Home » Kulturë » BASHKATDHETARI, PEDAGOGU E MËSUESI I MADH DASHURI, MIQËSI E NJERËZI”

BASHKATDHETARI, PEDAGOGU E MËSUESI I MADH DASHURI, MIQËSI E NJERËZI”

Nga: Prof. Fazli Hajrizi  -Kosovë

Familjes së të ndjerit Ibrahim Gashi,

I dashur vëllai ynë i nderuar, Murat Gecaj, mik i ngushtë i tij!

Vdekja e mikut Tuaj e vëllait tonë të shtrenjtë, Ibrahim Gashi, na i ka lëkundur zemrat. Megjithatë, na mban krenaria, që patëm fatin të jetojmë në kohën e tij, ta njohim shpirtin dhe zemrën e tij. Ai ndërroi jetë, u nda nga ne, por tash e tutje jeton në një trajtë tjetër. Fatkeqësisht, vdekja e atyre që kryejnë vepra të pavdekshme, është gjithmonë e parakohshme. Dr. Ibrahim Gashi bëri vepra të pavdekshme, prandaj vdekja e tij është e parakohshme. Megjithatë, Ai do të jetojë për sa kohë jetojnë të gjallët, që do ta kujtojnë, por dhe breza pasardhës.

Shpëtimi i botës varet nga tri gjëra: mendja, fjala dhe puna. Dr. Ibrahim Gashi ishte njëri nga shpëtimtarët e botës, sepse gjithmonë mendoi mirë, foli mirë dhe punoi mirë. Gjatë tërë jetës së tij rrezatoi dashuri, miqësi, njerëzi. Ai ishte si buka. Ishte shumë i ditur, shumë punëtor, shumë i dashur, shumë i ndershëm. Dija i dha peshë veprimi-shkëlqimi. Duke qenë shumë punëtor, gjithmonë e quante të papërfunduar veprën e tij. Puna e ka faqen e bardhë. Fara e mbjellë nga ai si mendimtar pret të korret nga populli ynë.

Dr. Ibrahim Gashi ishte një orator i madh. Fjala e tij buronte nga një njohje e përkryer e çështjeve. Ai pasqyronte gjithnjë një fisnikëri shpirtërore, që i bënte për vete bashkëbiseduesit e dëgjuesit. Duke pasur një zemër të artë, ai nuk mund të ishte i rreptë. Në çdo fjalë tregonte bujarinë dhe veprimin e tij të njerëzishëm. Ishte me karakter të fortë, i përmbajtur, i afrueshëm, “i rëndë” në paraqitje, i duruar, i përzemërt e plot butësi. Dinte të sillej në mënyrë të mrekullueshme me persona me karakter të vështirë. I mungonin disa vese, duke qenë i përkryer, si për shembull: krenaria, kotësia e sedra, me të cilën mund të bëhen gjëra të mëdha.

Mençuria shkëlqen edhe pas vdekjes. Njerëzit e mëdhenj janë si malet, vetëm nga larg mund të matet më mirë lartësia e tyre! Ai kudo mbolli dashuri dhe korri miqësi. Virtyti është shëndeti i shpirtit. Te Ibrahim Gashi merrte frymë virtyti, prandaj mbolli virtytin dhe korri lavdinë. Durimi ishte virtyti më heroik i tij. Vlerësimin më të madh, që mori si njeri i virtytshëm, është dashamirësia e njerëzve të tij. Ishte njeriu më i pasur në botë sepse kishte zemrën e pastër; një sundimtar i vullnetit të tij dhe skllav i ndërgjegjes së tij.

Dr. Ibrahim Gashi ishte një mësues i mrekullueshëm. Unë kam mësuar shumë prej tij. Kemi bashkëpunuar për disa çështje. Vetëm ata që kanë bashkëpunuar me të, e dinë sa zemërgjerë e shpirtthellë, sa i ditur e korrekt ishte. Një mësues i mirë është më shumë se një raft me libra.

Ndjehej njeriu më i lumtur, kur i jepej mundësia t’u ofrojë lumturinë të tjerëve. Është i lumtur, kush vdes pasi e ka jetuar jetën ndershmërisht. Të gjithë ata, që merren me punë shkencore, e njohin punën prej “argati dhe minatori” të shkencëtarit. Për këtë arsye, themi se Dr. Ibrahim Gashi do ta nderonte Akademinë tonë të Shkencave dhe Arteve. Me punë prometeike gjatë gjithë jetës së tij,  Dr. Ibrahim Rr. Gashi e ka fituar lavdinë. Prandaj do të mbetet i pavdekshëm.

Pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.

Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Ibrahim Gashit!

Më 12 maj 2012

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch