Home » Lajme, Vendore » Ali Ahmeti: Mendoj që Këmbimi i territoreve është një tezë shumë e rrezikshme për mbarë rajonin dhe ka efekt domino

Ali Ahmeti: Mendoj që Këmbimi i territoreve është një tezë shumë e rrezikshme për mbarë rajonin dhe ka efekt domino

Ide të rrezikshme për stabilitetin e rajonit, kështu kryetar i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit me Kryetarin e Preshevës Ragmi Mustafa e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit serb Ivica Daçiq për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.  Ahmeti tha se Serbia nuk duhet të mendoj për ndryshimin e kufijve por të njoh pavarësinë e Kosovës, veprim ky që do ti ndihmonte paqes dhe stabilitetit të rajon.

“Mendoj që është një tezë shumë e rrezikshme për mbarë rajonin dhe ka efekt domino. Unë mendoj se deklarata e fundit e Daçiqit është mbase për të vonuar arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që Beogradi duhet të jetë shumë më i përgjegjshëm sa iu takon kufijve. Beogradi duhet të njohë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës sepse kështu ndihmohet paqja dhe stabiliteti në rajon”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

 

Për kreun e komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, deklaratat e këtilla të Daçiqit më tepër kanë të bëjnë me frikën e tij nga përballja me realitetin në Bruksel. Mustafa, ka rikujtuar edhe referendumin e qytetarëve të Preshevës të vitit 1992, për autonomi dhe mundësi për bashkëngjitje me Kosovën por sipas tij kjo assesi nuk duhet të ndërlidhet me shkëmbime e territoreve.

“Qëllimi thelbësor i tij është që ti ik përgjegjësisë dhe sfidës që e pret në Bruksel, sepse është i detyruar që të nënshkruaj një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe gjithnjë kur është në sfida politike, ai lëshon një tezë krejtësisht tjetër në mënyrë që ti ik asaj përgjegjësie ose ti nxis shqiptarët e luginës së Preshevës për ndonjë eskalim të mundshëm të dhunës apo eskalim politik në mënyrë që të merret me sanimin e situatave të Krizës në Luginë të Preshevës në vend që të merret me sanimin e krizës që është në Beograd sot”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i PDSH-Preshevë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq thirrjen për shkëmbim territoresh mes shtetit të tij dhe Kosovës e kishte bërë në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”,  “Unë vërtet mendoj se serbët dhe shqiptarët me lehtësi do të merreshin vesh për shkëmbim territoresh. Por, një gjë e tillë nuk do të ishte e pranueshme për Uashingtonin. Atje përfaqësohet pikëpamja se një gjë e tillë mund të shkaktojë luftë në Maqedoni”,kishte deklaruar kryeministri serb.

Ndryshe në takimin mes Ahmetit dhe Mustafës është edhe për situatën politike në vend si dhe për mundësinë e hapjes së një pike të re kufitare në vendkalimin  Llojan – Stançiç, me çka të dy palët kanë shprehur gatishmërinë për realizimin e këtij projekti.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch