Home » Histori, Lajme » At Irakli Pylli : Zoti , Abetarja dhe Kombi

At Irakli Pylli : Zoti , Abetarja dhe Kombi

At Irakli PylliAi besoi në Zot, në Abetare dhe në Komb. Ky ishte “Ati, biri dhe shpirti shenjtë”, i këtij luftëtari të paepur të shkollës shqipe.
Altari i Zotit u bë altari atdhetarisë dhe bekimi i tij përzihej me bekimin e kombit. Në popull filloi të pëshpëritej me krenari urimi për priftin që psalte shqip. Ai thirrej,”mjalti i shqipes”. Në këto vite futi edhe mësimin e gjuhës shqipe në Shënpjetër. Si klasë përdori një nga ambientet e kishës dhe si justifikim përdori mësimin e gjuhës greke. Ati donte t’ju mësonte fëmijëve, ”gjuhën tonë që është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Ky ishte refreni i tij që krijonte paradigmën filozofike me thënien e Naimit për gjuhën “tënë” “sa e ëmbël, sa e mirë” dhe që shpesh merrte vlerat e përdorimit të një sentence polisemantike për kohën. Dhe me këtë paradigmë u hap porta arsimore e shekullit të XX-të në krahinën e Myzeqesë…..
At Irakli Pylli u lind në Shënpjetër të Fierit, në prill të vitit 1872 dhe jetoi deri më 1944. Gjithë aktivitetin e tij patriotik e ushtroi i angazhuar në dy drejtime; me penë dhe pushkë. Fillimisht u arsimua pran shkollës greke në Manastirin e Pojanit së bashku me Llazi Spiro Shënpjetrën dhe mësues Kostandin Mingën. Për arsimimin e tij u kujdes gjyshi nga nëna, kleriku Pjetër Çuni i cili e ndihmoi për të ndjekur studimet e mëtejshme teologjike në Greqi.
Midis shkollave greke, të Myzeqesë, ishte pikërisht shkolla e Pojanit ajo që nxori dy nga figurat më të spikatura të kësaj krahine: Spiron dhe Pyllin. Dy patriot të rëndësishëm, të cilët së bashku me liderin më të shquar autokton, Jani Mingën, do t’i jepnin tonin të gjitha ngjarjeve të zhvilluara në gjysmën e parë të shekullit XX. Është interesante se të tre këta burra i përkasin të njëjtit fshat, Shënpjetrës i cili është bërë i njohur pikërisht për faktin se nxori nga gjiri i tij këto tre figura që i bëjnë nder çdo kapitulli të historisë. Mësuesi i Popullit Jani Minga i mbi quajtur “patrioti me vulë”, patrioti dhe këngëtari virtuoz i folkut krahinor, “bilbili i Myzeqesë”, Llazi Spiro ose Llazi Shënpjetra dhe kleriku mësonjës, “prifti me kobure”, At Isaia, ishin jo vetëm bashkëfshatarë por edhe moshatarë, të cilët ndonëse lindën në familje të thjeshta, ditën të gjejnë kahun përparimtar të zhvillimeve bashkëkohore e të ecin drejt progresit duke e kapërcyer aq shumë kohën e vet.

Heroizmi përbën kulmin e aktivitetit të këtij rilindësi. Sepse ky u shfaq në një moment kulmor për nacionalizmin shqiptar, atëherë kur patriotët po legalizonin vendimet e tyre nëpërmjët formave më të larta të organizimit; kongreseve kombëtare. Dhe kjo ndodhi në periudhën e ashpërsimit të kontradiktave me xhonturqit, të cilët, pasi nuk mundën ta frenonin dotë vërshimin e nacionalizmit shqiptar, tentuan të ndryshonin drejtimin e tij. “Për këtë qellim ata u përpoqën të zëvendësonin gërmat latine të alfabetit kombëtar shqiptar me gërma arabe, duke shpallur në të njëjtën kohë që shkronjat latine ishin shpikje e të huajve, objektivi i të cilëve ishte të devijonin myslimanët e mirë nga besimi i tyre, dhe që shkronjat arabe ishin të shenjta”. Por edhe kjo propagandë naive, dështoi me turp përpara bashkimit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare, mysliman e të krishter, të cilët nën sloganin kuptimplotë të Rilindjes sonë Kombëtare, “feja e shqyptarit ashtë shyptaria”, kishin sheshuar çdo dasi fetare midis tyre.
Në Shën Pjetër dhe Radostinë kishte informacin për aktivitet ilegal nga dy patriotët; At Isaia dhe Ymer Hoxha. Të dy këta u bën objekt vëzhgimi dhe kontrolli. “Në fillim të vitit 1910, xhonturqit treguan se ishin tiranët më të këqinj se paraardhësit e tyre.” Ata u vërsulën me tërbim mbi çdo vatër shqiptarizme për t’i shuar me çdo kusht zjarret e sapo ndezur të arsimit shqiptar. Në muajin mars të këtij viti, kjo “tirani” u shfaq edhe në Shën Pjetër. Kur në oborrin e kishës u ndje trokthi i rrëmbyer i kuajve “xhon”, nxënësit të trembur i fshehën pllakat me gërmat e shqipes dhe në vend të tyre nxorrën ato me shkrimin grek. Por informacioni ishte aq i besueshëm sa ushtarët u derdhëm me egërsi mbi fëmijët dhe ju xhvatën nga gjoksi, pllakat e fshehura. Pastaj u vërsulën mbi mësuesin dhe e goditën barbarisht. Më pas e tërhoqën jashtë prej mjekrre, i rrëmbyen kryqin nga qafa, sahatin, i shkuan litarin në gjoks, e lidhën në shalë të kalit dhe e tërhoqën zvarr nëpër baltën e udhës së Semanit, deri në qytetin e Fierit. Rrugës njerëzit shihnin të tmerruar masakrimin e mësuesit prift. Kuajt rendnin në galop duke hedhur nga patkojtë, stërkalat e baltës mbi fytyrën e tij. Në Fier njerëzit u stepën. Ushtarët turq e turpëruan mësuesin duke e shetitur nëpër qytet të zhveshur me një këmborë të varur në qafë si bagëti. Në krah të tij kishin vën edhe Ymer Hozhën, akuzuar për përhapjen e librit shqip në Myzeqe. Edhe atij i kishin varur në qafë një këmborë dhe e godisnin duke e shtyrë me përçmim.

Në zonën e Lushnjes, shkruante revista e Mihal Gramenos në Bukuresht, rebelët kishin “përveshur krahët” dhe tmerronin popullsinë e Myzeqesë me masakra të papara. “Rebelët, porsa hynë në Lushnjë, zbritnë flamurin shkabëtor edhe ngritnë flamurin e Turqisë. Dhe pasi u siguruanë se Myzeqeja mbeti në duart e tyre, sakaq nisnë të ndjekin dhe të mundojnë shqipëtarët atdhetarë… Kështu prishnë shtëpinë të z. Llaz Bozos; shtëpinë e të nderçmit At Ikonom Dhimës Çipllaka, At Spiro Sht-Pjetrasi, Lame Kruati;ç’gjendeshin brenda dhe gjënë e gjallë u rrëmbyen… Tërë shkollat sa qenë në Myzeqe i prishën, duke djegur tërë librat shqipe si edhe çdo shenjë atdhetarizmi që gjendej nëpër shkolla. Mësuesit vuajtën shumë nga rebelët, u burgosën dhe u munduan si Krishti, duke dashur t’i frikësojnë që paskëtaj të mos guxojnë të thonë se janë shqiptarë”.
Shkele Abetaren i thoshin. Pikërisht këtu është madhështia e njeriut idealist. Maja e piramidës së këtij ideali, lëshoi mbi dumbabistët rrufetë e heroizmit . Shkele! – Jo! Shkele – Kurrë! A ka refren më të madh për një komb sesa një qëndrim i tillë manifestuar nga një prej shtetarëve të tijë të frymëzuar? A nuk tregon kjo sjellje vetë palcën kurrizore të kombit? Të kërcënohesh me vdekje përpara abetares dhe të rezistosh përpara saj për ta bërë atë të pavdekshme.
Ku e gjente të tillë force ky burrë ?

(Sipas Nuri Plakut ,Specialist në Muzeun Historik Fier.)
Fahri Xharra,24.11.15 Gjakovë

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch