Home » Lajme, PVD » Ardita Sinani: Është e domosdoshme uniteti i spektrit politik, njejtë me atë kur u organizua Referendumi i 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992

Ardita Sinani: Është e domosdoshme uniteti i spektrit politik, njejtë me atë kur u organizua Referendumi i 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992

Rëndësia e aktualizimit të çështjes së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës si dhe sensibilizimi i opinionit me problemet e rënda jetësore të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë por edhe në qytete të ndryshme në Serbi ku jetojnë dhe punojnë Shqiptarët është domosdoshmëri e kohës!

Në këto rrethana, edhe pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë humbësit më të mëdhenjë, janë peng për shkak të raporteve jonormale në mes të Serbisë dhe Kosovës, problemet e tyre shumë të rënda dhe të ndjeshme shumë pak janë trajtuar në takimet e Brukselit. Madje edhe në rastin e arritjes së ndonjë marrëveshje, si në rastin e nostrifikimit të diplomave, mungon realizimi praktik.

Në sistemin shumë partiak Serbia shumë pak është demokratizuar, ndërsa raporti ndaj Shqiptarëve në Serbi mjerisht po mbetet i pandryshuar, andaj edhe pozita e Shqiptarëve në Serbi aktualisht është shumë e rëndë dhe shumë delikate, me shkallë rekorde të papunësisë, me shpërngulje masive, diskriminim të vazhdueshëm dhe spastrim në heshtje!

Megjithatë, mungesa e vullnetit politik për aplikimin praktik të zgjidhjeve ligjore, mungesa e fondeve dhe e programeve afirmative që do të ndikonin që ligjet e aprovuara të reflektojnë edhe praktikisht në përmirësimin e pozitës së pakicave, në praktikë, paraqesin problem permanent.

Në këtë drejtim është e domosdoshme që uniteti në veprim i spektrit aktual politik të jetë së paku i njejtë me unitetin që e patën subjektet politike kur u organizua Referendumi i 1 dhe 2 Marsit të ’92.

Mirëpo niveli i statusit të ardhshëm të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës do të varet edhe nga intensiteti i angazhimit të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës për t’i përkrahur Shqiptarët e këtij rajoni në realizimin e aspiratave të tyre legjitime.

Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona legjitime që çështja e Luginës të trajtohet në tryezën e bisedimeve pikërisht në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi!

Në një të ardhme shumë të afërt si zgjidhje e vetme e drejtë e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjate në rajon, është bashkëngjitja me Republikën e Kosovës!

A. S

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch