Home » Opinione » Ambasadat e përbashkëta Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, të domosdoshme

Ambasadat e përbashkëta Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, të domosdoshme

Shkruan: Nehat Hyseni

Absurdi i ndarjes së shqiptarve në pesë shtete në Ballkan, vërehet sidomos në diasporën shqiptare të shpërndarë gjithandej nëpër botë. Atje shqiptarët shkrihen në një tërësi të vetme, meqë i bashkon gjuha, kultura, traditat dhe gjaku. Kurse, kufijtë shtetërorë të shteteve të tyre të lindjes atje nuk ekzistojnë për t’i ndarë ata midis veti.
Prandaj, ata janë të bashkuar.
Javën e kaluar më rastisi të shkoj për vizitë njëjavore në Gjermani dhe atje vërejta se psh. në qendër të Hamburgut shqiptarët e kishin xhaminë e përbashkët, të cilën e shfrytëzojnë edhe si qendër kulturore, për nevoja të aktiviteteve të ndryshme kulturore, fetare e kombëtare. Komuniteti shqiptar e kishte blerë objektin mbi dhjetë milion euro. Ky objekt impozant ishte aq i madh, sa që një pjesë të tij e kishin dhënë me qira për aktivitete afariste, me të ardhurat e të cilave i mbulonin aktivitetet e ndryshme kulturore dhe humanitare.
Situatë e ngjajshme ishte pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Gjermanisë dhe shteteve të tjera europiane.

Mua më është shumë i njohur rasti i shqiptarve nê Australi, meqë atje e kisha dajën tim profesor Ibrahim Kelmendin, tani më i ndjerë. Në Melbourn ata kanë blerë një sipërfaqe toke prej katër hekrarësh dhe aty kanë ndërtuar xhaminë shqiptare, terrenet sportive dhe varrezat, etj.
Edhe në Amerikë mbretëron situatë e ngjajshme me shqiptarët. Është e njohur Kisha Orthodokse Shqiptare në Boston, e themeluar nga Fan Noli.
Gjithandej në Amerikë shqiptarët kudo veprojnë të bashkuar si një trup i vetëm, pa u ndarë nga kufijtë e vendlindjes së tyre, në: kosovarë, të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, etj.
Pra, shqiptarët kudo që janë në diasporë, ata janë të bashkuar si një trup i vetëm dhe i pandarë.

Prandaj, duhet mbështetur nismën që të themelohen Ambasada të përbashkëta Kosovë-Shqipëri.
Por, nevoitet, madje është e domosdoshme,  që së paku në shtetet e Europës, por edhe në Amerikë,  Australi e gjetiu ambasadat të jenë të përbashkëta edhe me Maqedoninë, duke formuar ambasada të përbashkëta Shqipëri-Kosovë-Maqedoni.

Sepse, ky është realiteti shqiptar që mbretëron atje. Madje, duhet shqyrtuar edhe mundësia e ambasadave të përbashkëta edhe me Malin e Zi. Sidomos në Amerikë.
Formimi i ambasadave të përbashkëta, përveç dobisë pragmatike për shqiptarët atje, ka levërdinë ekonomike, sepse i zvogëlon shpenzimet.
Pastaj, do të trjkaloheshin edhe situatat e panevojëshme, do të thoja absurde, psh. në Zvicër, ku janë tri Ambasadat me ambasadorë shqiptarë. Dhe kur prezentojnë në manifestime e evenimente të ndryshme kulturore, politike e kombëtare, prezentojnë tre ambasadorë shqiptarë nga tre shtete të një kombi (të vogël) shqiptar në Ballkan!
Për rjedhojë, gati asnjëra nga ato ambasada nuk është e pajisur as minimalisht, as me inventar dinjitoz, e as me staf të mjaftueshëm profesional, në mungesë të buxhetit të varfër që i bënë mezi të frymojnë.
Mungesa e buxhetit të mirëfilltë i bënë ato  të paafta për ta organizuar dhe mbështetur në mënyrë të mirëfilltë komunitetin shqiptarë në diasporë gjithandej nëpër botë.
Andaj, imponohet nevoja e ngutëshme e formimit të ambasadave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, si dhe të shikohet mundësia që, aty ku ekzistojnë kushtet dhe nevojat më të shprehura, edhe me Malin e Zi.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch