Home » Lajme, Vendore » Ambasadori i SHBA-ve në Beograd Michael Kirby ka qëndruar sot për vizitë në komunën e Preshevës

Ambasadori i SHBA-ve në Beograd Michael Kirby ka qëndruar sot për vizitë në komunën e Preshevës

Ai është pritur nga kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, zv/kryetari Skender Destani dhe kryetari kuvendit Ramiz Latifi, të cilët së bashku kaluan nëpër tepin e kuqe që ishte përgatitur enkas për të në vizitën e tij të parë në Preshevë që prej emërimit si ambasadorë para 2 muajve. Takimi në mes të udhëheqësve të pushtetit lokal të Preshevës dhe ambasadorit u zhvillua në një atmosferë miqësore, kështu duke konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë në mes të komunës së Preshevës dhe ambasadës së SHBA-ve në Beograd. Ndërsa Kirby tha se bashkëpunimi i tillë do të vazhdojë edhe më tutje. Ai nga Mustafa është njoftuar për problemet sociale, ekonomike por edhe ato politike që kanë shqiptarët e komunës së Preshevës. Për ambasadorin ishte kënaqësi të mësoj se si vetë komuna merr iniciativa për të ndihmuar qytetarët me projekte të ndryshme. Kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha se ambasadorit i ka shpjeguar problemet që preokupojnë qytetarët e komunës së Preshevës. U shpjeguan edhe problemet ekonomike, ndërsa prej ambasadës së SHBA-ve u kërkua që USAID me fondet e saja të ndihmojë në realizimin e projekteve ekonomike. Pas përfundimit të takimit ambasadori Kirby dhe kryetari Mustafa shkëmbyen edhe dhuratat mes veti. Ambasadori i SHBA-ve në Beograd Michael Kirby vizitën e tij në Luginën e Preshevës nesër do ta vazhdojë edhe në Bujanoc ku do të takohet me kryetarin Nagip Arifi, ndërsa sipas burimeve tona ai do ti bëjë bashkë të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare nga Presheva e Bujanoci në një drekë të përbashkët.
————————————————————————————————-
Vizita e ambasadorit Michael Kirby-t ka vazhduar edhe në Shkollën e Mesme Teknike “Presheva” në Preshevë. Atij drejtoria e shkollës, profesorët dhe nxënësit i kishin përgatitur një pritje madhështore, ndërsa ju nda edhe një buçetë me lule. Ambasadori Kirby vizitoi këtë shkollë pasi populli amerikan nëpërmjet USAID-it ka ndihmuar duke investuar në laboratorin e makinerisë.

Fillimisht drejtori i shkollës Talat Arifi ambasadorit ia paraqiti në pika të shkurtra gjithë punën që bëhet në këtë shkollë, ndërsa ai mori urime prej tij për vullnetin dhe përkushtimin që ka për ta udhëhequr shkollën në mënyrë më të mirë. Gjatë vizitës në shkollë ambasadori tha se ndjehet i gëzuar që qeveria amerikane në bashkëpunim me drejtorin e shkollës dhe me kryetarin e komunës së Preshevës kanë bërë një investim kaq të rëndësishëm për nxënësit që ta kryejnë praktikën. Për të ishte kënaqësi ti shohësh fëmijët se si punojnë. Nga ana tjetër drejtori i SHMT “Presheva” në Preshevë Talat Arifi tha se me këto investime nxënësit e profilit saldues do të dalin më të aftë dhe më të përgatitur. Ndërkaq kryetari Mustafa pati një porosi për fëmijët që kur të punësohen kurrë mos të harrojnë popullin amerikanë se si i kanë ndihmuar ata. Kurse në fund të vizitës në shkollë kryetari Mustafa si dhuratë ja dha emblemën e komunës, ndërsa ambasadori kërkoi edhe një fotografi të përbashkët me nxënësit. Vizita e ambasadorit të SHBA-ve në Beograd ka vazhduar dhe ka përfunduar në fshatin Raincë, ku është vizituar ndërmarrja Tobler Skele e cila ka qenë edhe përfituese e donacioneve nga organizata USAID. Pronari ndërmarrjes i shpjegoi ambasadorit për punën që bëhet në këtë firmë dhe për kualitetin që ka. Ai u zhvillua edhe një bashkëbisedim mjaftë i frytshëm ne mes të udhëheqësve të Tobler Skele, ambasadorit Kirby, dhe kryetarit të komunës së Preshevës Ragmi Mustafa./A.B/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch