Home » Lajme, Opinione » Ateizmin nuk duhet ngatërruar me “patriotizmin”!

Ateizmin nuk duhet ngatërruar me “patriotizmin”!

Shkruan: Nehat Hyseni

Duhet dëmkosur dhe qortuar publikisht gjeneralizimet aktuale dhe konkludimet formalo-logjike, si dhe përgjithësimet e dëmshme, duke i futur të gjithë “me një thes”, të mësuesve e intelektualëve, duke ua mëveshur “të gjitha të mirat e kësaj bote, në një anë, dhe hoxhallarët me të gjitha të kêqiat, tradhëtitë e mëkatet e kësaj bote, në anën tjetër.

Sepse, ato janë të dëmshme dhe vetëm sa e mjegullojnë dhe mëshefin problemin real, “nën rrogoz”, duke i mbrojtur apo kritikuar pa të drejtë personat e caktuar, kushdoqofshin ata: mësues apo hoxhallarë!

Tmerrësisht është kah më pengon pretendimi dhe stërpërsëritja deri në pafundësi, si dhe keqpërdorimi deri në banalitet i  thënies së Vaso Pashës se:

“Feja e shqiptarit është shqiptaria”!

Këtë e keqpërdori në mënyrë banditeske dhe kriminale Enver Hoxha, sidomos nga viti 1967, kur e ndaloi fenë dhe e shpalli Shqipërinë si “vendin e parë ateist në botë”!

Enver Hoxha e deformoi dhe shpërfytyroi paturpësisht këtë thirrje dhe mesazh patriotik të Vaso Pashë Shkodranit, me veprime makabre të rrënimit të paskrupullt të kishave e xhamiave, me orgazimin e fushatës së çmendur të ndërsimit kundër objekteve fetare të të ashtuquajturës “rinisë komuniste”, me urdhërin e prerë:

“Prishni të gjitha kishat dhe xhamiat”!

Me avazin enverist të kundërvënies, me ose pa vetëdie, të fesë dhe kombit, apo të fetares dhe kombëtares, disa intelektualë edhe  sot e kësaj dite janë duke lozur vallen e tillë enveriste, duke u përpjekur të na servojnë si “shqiptarizëm”!

Qofshin ata të vetëdijshëm apo jo, me këtë shërbim të keq ndaj djallit të mallkuar, që realisht dëmton qenien kombëtare shqiptare, duke na shitur pallavra e broçkulla enveriste se, kinse besimtarët dhe fetarët na qenkan dy antipode e antagonizma të papajtueshëm.

Kurse, ateizmin bolshevik leninist, si dhe ateizmin paranojak enverist pretendojnë të na imponojnë si “parriotizëm” ,  “atdhetarizëm” e “shqiptarizëm”!

Madje, të tillët thirren edhe në rilindasit shqiptarë!

Dhe e keqja më e madhe është se të tillët nuk janë të vetëdijshëm se janë “enveristë të vonuar”, që dojnë, me ose pa dashje, të na ringjallin ateizmin komunist si religjion të llojit të vet dhe si dogmë utopike dhe të papranueshme në shekullin XXI.

Andaj, i thërrasë publikisht dhe u bëjë apel të tillëve që të thirren në veprën madhështore të kolosit të Shqiptarisë, të të madhit At Gjergj Fishtës, të cilin enverizmi bolshevik i Shqipërisë komuniste e ndaloi  rreptësisht, i cili thotë:

“Ne shqiptarët vërtetë kemi Bajram e Pashkë,

por ama Shqipërinë e kemi bashkë”!

Pra, besimi në Zot dhe fe nuk e pengon askend të jetë patriot i devotshëm dhe shqiptar i madh.

Poashtu, ateizmi nuk do të thotë dhe nuk duhet kuptuar assesi si patriotizëm, shqiptarizëm e atdhetarizëm!

Ne jemi dëshmitarë dhe njohim shumë burra të ndershëm dhe patriotë të mëdhenjë, të cilët janë besimtarë të devotshëm, nga të cilët kemi edhe heronjë që flijuan jetën për shqiptarizëm e atdhe.

Por, gjithashtu njohim edhe shumë të pafé e ateistë të përbetuar, që lidhje nuk kanë me shqiptarizëm dhe me kontribut apo flijim për çështjen kombëtare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch