Home » Kulturë » Agr.TOMSON NISHANI, “BABAI” I PARKUT TË MADH TË TIRANËS

Agr.TOMSON NISHANI, “BABAI” I PARKUT TË MADH TË TIRANËS

(Boton libër, në 55-vjetorin e krijimit)

Nga: MURAT GECAJ

Tomsoni e Murati

Nga e majta: Tomsoni e Murati (Tiranë, maj 2010)

1.

Është bërë praktikë e zakonshme, që shkruajmë ose japim mendime për libra letrarë, pra që autorët e tyre kanë krijuar në poezi ose prozë. Ndërsa, kësaj here, dëshiroj të shkruaj pak radhë për librin e ri të agr.Tomson Nishani, i cili është i një natyre tjetër. Sigurisht edhe në këtë botim autori është shprehur bukur e me fjalë të zgjedhura, por nuk ka folur për ngjarje të trilluara në mendjen e tij. Përkundrazi, brumin e librit  e ka marrë nga një objekt real dhe shumë i njohur, sidomos për banorët e kryeqytetit tonë.  Rëndësi ka edhe se  ai nuk është fillestar, me këtë botim. Pra, ka një përvojë të gjatë, në hartimin e disa librave, numri i të cilëve është 16, siç e dëshmon edhe skedari i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Librin “Ngjarje, në Parkun e Madh të Tiranës”, ky mik i imi i kahershëm, ma dërgoi përmes një të njohuri të tij, nga Firence e Italisë, ku jeton familjarisht. Në letrën shoqëruese, ai shprehej me dashamirësi: “Prof. Murat Gecaj, njeriut të nderuar  dhe shumë të respektuar, ia dhuroj një libër ngjarjesh, nga jeta ime…Faleminderit!” Me merakun e arsyetuar, ai më mori edhe në telefon, që përtej Detit Adriatik, se donte që të sigurohej, nëse libri në fjalë më kishte rënë në dorë. Sigurisht, e qetësova dhe e falënderova përzemërsisht, për dhuratën e çmuar të tij. Gjithashtu, solla ndërmend kohën, kur me bashkëstudentët e Fakultetit Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës, punuam aty e dhamë ndihmesën tonë modeste, në fillimet e Liqenit Artificial e Parkut të Madh të Tiranës, që banorët e kryeqytetit tonë të kishin një vend sa më të bukur, çlodhjeje e argëtimi. Por, pas studimeve të larta, pra kur  shërbeja në shtyp, rasti e solli që aty të kryeja edhe muajin e punës fizike, siç praktikohej në atë kohë.

Tomson Nishani - linri

Kopertinat e librit të ri…

2.

Ja, së bashku me lexuesit, po e shfletojmë këtë libër modest, duke u ndalur paksa në përmbajtjen e tij. Në hyrje, pasi tregohet shkurtimisht historiku i krijimit të këtij Parku, nga një vend djerrinë e me ferrishta etj., thuhet: “Gjatë gjysmë shekulli e më shumë, Parkun e kanë drejtuar lloj-lloj ekspertësh. Por këtë histori e shkruan ai drejtues, që ka qenë në park jo më pak se njezet vjet të karrierës së vet dhe jeta e Parkut, për këtë drejtues, është pjesë e pandarë e jetës së tij më aktive”.

Libri ka 130 faqe dhe është ndarë në pjesë të veçanta, duke e pasqyruar jetën dhe veprimtarinë, që nga ditët e para të krijimit të Parkut e deri te pasthënja dhe ku jepen bibliografia e publikohen fotografi, nga jeta e tij. Agr. Tomsoni renditë të dhëna të hollësishme, se si u siguruan punëtorët e mjetet e tyre, fidanët pyjorë dhe lulet e llojeve të ndryshme etj. Duke u ndërtuar e zbukuruar, pjesë e pandarë e Parkut u bënë edhe restoranti modern e teatri veror, ku jepesh shfaqje artistike e filma për vizitorët. Hap pas hapi, u siguruan të ardhura të ndryshme nga veprimtaria e Parkut. Për jetën e tij nisën të shkruanin gazetat, ndërsa për përshtypjet dhe vërejtjet e vizitorëve u vendos një “bllok shënimesh”. Pranë Parkut u krijua harta orientuese dhe u ngritën fidanishtja e qendra ambulatore dhe, pak më tej, kopshti zoologjik etj. Kujdes i posaçëm u tregua për ndërtimin e rrugëve të kalimit për vizitorët, me qëllim që mos të dëmtoheshin lulet e drurët, për sigurimin e ndriçimit sa më të mirë  etj.

Siç e dëshmon autori i këtij libri, Parku nisi të kthehej jo vetëm në një qendër çlodhjeje, pushimi e argëimi, por dhe edukimi e mësimi. Kështu, aty u organizuan  takime e biseda me tëmatikë të larmishme, një pjesë e tyre me synime didaktike, përshtatur për mosha të ndryshme, sidomos për të rinjët e të rejat. Shpejt Parku tërhoqi edhe vëmendjen e vizitorëve të huaj, të cilët shkonin për ta kaluar pak kohë, në mjediset e tij.

Pjesë  përbërëse e jetës së Parkut të Mdh ishte edhe Liqeni Artificial, ku u vendosën barka e motoskafë. Sigrurisht, ai pati bukurinë e u solli kënaqësi kryeqytetasve. Por, në ndonjë rast, u bë burim fatkeqësishë, pasi nga pakujdesia u mbytën njerëz në të. Prandaj, sidomos kur shkonin atje si vizitorë nxënës shkollash, me mësuesit e tyre, u flitej për kujdesin që duhej treguar. Për ta pasqyruar jetën e këtij Parku, u hartuan e u publikuan broshura dhe botime tjera me ngjyra, të cilat u jepeshin  vizitorëve falas.

Në faqet e fundit të këtij libri, është me interes për lexuesin edhe lista e llojeve të drurëve, shkurreve e bimëve kacavjerrëse, që janë mbjellur dhe ndodhen në Parkun e Madh të Tiranës.

Populli e thotë bukur:”Shih rrushi-rrushin e piqet”. Kështu, sipas përvojës së Parkut të Madh të Tiranës, i nisur në vitin 1958 dhe me një sipërfaqe prej rreth 350 ha, nisën të ngriheshin parqe të tillë në Gjirokastër, Korçë etj.

Jeta e këtij Parku u bë 5-10-15-20 e 30-vjeçare etj. Po, siç shprehet jo pa dëshprim agr.Tomsaon Nishani, ndërsa nuk harroheshin datat e çeljes së shkollave, koperativave bujqësore etj., askush nuk u kujtua ta festonte ndonjë përvjetor të tij?! Po kështu, në faqet e fundit të këtij libri autori shprehet me dhimbje për pakujdesitë e treguara në mirëmbajtjen e këtij Parku, sidomos pas viteve ’90-të, të shekullit të kaluar. Megjithatë, ai beson e shpreson se çdo gjë do të rivlerësohet dhe ky Park do të mbijetojë e do të mbetet përherë në shërbim të banorëve të kryeqytetit tonë.

Tiranë, 26 shkurt 2014 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch