Home » Lajme, Opinione » Azgan HAKLAJ – ORËT E FUNDIT TË GRUPIMIT ANTI-BASHA OSE TARTUFËVE TË PD-SË

Azgan HAKLAJ – ORËT E FUNDIT TË GRUPIMIT ANTI-BASHA OSE TARTUFËVE TË PD-SË

Referendumi blu më 22 Korrik dhe fitorja plebishitare e Bashës do të shpartallojë Kasandrën e narcistëve.
 
 
Kur e pyetën Gëten se cila është vepra letrare më e shquar artistike ai u përgjig,pa mëdyshje ,e me pak fjalë, një stil që e kanë vetëm gjenitë: Tartufi, tha, sepse nga ekspozimi dhe përmbajtja nuk ka vepër si ajo në botë.
 
E zgjodha jo rastësisht titullin e këtij shkrimi, sepse komediani gjenial Molieri e ka shkruar këtë vepër për të gjitha kohërat, për të gjithë popujt. Ai na paralajmëron se çfarë janë në gjendje të bajnë ata të cilët janë tē zvetënuar nga ndërgjegja e karakteri, të zhveshur nga morali, mirënjohja dhe drejtësia, e në emër të ambicjeve dhe etjes për t`u ngjitur në majat e pushtetit e pēr ta mbajtur atë gjithmonë në kurriz të tjerëve.
 
Ata janë gati të bajnë rolin e Kasandrës, Makiavelit, tē veshin mantelin e profetëve për t`i treguar botës se vetëm ata dhe askush tjetër duhet të jenë lidër, prijës, pushtetarë, shtetarë, zotërinjtë e plotëfuqishëm të fatit dhe të ardhmes tonë të përbashkët.
 
Emrat e bimbashëve, sanxhakbejëve, spahinjëve, kadive të mbetur, jo vetëm pa mandate, grada e ofiqe, por së fundmi dhe pa pikën e nderit dhe dinjitetit politik, moral dhe njerëzor janë emra tē njohur jo vetēm për demokratët e PD-në e cila i pranoi në shtëpinë e vet tē lirisë, por edhe për opinionin publik.
 
Këta narcistë kanē përqafuar, e besojnë dhe mbrojnë fort bestytninē se ashtu siç ndodhet toka mbi veshin e kaut të zi edhe PD-ja mbahet në shtyllen kurrizore të tyre.
 
 Ashtu, siç mund të shkaktojë termet kau i zi me lëvizjen e veshit, këta zotërinj mendojnē se mund ta fshijnë PD-në me një të rënë të lapsit. Kori i tartufëve e i kasandrave hyri dekada mē parë në PD ,sepse ajo ishte tempulli i lirisë, një kult i shenjtë e me dyer të hapura siç janë sinagogat, kishat, xhamitë, teqetë, të cilat kanë gjithmonë dyert e hapura për të mirin dhe të keqin, bamirësin e bakeqin,të devotshim e bukëshkalin, për t`u lutur e penduar natyrisht.
 
Tani, pas kaq vitesh, tartufët e kasandrat e PD-së që kanë thithur palcën e saj si ushunjëza janë urdhëruar nga padrinot e tyre, në hipotekat e të cilëve janë vendosur prej kohësh, të sulmojnë shtëpinë e perbashkët tē demokratēve me artileri të randë, të hapin disa fronte sulmi, në fakt në akord të plotë, në unison për të realizuar skenarin e ustallarëve të tyre. Tani pasi janë vetëdemaskuar shtrohet një pyetje që është me shumë rëndësi jetike jo vetëm për demokracinë, menyrën e qeverisjes dhe tē bërit opozitë, por dhe për vetë historinë e PD-së dhe të pluralizmit shqiptar:
 
Cili ishte misioni i tyre kur u bashkuan me PD-në, dhe në vazhdim çfarë i bashkon në betejën e deshpëruar kundër Bashës, kundër platformës së tij, modelit politik, projektit ekonomik, vazhdimit të kauzës për Republikën e Re, për një Opozitë me transfuzion, me energji e vizione të reja, për platformën e kompromisit politik kur kerkon Atdheu e interesat kombëtare, për një Shqipëri Evropiane e të integruar me shpejtësi e plotësisht në strukturat Euro-Atlantike.
 
Shqipëria, vendi që vuajti për 45 vjet, diktaturën më të egër të botës, në modelin e stalinizmit, nuk e pati as fatin, as mundësinë të krijonte një elitë disidente si vendet e tjera të Lindjes komuniste, si Polonia,Hungaria, apo Çekosllavakia.
 
Lëvizja e Dhjetorit `90-të dhe lindja e PD, si parti antikomuniste e properëndimore u dha mundësi qindra e mijëra njerëzve, besnikë fanatikë të regjimit të vjetër të ndërronin këmishën e kuqe me atë blu dhe pa u varrosur akoma kufoma e diktaturës të vetëshpallen demokratë. Më të suksesshmit u treguan pikërisht ata qē ngjitën shkallët e karrierës në PD dhe nē qeveritë e djathta dhe sot në kohën e reformimit të thellë të PD-së dhe konsolidimit të saj për të ndalur revanshin e Rilindjes janë angazhuar në njē betejë të ethshme dhe dëshpëruese kundēr Lulzim Bashës.
 
Kjo simfoni uluritëse e tyre të kujton Kasandrën e Trojës 2.700 vjet më parë, se po nuk u dëbua Paridi nga keshtjella Troja do të digjet. Basha sipas tyre është rrembyesi, uzurpatori i PD-së, simboli i humbjes, sjellësi i katastrofës dhe më tej akoma tradhtari, se nuk i pyeti këta engjejë, këta meleqë, senatorēt e përjetshëm, orakujt blu kur Basha bëri Marrëveshjen me kryeministrin Rama.
 
 Anatemimi i kësaj Marrveshje historike Basha-Rama, të cilën për nga rëndesia për të sotmen e të nesërmen panshqiptare nga interesi i publikut dhe monitorimi ndërkombtar do ta quaja njē “Rambuje” shqiptare, është çelësi që na ndihmon për të zbuluar kodin etik-moral dhe politik të grupimit anti-Basha.
 
Paradoksi i madh qëndron në faktin se grupimi anti-Basha, që tani janë rreshtuar në krahë tē dyshes Rama-Meta, në Dhjetorin historik të `90-ës, evenimenti më i madh kombëtar pas shpalljes së Pavarësisë, ose ishin askushi, ose burokratë mediokër, të bindur të sistemit, e nuk patën kurajo të bëheshin pjesë e kësaj Lëvizjeje, si Meta atë kohë student e Rama pedagog. E kundërta ndodhi.
 
 Disa prej tyre, që sot duan ta shpëtojnë PD-në , formuan Shoqatën e Vullnetarëve të Enver Hoxhës, me bustin e tij në shpinë vershuan në sheshet e Shqipërisë për të mbrojtur regjimin e vjetër.
 
Marrëveshja Basha-Rama e imponuar nga lideri i opozitës, me mbështetjen e Perëndimit, kryesisht të Amerikës, i la me gisht në gojë regjizorët e Kremlinit, Basha ua la dopio gjashtën në dorë presidentit, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, të gjithë atyre që projektuan asgjësimin e Opozitës dhe përgjakjen e Demokracisë shqiptare.
 
Basha i bëri një shërbim të vyer e historik Atdheut, Kombit ,Shqiptar, politikës, duke shkundur e rrëzuar nga trupi i parlamentit, qeverisë, partive kryesore politike, banditët politikë, dallkaukë e karrieristë të cilët prej gati tre dekadash kanë livadhisur si dikur emisarët otomanë në kazatë, vilajetet ,e pashallëqet shqiptare.
 
Për këtë Basha ka meritë historike.
 
Dritëshkurtrit që sot sulmojnë Bashën për tradhëti ndaj demokratëve, janë nxënës mediokër të historisë, të cilëve u kanë mbetur vetëm dy armë të ndryshkura në fushëbetejë: Mashtrimi dhe shpifja.
 
Historia e njerëzimit dhe e kombeve na tregon se përballë rreziqeve të mëdha burrat e shtetit kanë ditur të bajnë marrëveshje e pakte historike me kundërshtarët e tyre.
 
E tillë ka qenë Aleanca Ballkanike në Betejën e Fushë-Kosovës në vitin 1389, Lidhja e Shenjtë kundër Napoleonit në shekullin e 18-të, apo e Çurçillit-Ruzveltit me Stalinin kundër Hitlerit.
 
Në Italinë e pasluftës Dytë Botërore ishte aleanca e Demokristianëve të Aldo Mores me PK-të që e shpëtoi Atdheun e Dantes e Davinçit nga ekspansioni komunist rus dhe terrori i brigadave të kuqe. Aldo More për interesat e atdheut tē tij sakrifikoj gjithçka, edhe më të shtrenjtën, jetën….
 
Ish ministrat, ish deputetët, diplomatët e deshtuar që sabotuan edhe çështjen kombtare, drejtues medias, zhurnalistë politikë, të tipit çorape, tē promovuar e të mbajtur gjallë me dhjamin e PD-së, kujtojnë me deshpërim kohën kur ladronin e kalaronin në livadhin blu si u donte qefi. Ata tani po kujtojnë me nostalgji, dhimbje e dëshpërim kohën kur hartonin lista deputetësh, shisnin mandate në tregun e zi të politikës në këmbim të lumenjëve të parave, trojeve në bregdet, lejeve të ndërtimit, apo privatizimit për 5 astra të ndërtesave dhe pronës publike.
 
Këta tartufë modernë  kanë veshur lëkurën e qengjit, marrin pa të keq poza tē persekutuarish,e na hiqen si të tradhtuar nga Basha e kërkojnë mbështetjen e demokratëve.
 
A nuk kemi tē drejtë t`i pyesim këta mercenarë, këta bashibuzukë: Çfarë përfaqësojmë ne të tjerët,  Studentët e Dhjetorit  `90-të, qindra-mijëra të persekutuarit politikë, intelektualët, rinia, qëndrestarët e vërtetë të  `97-tës  në të katër anët e Shqipërisë që janë shpirti, qëndresa dhe kolona vertebrale e Partisë Demokratike!??
 
 Referendumi blu i 22 korrikut do t`i japë një mbështetje plebishitare Lulzim Bashës dhe do të shpartallojë ëndrrat e narcistëvë që bajnë Kasandrën. Koha e tartufëve ka mbaruar.
AZGAN HAKLAJ

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch