Home » Lajme, PVD » Ardita Sinani: Vlerësojmë interesimin e Shqipërisë në veçanti Ministrin Cakaj në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Ardita Sinani: Vlerësojmë interesimin e Shqipërisë në veçanti Ministrin Cakaj në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Vlerësojmë jashtëzakonisht interesimin e shtetit Shqiptar e sidomos të Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj duke i dhënë rëndësi të patjetërsueshme ruajtjes së unitetit të brendshëm dhe nevojën e punës së përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Lugina e Preshevës prej zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 1990 deri më tani në përbërje të Parlamentit qendror kishte përfaqësuesit e vet edhe atë:
– në zgjedhjet e vitit 1990 – një deputet i PVD – së, Behlul Nasufi
– në zgjedhjet e vitit 1993 – dy deputet, Behlul Nasufi i PVD dhe Tahir Dalipi PDSH
– në zgjedhjet e vitit 1997 – një deputet të koalicionit PVD dhe PDSH, Ramadan Ahmeti
– në zgjedhjet e vitit 2007 – një deputet i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, PVD dhe BDL, Riza Halimi
– në zgjedhjet e vitit 2008 – një deputet të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, PVD, UDSH dhe LPD, Riza Halimi
– në zgjedhjet e vitit 2012 – një deputet të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, PVD, UDSH, LPD dhe BDL Riza Halimi
– në zgjedhjet e vitit 2014 – dy deputet të PVD – së, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi
-në zgjedhjet e vitit 2016- deputet Fatmir Hasani, bartëse e listës Ardita Sinani–PVD (lista e parë në Serbi me bartëse femër edhe atë shqiptare, ishte temë tabu).

Për pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare, sikur edhe për ato lokale, subjektet politike shqiptare rregullisht ishin konsultuar fillimisht me udhëheqjen e Shqipërisë dhe me udhëheqjen e Kosovës.

Në të gjitha programet për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare rregullisht ishte potencuar rëndësia e aktualizimit të çështjes së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës si dhe sensibilizimi i opinionit me problemet e rënda jetësore të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë por edhe në qytete të ndryshme në Republikën e Serbisë ku jetojnë dhe punojnë Shqiptarët.

Në këtë drejtim përfaqësuesit legjitim të Shqiptarëve në Kuvendin e Republikës së Serbisë kanë arritur t’i arsyetojnë pritjet sepse me pjesëmarrje aktive në diskutime në parim me paraqitjen dhe mbrojtjen e amendamenteve dhe me parashtrimin e pyetjeve të deputetit kanë paraqitur për zgjidhje të gjitha problemet e rëndësishme jetësore të popullatës shqiptare në Serbi. Në bazë të këtij aktiviteti në Parlamentin qendror deputetët kanë pas deri tani kontakte të rregullta me ambasadorët e shumë shteteve të rëndësishme, e posaçërisht me ambasadorët e grupit të miqve të Luginës së Preshevës.

Në këto rrethana, edhe pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë humbësit më të mëdhenjë, janë peng për shkak të raporteve jonormale në mes të Serbisë dhe Kosovës, problemet e tyre shumë të rënda dhe të ndjeshme shumë pak janë trajtuar në takimet e Brukselit. Madje edhe në rastin e arritjes së ndonjë marrëveshje, si në rastin e nostrifikimit të diplomave, mungon realizimi praktik.

Në sistemin shumë partiak Serbia shumë pak është demokratizuar, ndërsa raporti ndaj Shqiptarëve në Serbi mjerisht po mbetet i pandryshuar, andaj edhe pozita e Shqiptarëve në Serbi aktualisht është shumë e rëndë dhe shumë delikate, me shkallë rekorde të papunësisë dhe me shpërngulje masive.

Është evidente se në këto kushte as partitë politike shqiptare, as deputetët, as pushtetet lokale e as Këshilli Nacional i Shqiptarëve nuk kanë arritur t’i realizojnë shumicën e objektivave të parashtruara në planet dhe programet e tyre. Mirëpo nga pamundësitë, pengesat dhe dobësitë e deritanishme nuk guxojmë të konkludojmë se cilido nga këto institucione është i tepërt për Shqiptarët. Përkundrazi, duhet të zhvillohet luftë e pakompromis politike që numri dhe niveli i institucioneve ku përfaqësohen Shqiptarët të rriten dhe të zgjerohen.

Andaj edhe për çështjen e pjesëmarrjes së Shqiptarëve në zgjedhje parlamentare si dhe për punën e deritanishme të deputetëve Shqiptarë të cilëve iu imponua tërë kohën pozicioni i opozitës, duhet patjetër të diskutojmë me argumente dhe pa prapaskena manipuluese.

Nëse debati transparent dhe i argumentuar dëshmon se problemi i deritanishëm qëndron në mungesën e kapaciteteve dhe në angazhimin e pamjaftueshëm të deputetëve atëherë problemi do të zgjidhej shumë lehtë. Ndërsa, nëse shumica e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës do të përcaktohej për bojkot atëherë militantët e bojkotit duhet të ofrojnë opsionet tjera reale dhe serioze të veprimit.

Megjithatë, mungesa e vullnetit politik për aplikimin praktik të zgjidhjeve ligjore, mungesa e fondeve dhe e programeve afirmative që do të ndikonin që ligjet e aprovuara të reflektojnë edhe praktikisht në përmirësimin e pozitës së pakicave, në praktikë, paraqesin problem permanent.

Në këtë drejtim është e domosdoshme që uniteti në veprim i spektrit aktual politik të jetë së paku i njejtë me unitetin që e patën subjektet politike kur u organizua Referendumi. Mirëpo niveli i statusit të ardhshëm të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës do të varet edhe nga intensiteti i angazhimit të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës për t’i përkrahur Shqiptarët e këtij rajoni në realizimin e aspiratave të tyre legjitime.

Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona legjitime që çështja e Luginës të trajtohet në tryezën e bisedimeve dhe është jetike përfaqësimi institucional në organin më të lartë legjislativ pikërisht në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një të ardhme shumë të afërt si zgjidhje e vetme e drejtë e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjate, është bashkëngjitja me Republikën e Kosovës!
A. S

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch