Home » Kulturë, Lajme » Baca Fahri godet sërish

Baca Fahri godet sërish

Shkruan : Elvi Sidheri

libri-fahri-xharres-1

Brenda pak ditësh, për të tërë simpatizantët, bashkëndarësit e kauzës kombëtare shqiptare, lexuesit e tij të shumtë anembanë globit shqiptar pa dallim feje, krahine dhe ideje, për ëndjen e tërë ndjekësve të tij në rrjetet sociale dhe mbi të gjitha, për të mirën absolute të vetë çështjes shqiptare në këto ditë të fundit të 2016-ës së shekullit e mijëvjeçarit të ri, lexuesi shqiptar pritet të ketë privilegjin të gëzojë librin e ri të mjeshtrit të fjalës, të mendimit, të parimit dhe synimit e idealit shqiptar, bacës (siç e pata quajtur dikur) Fahri Xharra.

Nuk ka sesi të jetë ky shkrim modest një recension për botimin e këtij libri, “Çështja Shqiptare në Shekuj” me publicistikë dhe shkrime të zgjedhur nga ky njeri që do të ishte një cilësim tejet i mangët ta quanim thjesht një “autor” që i avitet kureshtjes lexonjëse të shqiptarëve porsi shumë të tjerë syresh.

Libri i bacës apo siç tashmë po mëtojmë ta pagëzojmë, mjeshtrit Fahri, përbën diçka të re në yjësinë e letrave shqipe, meqënëse Fahriu vjen për të grishur ndjenjat dhe vëmendjen e shqiptarëve, përmes hulumtimeve të tij të pafunda historike, përmes dëshirës së tij të zjarrtë për të bërë diçka të vlefshme për shqiptarët në vijimësi nëpërmjet tentativave të pandalura për t’ua hapur atyre sytë lidhur me të shkuarën e harruar, si dhe të tashmen e tyre akoma fort të mjegullt.

Ky libër padyshim që do të vijë edhe si një kurorëzim i përpjekjeve të tij të pareshtura për t’i shërbyer çështjes kombëtare me vepra, me mendim e qëllimin e pashtershëm të një ideali kombëtar në stilin, pasionin dhe çiltërsinë e qëmotshme të rilindjes kombëtare shqiptare, atëherë kur qenë hedhur themelet e pavarësisë së shtetit shqiptar, të gjuhës me analfabet të unifikuar shqip e kur Kosova e tij martire do të binte në kthetrat e Serbisë shoviniste.

Është pra, pikërisht ky pathos patriotik, kjo zemër e çiltër që rreh shqip, këto shtytje të pandalshme patriotike, që e vënë gjithnjë në lëvizje dorën dhe mendjen e mjeshtrit Fahri, për t’i ushqyer në vijimësi lexuesit e tij të shumtë me analizat, sintezat, thellimet dhe këndvështrimet e tij historiografike lidhur me shqiptarët ndër shekuj, ashtu si edhe në ditët e sotme.

Fahriu shpesh mund të notojë kundër rrymës me tezat e tij mbi të vërtetat e mohuara të shqiptarëve, mbi sekretet e pashfaqura të çështjes kombëtare, mbi dëmet e pafund që i janë bërë këtij kombi nga fqinjët, fuqitë e huaja, ish sunduesit turq-osmanë, nga kuislingët dhe shpirt-shiturit vendas e shumëkush apo shumëçka tjetër.

Dhe miq, do pranuar diçka gjithësesi, që thuajse në çdo rast që mjeshtri i fjalës dhe mendjes Fahri na sjell një thellim të ri historik apo analizë të tijën kritike apo syçelëse lidhur me realitetin apo të shkuarën e zymtë shqiptare, ai godet përherë në shenjë me tezat dhe pozicionet që zgjedh të mbajë.

Kjo mendje e mprehtë e një njeriu nga Gjakova e bukur dhe historiplotë mbarsur me gjurmë patriotizmi të kulluar shqiptar, kulturë dhe ëndje për dije dhe gjuhë shqipe, na ka dhuruar aq fakte, pikëpamje të panjohur më parë, burime të reja e na i ka zgjeruar njohuritë mbi qindra a mijëra ngjarje vendimtare të historisë tonë shqiptare, asaj të njohurës botërisht apo të ndryrë nga vargonjtë e harresës së qëllimshme të historisë dhe antagonistëve të ekzistencës së popullit tonë në këto troje, saqë sot mjeshtri Fahri me plot të drejtë bën pjesë në ata pak njerëz që aktualitetit shqiptar i nevojiten si ujët e pakët.

Zëra dhe mendje të ditura si mjeshtri Fahri, përbëjnë një “sine qua non” (pa të cilin nuk i dilet dot) për përditshmërinë e lodhshme dhe shpesh çorientuese shqiptare.

Ky njeri që palodhshëm e pasuron lexuesin shqiptar me të dhëna pafund mbi të shkuarën dhe të tashmen e tij “100%” shqiptare, që gjëmon rrënjët e të vërtetave, miteve të pathëna dhe gjenezën e mëkateve të panumërta të kryera në kurriz të shqiptarëve, tashmë do të përjetësohet edhe nëpër faqet e një libri, ku secili prej nesh ka për të hasur diçka që e prek edhe atë personalisht në thellësinë e qenësisë të tij si shqiptar, pasardhës i atyre brezave mijëravjeçarë iliro-arbërorë e shqiptarë të cilëve u drejtohet me analizat dhe mprehtësinë e tij patriotike mjeshtri Fahri.

Urime pra mjeshtër e mos resht kurrë së shkruari shqip për shqiptarët

Elvi Sidheri , Tiranë

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch