Home » Intervistë » Bisedë me Rexhep Kekën në shtëpinë e tij në Karaçevë, më 10. 1. 2010

Bisedë me Rexhep Kekën në shtëpinë e tij në Karaçevë, më 10. 1. 2010

Rrëfimi i tij ishte i lirë edhe pse kohë pas kohe i bënim ndonjë pyetje.

Rexhep Keka, i lagjes së Kekajve, me prejardhje nga fshati Priboc, ka  lindur në vitin 1925 në fshatin Karaçevë. Është dobësuar mjaftë sepse është në moshë të shtyrë. Edhe të parit, gjithashtu iu është dobësuar në masë të madhe.

Anëtar i NDSH-së. Nuk e ka dashur kurrë komunizmin jugosllav, dhe në momente e kohë të volitshme, pas LDB-së, ka gjet hapësirë për ta kundërshtuar. Babai i tij, Shaqir Keka ishte ushtar-vullnetar i Mulla Idrizit, derisa edhe Rexhep Keka në moshën e tij të re u kishte ndihmuar vullnetarëve për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar.

  Ka tre djem. Jeton në Karaçevë me Shaqirin, djalin e dytë. Alidemi, djali i madh, ka dy fakultete të kryera dhe jeton e punon në Austri, ndërsa Besiri, djali i  tretë është duke kryer fakultetin në Prishtinë.

Biseduam me të për shumë çështje, për shumë probleme, histori e kujtime nga jeta e tij, për fshatin Priboc, për problemet e kohës, vuajtjen, sakrificat, përballje të banorëve pribocas me sfida të shumta gjatë periudhave të ndryshme historike. Pa përtuar na tregoi, me aq  sa i kishte mbajtur në mend.

 

Në fillim e pyesim, mundësisht a mos e dinë se si i ka mbetur emri Priboc, a  mos ka dëgjuar prej dikujt apo prej më të vjetërve?

 

Ai (Rexhep Keka) na përgjigjet:

Priboj i thonë, Priboc i ka mbet. Ku është ky Priboj nuk e di as unë këndej dika?! Jo nuk di më shumë.

 

Kur u vendosën pribocasit në Karaçevë?

 

Nga Priboci  në Karaçevë i  pari ka ardhur Selman Keka, para 150 viteve.

Sot në Karaçevë janë bërë 41 familje me prejardhje nga fshati Priboc. Ndërsa familjet e Kekajve në Priboc kanë ardhur shumë herët nuk e di saktësisht. Kanë ardhur prej Huruglice të brendshme, përtej kufirit. Huruglica, sot vend në brendi të Serbisë. Shqiptarët, për shkak të “zullumit” (mizorive-I.T.) të Perandorisë Osmane, e posaçërisht të serbëve, detyroheshin të largoheshin nga vatrat e tyre për të kërkuar vende ku ka qetësi e ku nuk mund të arrijë dora e pushteteve të huaja. Për këtë arsye, ata detyrimisht, vendoseshin në vendet kodrinore-malore ku nuk mund të depërtonin lehtë xhandarët e pushteteve të huaja, po edhe nëse ia mësynin ishte më lehtë që të mbroheshin. Ne,  armik e kem pas edhe Turqinë.

Deri në Nish ka qenë e banuar me shqiptarë, por Serbia na ka përzënë me ushtri e xhandarmëri. Të parët tanë, stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët tanë duarthatë, duke dashur t’i ikin vrasjeve e maltretimeve, kanë dal prej aty dhe janë vendos  në këto vise malore. Jemi detyruar me ik. Prej atje kemi ardhur shumë. Ne mesin e tyre kemi qenë edhe ne, Keka.

Më parë  kanë ardhur  Konesha (Konesha emër mashkulli) dhe Foniqi- dajë e nip. (Ky mendim  përkon  me rrëfimet edhe të disa bashkatdhetarëve tjerë pribocas,  se në Priboc, të parët kanë ardhur të lagjes së Kekajve, që sot është bërë lagja më e madhe, e sipas të gjitha gjasave i pari i tyre e ka pasur emrin Keka apo ndoshta edhe e ka pasur Konesha ashtu siç deklaron Rexhep Keka. Me kalimin e kohës, shqiptimi i kësaj fjale ka gjasë se ka  ndryshuar. p. sh. Konesha-Kon – Ken- Kek – Keka. Më vonë, thuhet se ky Keka ose Konesha, ka shkuar dhe e ka marrë nipin e tij të vogël  dhe e ka sjellë në. Ky nipi i tij, mund ta ketë pasur emrin Foniq-i, që më vonë pasardhësit e tyre, pas përhapjes së fesë nga Perandoria Osmane,  e kanë ndërruar edhe fenë-I.T.).

Dega e jonë, dega e Kekajve nga Priboci, prej se unë mbaj mend, e di se kanë ardhur nga Serbia e sotshme. Ata janë përzënë nga tokat e veta. Sa e sa janë vrarë, por disa kanë shpëtuar. E njëjta gjë ka ndodhur nga pushteti i Milloshit i cili deshi të na zhduk të gjithëve: disa me i vra, e të tjerët duke ua hapur dyert, me i përzënë në shtete tjera, e Kosova me mbet e Serbisë. Mirëpo, vëllezërit tanë, djemtë tanë, luftuan dhe derdhën gjak, po edhe perëndia na ndihmoi. Të gjithë nuk kanë mund të futen në luftë, disa kanë ik prej zorit.

Ata i ka përzënë Serbia (e ka fjalën për Kekajt-I.T.). Këto Huruglicë janë, Huruglicë. Krejt ne çka kemi ardhur në Kosovë, nuk kemi ardhur prej Shqipërisë, siç thonë disa, ato janë gënjeshtra. Ne nuk kemi ardhur nga pjesët e Shqipërisë së sotme londineze.  Kjo tokë është jona den baba den, nuk dua  të ik  edhe me tutje, më thellë në brendi të Kosovës. Ne, duhet t’i kërkojmë vazhdimisht tokat tona deri në Nish, të vërtetën e të drejtën tonë. Edhe më  1912, herën e fundit, na  e kanë shtyrë kufirin këndej, se ne kemi qenë më tutje. Edhe sot po vazhdon e njëjta metodë. Vendi i jonë është ky.                        

Unë e mbaj mend  gjyshin. Ai më tregonte se shumë herë ka hy në Serbi në vendin e vet, ka sulmuar, duke tentuar të mbrojë tokat e veta në Huruglicë prej kah i kishte përzënë pushteti. Kështu, ai i ka sjell probleme pushtetit serb përtej kufirit, në Huruglicë.  Huruglicë  është deri në Nish.

Njëri, njëherë  më pyeti: A më të vjetër janë në Kosovë serbët a ju?

Thash, jo bre, serbët më 1925 i ka pru agrari nëpër pasuritë tona, na i ka pru neve, me qëllim me na shpërngulë, ashtu si na kanë shpërngulë përpara me forcë (e ka fjalën nga tokat shqiptare deri në Nish –I.T.).

Mirë tha, po shumë kisha kishte në Kosovë?

Po, por asnjë kishë nuk është në vend të tij, (të serbit-I.T.) krejt janë tonat se ne kemi qenë katolikë para 500 viteve. Katolikë kemi qenë krejt, a po kupton? Ato kisha janë katolike, bile një kishë këtu në Karaçevë, qe, mund të dalim ta shohim, është si një tumë në breg. Sot me dal  me e pa, ende gjinden pjesë të mureve aty. Kisha të katolikëve kanë qenë, të shqiptarëve katolikë. Edhe në Priboc ka qenë një kishë, sot janë themelet e saj ende, edhe një në Zarbicë. Kisha e Pribocit, nuk e di saktësisht sa është e vjetër, por është mjaftë e moçme. Është që kur kanë ardhur në Priboc, familjarët  tonë.

Kur i ka pru agrari serbet, ato kisha i kanë uzurpuar. Duke e pasur forcën e pushtetit, ata kanë shkruar dhe kanë thënë vazhdimisht se “këto kisha janë të tonat” (serbëve-I.T.). Kanë shkuar aty dhe e kanë mbajt saborin (ceremonitë e tyre  fetare-I.T.). Në këtë mënyrë i kanë bërë si të vetat, e në fakt ato janë tonat, të shqiptarëve. E tillë është edhe një në Breznicë.

Qe 100 vjet jemi të burgosur, rob, nën thundrën e Serbisë. Nuk kemi guxuar në rrugë të dalim: me i thënë si je, të rrihte, mos me i fol, përsëri të rrihte. Po, sot jemi më mirë, por ende Kosova  nuk ka forcë, se jemi shtet i ri e nuk jemi forcuar sa duhet, por shtetet që na ndihmuan deri tash, besoj se do të na ndihmojnë edhe më tutje  dhe me punën tonë e me ndihmën e tyre do të jemi të gatshëm të ekzistojmë dhe të bëjmë shtetin e fortë pas shpalljes së Pavarësisë. Për këtë i falënderoj shtetet që na përkrahën, dhe që u pajtuan për me u bë pavarësia e Kosovës.

 

Përballja me ushtrinë bullgare

 

Priboci ka përjetuar pushtete të shumta të huaja. Një kohë të shkurtër ka qenë me bugarin, deri para fillim mesit të vitit 1944, kufiri kalonte nëpër katundin tonë. Një pjesë kah Sedllari ka qenë në Kosovë, e atëherë Kosova ishte me Itali e me Gjermani. Ka qenë një  Ramush i  Hajdarit, ai ishte matanë. Ne, atëherë e kemi pasur edhe ushtrinë shqiptare. Po, po, ushtrinë shqiptare.

Unë kam luftuar kundër bullgarëve.

Tjetër, aty nga ana e Karaçevës ka qenë Selim Genga si i parë, pastaj Lot Vaki…..

 

 

Pjesë rrëfimesh nga lufta  për Mbrojtjen e kufirit Kombëtar

 

Më vonë, në luftën për Ruajtjen e Kufirit Kombëtar, të cilën e ka udhëhequr Mulla Idrizi, luftëtarë të tij nga Priboci, përkatësisht luftëtarë të Luftës për Mbrojtjen e Kufirit kanë qenë Tali, Azemi i Kekëve, babai im Shaqir Keka. Nga Ramabuqa kanë qenë Sahiti, Faiku etj. Ndërsa nga Zarbica ka qenë edhe Velia i Zarbicës, kushëri i Sylë Zarbicës. Atëherë ishte me Sylën, e më vonë e ka ndërruar drejtimin.

Këtë luftë e kanë udhëhequr edhe Mulla Syla, Muharrem Sali Fejza, ai ka qenë me shkollë, pastaj Sylë Zarbica, Lif Maloku i Suharrnës. Me Mulla Idrizin ka pas shumë. Ka qenë edhe një, ai s’ka lënë askënd…, (kujtohet…) Shaban Toku ai ka qenë Huruglicë, ka qenë në luftën e Qarrit, luftë që zhvilloi Mulla Idrizi me luftëtarët e vet. Mulla Idrizi ka luftuar kundër partisë komuniste, e cila na okupoi më 1945.

Edhe nga Priboci kanë qenë shumë. Kanë qeeenë, kaaanë qeeeenë: baci Tal, Azemi i Tahirëve  ( mixha i Zahës), Sahiti-Huruglicë, ka qenë  edhe Zahiri i Ramës. Me Mulla Idrizin, ka qenë edhe baba im, Shaqir Keka, i cili  ka luftuar në Qarr dhe ka qëndruar me të deri në  pikë të fundit.

Tani ka qenë Haxhi Syla, Jetë Rainca etj.

Muharrem Sali Fejzën e kanë vra, shpiunllaki i ynë. Syla e ka pas shokun më të ngushtë. Muharrem Sali Fejza shkrimtar,  shkollën e ka pas të kryer në kohën e Serbisë. Babën, Sali Fejzën, e ka pas kryetar të komunës.

Shiko çfarë është bërë!

Kur hyri partia e komunistit, tanët nuk u pajtuan të jetë komunizmi këtu, dhe dolën në mal. Por, pati njerëz që u mashtruan nga komunistët, duke ua dhënë edhe nga një automat: një e pat marrë edhe Veliu i Zarbicës, të cilin Syla e kishte kushëri. Unë atë e njoh edhe e kisha parë atëherë.

Komunistët dhe ata që i shërbenin, sigurisht, kanë biseduar e kanë analizuar, qysh me ia bë, si me e zënë Sylën e shokët e tjerë të tij. Me bë luftë me ta, apo me përdorë metoda tjera?

U ka thënë Velia atyre, ( sigurisht aludon në  komunistët –I.T.) “Unë Sylën e kam kushëri, unë po shkoj te ai”. E ka marr automatikun edhe ka shkuar te Syla dhe te shokët tjerë që kanë qenë në mal.

Pasi bashkohet me ta (edhe me Sylën), ai (Veliu), u  thotë: “ua kajta belan komunistave, ua mora qet automat, e unë po bie në mal me ju”. Këtë e thoshte sa me e bind Sylën e shokët tjerë me qëllim që të rrijë me ta e t’i spiunojë,  t’i qes në kurth më vonë,  një nga një.

Po, po.

Duke lëvizur, duke u munduar të fshihen prej komunistëve, ata një kohë ndalen te shtëpia e Dulahit. Pasi ishin të lodhur dhe kishin nevojë për ushqim, ishin të detyruar të dërgojnë dikë për të marrë bukë. Duke biseduar se kush do të shkoj, Velia kish pas thënë: “unë po shkoj i pari”. Mirëpo, ai e kish pas rregulluar me e qit “Narodno Odbranën”. Ata, (njerëzit e Mbrojtjes Popullore) ishin pas pozicionuar në vendin e caktuar, gjegjësisht, poshtë shtëpisë së Dulahit, një teposhtëze te disa shtëpi të lagjes së Kekajve të fshatit Priboc. Aty ka qenë si “gollovinë” (vend i hapur-I.T),  s’ka pasur kaçuba e as lisa.

Pas tij është nisë Muharremi. Ka thënë, unë po shkoj, se jam ma i riu. Pak mbi Priboc, jo larg shtëpisë së Tahirëve, te shtëpia e bacit Zah poshtë në të djathtë, ishte një rrafsh. Në atë vend ia kishin zënë pusinë. Nga kjo pritë vritet Muharrem Fejza. Pasi e kanë kap plumbat, Muharrem Fejza ka ec edhe 20 m.

Po.

Muharrem Sali Fejza sot e ka djalin gjallë. E ka pas lënë të vogël. Skender emrin e ka. Është profesor.

Pas kësaj, 1 javë apo më shumë, nuk e di saktësisht, Syla me disa shokë ka qëndruar në shtëpinë e Dulahit të Hajrës.

Çka me bë? Syla u mërzit shumë, me të kishin qenë shokë të ngushtë (me Muharrem Fejzën-I.T.).

Syla nuk ka ditë sikur Muharremi, nuk ka pasur shkollë.

Pas kësaj vrasje, ata (Syla me shokët) e krijojnë bindjen se Veliu, kushëriri i Sylë Zarbicës, tashmë ishte armiku i tyre. Ai ua vrau shokun më të mirë.

Edhe Veliu nuk u kthye më te “shokët” e vet, po shkoi diku në Ramabuqë.  Te këta që kishin filluar të kthehen me komunistët jugosllav. Sigurisht ka qëndruar disa ditë.

Veliun, në fund, e ka vra Sylë Zarbica.

Kështu serbët me njerëzit tanë, (nga radhët e shqiptarëve), kanë arritur të depërtojnë edhe në pjesën tonë, në të njëjtën kohë serbët kanë bërë  propagandë vazhdimisht, duke thënë se kufiri është këtu dhe Kosova është e jona etj. Por, kurrë, këtu kufiri nuk ka qenë. Ushtria e “Saveznikit”, pastaj Hitleri, Italia edhe Bullgaria na i kanë caktuar kufijtë.

Pas largimit të tyre, këta kopilë (e ka fjalën për serbët-I.T.) i kanë vënë kufijtë, dhe Kosovën e kanë marrë, dhe thoshin e po thonë  se është e tyre.

Po kësaj here ka rrëshqit Serbia,  si duket i besuan Milloshit, e ai i hupi.

(Mixha Rexhep pasi pushon pak thotë,-I.T.): qe nja dy vjet i kam harruar bukur shumë, se i kam ditë të gjitha.

 

Lidhja e Rexhep Kekës me Pribocin

 

(Në pyetjet tona se çka dinë për fshatin Priboc në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore, ai nuk jep informacione, me arsyetim se nuk ka jetuar aty dhe nuk ka pasur punë shumë me njerëz që kanë qenë në pushtet atëherë-I.T.). 

Di diçka di, por jo shumë. Për odborrët (udhëheqësit e katundit) nuk di, ata i dinë vetë, të Pribocit. Unë nuk kam pas lidhje shumë me i ditë ato. Ata çka i kanë 65-70 vjet e që jetojnë e kanë jetuar deri në momentin fundit në Priboc, ata i dinë, cili ka qenë i pari i  katundit, kryeplaku etj.

Nuk i di as të partisë komuniste kush janë kanë, s’ka pas nevojë, unë nuk i di ato punë. Unë këtu kam jetuar, këtu në Karçevë. Nuk e di as kush e ka vijuar shkollën, a ka pas mejtep, kush ka mësuar aty. Bajramin e Arifit, veç e kam njohtë, po më shumë nuk di për të, nuk jam interesuar shumë se nuk kam pas nevojë atëherë të di për të. Ai, ka qenë i Bajramovitëve. Më i afërt me të kanë qenë Ismajli e Xhemaili… Me të thënë të drejtën, unë kam qenë kudër komunizmit jugosllav.

Unë më shumë, që i kam njohtë e që kam qëndruar te ta, e ndonjëherë edhe kam kaluar natën, kanë qenë baci Tal, e posaçërisht Tahiri i Muratit, babai e Raifit. E kam njohtë mixhën Murat, Asllanin e Ramadanin.

Ato i dinë edhe Tefiku (i Dervishit I.T.)

Këtu në Karaçevë, pribocasit, kanë qenë të njohur veç për të mirë. Që prej ardhjes tonë këtu, kemi kontribuar në fusha të ndryshme me kuadro. Ky vend, në fillim kishte qenë “llugë”, krejt ferra.

Nga lagja jonë, e  Kekajve, pra, kanë dal kuadro të shumtë.

 

Kush ka qenë Rexhep Keka

 

(Rrëfimin për vete e fillon në kohën kur ka qenë në luftën për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar).

Po, unë, atëherë, te Fusha e Kerreve kam pasur rastin ta takojë mulla Idrizin. Mulla Idrizin e njoh, sikur juve. Ushtarëve të tij u kam dërguar edhe bukë. Unë atëherë i kam pasur 22 vjet. Baba ka qenë me mulla Idrizin. Kanë qenë edhe Lot Vaki, Shit Mareci, Sylë Zarbica, Shaban Toki e shumë e shumë të tjerë. Ka qenë edhe një… po e harroj, një i Preshevës,  po,  qe ia harrova emrin, është vrarë mbi Tërnoc.

Në prag të mbarimit të Luftës së dytë Botërore, në emër të përzënies së armikut, na kanë mobilizuar komunistët jugosllav. Atëherë, neve një Gigë Lenka, shka i Kolloleqit, na ka marrë në mobilizim, ku kam qenë edhe unë, Qëllimi, i tij po edhe i shovinistëve serbë, ishte me na mbytë. Ata na kanë nisë për diku. Në fillim nuk e dinim, por na thoshin se po shkojmë ta përzëmë gjermanin.

Po, po. Ne kemi qenë grupi i parë, ka qenë me mua edhe Latifi (Dervishi-I.T.). Morëm vesh se po na dërgojnë në Bar, atëherë kështu i thoshin. Tash i thonë Tivar.

Na kanë marrë e na kanë nisë për rrugë, sprevod (në përcjellje I.T.) për anash kanë qenë shkijet, në mesin e tyre kanë qenë nja dy shkina partizanka. Emrat nuk ua di, veç njërit nga Vraja ia di emrin, ka qenë “vodnik” (rreshter-I.T.) me “çin” (gradë I.T.), Boshko e quanin. Ne kemi shkuar në këmbë. Jemi nisë prej këtu e kemi kaluar nëpër Gjilan, Ferizaj, Shtime, Dulë, Prizren e kemi arrit në Kukës. Para se me hy në Kukës ka qenë një urë, të cilën e kishin pas dëmtuar. Në Kukës kemi fjet, atë natë. Një Cani i  Zarbicës, Can Ladini edhe nja dy tre shokë kanë pas ik, ndërsa ne shkuam. Ka qenë torturë e madhe, gjithë rrugës na kanë torturuar. Nuk ka pasur as kamion, as kerr, kemi shkuar në këmbë. Ata që nuk mundnin të ecnin ose vriteshin aty për aty ose i hidhnin në lumin Drin duke ua lidhur duar e këmbë dhe duke ua futur një dru në mes. Ndërsa, ne na thoshin se kanë ra, kanë rrëshqit e kanë ra në lumin Drin. Ne, duke i dëgjuar e parë këto skena, shpirti i ëmbël, me forcën e fundit, me përpjekje mbinjerëzore detyroheshim të ecnim edhe në  gjunjë. Pra, prej zorit kemi ec në gjunjë. Na rrinin anash e nuk  na lejonin të shikojmë as majtas as djathtas, nuk na lejonin të pinim as ujë.

Të gjithë ata që e kanë kryer ushtrinë në ish Jugosllavi, ndoshta  e kanë mësuar serbishten:  thonë serbet. “Niko ne zna shto je  muka teshka, samo onaj ko proshao Allbaniu peshki”  (Askush nuk e di sa e madhe është vuajtja, pa e kaluar Shqipërinë në këmbë I. T.). Sepse gjithë ditën ecje dhe përsëri të dukej se ishe në të njëjtin vend.

Pastaj, nga Kukësi na kanë dërguar në Pukë. Nga Puka jemi nisur për Shkodër, ku kemi arritur në mbrëmje. Aty kemi qëndruar dy ditë. Ne kemi qenë grupi i parë plot me të ri e të moshave tjera, që kanë dashur të na heqin nga Kosova.

Nga aty, na kanë kthyer dhe na kanë dërguar në Bar (Tivar). Aty na kanë hip (ngarkuar), nga 40 njerëz në matorna çamaca (barka me motor)  dhe na kanë dërguar në Dubrovnik. Ndërsa prej Dubrovnikut, me anije të mëdha  kemi shkuar në Split. Spliti është për skaj detit, ndërsa rreth e qark ishte gurishtë. Posa arritëm aty u njoftuam se, ushtarët gjerman ishin mbi Split dhe rezistonin me ngulm. Ne krejt ishim civil, s’kishim as pushkë, as napolona, me një fjalë ishim robiashë (të zënë rob-I.T.). Duke i lidhur anijet për direk, erdhi urdhri që të nisemi për Trogir. Pra, pasi i zgjidhën anijet nga direkët, jemi nisur për Trogir, aty na kanë prit mirë, na kanë ushqyer mirë, kështu, kemi marrë frymë më lirisht, dhe vërejtëm se nuk ishim në rrezik si më parë. Përkatësisht, në Trogir nuk ishim më në duar të serbëve, gjegjësisht ishim në territor të Malit të Zi edhe të Kroacisë.

Në vendin ku ishim vendos ishte një pjesë-rrip i tokës i ngushtë që depërtonte bukur thellë në detin Adriatik i cili nuk ishte më i gjerë  se sa deri te dyert e mia, 20-30 m. (tregon me dorë nga dritarja e shtëpisë së tij-I.T.) Në atë pjesë ishin kazermat e ushtrisë, ndërsa matanë ishte qyteti, Trogiri. Pasi qëndruam e pushuam 4 ditë, na armatosën dhe u nisëm për luftë në Ilirsko Bistricë. Pas një lufte, gjermani u dorëzua. Drita e flaka e armatimit të  gjermanit që u dogj në atë kohë atje, ishte si pritja e vitit të ri që po bëhet në Gjilan tash në liri. Krejt havaja (qielli)  u bë kuq. Kështu më është dukur, pasi njëherë kam qëlluar në Gjilan për vit  të ri, dhe raketat që lëshoheshin atë natë më janë duk sikur ajo ditë kur është shkatërruar teknika e gjermanit.

 Pas dorëzimit të gjermanit në Ilirsko Bistricë, ne na ndanë nëpër jedinica (njësi –I.T.). Unë u caktova izvigjaç (vëzhgues, vrojtues) në  “13 udarna divizia-çetvërta armia- përva çeta-shestok bataliona” (divizioni i 13 sulmues, armata e katërt, kompania e parë e batalionit të gjashtë). Aty e kam takuar Hamdi Pozdercin nga Klladusha e Madhe-boshnjak, komisar i batalionit të tretë.

Luftën e kemi vazhduar edhe më tej. Në këto fronte, në anën tonë të majtë të pozicioneve, ka qenë brigada e Shqipërisë. Në atë brigadë kishte të plagosur të cilët i bartnin në krah. Në takimet e rastit dhe të shkurtra na thoshin: “o vëllezër mos u frikësoni se nuk fitohet liria pa gjak e pa vuajtje”. Gjithashtu na treguan se vendimet e Konferencës së Bujanit, ku ishte vendosur që Kosova të bashkëngjitet me Shqipërinë apo që të na japin Republikën e shtatë janë hedh poshtë, na kanë mashtruar. Tani na kanë lënë Pokrainë (Krahinë).

Në këtë rrugë të gjatë e në këto luftëra larg Kosovës ka pas edhe të tjerë nga fshati Priboc, po nuk i di të gjithë, se, i kam harruar disa. Ka qenë Latifi i Dervishit, ka qenë Zaha i Azemit të Tahirëve. Zaha ka qenë si kuzhinier. Pastaj  Kadriu i Ilazit të cilin e kam pasur shok të ngushtë. Kadriu është i Karadakëve. Prej Gjilanit kemi shkuar bashkë me të në Tivar e tjera vende. Më vonë ai ka pas punuar në komunë në Zarbicë.

Pasi jam kthyer në shtëpi, pas lufte, kam punuar shumë si nallban (mbathtar). Më se 30 vjet  e kam ushtruar këtë zanat. Çdo të premte kam dal në Zarbicë, Muhoc pastaj në Priboc. Te Tefiku (Dervishi), kushëriri, kam bërë konak, kam qenë në Suharrën, Ramabuq, Qarr etj. Krejt ato katunde i  kam ec në këmbë. Dashamirë i kam krejt. Djemtë e tyre të ri, kanë punuar, këtu, te unë, krejt i falënderoj. Kurrë pa bukë nuk i kam lënë. Në Suharrën kam mbath në të gjitha anët, deri te një Shaqiri i Bushatit. Edhe aty kam qenë. Kurrë keq me ta unë nuk kam pasur. Kam punuar edhe pa pare. Ua kam ditë hallin, i kam njohur të gjithë se në çfarë gjendje janë. Të varfërve nuk u kam marrë pare edhe atëherë kur janë ngushtuar, kur kanë ngurruar të vijnë u kam thënë vet, ejani mbathni kafshët, e pare nuk  ju marrë.

 

(Xha Rexhepin e pyetëm edhe për mësuesit e parë në Zarbicë  dhe Priboc).

Po, në Zarbicë e di. Ka qenë Qemal Keka,  kushëriri im. Ai ka qenë mësuesi i parë në shkollë të Zarbicës. Ai ka qenë para Tahir Berishës. Sa ishte mësues atje Qemali, më së shumti ka qëndruar te t’bacit Murat, te Raifi i Tahirit në Priboc.        

 

Gjenealogjinë e familjes së tij e kujton deri në shtatë gjenerata

 

Alidemi, Shaqiri  e Besiri janë djemtë e mi (Rexhep Kekës)

Rexhepi i Shaqirit

Shaqiri i Ajvazit

Ajvazi i Mehmetit

Mehmeti i Beqirit

Beqiri i Azizit

Azizi i Ismajlit

(Pas Ismajlit nuk i kujtohen gjeneratat tjera).

 

Gjithashtu na i tregon edhe pasardhësit e tyre, por nuk i mban mend të gjithë emrat e anëtarëve të kësaj familje, sepse është zgjeruar bukur shumë.

Bisedën e zhvilloi Ismet Tafili

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch