Home » Intervistë, Lajme » BEQIR AJAZI: PROKURORI IM ,NJË FASHIST I KTHYER NË KOMUNIST. NJOHJA ME HOXHËN PËRBALLJA ME SHEHUN. ABAZ KUPI E PËRZURI POPOVIÇIN NGA KONFERENCA E PEZËS

BEQIR AJAZI: PROKURORI IM ,NJË FASHIST I KTHYER NË KOMUNIST. NJOHJA ME HOXHËN PËRBALLJA ME SHEHUN. ABAZ KUPI E PËRZURI POPOVIÇIN NGA KONFERENCA E PEZËS

BEQIR AJAZI libri E HoxhaBEQIR AJAZI

Bisedoi Nebil Çika

Bisedë ne “Rrno per me tregue” në Shijak TV me Beqir Ajazin: Veprimtar politik, gazetar, përkthyes.

Lindi më 20 korrik 1920 në Dibër të Madhe. Kreu Liceun e Korçës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi në Ministrinë e Kulturës Popullore, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”. Mori pjesë në kongresin e Legalitetit, 1943. U arrestua në 21 nëntor 1944. Gjykata ushtarake e dënoi me vdekje, më vonë dënimi iu kthye në 15 vjet burg. Është autor i disa librave:

“Nga Shkaba me kurorë te Drapri me çekan” (kujtime, 2000, 2007),

“Nuk ‘mu nda burgu i Burrelit” (kujtime, 2002),

“Kush ishte Enver Hoxha” (2007), etj.

I dekoruar me Medaljen “Kalorës i Legjonit te Nderit”, nga Presidenti francez në vitin 1992
NEBIL ÇIKA – Ju jeni pinjoll i një familje të njohur të Tiranës. Jeni shkolluar në Liceun Francez. Për shkak të punës suaj si gazetar, keni pasur mundësi të njihni personalisht shumë njerëz të rëndësishëm, si nga periudha e luftës së Dytë Botërore ashtu edhe në periudhën e pas luftës, atë të komunizmit. Mund të na thoni diçka rreth fëmijërisë suaj, shkollimit, familjes?

BEQIR AJAZI  – Unë, së pari, ju falënderoj përzemërsisht që më keni ftuar në emision për arsye se unë jam një tip memorialistik, kam dëshirë të tregoj ngjarjet që kam përjetuar, ashtu siç kam treguar edhe më parë. Por kam dhe një karakteristike, që asnjë ngjarje nuk e tregoj pa e verifikuar me fakte pasi nuk më pëlqen që të gënjej.

Siç e thatë edhe ju, unë me origjinë jam nga fshati i Prezës në Tiranë. Im atë ka qenë pjesetar ne luftën kundër bullgarëve në Luftën e Parë Botërore. Aty ai kishte krijuar një simpati për shtetin francez. Kur unë mbarova arsimin fillor, babai im më dërgoi në liceun francez të Korçës. Pasi mbarova edhe arsimin parauniversitar, më doli nami që unë isha një njeri shumë i ditur.

Pasi në vijë të drejtë ajrore që nga ura e Shijakut deri në urën e Matit, unë isha i vetmi që kisha kryer një shkollë të mesme. Por fakti që unë isha shumë i ditur nuk ishte e vërtete, kisha qenë një nxënës i mirë, por jo një gjeni. Kur Italia pushtoi Shqipërinë, im ate nuk pranoi që të vishte uniformën për të dalë për të luftuar, pasi ishte edhe disi i vjetër në moshë. Ai bëri disa punë anti-italiane por nuk doli për të luftuar hapur ndaj tyre. Mbasi e thirri Mustafa Kruja për t’i dhënë babait gradën e kolonelit në milicinë e atëhershme, ai e refuzoi duke i thënë Mustafa Krujës se nuk ishte tradhëtar që të tradhëtonte atdheun e tij.

Më pas, ai i tha nëse donte që të mposhte Mbretin Zog, mund t’a kishte bërë atë nëpërmjet luftës politike dhe jo të sillte ushtrinë italiane në Shqipëri. Një javë më vonë, pasi ndodhi kjo ngjarje, babain e dërguan në Itali në ishullin Ponca. Ndryshe nga të tjerët, atë e dërguan vetëm, dhe jo me grumbullime njerëzish siç bënin zakonisht fashistët. Mirëpo karakteri i tij ishte i panënshtrueshëm. Ai më nisi një kartolinë mua në të cilën më thoshte se e kishin dënuar me katër vite internim. Por ai nuk i bëri katër vjet, pasi erdhi në Shqipëri me kolonat naziste. Ai ishte një tip anti-diktaturë. Nuk e pëlqente komunizmin.

Kur erdhi në Shqipëri, ai u bashkua me Abaz Kupin. Por para se të vinte, vendin e atij në shtëpi e zura unë. Që të gjitha punët që duhet të kryente ai, i bëja unë. Prandaj them që kam parë shumë ngjarje të cilat njerëzit tani mbrapa i kanë zbukuruar dhe nuk i përçojnë ashtu siç janë në të vërtetë, pasi kanë qëllime personale.

NEBIL ÇIKA: Zoti Ajazi, të mos kalojmë aq para. Kur ju ishit në Liceun e Korçës, a e ke njohur diktatorin aty?

BEQIR AJAZI : Sigurisht që e kam njohur. Në vitin 1937 isha në vitin e tretë të gjimnazit. Aty na njoftuan që kishte ardhur një profesor i ri nga Gjirokastra me emrin Enver Hoxha. Nxënësit që ishin nga Gjirokastra na treguan disi më me hollësi se kush ishte profesori i ri. Ai nuk ishte faktikisht një mësues, por një repetitor. Ai paguhej me orë dhe i kishin ngarkuar klasën e tetë dhe do të jepte mësim Edukatë Morale. Karakteristikë e mësimdhënies së tij të kësaj lënde ishte se mbas çdo shpjegimi që jepte thoshte fjalën “apo jo” në frëngjisht.

Nxënësit që ishin në bankë të parë mbanin nga një vizë shënim sa herë që ai thoshte këtë fjalë. Unë në këtë kohë isha përgjegjës i bibliotekës së Liceut. Franca kishte sjelle në Lice një bibliotekë që edhe sot, mbas 70 vitesh, mund të konsiderohet moderne. Detyra ime aty ishte që të mbaja shënimet se kush kishte marrë më shumë se dy libra, kush nuk e kishte dorëzuar, apo që e kishte grisur librin.

Një ditë Mulla Halili, babai i Enver Hoxhës, i dërgon një letër Pertef Pogonit që ishte një drejtor administrativ i Liceut. Ai i thotë se po vuante nga uria, pasi djali i tij, Enver Hoxha, nuk i dërgonte as një para për t’u ushqyer. Mbasi e lexoi këtë letër, Pertef Pogoni (me sa duket e kishte mik Mulla Halilin) mblodhi këshillin administrativ dhe vendosën që t’ia ngarkonin bibliotekën Enver Hoxhës. Nga kjo bibliotekë i shtoheshin atij 80 orë punë më shumë në muaj. Aty e kam njohur.

Ai pinte duhan ndërsa unë punoja, ishte aty sa për figurë. Unë atë e kam respektuar pasi e kisha në traditën time orientale të Shqipërisë së Mesme që t’i respektoja njerëzit. Por një arsye më shumë ishte edhe fakti që e kisha profesor. Në atë kohë nuk dija as një gjë nga ai, dija vetëm faktin që jepte mësim ne Liceun e Francez të Korçës. Edhe ai më ka respektuar.

Unë e di shumë mirë që nuk ishte komunist i mirëfilltë, të paktën deri në përfundimin e luftës.

NEBIL ÇIKA: Si nuk ka qenë komunist?

BEQIR AJAZI : Ai thoshte se bota në atë kohë ishte e ndarë në dy blloqe. Bota e vjetër dhe bota e re. Bota e re për të ishte fashizmi dhe komunizmi. Ai thoshte se ishte e pa evitueshme përplasja e këtyre dy forcave, ndërsa Bota e vjetër ishte plutokracia.

NEBIL ÇIKA: Si i kishte marrëdhëniet Enver Hoxha me nxënësit e tjerë?

BEQIR AJAZI : Enver Hoxha për mua ka qenë një burrë shumë i urtë, si djalë hoxhe. Shoqërinë më tepër e kishte me korçarët dhe jo me kolegët. Ai kishte ardhur aty me të drejtë burse nga Liceu i Gjirokastrës. Ai kishte shumë korçarë shokë dhe miq. Unë mbaj mend një ngjarje që ka ndodhur me mua. Një ditë kishim dy orë pushim. Unë dhe Xhafer Lubonja ikëm në një kishë të Korçës në Mborje. Kur u kthyem, nuk ndoqëm rrugën e gjatë për në Lice, por kaluam pranë një kafeneje. Aty ishte Enver Hoxha me Aleks Vudan. Ata na ftuan për të pirë diçka. Ne patëm frikën se mos na shihte kujdestari, pasi penalizoheshim me dy nota në sjellje në qoftë se na shihte të ulur në kafene. Ata këmbëngulën dhe ne u ulëm me ta. Por aty erdhi kujdestari. Ne u trembëm, por Enveri na mori në mbrojtje. Ai ishte një njeri shumë tolerant.

Kur unë u futa në burg, shokët që e dinin që unë isha njeri i afërt me Enverin më thanë që t’i shkruaja një letër atij që të më lironte. Unë nuk e bëra diçka të tillë. Edhe mbas dhjetë vitesh kur dola nga burgu, unë prapë nuk i shkrova as një letër Enverit, por i shkroi një shoku im, Gjergj Geço, që kishte qenë dhjetë vite me mua në burg, i cili kishte përkthyer “Komedinë Hyjnore”. Ai i shkroi një letër dhe u bë mësues në Fushe-Krujë. Unë nuk i shkrova dhe mbeta gjithmonë punëtor. Këto ishin relacionet e Enverit.

NEBIL ÇIKA: Ju keni filluar punë në Ministrinë e Kulturës si redaktor i ATSH-së. Si ndodhi fillimi i punës?

BEQIR AJAZI : Që në shkollë kam pasur prirje për të shkruajtur, edhe kompozicione. Kam fituar edhe çmime. Kur mbarova Liceun, Halil Maçi që ishte drejtor i shtypit, më mori dhe më futi në punë tek ATSH. Ai më mori pasi alfabeti mors, që përdorej, bazohej më shumë në frëngjishten. As një njeri nuk e dinte si unë atë gjuhë, pasi unë e kam përvetësuar frëngjishten klasike. Prandaj unë isha si një fare kryetari.

Ka qenë një sekretar i Radio Tiranës. Ai ishte një komunist, por kishte bërë një gjest jo të pranueshëm nga partia. Atë e hoqën nga puna dhe më dërguan mua si sekretar te Radio Tirana. Radio kishte 90 nënpunës. Aty pothuajse të gjithë ishin komunistë. Mua më vidhnin dokumentet kur nuk isha i pranishëm, ndër të tjera më vodhën edhe një pardesy. Mbas disa kohësh drejtori ikën nga puna dhe vendin e tij e zura unë.

Në atë kohë ushtria gjermane kishte hyrë në territorin shqiptar. Po atë natë që ata erdhën, mua më erdhi një urdhër nga komanda gjermane për të marrë emrat dhe adresat e të gjithë punonjësve. Kur më dhanë urdherin unë e mënjanova atë me pretekstin se nuk i kisha të gjitha të dhënat dhe se do të më duheshin disa ditë për ta bërë. Gjermanët pranuan dhe më dhanë tre ditë kohë. Pasi ikën ata, unë shkova për të lajmëruar punëtorët e radios që të largoheshin ata që kishin probleme me nazistët. Edhe pse unë i lajmërova që të ikin, gjermanët po atë natë i morën ata dhe i burgosën dhe dhanë urdhër që Radio Tirana të mbyllej.

Në atë kohë udhëheqës ishte Ibrahim Bej Biçaku. Unë shkova e takova atë dhe e njoftova për problemin. Ibrahimi foli me një nga gjeneralët nazistë dhe më dha një urdhër shpëtimi për kolegët e mi. Sapo e mora atë u nisa direkt për tek burgu ku i kishin burgosur. Kur u futa brenda, ushtarët naziste ishin gati për t’i pushkatuar. Unë nuk dija gjermanisht, thjesht i dhashë urdhrin e gjeneralit. Pasi morën letrën, ushtarët i liruan kolegët e mi.

Pasi ikëm nga burgu, anëtarët e radios vetëm më falënderonin që i kisha shpëtuar nga vdekja. Një ndër ta ishte edhe Muharrem Pirdeni, një komunist dibran. Ai ishte një njeri shumë negativ, i pakarakter. Shumë vite më vonë, kur dola unë nga burgu ai ishte anëtar fronti në lagjen time. Ai nuk më ndihmoi fare, madje kërkonte lëmoshë nga unë, edhe pse isha i sapo dalë nga burgimi dhjetëvjeçar.

NEBIL ÇIKA: Keni dy periudha në jetën tuaj. Në njërën prej periudhave ju jeni përkrahës i Ballit Kombëtar dhe në tjetrën përkrahës i Lëvizjes së Legaliteti. Si ka ndodhur ky ndryshim?

BEQIR AJAZI : Në vitin 1942, gjeta programin e Ballit Kombëtarë. Pasi e lexova e kuptova që shumë nga pikat përputheshin me bindjet e mia, dhe u regjistrova direkt në Rininë Balliste. Meqë unë kisha më shumë njohje se gjimnazistët e tjerë, mua më dërgonin që të ikja nëpër familje për të dhënë leksione politike. Kur u bë përvjetori i Kongresit të Lushnjës mua më dërguan si kryedelegati i rinisë së Tiranës. Por ne ikëm disa ditë përpara se të zhvillohej përvjetori. Aty erdhi Kujtim Cakrani i cili tha se ishin bërë disa luftime dhe kishin vdekur disa ushtarë balliste. Ai i kërkoi Hysni Bej Janisherit që ishte kryetari i Ballit, që të na merrte neve që të bënim agjitacion propagandë për t’i rritur moralin ushtarëve. Unë së bashku me shokët e mi ikëm dhe bëmë detyrën tonë. Pasi bëmë punën tonë u kthyem më Fier dhe ndejtëm aty në një hotel. Atje Bektash Bej Cakrani, që rrinte në shtëpinë e Qemal Vrionit, më bëri një ftesë për darkë. Mirëpo unë nuk mund të ikja atje me të gjithë grupin, që përbëhej prej shtatë personash, mora Genc Korçën dhe Kurt Beshitin. Atje ishte Ekrem Peshkopia, Bektash Cakrani dhe Qemal Vrioni. Atje, mbasi mbaruam darkën, ata na sollën kafe. Pasi pimë kafenë ne u shtrimë të flemë, ndërsa të zotët e shtëpisë filluan të bisedojnë ndërmjet tyre. Ata thanë se punët e partisë po funksionin shumë mirë dhe se do t’ia tregonin vendin Bazit të Canit. Të nesërmen unë u ktheva në Lushnje për të bërë festën e Kongresit. Pastaj u ktheva në Tiranë. Atëherë kishte ardhur edhe babi im. Ai mendonte se isha bërë komunist, por unë e kundërshtova. Pasi kaluan disa dite, unë takova Mid’hat Beun dhe e njoftova që do të ikja nga ballistët. Ai mendoi se unë do të anëtarësohesha tek Rinija Komuniste. Por unë i thash që nuk do të anëtarësohem kurrë në Partinë Komuniste, por do të shkoja tek Abaz Kupi. Në këtë mënyrë u ktheva tek Partia Lëvizja e Legalitetit.

Abaz Kupi ka ardhur në Shqipëri në 6 maj të viti 1941 së bashku me të gjithë politikanët shqiptare të të gjitha rrymave. Ai u strehua në fshatin Skuraj, mbrapa malit të Krujës. Ai më dërgoi një makinë tek shtëpia në mënyrë që unë të ikja tek ai dhe të merrja me vete edhe makinën e shkrimit. Unë përktheva disa letra që ai i kishte në frëngjisht. Me t’i mbaruar, ai më tha që të duhet të shkoja tek ai sa herë që ai të më thërriste. Në atë kohë po afrohej Konferenca e Pezës. Në të do të shkonin shumë personalitete të shquara të Shqipërisë, ku ndër ta ishte edhe xhaxhai im së bashku me Haxhi Lleshin. Haxhiu, disa ditë para se të zhvillohej Konferenca erdhi tek shtëpia ime dhe tha se do të luftohej për të çliruar tokat shqiptare, në mënyrë që të rimerrte pronat që kishte në Maqedoni. Ai tha se kishte rënë dakord me Abaz Kupin që të shkonin që të dy në Konferencën e Pezës.

Mbas dy ditësh ai kërkoi që të shkonte te Ram Marku, në fshatin Shetel. Mbasi mbaroi konferenca kam pyetur Abaz Kupin se çfarë ishte bërë atje, por ai nuk më dha asnjë informacion. Këtu dua të shtoj diçka në kllapa: (Kur isha i burgosur kam pas ndejë shumë kohë me Ramazan Jaranin i cili kishte qenë në Konferencën e Pezës. Ai më ka thënë se, kur Abaz Kupi kishte hyrë në shtëpinë ku zhvillohej konferenca, ka parë të ulur në karrige Miladin Popoviçin. Në atë moment ai shumë i revoltuar kishte kërkuar që ai të dilte menjëherë nga konferenca. Ky fakt nuk përmendet fare në asnjë dokument historik. Pse e kanë manipuluar historinë këta? Në qoftë se është e vërtetë, historia ka për borxh që ta përmendi këtë si fakt.)

NEBIL ÇIKA: Thatë që e njihnin personalisht Mid’hat Frashërin. Si ishte ai në këndvështrimin tuaj?

BEQIR AJAZI : Mid’hat Frashëri është i biri i Abdyl Frashërit. Ishte shumë nacionalist, por ka patur një problem që i merrej goja kur fliste. Ne të rinjtë e kemi pasur si idhull atë. Ai nuk fliste as një herë kundër Zogut. Në demonstratën e Korçës disa njerëz u dënuan rëndë. Unë u dënova me përjashtim për një vit nga shkolla dhe më hoqën dy nota në sjellje. Gjatë kësaj periudhe unë ndejta dy muaj tek shtëpia e Mid’hat Frashërit në Tiranë. Mua ma falën përjashtimin nga shkolla, por notën në sjellje jo. Kur më njoftuan vendimin se më kishin falur përjashtimin, e njoftova Mid’hat Beun se të nesërmet do të ikja për në shkollë pasi më kishin falur dënimin. Në atë moment ai u revoltua dhe më tha se unë nuk kisha bërë as një gjë dhe nuk kisha nevojë që të më falnin.

NEBIL ÇIKA: Ju keni qenë për një kohë të shkurtër i dërguari i Abaz Kupit tek Misioni Britanik. Na thoni diçka rreth kësaj ngjarje?

BEQIR AJAZI : Unë isha në Tiranë. Natën më vjen në shtëpi një shofer i Abaz Kupit. Ai më tha që duhet të ikja të takoja Abaz Kupin. Shkova atje dhe pashe që ishte gjithë paria e Matit. Abaz Kupi kishte një cilësi, ai vishej sportiv. Asnjë herë nuk rrinte i mënjanuar dhe duhet ta njihje që ta dalloje. Kaloi nata dhe ai nuk po më thoshte as një gjë. Të nesërmen po udhëtonin drejt një fshati afër Ishmit. Ishim rreth 2000 burra që po udhëtonim. Në një moment ai më merr mënjanë mua dhe më thotë se po shkonin tek Misioni Britanik dhe se mua do të më prezantonte si përfaqësuesin e tij.

Ai më kërkoi që unë të rrija me Seid Bej Kryezinë. Ky ishte një njeri i Abaz Kupit, por nuk ia kishte besën. Ai më kërkoi që ta shoqëroja atë dhe ta mbaja nën vëzhgim. Kur erdhi Seid Bej Kryeziu, takuam oficerët angleze.

NEBIL ÇIKA: Z. Beqir ju keni punuar në një kohë shumë të vështirë si redaktor i gazetës “Bashkimi Kombëtar”. Një gazetë shumë e njohur e kohës. Në të kanë shkruar shumë intelektualë të kohës. Ndonjë impresion nga ato shkrime?

BEQIR AJAZI : Unë njihesha në ministri si njeri besnik. Kryeredaktor nominativ ishte Andrea Taçi. Atë e kishin venë drejtor të bibliotekës. Ishte një tip i fjetur. Komunistët kishin vjedhur disa shkronja. Mua më dërguan përgjegjës në gazetë. Unë shkova dhe u tregova rregullat punëtorëve. Kështu kam vazhduar punën. Punën e kam bërë me ndershmëri, pasi e kam patur edhe amanet nga im atë.

Ditën që do ta pushkatonin ai më tha që të sillesha mirë në shoqëri, mos të ngacmoja as një njeri dhe të isha i ndershëm.

NEBIL ÇIKA: Të kthehemi tek historia juaj. Ju jeni arrestuar përpara se komunistët të vinin në Tiranë?

BEQIR AJAZI : Kur isha drejtor tek Agjencia Telegrafike të gjithë njerëzit vinin e merrnin tek unë informacionet. Një ndër ta ishte edhe kryekonsulli bullgar. Kisha raporte miqësie me të. Një ditë ai më vjen në zyrë dhe më thotë se “Rrota e madhe e shtypi vendim tim”. Më 9 maj ushtria sovjetike kishte hyrë në Sofje. Ai më kishte sjelle katër pasaporta diplomatike bullgare që të arratiseshim. Unë ia pranova.

Atë ditë njoftova dhe babain tim që të arratiseshim. Ai nuk pranoi kurrsesi. Prandaj, kur iku Abaz Kupi, e dinte që babai im nuk do të arratisej, por do të dilte ne mal. Ne që ishim grupe vullnetarësh nuk kemi ditur hile, kemi luftuar deri në fishekun e fundit. Më pas na arrestuan. I shoqëruar nga forcat komuniste dhe të lidhur, më dërguan në Tapizë. Kaluam dy lumenj për të arritur në destinacion, veç kur nga një shtëpi doli Muhamet Prodani. Kur më panë të lidhur më thanë se kisha përfunduar kështu prej kokës time reaksionare. Unë reagova duke i thënë se kisha përfunduar kështu për shkak të kokës së tij dhe jo prej mendimeve të mija.

Në fakt nje natë para se te arrestohesha, Abaz Kupi më thirri dhe më tha që do të shkoja tek Hotel Dajti dhe do të takohesha me Ibrahim Beun dhe më rekomandoi pyetjet që duhet t’i bëja atij. Kur u errësua, ika takova Ibrahim Beun i cili kishte rezervuar dy dhoma tek Hotel Dajti. I tregova pyetjet që më kishte drejtuar Abaz Kupi. Abazi më kishte lënë edhe një porosi, që të mbaja mirë shënim pyetjet që mos të krijoheshin keqkuptime. Një ndër pyetjet ishte që “Kur nuk do të ketë më këmbë gjermani në Shqipëri” dhe përgjigjja ishte “Kur të digjet mullari i këndeve në malin e Fushë-Arrëzit atëherë nuk ka as një gjerman në tokën e Shqipërisë”. Mbasi hëngra darkë me Ibraim Biçakun, ika e fjeta gjumë tek një dhomë në hotel. Gjumi nuk më zinte natën pasi më vinin shumë ëndrra të këqija. U zgjova nga ora tre dhe prita deri sa të zbardhte dita. Në mëngjes zbrita tek kafeneja dhe për të pirë një kafe. Aty më vjen për të më takuar djali i hallës, i cili kishte ardhur me shoferin. Unë mendoja se të vjetrit nuk kanë ideal dhe se e shesin atë, prandaj nuk e mora shoferin me vete. I thashë kushëririt që të iknim vetëm të dy. Kur arritëm në Vorë na ndaluan gjermanët, por ne nuk ndalem. Kur u futëm në Prezë po zhvilloheshin luftime. Aty më ndaluan dhe më arrestuan. Tim atë e njoftuam që më kishin arrestuar. Ai shkoi në dy familje komuniste dhe kërcënoi që të më lironin. Të them të vërtetën ai ka qenë momenti në të cilin kam qenë më i dëshpëruar se kurrë. Pasi më kishin lidhur në një pemë ulliri dhe plumbat e luftimeve më kalonin ngjitur me trupin.

NEBIL ÇIKA: Tirana në këtë kohë ishte marrë nga partizanët?

BEQIR AJAZI : Tirana nuk ishte marrë akoma nga partizanët. Mua më arrestuan në 14 tetor të 1944. Kur isha i arrestuar, mendoja se nëse do të me dërgonin tek armata e Mehmet Shehut isha automatikisht i vdekur.

NEBIL ÇIKA: E njihnit Mehmet Shehun?

BEQIR AJAZI : Kisha dëgjuar për atë, që ai sharronte njerëzit nëpër male. Kur më çuan në Shkallmë, na lidhën afër një furre që ishte në oborr. Isha i lidhur, partizanët filluan të rrihnin një xhandar që kishin arrestuar në Laprakë. Në atë moment u llahtarisa. Mua më morën dhe më ngjitën në katin e fundit të shtëpisë. Shkallët ishin shumë të ngushta dhe një partizan më tërhiqte nga litari dhe tjetri më shtynte nga pas. Kur u ngjitëm në katin e fundit, pashë që dhomat ishin të ndara me copa parashutash. Në një dhomë ishin dy persona të ulur në tavolinë dhe një njeri që rrinte në këmbë. Partizani që ishte në këmbë, i kishte të bardhat e syrit shumë të mëdha. Nga psikologjia, rezulton se personat që kanë të bardhat e syrit shumë të mëdha, janë kriminelë. Kështu unë krijova idenë se ai partizan ishte kriminel. Ai m’u kthye direkt duke më pyetur se kush isha unë. Unë iu prezantova dhe ai m’u përgjigj se ishte Mehmet Shehu. Mehmeti filloi të më akuzonte se po i dërgoja ilaçe Abaz Kupit. Unë e kundërshtoja pasi nuk ishte e vërtetë. Tek valixhja që më kishin gjetur unë kisha mjetet e mia për t’u rruajtur dhe ata mendonin se ishin ilaçe.

NEBIL ÇIKA: Zoti Beqir, jemi në fund të emisionit. Do të doja të kalonim tek gjyqi juaj. Si u dënuat ju?

BEQIR AJAZI : Unë në gjyq u akuzova si zogist, ballist dhe propagandues i okupatorit.

NEBIL ÇIKA: Ju jeni dënuar me një dëshmi të një partizaneje. Kush ka dëshmuar kundër jush në gjyq?

BEQIR AJAZI : Në gjykatë ka qenë Gjon Banushi prokuror, i cili kishte qenë fashist dhe më pas u kthye si komunist. Në fletë akuzën time ishte Bajram Preza si dëshmitar mbrojtës për mua. Në pamundësi për të marrë Bajram Prezën, pasi do dëshmonte pro meje, ata sollën Selfixhe Ciun, vajzen e Mit’hat Ciut. Ai ishte një fajdexhi në qytetin e Gjirokastrës me famë dhe shumë i pasur. Kur u zhvillua gjyqi im, ftuan Selfixhenë për të dëshmuar. Ajo tha se më njihte që isha i reaksionit, feudal, nuk la fjalë të keqe pa thënë. Ajo tha se unë kisha pohuar që kjo luftë po bëhej “për shkak të mustaqeve të Stalinit”.

Paradoksi është se kur erdhi demokracia kam parë Selfixhe Ciun duke folur kundër komunizmit.  Marre nga libri  “Zera te mbijetesës” , Nebil Cika ( i Riu )

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch