Home » Lajme » Anglia e Shqipëria në “luftë” për Bunjakun e Arsenalit

Anglia e Shqipëria në “luftë” për Bunjakun e Arsenalit

Federata e Futbollit e Anglisë dhe ajo e Shqipërisë, janë duke luftuar për sulmuesin e talentuar të Arsenalit, Alban Bunjakun, ka njoftuar gazeta angleze “Daily Mail” të hënën. 

Bunjaku 17-vjeçar ende nuk ka kontratë profesioniste me Arsenalin, mirëpo ai i ka rënë në sy Anglisë dhe po ashtu edhe Shqipërisë.

“Bunjaku është në ‘radarin’ e Anglisë, pasi që talenti i tij është zbuluar nga rrjeti i gjerë i skautëve në Angli. Trajnerët e Anglisë kërkojnë të promovojnë futbollistin në grupmoshat e reja, pasi e kanë identifikuar atë si kandidat potencial për Përfaqësuesen ‘A’ të Anglisë. Bunjaku vlerësohet lart nga stafi i trajnerëve të Arsenalit dhe pritet që të firmosë kontratën e tij të parë profesioniste në 12 muajt e ardhshëm”, ka komentuar gazeta “Daily Mail”.

Interesimin për Bunjakun e ka konfirmuar edhe shefi i zyrës për talente në Federatën e Futbollit të Shqipërisë, Redi Jupi. Jupi thotë se Bunjaku më shumë po tregohet i interesuar të presë rastin për të luajtur me Anglinë.

“Jemi mjaft të interesuar për Albanin, por mungon interesimi nga ana e tij, pasi është duke pritur një përgjigje nga Anglia. Ai na intereson shumë, por ne nuk pretendojmë të hyjmë në luftë me Anglinë. Ai edhe vetë duhet të vendosë të luajë për Shqipërinë, pasi fundja do të luajë për kombin e tij. Them se nuk do të presim edhe shumë gjatë”, ka thënë Jupi, të hënën për gazetën.

Jupi thotë se FSHF-ja ka vënë kontaktet me Bunjakun nëpërmjet mbrojtësit kosovar të Kombëtares, Debatik Currit.

“Bisedimet janë realizuar nëpërmjet Debatik Currit. Debatiku ka biseduar me vëllanë e Albanit. Ai i ka thënë Debatikut se është duke e pritur Anglinë. Unë do të mundohem edhe një herë vetë të kontaktoj me familjarët e Albanit. Synimi ynë është që ta inkuadrojmë në ekipin Shpresa, pasi është i ri e më pas do të inkuadrohej në Përfaqësuesen ‘A'”, ka thënë Jupi. “Është shumë e rëndësishme të promovojmë pjesëmarrjen e lojtarëve nga Kosova në Kombëtaren e Shqipërisë, sepse nuk është në nderin e asnjërit prej nesh që lojtarët shqiptarë të aktivizohen në kombëtare tjera nëpër Evropë”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch