Home » Lajme, Opinione » Autokratizmi aziatik apo demokracia europiane?

Autokratizmi aziatik apo demokracia europiane?

Shkruan: Nehat Hyseni

Udhëkryqi politik në të cilin aktualisht gjendemi para mbajtjes së Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së re, të pestës me radhë nga paslufta, që është caktuar për datën 3 gusht 2017, (e enjte), na imponohet si dilemë hamletiane e shtetndërtimit tonë midis: autokratizmit aziatik apo demokracisë europiane?

Republika e Kosovës është duke u përballur seriozisht me frymën absolutiste dhe skajshmërisht autoritariste të interpretimit të vullnetit politik të Sovranit, dmth të votuesit, të shprehur në zgjedhje.

Ky avaz i uzurpimit të të drejtës së “leximit” të papërgjegjshëm të votës së lirë, pothuajse është bërë “pronë” e patjetërsueshme  dhe e drejtë e uzurpuar  e lidershipit të (keq) qeverisjes së Republikës së Kosovës në periudhën e pasluftës, duke prodhuar një sistem politik autokratik të tipit aziatik, krejtësisht të ndryshëm dhe në kundërshtim e konfrontim implicit me parimet themelore dhe me vlerat e mirëfillta të demokracisë europiane.

Kjo klasë politike, kryesisht përfshinë PDK-në me satelitët e saj, si dhe pjesërisht edhe LDK-në, që me disa përhashtime të vogla e qeverisën mozomakeq Kosovën pothuajse 18 vjet të “lirisë” dhe pavarësisë.

Natyrisht se populli i Kosovës “nuk han bar”, por i ndëshkoi me votë në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, duke krijuar një renditje të re të forcave politike me Vetëvendosjen në krye dhe me LDK-në e PDK-në larg pas saj.

Por, këtë realitet politik dhe verdiktin e popullit, me papërgjegjësi ekstreme synon ta sfidoj Presidenti Thaçi, duke u përpjekur paturpësosht që koalicionin PAN, si pakicë shqiptare, ta katapultoj këmbëngulësisht në pushtet, qoftë edhe duke krijuar mazhorancë qeverisëse dhe Qeverinë e re të Republikës së Kosovës plotësisht të varur nga Lista Srpska dhe nga Beogradi.

Ky rrezik është real dhe e rrezikon seriozisht Sovranitetin territorial e politik dhe Pavarësinë e Kosovës, për interesa meskine të bandës politike të PAN-it.

Me moton se “institucionet e nuk duhet të qeverisen nga ata që kanë kundër shtetësisë së Kosovës”, Presidenti Thaçi është vënë në shërbim të humbësve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kështu, ai e ka humbur paanësinë e domosdoshme politike që ia imponon Kushtetuta e Republikës së Kosovës institucionit të Presidentit, që aktualisht e ushtron.

Duke e shkelur dhe shpërfillur Kushtetutën, për interesa të ngushta të koalicionit PAN, që ai kokëfortësisht e quan “fitues” të zgjedhjeve, edhepse paraqet realisht humbësit e tyre, meqë për krijimin e mazhorancës së re qeverisëse nuk mjafton “fituesi relativ” dmth 39 deputetët e koalicionit PAN, por është i domosdoshëm “fituesi absolut”, dmth LAA dhe Vetëvendosja, si koalicion i pashpallur paszgjedhor, që ka 61 deputetë shqiptarë dhe paraqet garancë të një performanëse të pashantazhuar nga politika e Beogradit.

Populli i Kosovës PDK-në e Hashim Thaçit, të udhëhequr aktualisht nga Kadri Veseli, e vlerësoi si të keqen e këtij vendi dhe humbësen më të madhe të këtyre zgjedhjeve, duke e radhitur madje në vendin e tretë.

Por, me uzurpimin e pushtetit edhe kundër verdiktit popullor, si dhe me përpjekjet e tyre të paskrupullta, ata synojnë për ta shmangur ose për ta shtyrë rrezikun nga përballja me drejtësinë dhe me ngritjen e aktakuzave të pritura nga Gjykata Speciale, që qëndron tani më e ngritur mbi kokat e bandës kriminale në politikbërjen e këtij vendi, si Shpata e Demokleut”.

Mbase, është koha e fundit e shkapjes së shtetit nga mafia politike e deritanishme, që me metoda aziatike ka krijuar një pushtet autoritar deri në absurd, duke shkatërruar vlerat themelore të demokracisë europiane dhe perspektivën euroatlantike të këtij vendi, që do vijë në shprehje me rastin e mbajtjes së mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, si dhe të krijimit të Qeverisë së re.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch