Home » Lajme, Sport » Bajerni e “torturoi” Barçën edhe në “Camp Nou”, finale gjermane

Bajerni e “torturoi” Barçën edhe në “Camp Nou”, finale gjermane

Finalja e 25 majit në “Wembley” për trofeun e Ligës së Kampionëve do të jetë plotësisht gjermane. Pas Borusisë së Dortmundit, biletën për në ‘gjigantin’ e Londrës e ka prerë edhe Bajerni i Munihut. Skuadra e drejtuar nga Jup Hejnkes e ka mposhtur Barcelonën edhe në ndeshjen e kthimit në “Camp Nou”, të mërkurën në mbrëmje, me rezultat 3:0, duke u kualifikuar në finale me plot meritë, me shifrat e përgjithshme pas 180 minutash lojë, 7:0.

Mungesa e befasishme e Lionel Mesit në përbërjen e parë u vërejt dukshëm në lojën e katalonasve, të cilët nuk arritën thuajse për asnjë çast ta rrezikojnë kualifikimin e bavarezëve. Këta të fundit e nisën mirë ndeshjen, duke rrezikuar në minutën e 11-të, kur Roben doli në pozitë të mirë, por Pike reagoi me kohë.

Shtatë minuta më vonë Lahm pati mundësi të mirë, por gjuajtjen e tij e bllokoi Pike. Në anën tjetër rastin e parë konkret katalonasit e patën në minutën e 27-të, kur Çavi gjuajti pak mbi portën e Nojerit. Deri në fund të pjesës së parë edhe Adriano u përpoq të gjejë golin, por Nojer e ndali me sukses gjuajtjen e tij.

Bavarezët kaluan në epërsi vetëm pas tre minutash lojë në pjesën e dytë, kur Roben shënoi nga brendësia e zonës, duke i dhënë fund shpresave të katalonasve për një përmbysje të rezultatit. Mirëpo, ky nuk ishte goli i vetëm i bavarezëve. Në minutën e 72-të, Pike shënoi autogol pas harkimit të Riberisë, kurse kapitullimin e plotë të katalonasve e vulosi Tomas Myller, në minutën e 76-të, me golin e shënuar me gjuajtje me kokë pas harkimit të Riberisë, 3:0.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch