Home » Lajme » Basha lideri i ri i Partisë Demokratike

Basha lideri i ri i Partisë Demokratike

Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kandidati humbës Sokol Olldashi e panë në kënde të ndryshëm mbarimin e procesit zgjedhor. Basha u angazhua për udhëheqje të mirë dhe fitore në zgjedhjet e ardhshme bashkërisht me cilindo. Kurse, Olldashi gjykoi se procesi zgjedhor brendapartiak u deformua dhe ishte shoqëruar me parregullsi.

Lulzim Basha bëri thirrje për bashkim të të gjithë anëtarëve, mbështetësve e militantëve për të kthyer sa më shpejt Partinë Demokratike në shumicë qeverisjeje në Shqipëri. Basha bëri deklaratën e parë pasi u votua si kryetar i Partisë Demokratike. Kryetari i ri, Lulzim Basha theksoi zotimin për opozitë të fortë kundrejt koalicionit të socialistëve. Njëherit kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha fitoi 80,39 për qind të votave të më shumë se 100 mijë nga 106 mijë anëtarët e Partisë Demokratike.

“Detyrat që na presin nuk janë të lehtë. Sfidat janë të mëdha. Por, ne kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur, të hapur në vlerat e shpirtit pozitiv të demokratëve, ne jemi përballur me sukses dhe kemi fituar. Ne do të krijojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore, por edhe alternative. Do të jemi në një përballje publike të përhershme për çdo sektor, për çdo situatë”, tha ai.

Kandidati humbës Sokol Olldashi nuk e mirëpriti rezultatin. Olldashi fitoi 19,61 për qind të votave, rreth 25 mijë më pak se kandidati Basha. Por, për ministrin e Transportit dhe Punëve Publike, Olldashi, procesi brendapartiak u deformua dhe u shoqërua me parregullsi.

“Përzgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike u bë përmes një procesi të deformuar. Nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave, listat nuk u vunë në dispozicionin tim, shumë demokratë nuk gjetën emrin në lista, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në dy javët e fundit. Procesi, për të cilin u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë”, tha ai.

I dorëhequr pas humbjes së humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, kryeministri Sali Berisha përshëndeti procesin.

“Është garë në kulturën e Partisë Demokratike! Ai që fiton, fiton dhe do ta mbështesim me të gjithë potencialin. Ai që nuk fiton, do të mbështesë fituesin dhe pranojë humbjen. I falënderoj të dy, sepse nuk kam marrë asnjë fitbek prej tyre për këtë kërkesë. Cili është roli i zotit Olldashi dhe secilit prej tyre? Shumë i madh”!”, tha ai.

Numërimi i votave në Pallatin e Kongreseve përfundoi për thuajse 7 orë që nga mesanata. Lulzim Basha është i katërti kryetar si emër dhe i pesti në radhë që nga krijimi i Partisë Demokratike në 8 dhjetor 1990 pas Azem Hajdarit, Sali Berishës, Eduard Selamit, Tritan Shehut dhe përsëri Sali Berishës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch