Home » Lajme, Vendore » Bashkësia Lokale Zarbicë – MALËSIA E BUJANOCIT E HARRUAR NGA PUSHTETARËT

Bashkësia Lokale Zarbicë – MALËSIA E BUJANOCIT E HARRUAR NGA PUSHTETARËT

selami bajrami 1Në prag të festave të motmotit, kryetari i Bashkësisë Lokale të Zarbicës, Selami Bajrami, ka hedhur një varg kritikash në adresë të pushtetit lokal dhe të atij shtetëror.

Në reagimin e zotëri Bajramit, janë evidentuar marifetllëqet e institucioneve lokale, shtetërore dhe ndërkombëtare, të cilat janë fajtore kryesore për gjendjen e mjeruar politike dhe ekonomike, në të cilën ka rënë Bashkësia Lokale e Zarbicës, e cila në kuadër të saj përfshinë vendbanimet: Priboc, Zarbicë, Suharrnë dhe Novosellë.

Mbi 3100 banorë të këtyre zonave kufitare u detyruan me dhunë t’i braktisin vatrat stërgjyshore, për të kërkuar strehë shpëtimi nëpër disa qendra të Kosovës. Përfundimi i proceseve luftarake dhe Marrëveshja Paqësore e Konçulit, nuk solli demilitarizimin e rajonit, kompenzimin e dëmeve të luftës dhe as rivitalizimin e Malësisë së Bujanocin, për kthim të papenguar të qytetarëve në vendbanimet e tyre.

Që nga viti 2002, kur për herë të parë në historinë e Komunës së Bujanocit, me ndihmën e ndërkombëtarëve erdhën në pushtet shqiptarët, nuk u bë asnjë hap konkret në rregullimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për kthimin e të të zhvendosurve. Një gjendje e tillë e Malësisë nuk ndryshoi edhe pas zgjedhjeve të 2006 – 2008 e 2012. Pra edhe pas 13 vjetësh, qeverisje lokale të Bujanoci dhe Trupit Koordinues, Malësia e Bujanocit, përballet po me të njëjtat probleme, me të cilat është ballafaquar gjatë regjimit të Millosheviqit.

Një përmirësim të gjendjes së sigurisë nuk tregoi as policia multietnike e cila u riorganizua nga OSBE-ja, nga se në radhët e kësaj policie nuk u inkuadruan vetëm kandidatë nga Lugina, por edhe serbë të Kosovës, të cilën ishin të ngarkuar me disponim antishqiptar. Kjo polici multietnike, mjerisht ishte më multietnike nga qe e pritnin shqiptarët e Luginës.

Një përgjegjësi bie edhe mbi komisionin e pranimit të policisë multietnike, në radhët e të cilës kishte edhe shqiptarë. Asnjë kandidat i vetëm nuk u pranua në policinë multietnike nga Malësia e Bujanocit, ndonëse pati mbi dhjetëra kërkesa nga këto vendbanime. Po të ishin pranuar të paktën pesë policë nga Bashkësia Lokale e Zarbicës, me siguri se do të ishin kthyer pesë familje e me këtë do të ishin motivuar edhe shumë familje të tjera për kthim.

Gjatë proceseve zgjedhore banorët e Malësisë dhanë një kontribut serioz, duke ia shtuar numrin e këshilltarëve shqiptarë Kuvendit komunal të Bujanocit. Vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit 2012, nga BL e Zarbicës u grumbulluan 1168 vota, nga të cilat u sigurua vetëm një anëtar i Këshillit Komunal e asgjë më shumë, ndërsa një parti serbe, me 2100 vota i siguroi 5 këshilltarë.

Pushteti lokal i Bujanocit i udhëhequr nga shqiptarët e Trupi Koordinues, nuk ofruan fonde për krijimin e kushteve për kthim në Malësi, por as u kujdesën për ato pak familje, të cilat jetojnë në këto vise kodrinore.

Po hallet e Bashkësisë Lokale të Zarbicës, nuk përfundojnë me kaq. Në mungesë të investimeve, mbylljes së zyrës së vendit, shlyerja nga evidence e gjendjes civili, pasivizimi i vendbanimeve, mos demilitarizimi i rajonit, infrastruktura e shkatërruar janë shkaktarët kryesor të gjendjes së vështirëve, në të cilën gjendet Malësia e Bujanocit, e përgjegjësia bie kryesisht mbi krerët institucional të Komunës së Bujanocit, Trupit

Koordinues dhe faktorëve ndërkombëtarë, të cilët proceset për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës i lanë në gjysmë të rrugës, pa ndonjë alternativë konkrete për tejkalimin e tyre, thuhet në reagimin e kryetarit të Bashkësisë Lokale të Zarbicës, Selami Bajrami.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress