Home » Lajme » Aktakuzë për krime lufte kundër një serbi nga Mitrovica

Sipas aktakuzës, serbi  Z.V nga Mitrovica, me 5 maj 1999 nё Vushtrri, ka rrahur dhe më pas vrarë 4 shqiptarë. Po ashtu ai akuzohet se ka plaçkitur të paktën edhe 17 shqiptarë të tjerë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të martën (sot) ka ngritur aktakuzë për krime të luftës kundër një qytetari serb nga Mitrovicë, i cili akuzohet se në vitin 1999 në qytetin e  Vushtrrisë ka vrarë disa persona dhe plaçkitur disa të tjerë. Sipas aktakuzës që është ngritur pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, serbit  Z.V mё 5 maj 1999, nё Vushtrri, në bashkëkryerje, ka rrahur dhe më pas vrarë 4 shqiptarë.

“Pasi ka rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civil të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civil shqiptarë tё identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu. Po ashtu, duke vepruar nё mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve tё nacionalitetit shqiptar me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenën fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu sipas aktakuzës, i dyshuari “me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur tё holla nё shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilet e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 tё dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë”.

Më këtë i pandehuri, nё bashkëkryerje ka kryer veprën penale: Krime Lufte kundër popullsisë civile, nё kundërshtim me Nenin 142 lidhur me nenin 22 tё Ligjit Penal tё Republikës Socialiste Federale tё Jugosllavisë.

“Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

No comments yet... Be the first to leave a reply!

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.