Home » APN, Lajme, Vendore » APN në Bujanoc mban mbledhje të jashtëzakonshme pas Pandemisë

APN në Bujanoc mban mbledhje të jashtëzakonshme pas Pandemisë

Takimi është zhvilluar në distancë ( përmes komunikimit elektronik ), duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve kompetente, ndërsa është diskutuar për situatën në komunën e Bujanocit dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmirren me qëllim të parandalimit të përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës.

Është vendosur njëzëri që të gjitha kapacitetet individuale dhe kolektive në këto kohë të vështira duhet vënë në shërbim të mbrojtjes së shëndetit publik por edhe në rrafshin humanitar.
Me këtë rast, APN kërkon që të gjithë anëtarët dhe përkrahësit e saj të vihen në dispozicion të aktiviteteve që ndërmirren ditëve në vijim, disa prejt të cilave do të inicohen për herë të parë.

Të vetëdijshëm se shumë anëtarë tanë kanë qenë pjesëmarrës të aksioneve gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, APN i bënë thirrje aktivistëve të vet që assesi të mos identifikohen me ngjyrime partiake.
Alternativa për Ndryshim vlerëson se në këtë situatë nuk ka vend për ngjyrime politike, por si bashkëqytetarë dhe bashkëkombas duhet të jemi në nivel të detyrës në mënyrë që sa me më pak pasoja ta kalojmë këtë sfidë të shkaktuar nga virusi Korona.

Duke u nisur nga këto parime, të gjithë aktivistët tanë do të jenë në shërbim të institucioneve relevante, qofshin ato lokale, shëndetësore, sociale apo humanitare.
Pa petkun politik, kërkohet sidosmos nga të rinjtë që si vullnetarë të vihen në shërbim të moshuarve, personave në nevojë, të varfërve si dhe aksioneve të oranizuara nëpër Bashkësitë Lokale.

Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të aktiviteteve, drejtuesit e APN-së këtyre ditëve do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e Shtabit Komunal për Situata të Jashtëzakonshme dhe Shtabit të Krizës.
Kur i tërë globi po kalon periudhën më të vështirë që pas Luftës së Dytë Botërore, APN konsideron se është koha që duhet shtrirë njëri-tjetrit dorën e pajtimit dhe solidaritetit, veti kjo që sidomos neve shqiptarëve na ka mbajtur të fortë ndaj fortunave të ndryshme në kohë krizash dhe kanosjesh të vet ekzistencës tonë.

Vetëm të bashkuar do ta fitojmë edhe këtë betejë !

02.04.2020: Kryesia e Alternativës për Ndryshim-Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch