Home » Kulturë » BISEDË ME PROF. SADETE PLLANA: BOTIMI I PARË, ME VLERA TEORIKE E PRAKTIKE

BISEDË ME PROF. SADETE PLLANA: BOTIMI I PARË, ME VLERA TEORIKE E PRAKTIKE

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Prof. ass. Dr. Sadete (Rushit Quqalla) Pllana-Prishtinë

1.-Dr. Sadete, gjejmë rastin që përsëri të bisedojmë bashkë, pas një periudhe kohore. Siç e dini edhe ju, ishte kënaqësi që, me bashkëshortin Gani Pllana, morët pjesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, që u organizua në Tiranë, në shtator të vitit 2011. Me atë rast, të dy lexuat kumtesat tuaja interesante, të cilat janë botuar në librin voluminoz, me punimet e asaj Konference: “Një Komb, një shkollë, një kulturë” (Tiranë, 2012). Cilat janë përjetimet tuaja, nga ajo veprimtari e bukur dhe e paharruar?

Përgjigje: Së pari, ju falënderoj për kohën që keni ndarë për të biseduar me mua. Siç e dini edhe ju, Konferenca e Parë Mbarëkombëtare të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (Tiranë, shtator 2011), ishte organizuar mjaftë mirë, me pjesëmarrës e kumtesa nga e tërë hapësira shqipfolëse. Diskutimet, që u bënë  pas leximit të kumtesave, ishin në nivel shkencor dhe mjaft të dobishme. Më tej, botimi i kumtesave, në një libër të veçantë, e ka rrumbullakuar punën e organizatorëve dhe të pjesëmarrësve. Shpresoj që do të vazhdojë puna e IIKSH dhe do të kemi tekste e vepra tjera të përbashkëta, me nivel shkencor europian e botëror, për tërë hapësirën shqiptare, me autorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina Preshevës e Çamëria, çfarë ishte edhe ideja e pjesëmarrësve dhe ideologut kryesor të IIKSH, të ndjerit dr. Ibrahim Gashi.

Tani, kujtoj këtu se më parë, pra më 19 qershor 2009, me bashkashortin, Ganiun, kemi marrë pjesë në punimet e Konferencës Shkencore, me temë “Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe, probleme e detyra”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ku dhe  lexova një punim timin, me këtë tematikë.

Në foto, nga e djathta: S.Pllana, A.Duro e G.Pllana (Tiranë, 19 qershor 2009).

2.-Dhe ja, tani ju delni para lexuesve me librin: “Terminologjia bazë e mekanikës, në gjuhët shqipe dhe angleze”,  i cili është recensuar nga prof.dr.Agron Duro e prof.dr.Ilo Stefanllari. Me sa di unë, jeni e para studiuese e Republikës së Kosovës, që publikoni libër, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike të Shqipërisë. Përmbledhurazi, çfarë risishë përmban ky punim i veçantë, në llojin e vet?

Përgjigje: Me këtë rast, dua të theksoj dashamirësinë e punonjësve të QSA-së, e posaçërisht të prof. dr. Valter Memishës, aktualisht drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në Tiranë, i cili që nga kërkesa ime për botimin e monografisë më ka këshilluar e përkrahur, ka organizuar mbledhjet dhe takimet e nevojshme me Këshillin e Profesorëve, për miratimin e veprës së parashtruar për vlerësim dhe botim. U caktuan dhe dy recensues, prof. dr. Agron Duro e prof. dr. Ilo Stefanllari, të cilët i shkruan recensionet e tyre  pozitive. Pra, vepra ka kaluar nëpër të gjitha nivelet e duhura, derisa sa është miratuar për botim. Kuptohet, jam shumë e nderuar dhe krenare, si autore e parë nga Republika e Kosovës, siç e përmendët dhe ju më lart, që pata fatin të më miratohet dhe botohet punimi im, nga QSA, në Tiranë.

Monografia  në fjalë, ka si objekt  termat  bazë  të një fushe  të gjerë  dije, siç është  mekanika. Por, gjithësesi, duke u fokusuar  në dy  nënfusha  themelore, të cilat  nga ana e tyre qëndrojnë  në themel të fushës së mekanikës, siç janë:  Mekanika  teorike dhe Mekanika e zbatuar, në  shqip dhe Theory of Mechanics  e Applied Mechanics,  në anglisht. E rëndësishme  është të nënvizohet,  se terminologjia bazë e mekanikës, në shqip, vështrohet  në rrafshin  e një terminologjie tjetër, e cila ka një  histori dy-treshekullore, paraformimit të  po  të kësaj  terminologjie, në shqipe  dhe po shërben,  nga ana tjetër, si model  standardizimi  ndërkombëtar, siç  është terminologjia  angleze.

3.-Dëshirojmë t’i njohim lexuesit, në përgjithësi, edhe me përvojën tuaj profesionale e shkencore. Pra, cilat janë përfundimet e nxjerra në monografi?

Përgjigje: Përvoja ime prej njëzet vitesh, si mësimdhënëse e gjuhës angleze dhe asaj gjermane, si edhe veprimtaria praktike në përpunimin e teksteve teknike, sidomos në fushën e mekanikës, më kanë mundësuar të njihem jo vetëm me terminologjinë e kësaj fushe, me termat, por edhe me anën përmbajtësore, me konceptet. Kjo më ka shtyrë që, mbi bazën e njohurive përkatëse dhe të përvojës së fituar,  fillimisht, të ndërmerrja botimin e artikujve modestë, në revistën “Teknika” të Universitetit të Prishtinës,  në Republikën e Kosovës, për probleme të veçanta rreth terminologjisë, me të cilën unë merresha, si për sinoniminë, shqipërimin e përkthimin e termave etj. Më vonë, puna më çoi në thellimin e njohurive të mëtejshme në fushë të teorisë së terminologjisë, metodave të studimit dhe, përgjithësisht, praktikës terminologjike. Mbështetur në studimet e terminologëve të huaj  (Vyster, Sager, Felber) e shqiptarë ,  (F. Leka, H. Pasho, A. Duro, H. Çipuri, N. Caka, L. Susuri e G. Pllana), munda të përgatisja tezën për gradën shkencore “Master” (Tiranë, 2007) dhe për gradën shkencore “Doktor” i shkencave filologjike (Tiranë, 2010).

Nga përfundimet e nxjerra, në monografi janë dhënë rekomandime lidhur me domosdoshmërinë e hartimit të fjalorëve të nënfushave të veçanta të mekanikës, në bashkëpunim me specialistë e gjuhëtarë, si p.sh., fusha e automobilit, e termoteknikës etj. Po kështu, me interes të veçantë do të ishte hartimi i një fjalori sistemor themelor, me përkufizime të mekanikës, i ndërtuar mbi bazën e metodave kompjuterike.

Shpresoj që punimi në fjalë, si studim i plotë i termave bazë të një fushe të gjerë, siç është mekanika, do të ndihmojë për të hapur rrugën e studimit të terminologjive nga fusha të tjera të dijes, sidomos të fushave të reja, si informatikës e gjenetikës, duke i vështruar ato në rrafshin përqasës me terminologjitë e gjuhës angleze, si edhe me ato të gjuhëve të tjera, si të gjermanishtes, frëngjishtes, rusishtes etj., të cilat bëjnë pjesë në sistemin e terminologjive standarde botërore.

Kopertinat e librit të ri…

4.-Po vlerat praktike e zbatuese të punimit tuaj, cilat janë dhe cilët lexues janë të interesuar për atë?

Përgjigje: Studimi ka si qëllim ta vështrojë  këtë terminologji nga dy anë, nga ajo e formës dhe e përmbajtjes, si edhe  sesi  është  zhvilluar  ky leksik, qysh  nga format e thjeshta e deri  në ato  më komplekse, si një sistem i organizuar, homogjen dhe i qëndrueshëm.

Mbështetja  në rrugën  induktive  (nga shembujt,  tek argumentet e përfundimet) dhe  në atë  deduktive (nga  parakushtet e marra,  në argumentet dhe shembujt  konkretë) mbizotëron  në të gjithë  punimin.

Mendoj se kjo vepër  ka  edhe vlera  të mirëfillta  praktike. Disa  përgjithësime dhe zgjidhje  të  dhëna  në punim  mund të shtrihen edhe për terminologji të tjera, sidomos çështjet e standardizimit, sinonimisë, shqipërimit, huazimet etj. Po kështu, ka vlera  edhe  për veprimtarinë praktike terminologjike në procesin e përpunimit dhe hartimit  të  fjalorëve të terminologjisë, si nënfushave përkatëse, të fushës së terminologjisë.

Si i tillë, punimi në fjalë iu drejtohet një rrethi të gjerë të interesuarish për çështje të terminologjisë, në përgjithësi dhe të fushës së mekanikës, në veçanti. Ajo mund të  shfrytëzohet nga studiuesit, studentët, hartuesit e teksteve të specialitetit etj.

5.- Në vazhdim të bisedës sonë, dëshirojmë t’i njohim lexuesit, më shumë edhe me jetën tuaj. Pra, çfarë mund të na tregoni, për këtë gjë?

Përgjigje: U linda në Stamboll, më 27 shtator 1960. Babai im, Rushit Quqalla ishte detyruar që, për shkaqe politike,  ta braktiste vendlindjen, në vitin 1948. Në vitin 1957, është bashkuar në Stamboll me nënën dhe vëllanë, i lindur në Vushtrri. Pra, jam nga një familje e përndjekur, atdhedashëse dhe arsimdashëse e me mall larg Atdheut. Babai im, me familjen, e la Stambollin në vitin 1962 dhe u vendos në Gjermani. Shkollën nëntëvjeçare e kam mbaruar në Prot. Volksschule Sulzbachtal- Kreis Kaiserslautern dhe Volksschule Olsbrücken- Kreis Kaiserslautern, në atë shtet. Deshira e malli për vendlindjen nuk e lennin të qetë babain tim. Kur u krijuan disa rrethana lehtësuese në Kosovë, u kthyem në vendlindje, në vitin 1977. Gjimnazin e kam mbaruar në Vushtrri, në vitin 1980. Pas gjimnazit, vazhdova studimet në degën gjuhë  e letërsi angleze, në Universitetin e Prishtinës, të cilat i përfundova me sukses. Gjithashtu, po aty kreva  studimet në degën gjuhë e letërsi gjermane.

Pas përfundimit të studimeve të larta, vazhdova kualifikimin pasuniversitar, pranë Universitetit të Tiranës, Departamenti i Gjuhës Angleze. Aty mbrojta temën për gradën “Master”, në vitin 2007. Kurse, po në të njëjtin departament, mbrojta disertacionin, më 23 korrik 2010, duke fituar gradën shkencore “Doktore e shkencave filologjike”.  Ndërsa në Universitetin e Vjenës jam e regjistruar në studimet për doktoraturë, në Departamentin e Gjermanishtes, si gjuhë e huaj (Institut für Germanistik- Deutsch als Fremdsprache). Aty kam përfunduar provimet e nevojshme dhe jam duke e mbaruar disertacionin përkatës.

Jam bashkautore e librit të parë, në gjuhën shqipe në Kosovë, nga gjuha gjermane, “Doracak për mësimin e gjuhës gjermane për punëtorët shëndetësorë”, (Vushtrri, 1991). Ai u ka shërbyer shumë mjekëve, motrave mjekësore e më vonë edhe mjaft azilkërkuesve, në vendet gjermanofolëse. Kam punuar përthyese për gjuhë angleze dhe gjermane, që nga viti 1984, për firma të ndryshme dhe për nevoja të qytetarëve në Kosovë. Nga viti 2001, jam çertifikuar përthyese gjyqësore, pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për gjuhët angleze dhe gjermane. Kam përthyer në gjuhën gjermane librin  ”Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët, 1844 – 1999“ (në katër gjuhë), përgatitur nga Prof. ass. Nusret Pllana (Prishtinë, 2001).

Kam të publikuara, autore dhe bashkautore, 56 punime profesionale dhe shkencore, në Kosovë, Maqedoni, Bullgari, Shqipëri, Austri e Poloni.

6.- Në vazhdim të përgjigjeve tuaja, deshëm të dimë edhe për planet kërkimore, studimore e botuese, për të ardhmen. Pra, a mund ta zbuloni “sekretin”, në këtë drejtim?

-Përgjigje: Më së miri: të studiojmë, të veprojmë, të botojmë e pastaj të dalim me vepra të kompletuara. Vepra e ardhshme, nuk dua të them se është “sekrete”, besoj që do të jetë nga fushat e ngushta të ekonomisë, pasi jam pedagoge e rregullt, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, për gjuhët angleze e gjermane.

7.-A keni ndonjë falënderim për njerëz, që ju kanë ndihmuar në karrierën tuaj profesionale dhe realizimin e studimeve e të monografisë?

Përgjigje: Ka shumë nga ata, që më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë ndihmë, guxim e besim, si për studime themelore, pasdiplomike e doktoraturë, si dhe për botimin e monografisë, për të cilën folëm në biesedën tonë. Me këtë rast, i falenderoj nga zemra prindërit e mi, bashkëshortin tim, katër vajzat e mia, të cilat i kryenin punët e shtëpisë, kur skruaja monografin; profesorët e UP-së, prof. dr. Jashar Kabashin, prof. dr. Abdullah Karjagdiun, prof. dr. Shpresa Hoxhen  e prof. dr. Shukrane Pindukun. Po keshtu, u jam mirënjohëse, në Tiranë: Prof. dr. Gëzim Hadaj, prof. dr. Drita Hadaj, prof. dr. Viktor Ristani, prof. dr. Valter Memisha e dr. Elida Tabaku.

I falënderoj, në mënyrë të veçantë, për vërejtjet dhe këshillat e tyre, si edhe për ndihmën profesionale,  prof. dr. Agron Duron e prof. dr. Ilo Stefanllarin. Ata më kanë nxitur dhe më kanë mbështetur moralisht, për ta realizuar me sukses këtë punim monografik.

8.-Tani, kur morëm njohuri për jetën tuaj dhe për këtë botim të parë, me vlera shkencore, teorike e praktike, përzemërsisht ju urojmë që, në Vitin e Ri 2014, të keni: Shëndet të plotë, arritje në veprimtaritë tuaj të përditëshme, begati e mbarësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

-Shumë faleminderit, si për bisedën e përbashkët dhe urimet, që m’i bëni, i nderuari prof. Murat Gecaj!

Tiranë-Prishtinë, më 3 janar 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch