Home » Lajme, Opinione » Arbana Xharra si “viktimë ideale”

Arbana Xharra si “viktimë ideale”

Shkruan: Nehat Hyseni

Opinioni i gjërë është indinjuar thellë dhe dyshojmë se sulmi fizik dhe rrahja brutale e gazetares dhe kryeredaktores së gazetës “Zëri”, zonjës Arbana Xharra, që ndodhi pikërisht në këtë kohë parazgjedhore, se është bërë me porosi dhe për qëllime politike.

Dyshojmë se kjo ngjarje e pahijëshme e kriminale ka të bëjë me aderimin e saj gjatë këtyre ditëve në PDK.

Prandaj, sado paradoksale të duket, supozojmë se ajo mund të paraqes “viktimë ideale” për larjen e shumë hesapeve dhe “gjynaheve” apo mëkateve të saj ndaj kësaj partie.

Mënyrë më “e përkryer” dhe më profesionale e hakmarrjes se kjo, realisht nuk do të mund të paramendohej!

Dyshohet se këtij skenari mirë të parapërgatitur i nevoitej vetëm “akti i fundit” i protagonizmit të saj, dmth që zonja Xharra të binte në kurthin apo “karremin” e ngritur ndaj saj.

Kurse, sa duket, terreni u parapërgatit mirë, me kërcnime e frikësime ndaj saj nga më të ndryshmet: me grafite kërcnuese e mesazhe të tjera të shkruara nëpër mure, që si duket, ia futën frikën në palcë Arbanës dhe familjes së saj!

Prandaj, logjikisht i binte se rrugëdalja dhe zgjidhja kishte vetëm dy rrugë:

E para, ishte që t’i shlyente të gjitha shkrimet kundër PDK-së dhe radikalizmit islamik e misionit rus të përzier me ata, që realisht, ishte e pamundur.

Sepse, për shumë vite shkrimet kishin marrë dhenë nëpër media e portale dhe e kishin popullarizuar mjaftë këtë gazetare ambicioze.

Madje, kishte marrë edhe shumë mirënjohje e shpërblime. Për guxim dhe trimërinë e treguar në artikujt e shumtë dhe shkrimet në të cilat i kishte drejtuar shigjetat tek PDK dhe tek kreu i saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët, që nuk kishte hezituar as t’i quaj “kriminelë” dhe se “i villej” nga të këqiat dhe të zezat e plagët që këta po ia shkaktojnë Kosovës.

Natyrisht se, meqë i kishte sulmuar, fyer e njollosur me të drejtë dhe në mënyrë të guximëshme shumë dukuri negative në shoqërinë kosovare, Arbana Xharra kishte arritur simpatinë dhe mbështetjen e opinionit kosovar, gjithëshqiptar, e sidomos të opinionit vendimmarrës ndërkombëtarë.

Por, njëkohësisht edhe kishte hidhëruar dhe mllefosur maksimalisht “të kritikuarit” e saj, që ajo i kishte piketuar si “bossët e krimit dhe të së keqes”, që ishin në PDK.

Prandaj, shtrohet pyetja logjike se:

Kush, vallë do të ishte më i interesuar se PDK, ose më sakt, kreu i saj për ta sulmuar dhe “për t’i dhënë leksion” Arbanës? Sepse i ka tejkaluar dhe i ka shkelur “viat e kuqe” dhe ka prekur aty ku” nuk duhet” dhe nuk guxon të prekë në të ardhmen?

E shkreta Arbanë dhe familja e saj, të trishtuar e të frikësuar nga “bossët e krimit”, meqë kthim mbrapa nuk kishte, dmth që t’i shlyej shkrimet e artikujt me të cilët kishte fyer e zemëruar ata, ose thënë popullorçe, që ta “lëpij” gjithë ato që kishte “pështyrë” me vite ndaj tyre.

Sa duket, vlerësoi dhe zgjodhi si rrugë “më të sigurtë” që t’i bashkëngjitej atyre!

Sipas thënies popullore:

“Nëse nuk mund ta mundësh krimin, atëherë bashkohu me ata”!

Por, e gjora Arbanë, nuk kishte mundur ta kuptoj se me këtë rast, duke e përqafuar “ujkun”, realisht mund të ishte futur në gojën e tij gjakëpirëse.

Pra, e frikësuar deri në palcë, zonja Xharra me “vullnet të lirë” pranoi të shkoj, si “cjapi te kasapi” në duartë e “xhelatëve”, dmth të atyre që i kishte kritikuar profesionalisht dhe me të drejtë, por edhe mund t’ i kishte hidhëruar pafundësisht!

Kështu, kjo “hata” dhe ky gjest i saj e habiti deri në ekstrem opinionin kosovar, por dhe atë ndërkombëtar me këtë “sallto mortale” të saj.

Por edhe i zhgënjeu dhe i hidhëroi pa masë! Të gjithë!

Sidomos ata që i kishin besuar sinqerisht shkrimeve të saj.

Kurse, tani, me aderimin në PDK, Arbana Xharra sikur i zgërdhihej publikut:

“O ju të marrë, pse më besuat?

Unë u talla me ju dhe shkrimet e mia ishin hajgare dhe krejtësisht të pavërteta!”

Pse vallë, pikërisht pas aderimit në PDK, ndodhi kjo ngjarje e pakëndëshme, e jo më heret?

Sipas një analize më të thellë na rezulton se, mbase,  realisht, “me një të rame”, PDK i bëri “dy të vrame”: u hakmorr ndaj saj për kritikat e saj ndaj kreut të kësaj partie, që i kishte cilësuar si “kapo të krimit dhe të së keqes në Kosovë”; dhe se sulmi ndaj saj si anëtare e PDK-së e “viktimizon” këtë parti para popullit dhe votuesve dhe ky viktimizim pretendoget se do e shlyej etiketimin e pashkruar që rëndon mbi këtë parti mbi lidhjet e saja me krimin.

Pra, pretendohet që në këtë mënyrë t’i demantoj shkrimet e tilla?!

Sidomos kur merret parasysh fakti se në listat e tyre zgjedhore janë përfshirë shumë kandidatë me aktakuza të ngritura kundër tyre, si dhe pritshmëritë se do të jenë objekt gjykimi në Gjykatën Speciale.

Sido që të jetë puna, dyshojmë se sulmuesit ndaj Arbana Xharrës do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë.

Sepse, ata këtë akt makabër,siç po shihet, e kanë kryer mjaft profesionalisht.

Por edhe porositësit e tyre mund të jenë të “sofiatikuar”.

Dhe derisa mos të zbulohen kriminelët e tillë dhe fajtorët e vërtetë, dyshimet do të bien mbi “radikalistët islamikë”, ndaj aktivistëve “të hidhëruar” të Vetëvendosjes për aderimin e saj në PDK, si dhe dyshime të tjera të pafund.

Ndërkaq, 11 qershori po afrohet dhe “efektet” e këtij veprimi jocivilizues mund të sjellin vota në favor të porositësve të tij. Kurse, e nderuara zonja Arbana Xharra do të lë katastrofalisht shijen e keqe, si të “gjellës së prishur” në gazetari dhe në median e pavarur dhe do të reflektoj dhe do të faturohet edhe në perspektivën e sa të politikanes së ardhëshme, me sinqeritet dhe besueshmëri të kompromituar dhe të dëmtuar, si dhe me perspektivë të “kartës së djegur”, mbase sikur të kolegëve të saj paraprak, Berat Buzhalës dhe Margarita Kadriut?

Megjithatë, për neve si qytetarë dhe votues të këtij vendi, mbetet objektivi më i rēndësishëm: gjetja sa më parë e kryerësve të këtij krimi makabër dhe përballja e tyre me drejtësinë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch