Home » Lajme, Rajonale » Bashkimi i shqiptarëve të Tuzit ripërtëritje e Besëlidhjes së Lezhës së Gjergj Kastriotit

Bashkimi i shqiptarëve të Tuzit ripërtëritje e Besëlidhjes së Lezhës së Gjergj Kastriotit

Shqiptarët e Tuzit me votën referendare vendosin: Tuzi shqiptar

Nga Azgan HAKLAJ

Në Jubileun e Besëlidhjes së Lezhës, e cila shpalli Platformën e Bashkimit Politik dhe Ushtarak të Kombit Shqiptar për çlirimin e Atdheut dhe krijimin e Shtetit Nacional, shqiptarët e Tuzit dhe liderët e tyre politikë kanë vendosur të jetësojnë porosinë e fundit të Gjergj Kastriotit:
“Jini të bashkuar”! Ashtu si thuprat në dorën e Gjinit të vogël, të cilat sëbashku askush nuk mund t’i thyej.

Liderët e partive shqiptare në Mal të Zi me një vendim të lartë patriotizmi ulën flamujt e partive dhe vendosën të ngrenë Flamurin Shqiptar në Tuz, me Aleancën e përbashkët për zgjedhjet vendore që përfaqësohet me nr 5.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” përshëndet dhe e përkrah pa rezerva këtë Besëlidhje të Shenjtë, e cila vjen në Jubileun e pesë ngjarjeve kulmore të Kombit Shqiptar:

2 Marsi 1444 i Besëlidhjes Lezhës; 20 vjetori i bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë gjakatare milloshoviçiane; 20 vjetori i çlirimit të Kosovës; 10 vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe Rruga Euro-Atlantike e Maqedonisë dhe zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe, e cila u ba e mundur falë kontributit vendimtar të faktorit shqiptar atje.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar duke evokuar qëndresën heroike shekullore të Shqiptarëve të kësaj Treve për liri, pavarwsi e dinjitet kombëtar ju ban thirrje vëllezërve dhe motrave të Tuzit që të dalin masivisht në votime me moton: “Një votë për Atdheun”, për të qenë përgjithmonë Zot të fatit të tyre në trojet etnike stërgjyshore.

Shqiptarët e Tuzit dhe të Malit të Zi janë mbartës të një historie të lavdishme 2000-vjeçare.

Nën udhëheqjen e Teutës e të Gentit, të Balshajve, të prijësit të tyre Cernejoviç – kunati i Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës në Beslidhjen e Lezhës; të Lala Drekalit të Kuvendit të Kuçit – Aleancës Ballkanike kundër Perandorisë Turke;  Norës së Kelmendit;  të Hodo Sokolit; Baca Kurtit; Çun Mulës;  Ali Pashës Gucisë; Jakup Ferrit, të shquar në betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga coptimi i traktateve, konferencave antishqiptare të Fuqive të Mëdha në kurriz të trungut të Kombit tonë.

Malsia e Madhe është epiqendra e qëndresës antikomuniste.

Pikërisht në këtë Trevë liridashëse, e cila e mbajti në shekuj të pashuar pishtarin e Lirisë, lindi dhe u rrit Luani i Maleve,  Ded Gjon Luli, i cili e ktheu Deçiçin në një Krujë të Dytë, duke shpalosur të lirë madhërisht mbi bedenat e kalasë së Bratilës, pas pesë shekujsh, Flamurin e Aleksandrit të Madh, Pirros, Teutës dhe Gjergj Kastriotit.

Historianët tashmë janë të bindur se Kryengritja e vitit 1911, qëndresa legjendare e trimave të Malsisë së Madhe, është gurëthemeli i Pavarwsisë së Shqipërisë.

Plaku i Vlorës, arkitekti i Nëntorit të Dytë, Ismail Qemali, e ka quajtur  Ded Gjon Lulin: ” Pushkë e ngrehur për Shqiptarinë”.

Deklaratën e Ismail Qemalit e sanksionon bukur kanga e Hana Nikëprelës:

“Burrat në male e ruajtën Besën

Djepi i madh përkundi shpresën.

Vjen lavdia e Kastriotit.

Kuqezi Bratilja e Hotit.

Moj Malësi sa të ka hije,

Dallandyshe Pavarësisë”

Ded Gjon Luli u bë refren i patriotizmit kombëtar, siç e ka skalitur populli në vargje:

“Kruja e Dytë Vlora e Parë

            Ded Gjon Luli flamurtar”.

            Ded Gjon Luli, kërkesës kompromentuese për bashkëpunim të të derguarit të Sulltanit, Bedri Pashës, iu përgjigj: “Nuk jam pasterma me u ter në trinë”, duke refuzuar kështu në këmbim të uljes së armëve një “dhuratë” prej mijëra napolonash të arta.

Po me kaq vendosmëri ky flamurtar i Kombit iu përgjigj flakë për flakë synimeve grabitqare të Knjaz Nikollës. Ai ia përplosi në sy Knjazit të Çetinës fjalët lapidare: -“Gospodar, na nuk luftuam për të nxjerrë jashtë një mbret e për të fut brenda një tjetër. Për këtë Besë po guxove ti prekësh trojet e mia ta kam vu pushkën njëlloj si Sulltanit”

Amaneti i të parëve është i shenjtë për shqiparët dhe te bashkimi qëndron forca janë e vendosmëria e përjetëshme për t’i dalë zot Atdheut.

Ded Gjon Luli u flijua në Altarin e Atdheut sëbashku me familjen e tij për t’u bërë i pavdekshëm e burim frymëzimi për Komandantin e UÇK-së Adem Jashari e familjen e tij, Familjen Haradinaj, familjen Lladrovci e qindra familje shqiptare e mijëra djemë e vajza të Kosovës, por dhe mbarë Kombit Shqiptar që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.

Përkrah  Ded Gjon Lulit luftuan me heroizëm sokoleshat e Malësisë. Populli i ka përjetësuar me vargjet:

“Po luftojnë gratë e malit

Nora e Hotit e Tringa e Smajlit

Po lufton Tringa e Grudës

Flakë për flakë në grykë të pushkës”.

Malësia e Madhe është epiqendra e qëndresës heroike dhe e Kryengritjes Antikomuniste të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe nga burri i shquar i Vermoshit, Prek Cali, i cili për kontributin e tij historik në mbrojtje të trojeve të Malësisë së Madhe, të kufirit me Malin e Zi, është cilësuar “Piramida e Atdheut”, ashtu si Isa Boletini: “Robin Hudi shqiptar”.

Shqiptarët e Malit të Zi janë vendosur gjithmonë në kahjen e drejtë të historisë. Ata ishin vendimtar në Pavarësinë e Malit të Zi dhe e ndihmuan me të gjitha mjetet dhe potencialin e tyre çlirimin e Kosovës.

Pikërisht për këtë kontribut të shquar që ata kanë dhanë për Atdheun dhe çështjen kombëtare, sytë e gjithë shqiptarëve në Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Çamëri e Diasporë, me dt. 3 mars 2019, janë të drejtuar nga Tuzi.

Me dt. 3 mars 2019 vëllezërit tanë të bashkuar me zemër, besë, shpirt, me betim solemn para Flamurit dhe Atdheut e kanë në dorë fatin e tyre.

Me dt. 3 mars ripërtërihet Besëlidhja e lashtë, e cila hodhi themelet e lirisë e të Shtetit Komb duke u bërë udhërrefyesja e Shqiptarëve për shekujt që do të vijnë.

Ashtu si në Lezhë, Prizren, Pejë, në Shkup e Junik, ku u vendosën fatet tona, edhe Tuzi do të vendosë përjetësisht për të ardhmen e kësaj Treve heroike të Atdheut, me votën e tyre referendare, për Tuzin Shqiptar.

Shqiptarët e Malit të Zi me votën e tyre, në Historinë e Re, përcaktuan Pavarësinë e Malit të Zi, antarësimin në NATO, asgjësuan Grushtin e Shtetit dhe mundësuan formimin e Qeverisë Malazeze properëndimore.

Shqiptarët e Tuzit në mënyrë plebishitare me dt. 3 Mars 2019 do të vendosin me votën e tyre:
Tuzi Shqiptar.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch