Home » Kulturë » Ajo që shkruhet në Preshevë mbetet përgjithmonë

Ajo që shkruhet në Preshevë mbetet përgjithmonë

Strugë-Preshevë, 29 tetor

 

Gjatë fundjavës që e lam pas, në Preshevë, në organizim të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore me seli në Preshevë, u promovua libri me materialet, shkrimet dhe kumtesat e Simpoziumit shkencor të mbajtur në Preshevë më 24 dhe 25 nëntor të vitit 2012.

 

Në këtë promovim të këtij libri, botimi i të cilit është mbështetur materialisht nga donatorët e shumtë të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, të pranishëm ishin një numër i konsideruar veprimtarë e krijues nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe vende të tjera të rajoneve shqiptare. Ndër ta i pranishëm ishte edhe prof.Dr. Nebi Dervishi nga Struga e largët, një personalitet i nderuar dhe i respektuar në qarqet shkencore dhe intelektuale,  një veprimtar, hulumtues e studiues i mirfilltë, njëherit  dhe profesor ordinar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe shumë të tjerë.

 

Pas intonimit të Hymnit kombëtar, të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti dhe faleminderoi për pjesëmarrje, kryetari i SHTKKP, Xhemaledin Salihu, për tia dhënë fjalën redaktorit të botimit të librit, Hysen Këqikut, për ti thënë “dy” fjalë për veprimtarinë e Shoqatës dhe për librin që promovohej.

 

Redaktori Hysen këqiku, pasi elaboroi veprimarinë e Shoqatës gjatë periudhës së kaluar, duke përmendur kronologjikisht, lidhur me Simpoziumin e vitit 2012, që ishte vit jubilar i shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, tha  ndër tjera se “Simpoziumi në fjalë ishte kushtuar pikërisht këtij përvjetori dhe mbante titullin “ Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”, ku u lexuar 26 kumtesa me rëndësi historike, arkeologjike, letrare, muzikore etj”.

 

Në vazhdim ai shtoi:” Libri përmbledhës i kumtesave fillon me një poezi të autores Sadbere Spahiu-Gagica, kushtuar “Preshevës”, autore e cila ka një zemër të hapur për Kosovën dhe pjesën e sajë Kosovën Lindore”.

 

Ndër personalitetet që flijuan edhe jetën e tyre për Preshevën, Kosovën dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare, u përmendën përmes kumtesave në simpozium, Ali Aliu-nga Sabile Keçkemezi. Poashtu janë përmendur në kumtesa edhe kontributet e Durmish Preshevës e Idriz Seferit që luftuan në Betejën e  Kaçanikut, dhe më pas mori pjesë në Kuvendin e pavarësisë në Vlorë, që u paraqit në kumtesën e Dr.Isuf Ahmetit. Xhemaledin Salihu, me kumtesën e tij Presheva në lëvizjen kombëtare për çlirim dhe bashkim të kërkesave për bashkim me Shqipërinë, duke përmendur personalitetet si Shaip Mustafa, Abdulla Saqipi-Presheva, Shaban Efendiu, Lutfi Ahmeti, Abdullah Haxhi Veliu, Hilmi Rexhep Qerimi, Mark Gashi, Rexhep Salihu-Hoxha etj etj. Hoxhë Ragmi ef. Destani, në kumtesën e tij “Kontributi i ulemave në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Turqi në periudhën 1912-1965” ishte me vlera të rëndësishme për këtë simpozium. Kumtesa e lexuar e prof.Dr. Nebi Dervishit  “Konstandini i Madh nga Dardania e Ilirisë (272-337) dhe ajo e prof. Dr. Mixhait Pollozhanit “Onomastika ilire në zonën e Karadakut”, janë bërë poashtu pjesë e këtij libri.

 

Në vazhdim të fjalës së tij në këtë promovim të librit, redaktori Hysen Këqiku shtoi se zëri i banorëve të Luginës së Preshevës ishte zëri i ndërgjegjes, që i fuqizonte dhe u jepte ngjyrë atdhetarie veprimeve dhe veprimtarëve të shumtë dhe thekson: “ Për historinë bashkëkohore nuk është i vogël e as modest kontributi i Mehmet Latifit, një qytetar të devotshëm të Preshevës që jeton dhe vepron në Strugë. Zbardhja e shumë ngjarjeve relevante për historinë e të Madhit Ismail Qemali, nuk është pa rëndësi, prandaj Këshilli Botues i këtij vëllimi e zgjodhi dhe e lejoi botimin e shkrimit të plotë me titull Kontributi i preshevarëve në zbardhjen e figurave të plota të pjesëmërrësve në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 1912”.

 

Në fund të fjalës së tij, Hysen Këqiku tha: “Vepra “Lugina e Preshevës në lëvizjen shqiptare gjatë historisë e botuar nga SHTKKP është sintetizim vlerash të krijuesve letrar dhe shkencor të cilët morëm pjesë në simpoziumin me të njëjtin titull mbajtur në Preshevë më 24 dhe 25 nëntor të vitit 2012.  Temat që u trajtuan në këtë simpozium, jo në mënyrë shterruese hodhën dritë mbi të bëmat e qytetarëve të kësaj treve në fusha të ndryshme duke filluar nga lashtësia, që nga Konstaintini i madh, Ismail Qemali, Ali Aliu e deri tek ai (do të lindet një njeri, perëndi) i cili do t’i trashëgoje virtytet e tyre të shenjta të luftës për liri. PUnimet e lexuara në këtë simpozium ishin pa shtresën e ndryshkut, ishin të pastra dhe shumë konkrete, të bazuara në dokumentacionin përkatës shkencor”.

 

Më pas iu ndanë librat autorëve të kumtesave dhe mirënjohjet atyre që materialisht mundësuan mbajtjen e simpoziumit, botimit dhe promovimit të librit.

 

Për të pranishmit, siç theksoi moderatorja e promovimit, Dionesa Ebibi nga Bujanoci, për kënaqësinë e të pranishmëve, me poezi u paraqitën Merva maliqi nga Presheva dhe Dreni Dervishi nga Struga, ndërsa me dy këngë popullore u prezantua Agim Kadriu, që ishte “shllag-vorte” për kryetarin e SHTKKP, Xhemaledin Salihun të shpallë të përfunduar këtë takim të promovimit me fjalët Mirë u pafshim në simpoziumet dhe promovimet tjera.

 

Ajo që shkruhet në Preshevë mbetet përgjithmonë, ndaj edhe ky libër është i përjetshëm.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch