Home » Kulturë, Lajme » Arritje e kënaqshme e arsimit të lartë të fëmijëve shqiptar në Suedi

Arritje e kënaqshme e arsimit të lartë të fëmijëve shqiptar në Suedi

XHAVIT ÇITAKUPër shkak të faktit se shumica e shqiptarëve kanë marrë shtetësinë suedeze, është vështirë të merret një shifër e sakët se sa fëmijë shqiptar studiojnë apo kanë marrë diplomë fakulteti, mirëpo mund lirshëm të konstatohet se numri i tyre është i kënaqshëm

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Sipas të dhënave statistikore, që mund të gjesh edhe në internet, në Suedi tash për tash jetojnë rreth  60 mijë shqiptarë, shumica prej të cilëve tashmë kanë marrë shtetësinë suedeze. Në këtë vend të largët skandinav kanë ardhur nga pjesë të ndryshme etnike shqiptare, nga Shqipëria, Labëria, Ilirida, Çamëria e më së shumti nga Kosova. Ky numër kaq i madh i komunitetit shqiptar në këtë vend, pa dyshim, dëshmon qartë ekzistimin e një kombi mijëvjeçar, pastaj edhe ekzistencën e një gjuhe, po ashtu, të lashtë e të ëmbël. Sa emocione të mëdha e të fuqishme jep komunikimi në gjuhën e mëmës, sa bukur tingëllon ajo në një vend të huaj. Këtë gjuhë të bukur të trashëguar brez pas brezi, flitet edhe nga fëmijët e komunitetit shqiptar në Suedi. Për ta ruajt e kultivuar këtë dhuratë kaq të mrekullueshme për kombin tonë, në këtë vend organizohet mësimi plotësues në gjuhën amtare, në të cilën janë të angazhuar mësimdhënës të kualifikuar. Po ashtu në këtë punë të rëndësishme, pa dyshim, se kontribut të madh po japin edhe prindërit të cilët në shtëpi flasin vetëm gjuhën shqipe. S’do mend se në këtë rrugë të mirë të “ frenimit” të asimilimit të fëmijëve tanë kontribut kanë dhënë e po japin edhe institucionet e organet tjera kompetente arsimore të shtetit suedez, që me ligj të veçantë lejojnë dhe materialisht ndihmojnë mbajtjen e mësimit plotësues, dhe në këtë mënyrë nxënësit shqiptar  kanë guximin dhe durimin që këtu, në këtë vend me një demokraci më të lartë në botë, fëmijët tanë të ruajnë identitetin  shqiptar  duke i mësuar shkronjat e fjalët e bukura shqipe. Edhe arsimtarët shqiptar me përkushtim të madh e dinjitoz po kontribuojnë aq shumë karshi kombit dhe edukimit të fëmijëve shqiptar.

Pothuajse nuk ka degë e fakultet në tërë vendin që nuk ka studentë shqiptarë

Fëmijët tanë me kënaqësinë më të madhe, me emocion e entuziazëm të veçantë, duke u dalluar edhe nga kolegët suedez, në mënyrë “ spektakulare” e të mrekullueshme realizuan me aq kujdes ëndrrën e prindërve por edhe të tyren për t’u bërë mjek, inxhinier, jurist, ekonomist, regjisor, artist, piktor e profesione të tjera të ndryshme e të rëndësishme. Karriera e këtyre të rinjve shqiptar është e ndritshme dhe tash dhe në të ardhmen  do ta nderojnë kombin e atdheun. Pos në fakultete të rinjtë shqiptar kanë vazhduar arsimimin e tyre edhe me tutje duke marrë grada të larta akademike si magjister e doktor shkencash. Disa sish janë të inkuadruar në dhënien e dijes së tyre po në ato institucione prej nga i morën diplomat e tyre, ndërsa të tjerë janë duke dhënë kontributin e tyre të madh në avancimin e mjediseve ku ata punojnë. Thënë me gjuhën e fakteve, nuk ka degë apo fakultet në tërë Suedinë që nuk ka studentë shqiptar. Ky numër kaq i madh i kuadrove shqiptare është një dëshmi se mërgata jonë në këtë vend skandinav ka qenë dhe është një ndër pjesët më të organizuara dhe e arrirë e diasporës. Arritjet e këtyre fëmijëve, pra, tejkalojnë përmasat e një aktiviteti thjesht arsimor e edukativ. Përkundrazi, ky nivel i shkollimit janë zjarr i pashuar që identifikon identitetin tonë kulturor ilir në këtë vend të largët. Me një fjalë, duke arritur këtë shkallë të lartë të shkollimit po dëshmohen vlerat etnike dhe kulturore të kombit shqiptar. Kësisoj, fëmijët shqiptar janë bërë gur i fort në marrëdhëniet ndërmjet kombit shqiptar dhe atij suedez.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch