Home » Opinione » ANËTARË TË SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE, NË SUEDI, VIZITË NË VLORË E TIRANË

ANËTARË TË SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE, NË SUEDI, VIZITË NË VLORË E TIRANË

Në festën e 100-vjetorit të Pavarësisë:

ANËTARË TË SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE, NË SUEDI, VIZITË NË VLORË E TIRANË

-Pritje e veçantë, nga Kryeministri i Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha-

Një pjesë e grupit, para shtatores së Hasan Prishtinës (Tiranë, 29 nëntor 2012)

Siç është bërë e ditur, në festimet madhështore të 100-vjetorit të shpalljes së Pavaërsisë, në qytetin e Vlorës dhe në kryeqytetin Tiranë erdhën bashkatdhetarë nga të gjitha trojet amtare, por dhe nga diaspora shqiptare. Një grup  prej disa vetash, ishte edhe ai nga Komuniteti Shqiptar, në Mbretërinë e Suedisë, të bashkuar në Shoqatën e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve, “Papa Klementi XI-Albani”. Ata shprehën kanaqësinë dhe entusiazmin e tyre, që patën mundësinë t’i bashkoheshin “uruganit” popullor, që mori pjesë në festimet e bukura, të cilat u organizuan në Vlorë, aty ku më 28 Nantor 1912, delegatët e Kuvendit Mbarëkombëtar, që përfaqësonin të gjitha trojet tona, e shpallën para gjithë botës “mëvehtësinë” dhe miratuan Qeverinë e Parë Shqiptare. Po kështu, ata ndoqën nga afër ngritjen e Flamurit Kombëtar, mitingun festiv dhe koncertin e bukur, organizuar aty.

Bashkatdhetarët tanë, me banim në qytete të ndryshme të Suedisë e pritën me gazim edhe vizitën e tyre në kryeqytetin Tiranë. Këtu ata vizituan Muzeun Historik Kombëtar e u takuan me drejtorin e tij, prof.dr. Luan Malltezin. Me këtë rast, në shenjë simbolike, mbollën në një parcellë para Muzeut, 100 rrënjë lule, të cilat i kishin sjellë posaçërisht, nga qytetet e vendbanimeve të tyre, në Suedi. Pastaj ata nderuan disa figura të  ndritura të historisë sonë kombëtare, duke shkuar pranë shtatoreve të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës etj., ku dhe bënë së bashku fotografi.

Një kujtim i paharruar, para kthimit për në Suedi…

Kulmi i kësaj vizite ishte pikërisht sot në mesditë, kur i priti në kabinetin e tij të punës, Kryeministri i Shqipërisë, prof.dr. Sali Berisha. Ai i takoi me radhë të gjithë pjesëtarët e këtij grupi dhe u uroi nga zemra mirëserdhjen e pjesëmarrjen në festimet madhështore të 100-vjetorit të Pavarsisë. Gjithashtu, ai i përgëzoi për punën e çmuar krijuese të tyre dhe përurimin e vlerëve më të mira kombëtare, ndërmjet komunitetit shqiptar e atij suedez, në atë vend mik skandinav. Gëzimin e festës sonë sivjet e shtoi fakti se jemi  më të bashkuar se kurrë, në një Komb të lashtë, me një gjuhë e një Flamur, me tradita të shquara atdhetare e liridashëse.

Në emër të këtij grupi të bashkatdhetarëve, foli kryetari i SHSHAK në Suedi, Hysen Ibrahimi. Ndër të tjera, e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e vëllazërore dhe e informoi shkurt për punët e dobishme dhe botimet e anëtarëve të kësaj Shoqate. Pastaj i dhuroi atij disa libra të kolegëve të tij.

Me emocione të veçanta përshëndeti e foli në këtë takim Qibrije Hoxha, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe veprimtare e njohur për çështjen shqiptare, në Suedi e më gjerë. Ajo u shpreh se ndihej krenare, si vetë ajo, por dhe gjithë kolegët, që morën pjesë në këto veprimtari  festive mbarëkombëtare dhe patën fatin e mirë ta takonin nga afër Kryeministrin Berisha. Për këto arsye, tha ajo, ndihem e nderuar dhe e privilegjuar, gjë që do t’i frymëzojë të gjithë kolegët e saj në emigracion, për të qenë kurdoherë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë e Kosovës, të trashëgimisë së çmuar atdhetare e traditave më të mira të popullit tonë.

Para se të ndaheshin, pjesëtarët në këtë takim, bënë një fotografi me Kryeministrin Sali Berisha dhe secili prej tyre i shprehu atij falenderime për takimin dhe fjalët e rastit.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, u kërkoj të falur lexuesve, se njoftimi im ishte i shkurtër. Por e di mirë se pjesëtarë të kësaj Shoqate, që vizituan Vlorën e Tiranën në këto ditë feste të paparë dhe takuan Kryenistrin Sali Berisha, do t’i shkruajnë më gjerësisht përshtypjet  e tyre.

Tiranë, 29 nëntor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch