Home » Lajme, Opinione, Vendore » Ballafaqime:Kosova Lindore në udhëkryq – AS ME PRISHTINË, AS ME BARILEVË!

Ballafaqime:Kosova Lindore në udhëkryq – AS ME PRISHTINË, AS ME BARILEVË!

Nga Tërnoci PRESS

 

Kryetari i Shoqatës së të dëbuarëve nga Kosova Lindore “Vatra” Sejdullah Kadriu, gjatë një takimi, në Prishtinë, me nënkryetarin e PDK-së Rrustem Mustafa, ndonëse e ka vlerësuar pozitiv, ai, ka sugjeruar se problemi i Kosovës Lindore, kërkohet të trajtohet ndaras nga veriu i Kosovës.

 

Potë njëjtën ditë ka reaguar njeriu numër dy i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi se “në dialogun e ardhshëm, padyshim se edhe çështja e shqiptarëve nga Lugina e Preshvës do të zë vendin e merituar”.

 

Prishtina zyrtare është e interesuar për përmirësimin dhe normalizimin e gjendjes së shqiptarëve etnik në Preshevë, Bujanoc dhe Medevgjë, si kusht për normalizimin e raporteve Kosovës-Serbi.

 

Krejt në rregull edhe Beogradi është i interesuar për përmirësimin e gjendjes së pakicës shqiptare në Serbi, ashtu sic është e interesuar t’i zgjidh problemet e hungarezve, sanxhaklinjve, romëve etj.

 

Pakicat kombëtare, sot, në Ballkan nuk janë vetëm problem i Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, por një problem I ndieshëm që kërkon zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare.

 

Por, problemi qëndron diku tjetër. Shqiptarët e Kosovës Lindore, nuk e llogarisin veten pakicë kombëtare në Serbi, ata politikisht e historikisht janë aneksuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdimisht kërkojnë bashkim me Kosovën.

 

Për t’i realizuar të drejtat e tyre individuale dhe kolektive, shqiptarët e Kosovës Lindore, më 1992 e bënë Referendumin, duke e shprehur vullnetin politik për bashkim me Kosovën, pastaj gjatë vitit 1999-2001, i kapën armët në dorë kundër regjimit të Millosheviqit, në vitin 2001 e arritën Marrëveshjen Paqësore të Konculit, më 2006, këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nxorrën Platformën politike, për tu trajtuar si regjion specifik me vecuri specifike.

 

Nuk e dim se cka duhet të bëjnë edhe dicka tjetër shqiptarët e Kosovës Lindore, për t’i realizuar aspiratat e tyre shekullore për bashkim dhe integrim me Kosovën, pjesë integrale të së cilës kanë qenë gjithmonë gjatë historisë.

 

E, sot, dalin parti politike dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, me deklarata e opsione të ndryshme se a duhet të përfshihet Kosova Lindore në bisedimet e ardhshme midis Prishtinës dhe Beogradit?!

 

Prishtina duhet të marrë mësim nga Beogradi, se si duhet të mbrohen të drejtat e bashkëkombësve.

 

Nuk mjafton vetëm të thuhet se po interesohemi për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Kosovën Lindore, sikur të ishim rom, egjiptian, cincar, pa Atdhe.

 

Për veprime të tilla duhet zëri i Qverisë së Kosovës,në kordinim me kërkesat legjitime të shqiptarëve të krahut të saj lindor, ashtu sic bënë Qeveria e Serbisë për serbët e veriut të Kosovës.

 

Beogradi, që nga viti 1999, i financon serbët e Kosovës, duke llogaritur pagat mujore, honoraret dhe projektet e ndryshme si stimulim për t’i bojkotuar institucionet legale të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve.

 

Pavarësisht nga këto programe, Beogradi edhe sot kërkon dialog me Kosovën pa shkëputur veriun e saj, e Prishtinë i rrudh krahët, duke mos kërkuar të njëjtën për shqiptarët e saj në jug të Serbisë.

 

Këto hezitime të Prishtinës e dëmtojnë shumë procesin e zhvillimeve politike në rajonin e Kosovës Lindore, duke mbjell dëshprim, zhgënjim e hidhërim te bashkëkombësit e saj, të cilët asnjëherë nuk u ndanë për ta bërë Kosovën Republikë.

 

Këto deklarata të zyrtarëve të Kosovës rreth përfshirjes apo mospërfshirjes së shqiptarëve të Kosovës Lindore në dialogun Prishtinë-Beograd, të paktën nuk duhet thënë pikërisht në prag të shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, i cili si duket edhe kësaj radhe do të lë me shpresa të thyera.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch