Home » Lajme » Albin Kurti nentor dhjetor 2015

Albin Kurti nentor dhjetor 2015

Albin KurtiNjeriu i qetë, Kadri Veseli
‘I doli hajdari edhe Kadri Veselit.’ – kështu thonë tash i madh e i vogël, në fshat e në qytet, anembanë Kosovës. Fjalët e ndyra që i tha kryeparlamentari kah fundi i tentimit maratonik për seancë me 22 e 23 tetor, formuan konsensus në popullsi: e kemi ditur se është i këtillë e jo i atillë çfarë na shtirej! Fundja agjentët e shërbimeve sekrete informative e kanë për detyrë të mos duken të tillë, apo jo? Ndërkaq, nxitimi me të cilin Veseli orvatej ta çkyçte mikrofonin që e kishte harruar të ndezur gjersa shante vetëm sa ua vizatonte qytetarëve atë që moti e kishin ditur për të.

Kadri Veseli atë natë nuk po i shante Albulena Haxhiun dhe Fisnik Ismailin. Ai po shante vetveten e tij sepse sërish i kishte dështuar plani kundër opozitës. Në seancën plenare inatçore dhe arrogante që s’po arrinte të fillonte as pas mesnatës ai tashmë e kishte të qartë: opozita nuk ishte lodhur, opozita nuk ishte mërzitur, dhe, opozitës nuk i ishte harxhuar municioni (në trajtën e gazit lotsjellës të dhuruar nga policia e Kosovës).

Natyrisht që sharjet si shkarje tregojnë (të vërtetën) për karakterin e Kadri Veselit si dhe për edukatën e tij. Natyrisht që Kadri Veseli po bëhet gjithnjë e më i pacipë sepse po i pëlcet cipa artificiale nga temperatura në sallën e Kuvendit. Mirëpo, qëndrimet e mendimet e Kadri Veselit për opozitën e bashkuar e posaçërisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk është se i mësojmë nga çastet e shpërthimit të tij. Përkundrazi, pikërisht njeriu i qetë, Kadri Veseli, na i thotë vetë ato.

Këtu nuk e kam fjalën për fjalitë e tij kaotike që i dëgjojmë nga ulësja e tij speciale për ata që kanë probleme me kurriz dhe qafë, pra, nuk e kam fjalën për fjalitë e tij prej kryeparlamentari që nuk e respektojnë as drejtshkrimin, as shqiptimin dhe as gramatikën e gjuhës sonë. E kam fjalën për një shkrim të tij të titulluar “Koha për debat parlamentar dhe agjenda pozitive për vendin” e të botuar te Koha Ditore, më 5 tetor 2015. Ky shkrim është përplot me gënjeshtra e pasaktësi, por le të ndalemi këtu vetëm në dy pika të këtij artikulli të njeriut të qetë Kadri Veseli duke dhënë me këtë rast edhe citatet përkatëse.

  1. ”Është e qartë se qytetarët e Kosovës nuk e përkrahin këtë mospërfillje. Populli i Kosovës kurrë nuk do t’i pranojë dogmat e mykura të ekstremistëve të majtë mbi ShBA-të si nëna e të gjitha të këqijave, dogma që kanë pushtuar mendjet dhe zemrat e shumë drejtuesve opozitarë në Kosovë.”

Në opozitën kosovare nuk ka ekstrermistë të majtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është socialdemokrate dhe vetëm ndoshta nga pozicioni fashist ajo mund të duket ekstreme e majtë. Më tutje, asnjë deputet i opozitës së bashkuar nuk i konsideron ShBA-të si një e keqe, as si nëna e të keqes, e as si ‘nëna e të gjitha të këqijave’! Kjo shpifje e ndyrë orvatet t’ia bëjë me sy ambasadorit amerikan në Kosovë dhe është shprehje e maliciozitetit të një servili. Madje, pikërisht në ShBA, psh. të gjithë kandidatët presidencialë republikanë po thonë se do ta rinegociojnë marrëveshjen e Obamas me Iranin sepse nuk e duan e nuk e pranojnë atë marrëveshje, ndërsa neve këtu përditë na thuhet prej regjimit dhe njerëzve të tij se Mustafa nuk mund ta tërheqë nënshkrimin e tij.

  1. “Stagnimi ekonomik është duke rënduar përtej pragut të durueshmërisë jetën e qytetarëve tanë. Këtu qëndron rreziku, e jo tek Serbia, sundimi i të cilës mbi Kosovën ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në vitin 1999”.

Më së paku, pritet prej Kadri Veselit që vjen nga Mitrovica të provojë të na i shesë këto gjepura se sundimi i Serbisë ka marrë fund në vitin 1999 kur dihet e shihet që Mitrovica sot është e ndarë edhe më shumë sesa që ishte në qershorin e vitit 1999. Ndërkaq, të thuash se Serbia nuk është rrezik, por vetëm stagnimi ekonomik (i cili, në fakt, sërish vjen edhe nga kjo qeveri edhe nga ndarja e Trepçës dhe Mitrovicës) do të thotë t’i shërbesh strategjisë shoviniste e hegjemoniste të Serbisë. Ditë më parë, zyrtari më i lartë i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, tha që Kosova nuk duhet të merret me bërjen e ushtrisë së saj por me arsimin, ekonominë etj. (sic.).

Kur isha herën e fundit në Mitrovicë, e dëgjova një shaka interesante nga qytetarët atje. Ajo fillonte me pyetjen: çka bëhet (Kadri) Veseli kur e kalon urën mbi Ibër? Dhe, vazhdonte përgjigja lucide: (Zoran) Veselinoviq! Anasjelltas vlen po ashtu, do të shtoja unë. ShIK-u e ka bazën në Mitrovicë, por për 16 vjet askund asnjëherë agjentët e tij nuk u zatetën me ata të UDB-së së Serbisë e t’i lajnë hesapet. Apo, kushedi, ndoshta edhe janë zatetur, do të shtonte me ironi shakaxhiu nga Mitrovica!?
2 nëntor 2015
Albin Kurti

 

 

 

Intervista për Opinion.al

 

 

1.A mund te konsiderohet i mbyllur aksioni i opozitës në Kosovë?

 

Jo. Opozita vazhdon të jetë e vendosur në qëllimet e saj për të ndaluar marrëveshjet e dëmshme për ‘Zajednicën’ e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi i cili ia fal atij 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Nuk do ta ndalim aksionin opozitar deri në momentin kur kryeministri të vendosë të tërhiqet, e nëse jo, do ta detyrojmë ta sjellë ligjin për referendum në Kuvend ose ta çojë vendin në zgjedhje. Që të rrojë Republika ose duhet të bjerë ‘Zajednica’, ose Qeveria. Nuk mund të ketë vijim të rutinës institucionale, a thua se asgjë s’ka ndodhur, ndërkohë që Kosovës i cënohet integriteti i saj territorial dhe e ardhmja e saj si shtet sovran.

Është dashur që Kuvendi të japë leje për kryeministrin e Kosovës Mustafa me 25 gusht që ai të bisedojë më kryeministrin e Serbisë Vuçiq psh. me 11 shtator 2015. E jo anasjelltas: Mustafa të bisedojë, negociojë e të merret vesh me Vuçiqin me 25 gusht, ndërsa neve të na thotë se me 11 shtator do të vijë për informim në Kuvend! Në një shtet demokratik edhe mund të mjaftojë debati, por në një vend gjysëm autoritar si Kosova, qartazi nuk bën pa aksione simbolike e demonstrata popullore. Në fakt, në shtetet demokratike as nuk vjen një situatë si kjo e Kosovës tani.

 

 

  1. Çfarë kushtesh u plotësuan që tashmë seanca zhvillohet normalisht?

 

Nuk u plotësua ndonjë kusht. Vendosëm si opozitë që të lejojmë zhvillimin e seancës ku u votua MSA-ja mes Kosovës dhe BE-së. Ne ishim shumë kritikë ndaj kësaj MSA-je, pasi është tepër e ndryshme nga MSA-të e vendeve të tjera dhe e bën integrimin e Kosovës në BE të varur nga Serbia. Avionit Prishtinë-Bruksel, MSA-ja ia bën një ‘connecting flight’ në Surçin të Beogradit! Megjithatë,vendosëm të mos e bllokojmë këtë seancë, për t’i dhënë një sinjal të forte partnerëve perëndimorë të Kosovës se ne, si opozitë, po ashtu, jemi të përkushtuar për marrëdhënie të mira me ta dhe për forcim të shtetit e të institucioneve në Kosovë. Agjenda jonë nuk është agjendë kundër integrimit.

Por, nuk mund të pranojmë gjithçka, ka vija të kuqe të cilat asnjë shtet nuk mund t’i shkelë sepse dëmton vetveten. Ky është edhe rasti ynë.

 

 

  1. Duket se virusi ‘veza’ preku dhe Shqipërinë. Është ky një frymëzim nga VV?

 

Të protestuarit nuk është virus apo sëmundje. Përkundrazi, është shenjë e shëndetit dhe e jetës në një shoqëri. Sipas meje shoqëritë ku nuk protestohet janë shoqëri të sëmura.

 

Të protestuarit me vezë apo gjëra të ngjashme, fillimisht, i kemi parë në televizione, nga vendet perëndimore. Edhe sot e kësaj dite ngjarje të tilla ndodhin në vendet të cilat i marrim shembull për demokracinë, qytetarinë dhe për zhvillimin e tyre. Kështu që, nuk është VETËVENDOSJE! ajo që shpik apo frymëzon, mendoj se shembuj protestash, me vezë apo edhe me gjëra tëtjera, sidomos kohët e fundit, ka me shumicë në perëndim.

 

Sigurisht, nuk dua të them se protesta është gjithnjë e vetëjustifikueshme,apo që është një farë cirku demokratik. Protesta është mjet demokratik, por nuk është legjitime të protestosh për gjithçka e gjithnjë. Protesta legjitimohet vetëm atëherë kur pushteti nuk të dëgjon, nuk të përfshin, të përjashton dhe vendos për ty pa të marrë parasysh. Kjo psh. ka ndodhur në Kosovë, ku pushteti ka vendosur për këto dy marrëveshje kaq të dëmshme që prekin gjithë popullin e Kosovës, madje prekin edhe ata që ende s’kanë lindur, e megjithatë nuk e ka përfshirë në vendimmarrje as qytetarinë e gjerë, as opozitën parlamentare. Po flasim për kantonizim e federalizim sipas modelit të Bosnjës, e cila 20 vjet pas luftës vazhdon të jetë shtet i dështuar që pritet të pëlcasë.

Një kantonizim e federalizim i tillë nuk mund të bëhet pa pyetur se ç’mendon populli. Normal që vendime të tilla despotike do të hasin në protesta, kjo do të kishte ndodhur kudo në botë dhe është tërësisht legjitime.

 

  1. Ka patur akuza që disa nga aktivistët që u përfshinë në hedhjen e vezëve në Tiranë ishin të VV…

 

E kemi sqaruar se nuk ka pasur asnjë aktivist të VETËVENDOSJE!-s pjesëmarrës në atë akt. Po ashtu e kanë sqaruar vetë protagonistët, që nuk kanë patur lidhje me VETËVENDOSJE!-n. Është e kotë të zgjatemi në sajesa e shpifje mediatike të nivelit të ulët, të cilat janë bërë me qëllimin e vetëm që të provokonin një mosmarrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe VETËVENDOSJE!-s,  në mënyrë që pastaj të thoshin “ja, VETËVENDOSJE! ka probleme edhe me kryeministrin e Shqipërisë”. S’ke ç’komenton për lojëra tëtilla, që as fëmijët nuk i luajnë më.

 

  1. A mund të krijohet një epidemi ‘hedhjesh vezësh’ si përpjekje për të luftuar klasën politike nëShqipëri dhe Kosovë?

 

Edhe një herë, nuk më duket që ka ndonjë ‘epidemi’, madje nuk besoj se kjo është mënyra më e mirë për të etiketuar protestat. Ne shqiptarët jemi popull me kulturë përgjithësisht më konservatore, dhe si pasojë protestojmë shumë më pak se popujt e tjerë. Nëse sheh vetëm muajin e fundit, protestohet në Londër, në Lisbonë, në Athinë e Berlin. Në Shqipëri e Kosovë, po të gjykosh nga varfëria, nga mungesa e zhvillimit, nga mungesa e perspektivës, e po të krahasosh me Evropën, protestohet shumë pak. Kjo tregon se jemi shoqëri ende e paçliruar, e nënshtruar, madje e ndrydhur, e cila prodhon dhe fuqizon pushtete autoritare. Kjo gjë i pengon demokracitë tona.

Ndoshta protestat mund të jenë një lloj kritike e ashpër për udhëheqjet politike në vendet tona, por mungesa e protestave është një luftë ndaj demokracisë.

 

  1. Në Shqipëri grupimi që ndërmori këtë aksion njihet për qëndrimin pranë ekstremit majtas. Ndodh kjo dhe në Kosovë?

 

Shpeshherë pushtetet autoritare përdorin etiketa e kategorizime ndaj kundërshtarëve për t’i përjashtuar ata e për të mos iu përgjigjur argumenteve të tyre. Të tilla etiketa shpesh janë ato të ekstremizmave të djathtë e të majtë e kështu me radhë. Mua nuk më pëlqejnë këto etiketime dhe mendoj se një politikë mendjehapur është ajo që dëgjon argumentin e tjetrit, dhe jo ajo që përpiqet të kategorizojë tjetrin për ta skualifikuar.

 

Në Kosovë nuk ka parti ekstremiste. Lëvizja VETËVENDOSJE! është një parti socialdemokrate, e qendrës së majtë. Ka njerëz dhe grupime jashtë VETËVENDOSJE!-s që janë më të majtë se ne dhe që na kritikojnë për centrizmin tonë, por nuk mendoj se ka ekstreme as midis tyre.

 

Kjo është edhe çështje e ideologjisë që i përket atij që kategorizon.Sigurisht, të kërkosh arsim të lartë publik edhe falas sot, për një neoliberal dogmatik, mund të duket ekstremizëm. Por në fakt është një kërkesë tipike socialdemokrate, kejnsiane apo neokejnsiane. Arsim të lartë publik falas sot ka edhe Gjermania, edhe vendet skandinave. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk mund të quhet “ekstrem i majtë”, nëse duam të ruajmë njëfarë serioziteti në përdorimin e termave. Por për fanatikët e neoliberalizmit, ekstrem është gjithçka që nuk përkon me dogmën e tyre.

 

 

  1. Është kjo një nga mënyrat e bashkëpunimit mes shqiptarëve mes dy kufijve?

 

Të protestuarit është një nga mënyrat e të qenit europian. Të shtypurit e protestave, frikësimi i protestuesve, sharja dhe ofendimi i tyre nëpër media, apo përqeshja e argumenteve të tyre janë më shumë mënyra të të qenit pjesë e ndonjë despotati apo monarkie absolute, nga ato që sot numërohen me gishta në gjithë botën, e që në Evropë nuk ka më të tilla.

 

Shqiptarët do të kenë një demokraci më të shëndetshme dhe një spektër më normal politik kur ta tejkalojnë tërësisht ndarjen. Në të gjitha aspektet e në të gjitha mënyrat.

 

 

 

Shansi ynë i fundit në hapin e tyre të parafundit

Në teori përmenden posaçërisht dy modele kushtetuese në një rregullim shtetëror demokratik. I pari është modeli i drejtësisë që nënkupton si bazë të drejtat e qytetarëve që do të duhej t’i sigurojnë ata nga sulmet dhe abuzimet e shtetit. Kurse, i dyti, është ai i konsensusit: ndarja e pushtetit, zgjidhja federale, ideja e Lijphartit për ‘demokracinë konsensuale’ që ka për qëllim stabilitetin dhe autonominë kulturore.

Më tutje, në modelin e parë zakonisht ke një popull shumicë që vendos themelin dhe emrin e ngrehinës shtetërore por vullneti i të cilit kufizohet nga të drejtat e pakicave. Ndërkaq, te modeli i dytë që rregullisht përvetësohet nga shtetet e ndryshme federative kemi elementet e veçanta përbërëse si popuj a kombe pak a shumë të barabartë nën një kulm të përbashkët.

Në rastin e parë, të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe ato politike shërbejnë herë si amortizues e herë vetëm si maskë e dominimit të shtetit komb. Në rastin e dytë, vazhdimisht kërkohen balanse delikate në mënyrë që forcat e veçanta centrifugale të mos e tejkalojnë gravitacionin e përgjithshëm të sistemit shtetëror.

Nga shkatërrimi i Jugosllavisë federative që nisi në fund të shekullit të kaluar dolën këto shtete kombe: Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Këto shtete janë para së gjithash shtete të sllovenëve, kroatëve, malazezëve, serbëve dhe maqedonasve, ndonëse në Mal të Zi malazezët janë veçse pakica më e madhe që përbën rreth 40% të popullsisë, në Maqedoni së paku një e treta e popullsisë janë shqiptarë, kurse në Serbi së paku 18% e popullsisë nuk janë serbë.

Në anën tjetër, kemi edhe Bosnje dhe Hercegovinën e cila e pësoi më së shumti gjatë luftës por u bë një shtet federativ në të cilin një e treta e popullsisë që ishin serbë fituan gjysmën e territorit përmes Republikës Serbe atje. Për të qenë më keq se kaq, Republika Serbe sot e ka shndërruar Bosnje dhe Hercegovinën në një shtet jofunksional i cili po shkon drejt dështimit të sigurt. Marrëveshja e Daytonit e cila para dy dekadash ishte sajuar për ta ndalur luftën nuk po arrin ta mirëmbajë Bosnjen e për pasojë nuk do të arrijë ta mbajë as paqen.

Po Kosova, ku ndodhet në këtë mes vendi ynë i dashur? Kah po shkon njësia e dikurshme e Federatës Jugosllave ku filloi dhe (ende nuk) përfundoi shkatërrimi i Jugosllavisë? Cila është pozita dhe ardhmëria e shtetit që shpalli pavarësinë para gati tetë vjetësh? Kosova rrezikon të federalizohet përmes ‘Zajednicës’ së Serbisë duke iu bashkuar kështu Bosnjës, këtij shteti të par(e)alizuar e për të cilin diplomatët kureshtarë vëjnë baste nëse do të shpërthejë para dështimit apo do të dështojë para shpërthimit.

Nga të gjitha shtetet që dolën nga ish Jugosllavia, Bosnja dhe Kosova po mbeten humbëset më të mëdha: pa integritet territorial e sovranitet, me qytete të ndara si Mostari e Mitrovica, me nga një Serbi të vogël brenda si ‘Republika Srpska’ dhe ‘Zajednica’, me sundim ndërkombëtar sipër që s’të jep llogari, dhe, me papunësinë e varfërinë më të lartë në rajon.

Dy shtetet kombe që të parat dolën nga ish Jugosllavia, Sllovenia e Kroacia tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Tri shtetet kombe të tjera, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia janë asaj rruge. Bosnja dhe Kosova po ngelin në klasë, në të njëjtën klasë, me të njëjtën mënyrë. Sepse Kosova po e ndjek Bosnjen hap pas hapi.

 

Bashkësinë e 14 komunave të tyre në Bosnje, me planifikimin dhe ndihmën e Beogradit, serbët atje e formuan më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ata e shpallën pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratuan kushtetutën e tyre. Ndërkombëtarisht kjo u njihet me 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Daytonit, pas negociatave të cilat për çështjet e brendshme të Bosnjes, Alija Izetbegoviq i zhvilloi me Milosheviqin dhe Tugjmanin në Ohio të ShBA-ve. Ajo që u arrit në Bosnje dhe Hercegovinë përgjatë luftës e me luftë për katër vite e gjysmë, në Kosovë po realizohet më ngadalë në paqe.

Le të themi, më së voni prej 2 shkurtit të vitit 2007 kur në Prishtinë ateroi Plani i Ahtisaarit që formonte dhjetë komuna të reja me shumicë serbe, e deri në ditët e sotme kur po përpiqen ta instalojnë ‘Zajednicën’ që i bashkon këto komuna në një pushtet paralel të një formacioni të ri. Pra, Serbia njëherë i ndau territorialisht dhe administrativisht serbët e Kosovës nga Kosova dhe tani po i bashkon ata, sërish territorialisht e administrativisht, kundër Kosovës.

Kësisoj, Kosova i është nënshtruar forcave centrifugale teksa serbët e Kosovës atyre centripetale, gjë që po shprehet në pavarësinë pa substancë të Kosovës dhe në autonominë substanciale të ‘Zajednicës’.

 

Në këtë orvatje federalizuese për shtetin e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, sigurisht që duhet të shtypet shumica shqiptare e të fuqizohet pakica serbe. Kosova edhe mund të quhet vend e popullsi multietnike, por ajo s’mund të bëhet shtet multietnik pa dhunë mbi shqiptarët të cilët janë jo vetëm popullsi shumicë por përbëjnë plot 92% të popullsisë. Me 92% shqiptarë e me 6% serbë nuk ka kuptim ‘Zajednica’.

Vetëm kur në ekuacion e fut edhe Serbinë, dialogun pa kushte me të dhe aspiratat e saj hegjemoniste, e sidomos me mirëkuptimin ndërkombëtar për mosnjohjen që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës, vetëm atëherë 6% serbë nuk janë më 6% por bëhen nja 25% me të drejtë vetoje. Asisoj, Serbia del e fituar në Kosovë edhe më shumë sesa në Bosnje: atje 33% të popullsisë fituan 49% të territorit, këtu 6% të popullsisë po fitojnë afër 25% të territorit.

 

Republikën serbe në Bosnje boshnjakët dhe kroatët e Bosnjes sigurisht se nuk mund ta heqin pa një luftë të re e ndoshta as edhe me një luftë të re. Natyrisht që ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë nuk është identike me Republikën Serbe në Bosnje. ‘Zajednica’ është para-shtet, tash për tash më i ngjashëm me ato që quheshin ‘Srpska Autonomna Oblast’ në Kroaci, si psh. Krajina, sesa me Republikën Serbe në Bosnje. Mirëpo, ‘Zajednica’ është vetëm një hap larg Republikës Serbe në Bosnje dhe për këtë hap asaj nuk do t’i duhet më Kosova.

Qeveria e Kosovës i nevojitet Serbisë për ta bërë ‘Zajednicën’, ndërsa mandej nuk do t’ia ketë nevojën asaj për ta shndërruar ‘Zajednicën’ në Republikë Serbe. Me lidhjen politike dhe financiare me Serbinë, me kompetencat vendëse e ndërkombëtare që i fiton, me institucionet dhe administratën e saj, me përfaqësuesit dhe simbolet që do t’i përcaktojë vetë, ‘Zajednica’ ecën vetë në hapin e saj të fundit drejt edhe një Republike tjetër Serbe në Ballkan.

As Presidentja, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës nuk do të mund ta shpërbëjnë dhe as shuajnë ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. ‘Zajednicën’ mund ta ndalim tash dhe vetëm tash, në hapin e saj të parafundit, e jo më vonë në hapin e saj të fundit. Ta parandalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të parafundit do të thotë ta mbrosh Republikën e Kosovës. Ta ndalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të fundit do të thotë të shfaqesh si një agresor i pamundur.

 

Përfundimisht, ose do të rrojë Republika e Kosovës ose do të instalohet ‘Zajednica’ e Serbisë, dmth. ose do të bëhet Republika e tretë e Kosovës (si republikë-për-zhvillim, pas republikës-për-rezistencë të 2 korrikut 1990 dhe republikës-për-shitje të 17 shkurtit 2008) ose do të bëhet republika e tretë serbe në Ballkan (si ‘Zajednicë’, pas Republikës serbe në Bosnje dhe vetë Republikës së Serbisë).

 

20 nëntor 2015

Albin Kurti

 

 

 

Barazia para sprejit lotsjellës

Gazi lotsjellës i cili plaste në një sallë me rreth 150 njerëz ikte për më pak se gjysëm ore, ndërsa instalimi i ‘Zajednicës’ do t’iu mbetet dy milionë njerëzve për dekada të tëra. Më mirë ta bllokojmë përkohësisht Kuvendin me gaz lotsjellës sesa të na bllokohet përjetësisht Republika me ‘Zajednicën’ e Serbisë.

Duke iu falenderuar opozitës së bashkuar, gazi e spreji lotsjellës nuk hidhen më vetëm kundër të varfërve dhe rinisë kosovare nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe kundër qeveritarëve të pasur dhe deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Kur goditej me gaz e sprej qytetari në protestë, kjo gjë fare nuk problematizohej dhe asnjëherë nuk quhej dhunë. Tash që atë e përjetuan njerëzit e regjimit në Kuvend, përnjëherë gazi e spreji lotsjellës na u bënë dhunë e rrezikshme, armë kimike, helm toksik e çka jo tjetër.

Gazi lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës që s’po arrin të fillojë, nuk është armë por municion. Armë është protesta e opozitës së bashkuar e cila e ka për municion gazin dhe sprejin lotsjellës të cilin Policia e Kosovës na e dhuron nëpër protestat tona. Tentimet maratonike për seanca Kuvendi po bëhen duke shpresuar që deputetëve të opozitës së bashkuar do t’iu soset municioni. Kot e kanë. Policia nuk na lë neve pa municion.

Në Kuvendin e Kosovës ne kemi përdorur forcë proporcionale kundër qeveritarëve dhe deputetëve të rebeluar kundër Republikës së Kosovës. Asnjë gaz lotsjellës më shumë sesa që ishte e nevojshme nuk e kemi ndezur në ato tentim seanca. Vetëm aq sa e pamundësonte fillimin e mbledhjeve plenare të cilat do ta normalizonin ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe faljen e tokave tona Malit të Zi (thua se asgjë nuk ngjau me marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit).

Është policia e Kosovës ajo që përdor forcë të tepruar mbi protestuesit, jo ne mbi qeveritarët. Vetëm në njërin rast ne nuk përdorëm forcë proporcionale. E kam fjalën për situatën kur disa dhjetëra policë kishin zënë shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin në Kuvendin e Kosovës duke penguar kështu lirinë e lëvizjes së deputetëve. Forca ynë nuk ishte proporcionale sepse policët kishin vënë gaz maskat dhe ne nuk patëm mjaftueshëm sprej lotsjellës për ta. Për pasojë, ne nuk arritëm t’i largojmë ata policë dhe shkallët mbetën të bllokuara.

Mund të thuhet që Kosova sot nuk ka më Kuvend, sepse s’po funksionon ai për shkak të opozitës së bashkuar që proteston aty. Mirëpo, në një tjetër rrafsh, pikërisht tash ka Kuvend shteti i Kosovës, sepse aty po mbrohet Republika jonë nga ‘Zajednica’ e Serbisë dhe falja e 9.000 hektarëve Malit të Zi. Në këtë kuptim më thelbësor, shteti i Kosovës nuk ka qeveri porse ka opozitë. Sepse duke mos pasur qeveri të saj, Kosovës ia merr Mali i Zi tokën kurse Serbia ia shton ‘Zajednicën’.

Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në qeveri dhe në sistem në mënyrë që populli të dalë nga kriza. Nuk ka ndryshime progresive në Kosovë me fjalë. Në shtetin autoritar, në shtetin e kapur, nuk mjaftojnë dialogu e fjalët. Gjendja është tejet e keqe dhe ka shkuar shumë larg: po normalizohet ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë. Bosnjëzimi po troket në derë të hapur.

Fjalët s’kryejnë punë. Dialogu ynë është monolog. E monologu i tyre është plan dhune.

Policia e regjimit me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndan qytetarët nga sheshi kryesor i republikës. Opozita e bashkuar me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndanë nga Kuvendi qeveritarët e ‘Zajednicës’. Çka ka të paqartë këtu? Gazi e spreji lotsjellës, shkaktojnë lotë, porse ato edhe e hapin shikimin sepse qartësojnë syrin dhe pamjen.

Spreji lotsjellës është i domosdoshëm për ta sjellur frymën e republikës në vendin tonë. Kur të godet spreji lotsjellës të vështirësohet frymëmarrja, të djegin sytë e të skuqet lëkura. Të gjithë ne protestuesit e dimë moti këtë gjë. Mirëpo tash këtë po e mësojnë edhe njerëzit e regjimit. Pa sprejin lotsjellës, nuk u hapen sytë qeveritarëve dhe deputetëve të tyre, nuk u skuqet fytyra, dhe, nuk merr dot frymë republika jonë. Spreji e gazi lotsjellës të detyrojnë t’i mbyllësh sytë, të mendosh pak para se t’i hapësh sytë sërish, të lotosh jo pak që të mund t’i hapësh sytë, dhe, pasi të arrish që më në fund t’i hapësh sytë, gjërat duken shumë më qartë mandej.

Janë disa gjëra në jetë që nuk mund t’i shohësh për shkak të lotëve, por janë edhe ca gjëra të tjera që mund t’i shikosh vetëm përmes lotëve. Në këtë kategori bën pjesë edhe Kosova jonë e dashur, ky vend i pasur e me popull të varfër, me pushtet të kënaqur e me qytetarë të vuajtur, me intelektualë të shitur e me rini pa perspektivë. Kosova mund të shihet vetëm nëpërmjet lotëve.

Gazi e spreji ynë lotsjellës po e paralajmërojnë barazinë në shtet. Para gazit e sprejit lotsjellës duhet të jemi të gjithë të barabartë: si qytetari, si polici, si qeveritari, si deputeti. E jo dikush të jetë mbi sprejin lotsjellës e dikush nën sprejin lotsjellës, apo jo? Barazia para sprejit lotsjellës është parakusht për barazinë në republikë. Sepse shteti i kapur s’mund të jetë republikë.

 

24 nëntor 2015

Albin Kurti

 

 

 

 

Alternativa nuk ka dialog

Në janarin e këtij viti, anembanë qyteteve e qytezave të Kosovës u patën mbajtur rreth 15 protesta kundër ish ministrit të qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq. Me vendosmëri po kërkohej shkarkimi i Jabllanoviqit pasi që ai i kishte quajtur egërsira nënat e të pagjeturve nga Gjakova dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Qeveria po e mbronte Jabllanoviqin herë duke thënë që ai është keqkuptuar e herë duke i keqinterpretuar motivet e protestuesve.

Të shumtë ishin qytetarët e Kosovës të cilët asokohe na thoshin se nuk hiqet dot Jabllanoviqi si ministër qeverie meqenëse ai është kreu i Listës serbe. Dhe, vazhdonin ata, po u shkarkua Jabllanoviqi, atëherë tërhiqet Lista serbe nga koalicioni me PDK e LDK dhe asisoj bie qeveria! Na e thoshin këtë edhe pas dy protestave masive e të fuqishme më 24 dhe 27 janar në Prishtinë. Na e thoshin këtë madje edhe në ditën e 3 shkurtit, në mbrëmjen e së cilës më në fund u shkarkua Jabllanoviqi (një ditë para protestës së radhës të paralajmëruar për 4 shkurt).

Mirëpo, të gjithë këta qytetarë një gjë nuk po e kuptonin: Vuçiqi e Daçiqi më të rëndësishëm i kanë Mustafën e Thaçin të cilët u nevojiten atyre për ‘Zajednicën’ sesa Jabllanoviqin të cilin kollaj mund ta zëvendësojnë me një tjetër siç edhe bënë. Pra, Serbia i ka aset shumë të vlefshëm krerët e qeverisë së Kosovës sepse këta janë tejet dorëshlirë për Kosovën duke ia përmbushur rregullisht apetitet Serbisë.

Në këtë kuptim, Mustafa e Thaçi nuk janë më as tradhtarë të Republikës së Kosovës e të kombit shqiptar. Ata tashmë janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Mund të tradhtosh një herë, nuk mund të tradhtosh disa herë e aq më pak të tradhtosh vazhdimisht. Mustafa e Thaçi moti e kanë kryer tradhtinë. Sot ata janë shndërruar në bashkëpunëtorë të Serbisë, në shërbëtorë të devotshëm të Serbisë hegjemoniste dhe ekspanzioniste, në vegla të nacional-socializmit serb të udhëhequr nga Vuçiqi e Daçiqi. Mustafa e Thaçi janë më keq se tradhtarë të Kosovës – ata janë bashkëpunëtorë të Serbisë.

Këta dy jo vetëm që aspak s’po e ndihmojnë Kosovën, por edhe po e ndihmojnë shumë Serbinë. Trajtimi special që po ia bën qeveria e Kosovës Serbisë përmes dialogut pa kushte me të, po e forcon Serbinë në fushatën e saj kundër Kosovës. Qeveria e Kosovës po jep kontribut të çmuar në fuqizimin e Serbisë brenda Kosovës e rreth Kosovës, gjithnjë kundër Kosovës. Prandaj, opozita e bashkuar nuk mund t’i lëshojë pe Mustafës e Thaçit sepse ashtu do t’i binte që i lëshuam pe Serbisë!

Thaçi e Mustafa pasi që e kanë bërë Kosovën të negociueshme me Serbinë, tash marrëveshjet me Serbinë po i paraqesin si të panegociueshme (sic.). Thonë se e kanë të pamundur të tërhiqen nga marrëveshjet e këqija si këto për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Po të ishin Mustafa e Thaçi njëmend qeveritarë të Kosovës e jo shërbëtorë të Serbisë, jo tërheqja nga këto marrëveshje, por pikërisht nënshkrimi i tyre do të ishte i pamundur e i paimagjinueshëm.

Kuvendi i Kosovës është i shkelur me ‘Zajednicën’ e Serbisë. Bllokimi në Kuvend e mbron Republikën pa të cilën nuk ka çka të duhet Kuvendi. Fundja, Kuvendi mund të jetë edhe i autonomisë, edhe i kantonit, edhe i njësisë federative, s’është e thënë të jetë vetëm i republikës, apo jo? Kthimi në Kuvend i opozitës nuk mund të jetë kthim në hapsirë pa qenë kthim në kohë: duhet të kthehemi në situatën para 25 gushtit të këtij viti. Sepse debati duhet t’i paraprijë marrëveshjeve e jo anasjelltas.

Me kohë dhe në vazhdimësi ne i kemi kundërshtuar decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar, UNMIK-un dhe EULEX-in, shitjen e KEDS-it dhe vjedhjen e Bechtelit, mallrat e Serbisë dhe Jabllanoviqin. Për të gjitha këto ka dalur se kemi pasur të drejtë. S’do mend se edhe ata që sot kanë dilema shpejt do ta kuptojnë se kemi pasur të drejtë edhe në kundërshtimin e ‘Zajednicës’ së Serbisë e të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E gjithë çështja është se çfarë çmimi duhet të paguajmë deri sa të tërhiqen Mustafa e Thaçi nga pazaret e tyre me Serbinë dhe Malin e Zi.

Ka mundësi që ata do të tërhiqen vetëm pasi ta kenë vrarë dikë prej nesh apo disa prej nesh. Nuk kam dyshim në gatishmërinë e tyre për të na vrarë. Mirëpo, kjo gatishmëri e tyre do ta ketë përballë një gatishmëri tonën edhe më të madhe edhe më të lartë: gatishmërinë jo vetëm që të burgosemi por edhe të vdesim vetëm e vetëm që Serbia të mos e fitojë ‘Zajednicën’ në Kosovë kurse Mali i Zi të mos i marrë 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Ne nuk i frikësohemi as burgjeve e as plumbave të regjimit Mustafa-Thaçi. Ne i frikësohemi vetëm bosnjëzimit të Kosovës.

Nuk mund të dialogosh me këtë qeveri e të merresh vesh me të. Jo vetëm për shkak se ajo tanimë ka dialoguar e është marrur vesh me Serbinë dhe Malin e Zi. Dialogun në institucione e kemi parë te ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë Gjykatës Speciale. Fol e debato sa të duash në foltoren e Kuvendit, në fund, votimi i deputetëve të koalicionit PDK-LDK-Srpska i përngjan futjes së rruazave në pe. E, nëse rastësisht s’ka mjaftueshëm rruaza, atëherë thirret seanca tjetër ku gjithçka përsëritet deri te rezultati i duhur. Demokraci se jo mahi!

Alternativa e kësaj është insistimi përmes protestave të vazhdueshme sikurse në rastin e shkarkimit të Jabllanoviqit. Në atë rast u arrit qëllimi e u realizua kërkesa jonë pa kurrfarë dialogu e pa asnjë takim me Mustafën e Thaçin. Nuk pati as tryezë dialogu e as platformë bisedimesh, por Jabllanoviqi u detyrua të ikë. Dialogu me regjimin Mustafa-Thaçi nuk është alternativë. Fundja, në shtetin e të kapur, natyrisht që ka më shumë më tepër demokraci në demonstrata qytetare sesa në institucione zyrtare.

 

26 nëntor 2015

Albin Kurti      

 

 

 

Kundër nënshtrimit qeveritar ndaj Serbisë

Në Kuvendin e Serbisë, përveç dy deputetëve shqiptarë atje, nuk kishte asnjë deputet që ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Po ashtu, asnjë ministër a zëvendës-ministër në Qeverinë e Serbisë nuk ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës shumica e deputetëve, për shkak të koalicionit PDK-LDK-Srpska, janë për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Asnjë ministër a zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës nuk doli kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë!

Pra, në Beograd politikanët serbë janë unikë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në Prishtinë, ne politikanët shqiptarë jemi të ndarë rreth Serbisë dhe apetiteve të saj! Skena politike në Kosovë nuk është e ndarë si opozitë-pozitë për pushtet në Kosovë, por është ndarë për e kundër ‘Zajednicës’ nga shteti i Serbisë. Pyka në politikën kosovare është serbe.

Fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është e keqja më e vogël që Serbia ia ka bërë Kosovës. Të këqijat e tjera që na i ka bërë e po na i bën Serbia janë më të mëdha e shumë më të mëdha se kaq, por ja që për ato asnjë fjalë asnjëherë nuk e thotë Qeveria. Mustafa e Thaçi heshtën edhe për bllokimin e librave shkollorë shqip në terminalin doganor në Preshevë. Ama bash asnjë fjalë s’e tha asnjëri prej tyre për nxënësit shqiptarë që mbetën pa librat shqip.

Veçse kjo heshtje e përgjithshme e Qeverisë së Kosovës gjithsesi e ka edhe një ambient të përshtatshëm në shoqëri e posaçërisht në medie. Disi edhe elitës kosovare vazhdimisht po duhet t’ua përkujtojë Serbia se kush është ajo. Elita kosovare është bërë porsi një kompjuter me RAM memorie pa hard disk. U kujtuan për Serbinë armike e keqbërëse, u kujtuan për ndërprerje ose ridimensionim të dialogut me Serbinë, vetëm pasi që Kosova nuk u pranua në UNESCO. Për elitën kosovare Serbia është e keqe vetëm nëse është vazhdimisht e keqe.

Jo rastësisht në thumb të kësaj elite prej opinionistësh ndodhet ‘dhuna opozitare’. Polarizimi aktual në Kosovë ka nxjerrur në pah diç shumë të rëndësishme: nëpër debatet televizive po demaskohen analistët! Në neutralitetin e tyre po shihet se kanë qenë bukur pranë qeverisë e mjaft larg opozitës. Shumica e këtyre opinionistëve neutralë doli se janë një hap larg qeverisë dhe pesë hapa larg opozitës! I këtillë na paska qenë neutraliteti i tyre. Ata kanë qenë të paanshëm në kuptimin që s’kanë qenë identik me pozicionin as të qeverisë dhe as të opozitës së bashkuar, mirëpo fare nuk kanë qenë të baraslarguar në këtë ‘paanshmërinë’ e tyre.

Të gjithë opinionistët e paanshëm që flasin një herë për ‘dhunën’ e opozitës së bashkuar apo të VETËVENDOSJE!-s do të duhej të flasin 10 herë për dhunën e plaçkitjes së dhomave të dëshmive në policinë e Kosovës ku u vodhën droga, ari dhe dosjet, apo jo? Por ja që këtë nuk e bëjnë pothuajse asnjëri prej tyre. Dhe, duhet kritikuar 20 herë ‘Zajednica’ e Serbisë dhe ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi, 10 herë dhuna policore në rrugët e Prishtinës dhe nëpër stacione të policisë, e vetëm njëherë gazi e spreji lotsjellës në Kuvend si dhe gurët në duart e protestuesve të paarmatosur përballë policëve specialë të armatosur gjer në dhëmbë. Përndryshe, s’ka kuptim ky farë ‘opinioni neutral’.

Qeveria e Kosovës moti ia ka mbyllur me shul derën popullit të Kosovës andaj tash ai ia theu xhamat e dritareve asaj. Prona shtetërore e publike është uzurpuar nga kjo qeveri kuislinge e ‘Zajednicës’. Ne nuk po dëmtojmë diçka që është e popullit por diçka që i është marrur popullit, i është uzurpuar atij. Dëmet materiale nuk janë më dëmtime të pronës së popullit por dëmtime të qeverisë anti-popullore. Dhe, jo vetëm kaq. Të gjithë policët e lënduar në të kaluarën, të gjithë policët që mund të lëndohen në të ardhmen, duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë pse nuk po tërhiqet prej pazareve të tyre me Serbinë dhe Malin e Zi ku Kosova shitet më lirë se badihava.

Qeveritarët kosovarë me në krye Isa Mustafën duket se janë të obsesionuar me pronat private dhe indiferentë ndaj territorit të shtetit. Pra, ata sillen si biznesmenë meskinë e jo si përfaqësues dhe dalzotës të popullit. Njëmend ‘Zajednica’ është pasojë e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 para se të jetë e asaj të 25 gushtit 2015. Mirëpo, pa këtë marrëveshjen e Isës me Vuçiqin, ajo e Thaçit me Daçiqin nuk do të konkretizohej praktikisht. Sigurisht që strukturat shtetërore të Serbisë në Kosovë kanë mundur ta shpallin ‘Zajednicën’ e komunave me shumicë serbe.

Mirëpo, çështja që shtrohet këtu është pse këtë shpallje t’ia bëjë ‘Zajednicës’ vetë shteti i Kosovës përkatësisht qeveria Mustafa?! Kur ta thyejnë këmbën, më mirë është të mos e vësh në gjips fare sesa ta vësh gjipsin e një kallëpi të gabueshëm i cili mandej do të detyrojë ta thyesh sërish këmbën, por asaj radhe t’ia thyesh vetes këmbën!

Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit.

 

29 nëntor 2015

Albin Kurti


 

 

Kerry si ndërmjetësues i dyfishtë

 

 

S’do mend që pasnesër Vuçiq e Daçiq do t’i bëjnë kërkesa John Kerry-t për Serbinë në kurriz të Kosovës. S’do mend edhe që Mustafa e Thaçi nesër do t’i bëjnë kërkesa Kerry-t për pushtetin e tyre kundër opozitës. Në fund, Kerry me ekipin e tij do ta nxjerrë një mesatare të qëndrimit të tij në Beograd dhe në Prishtinë. As Mustafa e as Thaçi nuk do t’ia përmendin Kerry-t krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe borxhin që Serbia ua ka shqiptarëve. Në anën tjetër, Vuçiq e Daçiq do të flasin qysh serbët janë të rrezikuar në Kosovë dhe se ndaj tyre janë bërë krime të shumta. Opinioni publik në Beograd do të angazhohen t’i thonë diçka Kerry-t e në Prishtinë do të përgatiten të dëgjojnë se çfarë Kerry na tha.

Mediet e regjimit tashmë po e përgatisin situatën që vizita e nesërme në Prishtinë të jetë vizitë nga doktor Kerry për pacientin e quajtur Kosovë.

 

Nuk është çështja vetëm e pesë shtetevetë BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe diplomatët e politikanët e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë me nga dy kapela. Njëra kapelë e tyre është e shtetit që na ka njohur e me tëcilin do të duhej t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale, ndërsa kapela tjetër është e ndërmjetësuesve në dialogun e përhershëm Kosovë-Serbi. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, me vetë faktin që pas Prishtinës shkon edhe në Beograd, nuk do ta ketë vetëm njërën kapelë por të dyja. Po nuk u kuptua kjo, dëmi është gati. Natyrisht që tema është lufta globale kundër terrorizmit, mirëpo aty jemi pak të rëndësishëm. Çështja themelore është ajo e marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe rezistenca e opozitës së bashkuar në Kosovë.

 

Kësisoj, Kerry do të jetë dyfish ndërmjetësues: midis Kosovës dhe Serbisë dhe midis qeverisë së Kosovës dhe opozitës në Kosovë. Ndërmjetësimi në rastin e dytë është pasojë e rastit të parë. Po të ishte Qeveria e Kosovës për njëmend qeveri dhe me të vërtetë e Kosovës nuk do t’i kishim te dera as ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe as demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Por, e këtillë siç (nuk) është kjo qeveri, ato janë tanimë te pragu ynë. Dhe, sërish, e këtillë siç (nuk) është kjo qeveri, ajo do të ketë shumë më tepër vëmendje për Kerry-n si ndërmjetësues në rastin e dytë (kundrejtopozitës) se sa në rastin e parë (kundrejtSerbisë).

Për Mustafën e Thaçin shumë më e rëndësishme është që Kerry të flasë ndonjë gjë (që mandej interpretohet) kundër opozitës në Kosovë se sa kundër kësaj Serbie të pasardhësve të drejtpërdrejtë politikë të Milosheviqit e Sheshelit. ‘Zajednica’ e Serbisë dhe demarkacioni me Malin e Zi janë dëshmi që Mustafa e Thaçi e duan shumë më tepër pushtetin e tyre se sa shtetin e Kosovës.

 

Objektivisht, si treg me fuqi blerëse, si burim njerëzor e si kapacitet industrial e zhvillimor, si aleate historike dhe tradicionale e Rusisë, Serbia peshon shumë më rëndë se Kosova për superfuqitë botërore. Kur kësaj i shtohet edhe pesha subjektive e Serbisë si udhëheqje politike radikale, pakrahasimisht më radikale se sa ajo te ne, atëherë del se Kosova nuk ka shansë të përparojë pa e ndërruar udhëheqjen dhe pa u vendosur në peshoren gjeopolitike si pjesë e kombit shqiptar në tërësi.

Me të drejtë thotë një mik imi nga Shkupi se ne shqiptarët i bëjmë tifozeri ShBA-ve. Ky s’është partneritet politik dhe ekonomik. Kjo s’është aleancë ushtarake dhe strategjike. Kosova që të fillojë të peshojë më rëndë në arenën ndërkombëtare duhet që ta përfytyrojë veten si pjesë të kombit shqiptar shtatëmilionësh në Ballkan dhe ta ketë një udhëheqje radikale në diskurs dhe veprim politik që nuk sprapset para vuçiqave e daçiqave. Kot jemi të urtë e të sjellshëm. Durimin e shqiptarëve faktorët ndërkombëtarë e konsiderojnë fakt të përhershëm njerëzor e jo koncesion të përkohshëm politik që duhet shpërblyer.

 

Të gjithë e dimë se NATO-januk e bombardon më Serbinë. NATO-ja madje as që ka armatim të vetin. NATO-ja e ka armatimin e shteteve anëtare. Shtetet kanë armatim. E, Kosova s’ka ushtri për shkak të kundërshtimit të Listës serbe, përkatësisht të Beogradit. NATO-ja e KFOR-i nuk mund të jenë zëvendësim për ushtrinë tonë. Ku ishte NATO-ja kur 11 shqiptarë u vranë, 11.364 u dëbuan ndërsa 80 u plagosën e lënduan në veri të Mitrovicës në shkurt në vitin 2000? Po pra, NATO-ja, si KFOR francez, ishte në vendin e ngjarjes! Ajo bënte sehir teksa të ashtuquajturat ‘roje të urës’ dhe formacione të tjera të armatosura serbe po i shndërronin shqiptarët në popullsi pakicë në veri të Mitrovicës.

 

Kroacia po blen armatim nga ShBA-të kurse Serbia po e bën të njëjtën gjë nga Rusia. Mustafa e Thaçi kanë vetëm një kërkesë për faktorët ndërkombëtarë: liberalizimin e vizave! 16 raketa balistike që i bleu Kroacia së fundmi e çmendën Serbinë dhe bënë që Vuçiq të vrapojë te Putini sepse na qenka prishur balansi ushtarak rajonal. Për këto raketa balistike Kroacia i mori falas lansuesit dhe ato bëhen operative në vitin 2017, pra një vit para se të mbahet referendumi i paralajmëruar në Republikën Serbe në Bosnje.

Ish presidenti kroat (nga viti 2000 deri në vitin 2010) StipeMesiq, në ditët e fundit të tij në postin e presidentit, më 19 janar 2010, pat dhënë një deklaratë testament që atëbotë njësoj e pat çmendur Serbinë, duke thënë që nëse Republika Serbe mban referendum për t’iu bashkuar Serbisë, atëherë tankset kroate shkojnë në Brçko! Kroacia nuk mund të lejojë që atje lart te Banja Lluka, Serbia t’i afrohet Zagrebit në 50 kilometra distancë!

 

Sllovenia dhe Kroacia patën dalur nga Jugosllavia sepse ikën nga Serbia. Shpallja e tyre e pavarësisë në vitin 1991 ishte praktikisht pavarësi nga Serbia e Madhe. Procesi i Berlinit i vazhduar në Vjenë, afron e integron me njëra-tjetrën gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor si zëvendësim për anëtarësimin e munguar në BE edhe për një dekadë. Pasojë e kësaj do të jetë tendenca për njëfarë mini-Jugosllavie ku hyn Shqipëria në vend të Sllovenisë e Kroacisë. Kjo padyshim që do t’i japë zemër forcave pro-jugosllave në Kosovë në krye të të cilave do të jetë dueti Mustafa-Thaçi. Të rinjtë e këtyre gjashtë shteteve Bosnje, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Serbi e Maqedoni do t’i lodhin në seminare e konferenca të përbashkëta, prej mbrëmjeve poetike e deri te diplomacia ndërkombëtare.

 

Bosnja për shkak të Republikës Serbe dhe Maqedonia për shkak të regjimit proserb të Gruevskit nuk i vunë sanksione Rusisë pasiqë ajo pushtoi Krimenë. Duke qenë proserbe ato u bënë edhe proruse meqenëse shpërfillën direktivën e ShBA-ve dhe të BE-së për sanksione Rusisë. Kreu i serbëve në Bosnje, Milorad Dodik, është bërë më i lidhur e më i afërt me Putinin dhe Rusinë se sa me Vuçiqin dhe Serbinë.Asaj rruge do të shkojë edhe presidenti i ardhshëm i ‘Zajednicës’ po e lejuam instalimin e saj në Kosovë. Ndërkohë, Mustafa e Thaçi duan liberalizim vizash për qytetarët dhe burgosje e shtypje të opozitës…

 

 

1 dhjetor 2015

Albin Kurti

 

 

 

Politika sovranizuese e betejës opozitare

 

 

Plani i Ahtisaarit ishte qartazi i keq për Kosovën dhe jo mjaftueshëm i mirë për Serbinë. Serbia e pranon Planin e Ahtisarit si dysheme a themel të Kosovës por jo edhe si tavan a kulm të tij. Ajo e do Kosovën shtet të hapur për Serbinë, shtet që i ulet vazhdimisht tavani në drejtim të dyshemesë apo që mbetet i pambrojtur sepse pa kulm. ‘Zajednica’ është faza e ardhshme dhe vendimtare e shtetrrënimit të Kosovës.

 

Dialogu që u zhvillua në vitet 2011 deri në 2014 me Serbinë, u vazhdua njësoj edhe në vitin 2015 – dialog sipas kushteve të Serbisë: të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës, pa u konsideruar Serbia si borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. ‘Zajendica’ është pasojë e natyrshme e kësaj qasjeje të qeverisë së Kosovës. Cila është vlera e pavarësimit të Kosovës nëse bosnjëzimi e pason atë? Kjo qeveri gjithsesi duhet ndalur.

 

Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është veçse përshtatje dhe lejim. Përshtatje e Kosovës me Serbinë brenda saj dhe shtirje se kjo për të dyjat, edhe për Kosovën edhe për Serbinë, do të thotë përshtatje me Bashkimin Evropian. Pra, Kosova po përshtatet me strukturat shtetërore paralele të Serbisë, me ndarjen në lumin Ibër në Mitrovicë, me qëndrimin e Serbisë se serbët në Kosovë s’mund të jenë asnjëherë pakicë kombëtare etj. Normalizimi si përshtatje nuk është ndryshim i gjendjes, por ndryshim i qëndrimit tonë karshi gjendjes. Normalizimi nuk e bashkon Mitrovicën por na ndryshon neve karshi ndarjes atje.

 

Bashkimi Evropian njëmend na e ka konfirmuar perspektivën evropiane qysh në Samitin e Selanikut të vitit 2003. Mirëpo, premtimet e Brukselit për Ballkanin perëndimor ne nuk duhet t’i marrim më seriozisht sesa vetë ata. BE-ja ka hallet e veta të cilat sa vjen rriten e shtohen. Për integrim dhe anëtarësim në BE, Serbia varet shumë nga Kosova. Ne mund ta lëmë tash Serbinë jashtë BE-së, ndërkaq më vonë, kur të hyjë ajo në BE para nesh, pikërisht Serbia do ta lë Kosovën jashtë.

 

Siç thotë një mik imi arkitekt, as çlirimi i Kosovë se as shpallja e pavarësisë së saj nuk na kanë pajisur me të drejtën për të planifikuar. Kosova vazhdon vetëm të zbatojë urdhëra të huaj të cilat ne i marrim si obligime që të mos i marrim si kërcënime. Planifikimi të bën subjekt politik e shtet sovran, që ka vizion për popullin e për shtetin, për shoqërinë e për ekonominë, për rininë e për dekadat që vijnë.

 

Në vazhdimësi na thuhet se jemi të dobët e të brishtë si shtet prandaj kemi Quintin, Zhbogarin, KFOR-in dhe EULEX-in, ndërkohë që edhe me të gjithë këta ne nuk po forcohemi por vetëm sa po vulosemi në pafuqinë tonë që po përjetësohet. Faktorët ndërkombëtarë në Kosovë e rreth Kosovës e preferojnë stabilitetin në Kosovë kundrejt drejtësisë, demokracisë dhe zhvillimit. Drejtësinë, demokracinë dhe zhvillimin ata jo vetëm që i shohin si ndërmarrje me rrezik por, madje, edhe si ndërmarrje të rrezikshme. Dhe, për të qenë edhe më keq, ky stabilitet në Kosovë vihet në funksion të stabilitetit rajonal, gjithnjë afatshkurtër.

 

Pushteti në Kosovë përherë insiston në rëndësinë e faktorëve dhe institucioneve ndërkombëtare, mirëpo për çështjen e ‘Zajednicës’, Presidentja Jahjaga e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe refuzoi ta bëjë këtë te Komisioni i Venedikut. Mirëpo, është e qartë si drita e diellit që as Presidentja dhe as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë me ‘Zajednicën’ e Serbisë por me opozitën e bashkuar. Madje ato edhe i janë referuar në mënyrë eksplicite ‘bllokimit në Kuvend’ në tekstet e tyre.

 

Opozita e bashkuar është edhe opozitë edhe e bashkuar. Përballë nuk e ka vetëm një qeveri jodemokratike por edhe një regjim që ka kapur shtetin. Betejat do të jenë të vështira, por pa ato beteja nuk ka kalitje që do të na e sjell fitoren. E drejta është në anën tonë. ‘Zajednica’ e Serbisë dhe falja e tokës Malit të Zi nuk mund të kalojnë dhe nuk do të kalojnë. Sepse nuk ka ndryshuar Serbia që tash të ndryshojmë ne dhe nuk kemi as tokë as shtet për t’u dhënë të tjerëve. Betejat në javët e muajt në vijim përcaktojnë edhe fatin e brezave të ardhshëm.

 

 

4 dhjetor 2015

Albin Kurti

 

 

 

Intervista për gazetën “Kosova Sot”

 

Si kanë qenë ditët tuaja pas arrestimit spektakolar të policisë speciale me 28 nëntor?

 

Pas arrestimit, policët specialë më dërguan te Pallati i Drejtësisë dhe aty drejt e te Gjykata, ku e kuptuan se kishin gabuar meqenëse njëherë duhej të më dërgojnë te Prokuroria. Brenda dy a tri orëve lëvizëm nga një zyrë te tjera për të përfunduar në një sallë gjyqi ku ma përcaktuan paraburgimin prej 30 ditësh. Njëkohësisht, dikush tjetër kishte vendosur që të më shpiejnë te Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc apo Dyz të Llapit. Në njërën anë, dëshironin të më ndanin e të më izolonin sa më parë e sa më shumë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe politika publike e institucionale në Kosovë. Në anën tjetër, dërgimi në këtë Burg të Sigurisë së Lartë ishte justifikimi retroaktiv për përdorimin e forcave speciale anti-terror të policisë së Kosovës me 28 nëntor, me ç’rast arrestuan 97 aktivistë dhe rrahën e lënduan shumë prej tyre.

Pra, meqenëse kanë ndërhyrë me forcat më elitare, unë do të duhej të isha shumë i rrezikshëm, të isha më i rrezikshmi dhe rrjedhimisht të dërgohem në Burgun e Sigurisë së Lartë. Me këtë rast dua t’i përshëndes në veçanti të burgosurit në Pavilonin 3 duke iu thënë se ‘Zajednica nuk kalon!’ dhe t’iu falenderohem atyre për kujdesin dhe shoqërimin e përbashkët që kishim gjatë atyre tri javëve.

 

Disa analistë e komentuan arrestimin si diçka të zgjedhur prej jush, pikërisht më 28 nëntor. Në fakt, e prisnit një gjë të tillë atë ditë?

 

Çdo ditë e kam pritur se do të mund të arrestohem. Qyteti ka qenë i mbushur përplot me policë, shumë prej tyre me uniforma zyrtare, mirëpo shumë të tjerë edhe me rroba civile e të cilët nuk dalloheshin nga qytetarët e tjerë. Kështu ishte që prej mesit të nëntorit e po vazhdon ditë e natë edhe sot e kësaj dite. Teksa kërkohesha prej policisë duke filluar prej 17 nëntorit 2015, unë për asnjë orë të vetme nuk kam dalur jashtë Prishtinës, deri në mbrëmjen e 28 nëntorit kur më dërguan në burgun e Gërdocit (Dyzit). Tërë kohën kam qenë në Prishtinë.

Natyrisht që ma ka marrur mendja se do të mund të më arrestojnë më 28 nëntor, por jam përpjekur maksimalisht që ta evitoj këtë gjë. Pas fjalimit tim jemi larguar nga Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe kemi shkuar në zyrën e VETËVENDOSJE!-s me shumë aktivistë të tjerë, mirëpo kanë qenë rreth njëmijë policë që na u vunë prapa dhe erdhën te selia qendrore e Lëvizjes sonë. Kësisoj, më 28 nëntor 2015 u bë e pamundur që ta evitoj arrestimin, për dallim nga protesta e 18 nëntorit 2015, protestë kjo e opozitës së bashkuar kundër arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi.

 

A ka qenë fjalimi juaj i planifikuar atë ditë?

 

Po, fjalimi im ka qenë i paraparë, ka qenë e planifikuar që unë të flas, natyrisht, nëse arrij deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ pa më arrestuar policia. Meqenëse kam arritur në manifestim, ndonëse me disa minuta vonesë, e mbajta fjalimin. Rajmonda, aktivistja moderatore, nuk më ka parë në masën e tubuar dhe ka menduar që nuk ia kam dalur të mbërrij, andaj ajo ia jep fjalën njëherë Glaukut e mandej mua, përkatësisht e thërret emrin tim.

 

A ka ftohje me liderët e tjerë opozitarë për shkak të tubimit të asaj dite dhe fjalimit tuaj?

 

Jo, nuk ka. Nuk besoj që ka diçka që kam thënë në atë fjalim e të cilën e kundërshtojnë kryetarët, deputetët dhe aktivistët e opozitës së bashkuar.

 

A do t’i përgjigjeni drejtësisë kosovare?

 

Nuk e di si t’i përgjigjem drejtësisë kosovare kur ajo nuk ekziston. Drejtësia kosovare është padrejtësi regjimiste. Kur ne kemi thënë se Kosova është shtet i kapur këtu kemi mendur para së gjithash e mbi të gjitha në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, në gjyqësinë, prokurorinë dhe policinë. Në Kosovë nuk shërben qeveria por sundon regjimi. Drejtësia është e kapur nga ekzekutivi. Ajo nuk është e pavarur. Si t’i kuptojmë ata prokurorë e gjykatës të cilët me kaq zell i marrin dhe u japin prioritet rasteve kundër aktivistëve dhe deputetëve opozitarë? Si t’i kuptojmë ata policë specialë me uniforma e pa to që ua përgjojnë telefonat e i përcjellin aktivistët tonë, i godasin me rastin e arrestimit e i rrahin në stacion të policisë? Si t’i kuptojmë këta njerëz, që nuk janë njerëz por robotë persekutues?

Ne e duam Republikën e Kosovës dhe duam që ajo të jetë Shtet i së Drejtës, por unë nuk kam se si bashkëpunoj me këta nëpunës të padrejtësisë përmes së cilëve regjimi e ka shndërruar res publica-n tonë në res privata-n e tyre.    

 

      

Pse nuk po merrni avokat?

 

Nuk kam angazhuar avokat sepse nuk dua të mbrohem. Meqë nuk dua të mbrohem atëherë nuk kam pse angazhoj mbrojtës. Dhe, nuk është se unë jam mbrojtur në heshtje siç është transmetuar. Sepse unë kam folur e nuk kam heshtur. Kam denoncuar e kundërshtuar këtë regjim autoritar që po e persekuton opozitën duke keqpërdorur policë, prokurorë e gjyktaës të cilët i ndërsen kundër nesh. Në gjyq unë e përfaqësoj vetveten, mirëpo nuk mbrohem në heshtje sepse unë nuk mbrohem dhe sepse unë flas.

 

Gjykata Kushtetuese ndër të tjera e konfirmoi se Asociacioni e shkel Kushtetutën. Si e keni parë ju vendimin e gjykatës?

 

Analiza juridike që ia bën Gjykata Kushtetuese ‘Zajednicës’ duke konstatuar shkelje të 23 neneve të Kushtetutës nga secili kapitull i marrëveshjes Mustafa-Vuçiq e ka mbytur ‘Zajednicën’. Ndërkaq, konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të stilit ‘nuk është tërësisht në përputhje’ janë konkluzione politike të balansuara dhe tregojnë që kjo Gjykatë më shumë e ka hall se çka do t’i ndodhë qeverisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sesa çka po i ndodh Kushtetutës pas vendimeve e marrëveshjeve të kësaj qeverie. Aq e keqe është ‘Zajednica’ e Serbisë saqë edhe Gjykata e kapur Kushtetuese nuk ka pasur çare pa e kundërshtuar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për shkak të emrit të saj nuk ka mundur të veprojë ndryshe.

Cili është kuptimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe i bërjes së saj me kushtetutë të mëvetësishme nëse instalohet ‘Zajednica’ Serbisë në Kosovë?!

 

Megjithatë qeveria thotë se do të procedojë me Asociacionin. Çka do të thotë kjo për ju?

 

Thoshin që Plani i Ahtisaarit është çmim për pavarësinë, të cilën vetëm ashtu na e njeh Serbia. E ‘Zajednica’ çmim për çfarë është, për bashkim kombëtar!? Të insistosh në ‘Zajednicën’ edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë të përqafosh pozicionin e Beogradit. Nuk mund të ketë më qeveritarë të cilët janë injorantë apo paragjykues. Nëse nuk kanë dashur ta dëgjojnë opozitën dhe tash nuk duan ta dëgjojnë as Gjykatën Kushtetuese atëherë kjo nuk ka shpjegim tjetër përveçse ata qenkan duke e dëgjuar Serbinë. Po të kishim prokurori të pavarur në Kosovë sigurisht se deri më tani kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi do të ishin paditur qoftë për tradhti ndaj vendit sipas nenit 124 të Kodit Penal i cili parasheh dënim me mbi 15 vjet burg, qoftë për pranim të kapitullimit dhe okupimit sipas nenit 123 i cili parasheh dënim me mbi 10 vjet burg.

Mustafa e Thaçi kanë dialoguar me Serbinë duke lënë anash historinë dhe të kaluarën. Kështu, ata jo vetëm që e kanë  shpërfillur agresionin dhe krimet e Serbisë, por i kanë prerë edhe rrënjët e pavarësisë së Kosovës. Le të mos harrojmë që strukturat e Serbisë në Kosovë nuk i la Vuçiqi, Tadiqi, Koshtunica e Gjingjiqi por pikërisht Milosheviqi.

 

A do ta mbajë opozita protestën e janarit të paralajmëruar dhe çka pas asaj proteste?

 

Visari, Ramushi dhe Fatmiri e kanë vendosur dhe lajmëruar protestën e 9 janarit 2016. Tashmë po zhvillohen aktivitetet dhe përgatitjet e duhura nga strukturat e të tri subjekteve të opozitës së bashkuar. Sa do të vazhdojmë me protesta nuk varet prej nesh sepse ne nuk do të ndalemi, por varet prej qeverisë sepse ajo duhet të dorëhiqet ose të rrëzohet. Pra, ne do të organizojmë protesta për aq sa është kjo qeveri në pushtet. Kjo qeveri e ka pasur shansin e jashtëzakonshëm nga oferta që ia bëri opozita e bashkuar: të tërhiqen nga marrëveshja për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të organizojmë referendum gjithëpopullor për këto dy marrëveshje, ose të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme. Mirëpo, qeveria i refuzoi të trija këto. Ajo nuk pranoi të dialogonte mbi bazat e asnjërës prej këtyre. Rrjedhimisht, ajo dëshironte veçse dialog për zbatimin e ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit. Prandaj, janë bërë të domosdoshme protestat. Kur kemi parasysh gjendjen e rëndë të qytetarëve të zhgënjyer, protestat bëhen edhe të pashmangshme.

 

Është hera e parë që 13 deputetë opozitare u arrestuan. A po synon qeveria ta lërë vendin pa opozitë?

 

Kjo është pyetje për qeverinë, pra për pozitën, jo për opozitën. Ne nuk do të ndalemi në protestat tona brenda e jashtë Kuvendit. Nëse nuk ndalet as qeveria kjo njëmend do të thotë se të gjithë deputetët e opozitës së bashkuar do të jenë në burg në vitin 2016. Por jo për shumë gjatë. Kjo qeveri nuk rri dot mbi popull sa qëndrojmë ne kundër saj. Sepse ne nuk mund të lejojmë të na përsëritet historia edhe për pasardhësit tanë duke na u instaluar ‘Zajednica’ e Serbisë e duke ia falur 9.000 hektarë tokë të Kosovës Malit të Zi.

Nuk mund të lejojmë që për shkak se Hashim Thaçi nuk e përsëriti klasën kur e studioi lëndën e historinë, tash gjithë vendit tonë të na i përsëritet historia! Nuk mund të lejojmë që për shkak se Isa Mustafës nuk i mjaftojnë tri dekada në qeverisje e po i teprojnë 70 dosje në prokurori, neve tash të na burgoset në keqqeverisje ardhmëria!

 

Kështu si po shkojnë ngjarjet, a janë të pashmangshme zgjedhjet e reja?

 

Po. Zgjdhjet e reja po bëhen të nevojshme sepse largimi i kësaj qeverie po bëhet i domosdoshëm. Qeveria Mustafa nuk e shfrytëzoi mundësinë që t’i anulojë marrëveshjet duke u tërhequr prej tyre. Ashtu siç hoqën dorë prej mbrojtjes së Jabllanoviqit në fillim të vitit 2015 kanë mundur të heqin dorë prej mbrojtjes së këtyre dy marrëveshjeve në fund të vitit 2015. Për të qenë më keq se kaq, ata nuk shprehën gatishmëri as për të bashkëpunuar me opozitën e bashkuar për një ligj të ri për referendum që do të pasohej me organizimin e referendumit për këto dy marrëveshje. Referendumi do të ishte i dobishëm, sepse referendumi do ta bënte angazhimin qytetar një pjesëmarrje politike jopartiake për tema të caktuara e jo si një votim për partitë ose për emra të përveçëm. Në Kosovë ku votimi përgjithësisht është identitar e partiak dhe jo politik e qytetar, referendumi është gjithsesi emancipues. Meqë referendumin popullor nuk e do qeveria atëherë na mbetet që populli të mos e dojë këtë qeveri në zgjedhjet e reja.

 

A besoni se si opozitë e bashkuar mund të jeni të tillë edhe në zgjedhjet eventuale?

 

Është e mundshme, por mendoj se është tepër herët të flitet për këtë sot. Ju takon krerëve dhe strukturave udhëheqëse të tri subjekteve që ta diskutojnë këtë temë. Po ashtu, besoj se nuk është mirë që përderisa ende s’ka rënë kjo qeveri të mendojmë e flasim për çështje elektorale. Të gjitha fuqitë tani duhet t’i përqendrojmë te protesta e 9 janarit e për protestën e 9 janarit.

 

Cila është alternativa ndryshe qeverisëse që ofroni ju si opozitë?

 

Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi alternativën tonë qeverisëse me 20 kapituj të ndarë në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Çfarë do të ishte alternativa e opozitës së bashkuar s’mund ta them unë dhe s’mund ta them tash.

 

A jeni të kënaqur me situatën në Prishtinë ku VV e ka pushtetin?

 

Nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë por për këtë nuk e ka fajin qeverisja jonë dyvjeçare por keqqeverisja 13 vjeçare e LDK-së. Ne nuk kemi mundur ta rregullojmë dhe zhvillojmë për dy vjet atë që e kanë prishur e rrënuar për 13 vjet. Ndonëse nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë, megjithatë jam i kënaqur me qeverisjen në Prishtinë. Sepse aty kemi një kontekst shumë të vështirë ku ka hyrë hasmi në katër anë: qeveria qendrore që na vonon, koalicioni lokal LDK-PDK që na lufton, administrata e vjetër që na saboton dhe ndërmarrjet publike komunale që bllokojnë punën tonë. Përkundër të gjitha këtyre pengesave sot në Komunën e Prishtinës janë ndalur prej ndërtimeve pa leje, urisë së nxënësve dhe banesave të ftohta e deri te rradhët e gjata të pritjes së qytetarëve për shërbimet e ndryshme.

 

Vitin e Ri do ta prisni në arrest shtëpiak. Cila është porosia juaj për qytetarët kosovarë?

 

Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është bërë si një burg i madh, madje me drejtor e mbikëqyrësa të këqinj. Vitin e Ri 2016 duhet që ne ta bëjmë vit të ri. Shumëçka tregon se kjo është e mundshme. I ashtuquajturi koalicioni i elefantëve PDK-LDK i sajuar me 9 dhjetor 2014 u diskreditua dhe u delegjitimua për 10 muaj, pra ende pa i mbushur një vit. Pasi që u formua koalicioni PDK-LDK-Srpska, mbaj mend se si militantët e PDK dhe LDK që kapën pozita institucionale thoshin se tash mund të dalin në pension gjithë të tjerët së paku për një dekadë pasi që tani kemi koalicionin e elefantëve, koalicionin e partisë së ’89-s e të ’99-s. Për më pak se një vit, pra për vetëm 10 muaj, opozita e bashkuar i hodhi në krizë të thellë elefantët të cilët iknin si minjtë nga gazi lotsjellës. Viti 2016 do të jetë vit i fitores së opozitës së bashkuar, vit pa ‘Zajednicë’ të Serbisë, vit pa falje tokash tona Malit të Zi, vit kur populli ia anulon vizën qeverisë, vit i fitores së qytetarëve të angazhuar, vit i Republikës së Kosovës. Kurse viti 2015 do të mbahet mend si viti i parë i epokës së Vetëvendosjes.

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress