Home » Opinione » (ANTI) SHQIPTARIZMI I FUSHATËS ZGJEDHORE

(ANTI) SHQIPTARIZMI I FUSHATËS ZGJEDHORE

Nehat Hyseni1Shkruan: Nehat Hyseni
Derisa fushatat parazgjedhore në Serbi, çështjen e serbëve të Kosovës e trajton si temë kryesore të zgjedhjeve, në fushatën aktuale në Kosovë, asnjë fjali e vetme nuk i është përkushtuar Luginës së Preshevës. Ky fakt flet shumë qartë se ku gjendemi ne shqiptarët, apo më saktë, klasa politike kosovare, në aspektin e patriotizmit praktik dhe të sinqertë kombëtar, krahasuar me kombet dhe shtetet që na rethojnë.
Fushata parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare, aktualisht ka marrë hov të madh në Kosovë. Të gjitha partite dhe subjektet politike, me përjashtim të atyre serbe, i kanë “ndezur motorat” dhe përpiqen që ta kompenzojnë distancën e krijuar nga Kryeministri Thaçi, i cili me para të taksapaguesve kosovarë, moti kohë është duke e blerë votën e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Ngritja e rrogave në prag të fushatës zgjedhore të mbi 83 mijë punëtorëve që financohen nga buxheti i Kosovës, paraqet formë të pastër të korruptimit të votës së qytetarëve.
Kurse, partitë tjera politike janë duke i shfrytëzuar maksimalisht mediat, si dhe tubimet elektorale për t’i bindur votuesit për t’ua dhënë votën atyre.
Premtimet janë nga më të ndryshmet. Madje, disa prej tyre janë aq absurde dhe të parealizueshme, sa që as ata vet nuk u besojnë premtimeve të veta.
E tillë është gara midis PDK-së, e cila premton punësimin e mbi 200 mijë punëtorëve, kurse AKR premton rritjen e trefishtë të buxhetit të Kosovës, nga 1,5 miliardë që aktualisht është, në 3,5 miliardë euro!
Por, edhe PDK e Hashim Thaçit edhe AKR e Behgjet Pacollit, harrojnë se vet ishin në pozitë dhe qeverisën Kosovën mbi gjashtë vjet dhe asgjë të mire pë Kosovën, Luginën e Preshevës, e as për interesat kombëtare shqiptare nuk bënë.
Përkundrazi, e shkretëruan deri në zhbërje shtetësinë e Kosovës, duke u mundësuar serbëve shtetësi brenda shtetit të Kosovës, madje duke e zgjëruar deri në absurd Pakon e Ahtisarit, të cilën dikur e kritikonin dhe nuk donin ta pranonin sepse “u garantonte shumë të drejta serbëve”.
Kurse, në bisedimet e Brukselit, jo vetëm që e zgjëruan, por edhe i përjashtuan tërësisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikur të mos ekzistonin fare ata! Kjo është tradhëtia më e madhe kombëtare e shekullit XXI, që ka ndodhur në trojet e Shqiptarisë dhe askush nuk jep përgjegjësi!
Se përjashtimi i çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës nga Dialogu i Brukselit nuk ishte i rastësishëm, flet shumë qartë zhvillimi i fushatës aktuale, në të cilën asnjë fjali e vetme nuk i është përkushtuar Luginës së Preshevës. Ky fakt flet shumë qartë se ku gjendemi ne shqiptarët, apo më saktësisht, klasa politike kosovare, në aspektin e patriotizmit praktik dhe të sinqertë kombëtar, krahasuar me kombet dhe shtetet që na rethojnë.
Derisa fushatat parazgjedhore në Serbi, çështjen e serbëve të Kosovës e trajtojnë si temë kryesore e zgjedhjeve. Madje, duke ardhur e vizituar “vëllezërit” e tyre dhe duke bërë fushatë edhe në çdo fshat e vendbanim të serbëve në Kosovë. Beteja zgjedhore në Serbi gjitrhëmonë është fituar në Kosovë!
Kurse, ne shqiptarët e “kulturuar”, jemi aq indiferent ndaj fatit të bashkëkombasve tanë që kanë mbetur në Serbi, sa që paraqet turp dhe tradhëti të pakuptimtë e vetflijuese, duke i tkurrur trojet tona kombëtare edhe në këtë shekull që aktualisht jetojmë.
Ndërkaq, patriotizmi folklorik dhe vokabulari “patriotik” nuk na mungon. Madje, askush në Europë e Ballkan nuk e përdorë fjalën “patriotizëm” në jetën e zakontë, e veçanërisht në jetën tone politike. Por, gjithënjë, si themi ne preshevarët, “Mbas pazarit të Mulla Shaqirit”.
Pesëmbëdhjetë vjet pas Luftës, një pjesë e konsiderueshme e të shpërngulurve nga Lugina e Preshevës jetojnë në Kosovë si “maca nën tërvezë”, dmth pa dokumentacionin elementar dhe askush nuk e çanë kokën për ata.
Kështu, ata jetojnë si “qytetarë të padukshëm” në Kosovë. Sepse, nuk figurojnë askund me dokumentacion, duke u tretur si “kripa në ujë” si “persona inekzistentë” ose “të padukshëm”. Madje as politikanët nuk lodhen fare me këtë punë, me disa përjashtime të vogla aty-këtu.
Në këtë mënyrë, çështjes tonë kombëtare dhe interesave shtetërore të Republikës së Kosovës i shkatohet dëmi i dyfishtë: është zhdukur argumenti kryesor i Kosovës për relativizimin e të drejtave të minoriteteve, e sidomos të serbëve në Kosovë dhe mbyllen sytë para diskriminimit të shqiptarve në Luginë të Preshevës dhe në tërë Serbinë, nga regjimi antishqiptar serb.
Sepse, në Dialogun e Brukselit Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, kishte mbi tavolinën e bisedimeve dosjet dhe dokumentacionin e kompletuar të mbi 240 mijë serbëve të shpërngulur nga Kosova, kurse Hashim Thaçi dhe Ekipi i tij negociator i kryesuar nga Edita Tahiri, kishin shkuar me “duar në xhepa”, ose si themi ne preshevarët “Si Syla n’Bilaç”!
Pra, z. Thaçi & Company në Bruksel e mësuan nga Daçiqi se si mbahet shteti, me punë permanente profesionale dhe të përgjegjëshme, e jo me pallavra dhe diletantizëm e analfabetizëm politik e me korrupsion shtetshkatërrues.
Prandaj edhe kemi situatën e turpëshme dhe tragjike në Kosovë dhe Luginë. Në vend që t’u ndihmohet atyre shqiptarve të shkretë, Hashim Thaçi bënte aksione tragjikomike dhe lojëra të pista me librat, pastaj me Lapidarin e UÇPBM-së, plaçkitjen e tyre me taksat kufitare me mbi 30 milion euro për dy vjet, si dhe me përjashtimin definitive të tyre nga Dialogu i Brukselit.
Edhepse ishte obligim kushtetues i Qeverisë së Kosovës që t’i realizoj të gjitha pikat e kësaj Rezolute, ajo nga e gjithë kjo, vetëm e pezulloi (por nuk e hoqi) taksën kufitare. Dhe asgjë tjetër, madje nuk i hapi deri më sot as zyrat në Prishtinë dhe Gjilan
Aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës llogaritet se kanë mbi tridhjetë mijë (30.000) vota në Kosovë. Sikur të ishin të organizuar si parti politike, do të kishin reth 7-8 deputetë, që do t’u mundësonte ta kalonin pragun zgjedhor dhe t’i artikulonin dhe mbronin interesat e tyre politike në Kuvendin e Kosovës.
Por, duhet ndryshuar Ligji zgjedhor, për t’u mundësuar shqiptarve të Luginës, ashtu si minoriteteve që të mos kushtëzohen me cenzusin prej 5%. Kështu do të mundësohej që të formohen më shumë parti politike të tyre, që do të garonin në zgjedhje.
Prandaj, në këto zgjedhje parlamentare, shqiptarve të Luginës së Preshevës që jetojnë, punojnë e veprojnë në Kosovë, nuk u mbetet rrugë tjetër, pos që të bëjnë trysni tek partitë politike që ta fusin në programin e tyre politik, si dhe të premtojnë e garantojnë publikisht se do ta zbatojnë me përpikmëri dhe përgjegjësi të plotë Rezolutën për të Drejtat e Shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që përmban dhjetë pika.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch