjithshëm, siç janë shkrimet: “…mes ëndrrës e realitetit” ose “Para lapidarit të një Heroi”. Ndërsa për një veprimtari përkujtimore përgatiti materialin me temë, “Ibrahim Kelmendi, ikona e Luginës”(prill,2011) dhe shkrimin tjetër, “Në kujtim të Mandelës”, që u publikua në “Bota sot” e “Dielli”.

Duke i përjetuar ndjenjat e moshës, si gëzimet e shqetësimet e jetës shkollore, Afrorja shkroi artikullin “Sfida e të rinjëve sot”. Ndryshe nga pesimizmi i mjaft të rinjëve e të rejave dhe prindërve të tyre, ajo shkruan me optimizëm e shpresë: “Më ka ndodhur që, tek sa vij në shkollë, ngjis shkallët e gjimnazit, shoh e takoj plot moshatarë të mi e mendoj se secili prej tyre ka qëllimet dhe vizionet e veta për jetën, në pamje të parë, bindem dhe mbushem plot shpresë që këtë vend e pret një e ardhme e mirë”(Gazeta “Nacional”, 2013).

Gjithashtu, Afrorja ka artikuj të tjerë, mbetur dorëshkrim, ndër të cilët janë: “Zgjedhjet, 2013: Fushata, premtime dhe verdikti i popullit”(qershor, 2013), “Kujtime nga Gjimnazi” etj.

“Serinë” e shkrimeve të saj, kjo publiciste e re e ka mbyllur në ditët e fundit të majit 2014. Pjesëmarrëse në një ekskursion të bukur, mbresëlënës dhe të paharruar, mbresat e saj ajo i hodhi në një reportazh të gjatë, shoqëruar me disa fotografi shprehëse, fikësuar nga ai udhëtim. Përmes tij, ajo na ka dhënë përshtypjet e saj dhe të bashkënxënësve të Gjimnazit të Preshevës, të cilët i kaluan gjashtë ditë, në vizitat e tyre, nga vendlindja: në Vërmicë, Krujë, Durrës, Tiranë, Lezhë, Shkodër e Prizren dhe kthim.

 

3.

Edhe për mungesë të të dhënave të plota, nuk po ndalem gjatë në krijimtarinë poetike të Afrore Shaipit. Megjithatë, duke shfletuar poezitë e saj të frymëzuara, lehtë vërehet se ato i përshkojnë ndjenjat e atdhetarizmit shqiptar. Këtë gjë e gjejmë të shprehur qartazi sidomos në poezinë “Flamuri ynë”(28 nëntor 2006),   ku që në fillim shkruan: “Derdhur gjak për liri!/ Derdhur gjak për flamurin kuq e zi,/ për një flamur të Shqipërisë,/ që e ndriti dhe ditën e Pavarësisë”. Po me këtë motiv është poezia tjetër e kësaj autoreje, “Pavarësia”, në të cilën e jep dëshirën e tërë shqiptarëve edhe me vargjet: “Një gjë s’duhet harruar,/ Kosovë dhe Shqipëri/ t’i bashkojmë tok e tok,/ dy motra në ardhmëri”(revista “Pionieri”, Kosovë, 2008). Ndërsa në poezinë  “Vetëtima e Preshevës”(dhjetor, 2006), kushtuar prof. Ibrahim Kelmendit, e paraqet portretin e këtij luftëtari të paepur: “Rrugë e rrugë kaloi,/ por nuk e harroi Atdheun,/ prandaj luftoi e punoi/ si stërnip i Skënderbeut…”.

Para tri vjetësh, bashkë me disa kolegë e miq,  e kam vizituar atë shkollë të mesme në Preshevë, ku mëson tani kjo vajzë. Si nga informimet e drejtoreshës, por dhe nga një koncert i bukur dhe plot emocione, me këngë e recitime, u bindëm për atdhetarizmin e flakët, që i pushtonte ata, si për trojet tona amtare, për gjuhën e kulturën tonë kombëtare. Këtë gjë e gjejmë të shprehur aq bukur edhe në poezinë e Afrores, “Gjuha shqipe”(2006), të cilës i drejtohet me aq pasion e dëshirë rinore, me frymëzim naimjan: “Gjuha jonë e ëmbël,/ t’ëmbëlson si mjaltë./ Gjuha jonë e ndritshme/ të ndritë si qiri në natë”.

…Me sytë e mendjes e shoh ketë vajzë të talentuar preshevare, që nesër do të jetë me shkollë të lartë dhe mjaft e aftë në çdo profesion, që do të zgjedhë, duke iu përkushtuar me zell e pasion dhe plot atedhetarizëm, çështjes mbarëkombetare shqiptare. Prandaj e urojmë atë me gjithë zemër që vrullet e sotme të saj të mbara, të jenë përherë të pandalshme!

Tiranë, 6 qershor 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch