Home » Opinione » Apel për bashkim në një Bashkësi Islame të vetme dhe unike të shqiptarve në Luginë të Preshevës!

Apel për bashkim në një Bashkësi Islame të vetme dhe unike të shqiptarve në Luginë të Preshevës!

Shkruan: Nehat Hyseni

Organizimi institucional i strukturave islame, imamëve dhe xhamive në Luginë të Preshevës len shumë për të dëshiruar.

Madje, mund të thuhet se ekziston një kaos i vërtetë!

Këtu imamët i japin vetes të drejta të “kalifëve”, ose të autoritetit fetar suprem, ku secili grupacion ka filozofi të veçantë dhe shet paturpësisht mjegull, ç’organizim e kaos, duke instaluar dhe duke infiltruar pra, sekte e meth’hebe të ndryshme edhe në organizimin dhe veprimin e tyre rutinor të praktimit të islamit nëpër xhamitë e ndryshme, meqë nuk ekziston një organizim i mirëfilltë i tyre dhe një disiplinë e elementare e tyre, që do t’i përgjigjej një autoriteti më të lartë fetar në Luginë të Preshevës, që do t’i përgjigjej instancave më të larta organizative e institucionale, përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e jetës fetare në nivel kombëtar.

Rrëmuja dhe ç’organizimi brendapërbrenda fesë islame,  moti kohë e ka stërkequr organizimin fetar në Luginën e Preshevës dhe e ka copëzuar, përimtësuar e parcializuar skajshmërisht, duke u ndarë dhe përçarë aktualisht në katër bashkësi apo organizime islame në Luginë të Preshevës:

  1. Bashkësia Islame e lidhur me BI të Kosovën (BIK),
  2. Bashkësia Islame e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (BIPBM), e lidhur me BI të Serbisë në Beograd,
  3. Bashkësia Islame e lidhur me Muhamer Zukorliqin në Novi Pazar, dhe
  4. Bashkësia Islame e Komunës së Preshevës.

Askush nuk mund të thotë me saktësi se  çfarë është duke ndodhur realisht në këtë mishmash kaotik të ç’organizimit fetar të myslimanëve shqiptarë në Luginë të Preshevës?Pansllavazmi serbo-rus, sa duket, ka gjetur “folenë” e përshtatëshme dhe “parajsë” të veprimit tek radikalistët e ekstremistët islam.

Sidomos në rajonin e Novi Pazarit, por dhe të Maqedonisë, pa e anashkaluar as Luginën, vehabistët kishin hapsirë veprimi, destruktiviteti e kaosi fetarë dhe politik e shoqëror.

Serbia dhe Rusia kurrë gjatë historisë por edhe sot, nuk ka pushuar së investuari në islam për qëllime përçarëse, destruktive, antimyslimane e antishqiptare!

Pa diskutim se ky kaos dhe kjo anarki e mosllogaridhënies institucionale të imamëve ndaj xhematit dhe instancave më të larta të organizimit fetar, ka bërë që nëpër xhamitë tona  kemi një laramani të papranueshme dhe të dëmshme në mënyrën e faljes, meqë janë instaluar mënyra dhe praktika të meth’hebeve të tjera të faljes, të importuara nga hoxhallarët që kanë kryer studimet në vendet e ndryshme islamike. Kështu, ata që i kanë kryet studimet islamike në universitet në Arabinë Saudite, ku verzioni i lejuar zyrtar i islamit është vehabizmi, ata na kanë sjellur pa fije kontrolli apo barriere atë verzion islamik.

Njësoj veprojnë edhe ata që i kanë kryer studimet, bie fjala në Siri, psh. në Damask, Halep apo gjetiu, ku funksionojnë zyrtarisht dhe bashkëjetojnë madje katër shkolla apo meth’hebe të ndryshme islamike.

Situatë e njejtë ekziston edhe me hoxhallarët që kanë kryer studimet edhe në Jordani apo diçka më mirë qëndron situata e atyre që i kanë kryer studimet islamike në Universitetin shtetëror të Egjiptit Al Az’har në Kajro.

Por, edhe aty kemi një laramani në universitetet e shumta private, që kultivojnë predikime të  papranueshme për neve shqiptarët.

Kurse, studentët e paktë që studiojnë shkencat islamike në universitet e Turqisë, janë më të preferuarit për ne, për shkak të kultivimit dhe praktikimit të shkollës së njejtë islamike, hanefi, por edhe për shkak të mirëorganizimit shtetëror e institucional të jetës religjioze në Turqi.

Por, një burim tjetër i importimit të shkollave apo meth’hebeve të tjera të islamit, si dhe të rrymave radikaliste të islamit tek ne na vjen edhe nga diaspora e punëtorëve tanë në vendet e Europës, si dhe në vendet tjera gjithandej në botë. Përveç Zvicrës, ku për shkak të koncentrimit të madh numerik të tyre, shqiptarët kanë formuar mbi pesëdhjetë xhami, apo mesxhide, dmth faltore, pa minare, por me imamë shqiptarë, që kryesisht i përmbahen disiplinës së kultivimit, predikimit dhe të praktikimit të shkollës hanefite, dmth të islamit tradicional.

Ndërkaq, në Gjermani dhe në shtetet tjera europiane, për shkak të shpërndarjes së madhe, atje shqiptarët nuk kanë mundësi praktike për mirëmbajtje dhe financim të xhamive të veçanta, prandaj janë të detyruar që t’i frekuentojnë xhamitë tjera, krtesisht ato turke, por dhe arabe.

Prandaj, sidomos të rinjtë shqiptarë që i frekuentojnë ato xhamia, ata i ekspozohen ndikimeve të meth’hebeve  të tjera, si në mënyrën e faljes, ashtu edhe në botëkuptimet dhe pikëpamjet e tyre ferare, që po na i sjellin edhe në trevat shqiptare në Ballkan.

Mjerisht, shumë dukuri të pahijëshme janë duke ndodhur aktualisht tek krerët e komunitetit mysliman të shqiptarve në Luginë të Preshevës, që paraqesin njollë të zezë në dinjitetin fetar e kombëtar të tyre.

Disa imamë veprojnë krye në vete dhe janë për faqe të zezë, që gjatë kohë janë duke na sjellur dëme të mëdha dhe të pariparueshme, si ndaj çështjes së organizimit dhe funksionimit të mirëfilltë të jetës fetare, si dhe çështjes kombëtare të shqiptarve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Prandaj, është koha e fundit që me vendosmëri t’i jipet fund këtij kaosi të kobshëm dhe këtij realiteti të hidhur e të papranueshëm, duke u organizuar sa më parë një tubim me të gjithë imamët dhe veprimtarët e shquar fetar e kombëtar të Luginës së Preshevës dhe të formohet një Bashkësi Islame e Luginës së Preshevës, e lidhur shpirtërisht e institucionalisht me BIK, që do të siguronte një unitet të plotë shpirtëror, fetar e kombëtar të komunitetit mysliman të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Ky tubim duhet të thirret urgjentisht nga krerët e katër bashkësive apo organizimeve islame, në mënyrë që gjatë këtij Muaji të Bekuar të Ramazanit, t’ia arrijmë që Fitër Bajrami (Bajrami i Madh), të na gjej të bashkuar dhe unikë, për t’u përballur në mënyrë të mirëfilltë dhe me sukses me një mori sfidash e problemesh fetare e kombëtare, që kërkojnë qasje unike dhe zgjidhje urgjente!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch