Home » Kulturë » AKADEMIKU ALFRED UÇI BOTON NJË VEPËR TË RE, PËR MIGJENIN

AKADEMIKU ALFRED UÇI BOTON NJË VEPËR TË RE, PËR MIGJENIN

(“Estetika migjeniane-Fryma moderne në letërsinë shqipe”)

Nga: Murat Gecaj

Në këto ditë të fundvitit 2013, prof. Alfred Uçi-Akademik sjell një dhuratë të re për lexuesit tanë. Është vepra “Estetika migjeniane-Fryma moderne në letërsinë shqipe”, kushtuar Poetit tonë Kombëtar, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni. Libri është nën siglën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe e ka shtypur Shtëpia Botuese “Kristalina-KH”, Tiranë.

Autori  na  e bën të  qartë, në “Hyrjen” e librit, se përse e ka shkruar atë: “Jam kthyer tani te Migjeni jo vetëm se ka qenë një peng i imi jete, por edhe se konturet e botimeve të mëparshme të miat, kushtuar Migjenit, nuk ishin të plota. Prandaj,  me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij dhe 75-vjetorit të vdekjes e të kthimit të eshtrave të tij në Shkodër, shpresoj të paraqes  një varg përfundimesh, pas rileximit të fundit të veprës së tij”.

Libri në fjalë i prof. Alfred Uçit është voluminoz, pra përmban gjithësej 610 faqe. Autori e ka ndarë atë në 12 kapituj, me disa pjesë, secilin. Hapja është me kapitullin, “Jeta dhe vepra e Migjenit” dhe mbyllja me “Etyde estetiko-filozofike”. Për këtë libër, në fund, është botuar edhe një shënim i shkurtër, në gjuhën frënge.

Në kopertinën e fundit të librit janë shënuar mendimet e përmbledhura të disa shkrimtarëve e studiuesve. Ndër këta, Anastas Kapurani shprehet: “E vërteta migjeniane është pasuri e pashterur, tërë mençuri, pa të dytë në letrat shqipe, që na tregon qenien e njeriut shqiptar në një nga udhëkryqet më të shënuar të historisë së tij”.

Kjo vepër tjetër e prof. Alfred Uçit-Akademik, në vargun e 22 botimeve të mëparshme të tij, mbushë një boshllek në studimet për Poetin tonë të madh Kombëtar, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni. Ajo u shërben jo vetëm shkrimtarëve e poetëve dhe studiuesve tanë të kësaj fushe, por sidomos pedagogëve e studentëve të degëve të letersisë, si dhe një mase në të gjerë lexuesish të interesuar. Prandaj e urojmë përzemërsisht autorin për këtë botim të ri, duke i dëshiruar: Shëndet të plotë e begati, krijimtari të mëtejshme sa më të frytshme dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 25 dhjetor 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch