Home » Opinione » BISEDIMET KOSOVË-SERBI DUHET T’I PRESIM TË PËRGATITUR POLITIKISHT E INSTITUCIONALISHT

BISEDIMET KOSOVË-SERBI DUHET T’I PRESIM TË PËRGATITUR POLITIKISHT E INSTITUCIONALISHT

Disponimi negativ i një pjese të spektrit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndaj Këshillit Nacional , edhepse ka kaluar një kohë e gjatë nga themelimi i tij, si dhe nga zgjedhjet për KNSH të mbajtura më 6.maj 2010, ka mbetur pothaujse i pandryshuar.

Tani për tani, i vetmi ndryshim ka ndodhur me PD-në e Nagip Arifit, i cili fillimisht ishte kundër këtij organi  të të gjithë shqiptarëve të Luginës, por kohëve të fundit ka paralajmëruar pjesëmjarrjen e vet në zgjedhjet e  ardhëshme të  KNSH-së. Ndërkaq, sa i përket partive të tjera politike, nuk kemi ndonjë paralajmërim të këtillë.

 

Prandaj, mbetet të shihet dhe të pritet se  kur do ta konsiderojnë ato momentin më të përshtatshëm për ta bërë një veprim të tillë. Urojmë që sa më parë të ndodhë një gjë e tillë dhe të bashkëngjiten edhe ato në KNSH, në mënyrë që të shtohet mbështetja politike për te dhe  gara zgjedhore të jet më gjithëpërfshirëse, duke siguruar kështu konkurencë më të madhe dhe cilësi më të lartë profesionale të stafit, si dhe forumeve (trupave) punuese të tij: komisioneve të ndryshme profesionale. Gjithashtu do të rritej edhe cilësia dhe përgjegjësia e anëtarëve të zgjedhur  të Asamblesë (kuvendit) të KNSH-së, si dhe e vendimmarrjes më kualitative,  konform interesave të përbashkëta të shqiptarëve të Luginës.

 

Shpresat janë ngjallur kohëve të fundit se, më në fund, edhe Trupi Koordinues  do të reformohet dhe do të vehet në funksion të ndërmjetësimit midis Qeverisë serbe dhe përfaqsuesve të shqiptarëve, për zgjidhjen e problemeve të kësaj popullate. Reformimi i TK duhet të siguroj  një qasje më të sinqertë, më të drejtpërdrejtë dhe më profesionale  ndaj problemeve të shqiptarëve të Luginës, të cilët i ka përfshirë një ekzod  i përmasave të mëdha, në kërkim të një jete më të sigurtë dhe më të begatëshme.

 

Siç e dijmë, deri më tani TK ishte i formuar dhe funksiononte i papërfaqësuar as për së afërmi konform strukturës etnike të kësaj treve në forumet punuese dhe organet drejtuese të tij. Paradoksi ishte edhe më i madh, kur në fillimet e tij TK kishte dominim të strukturave ushtarake e oficerëve të ushtrisë serbe, sa që edhe çështjet ekonomike i drejtonte një epror ushtarak !!!

 

Pa diskutim se ky veprim i Qeverisë serbe e kishte bërë skajshmërisht  jotërheqës  dhe të papranueshëm ate për shqiptarët, një pjesë e të cilëve e bojkotuan pjesëmarrjen e vet në te. Me këtë iu lehtësua puna e arsyetimit të Serbisë para ndërkombëtarëve, duke ua hedhur atyre fajin për mossuksesin e vet. Zaten edhe ky ishte qëllimi i Qeverisë serbe, të cilin e arrinte pa vështirësi, duke i shfrytrëzuar  hezitimet, zënkat dhe ndasitë e shqiptarëve për interesa të veta, që zakonisht merrte përmasa më të ashpërta, herç-herë edhe dramatike gjatë fushatave parazgjedhore në garën për pushtetet lokale në këto tri komuna.

 

Derisa kemi një hezitim akoma të pashuar të një pjese të spektrit politik shqiptarë për pjesëmarrje në punën dhe  funksionimin e KNSH-së dhe të TK-së, deri tani kemi shfrytëzuar një kompromis me formimin e Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë të kuvendeve komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kështu sigurohej përfshirja e gjithëmbarëshme e spektrit politik shqiptarë të Luginës për marrje të vendimeve politike, e më së shpeshti ato ishin Deklarata politike, që kanë të bëjnë me tërë Luginën e Preshevës. Por, këtij forumi i mungon infrastruktura përkatëse ligjore, si dhe ekzekutivi dhe stafi profesional. Andaj, vendimet e tij kanë vetëm natyrën politike deklarative, ndërsa u lihet kuvendeve komunale në vullnetin e tyre se çka do të zbatojnë e realizojnë në kuadër të  fushëveprimit të tyre.

 

Ndërkaq, meqë bisedimet politike Prishtinë- Beograd ka gjasa se do të fillojnë së shpejti, kurrësesi nuk guxojmë që të jemi të papërgatitur në pikëpamje politike e institucionale  që të veprojmë në nivel të përbashkët për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat e përmendura. Përndryshe, ekziston rreziku real që të anashkalohemi dhe të mos përfshihemi fare në ato bisedime si faktor i barabartë dhe të gatshëm që të marrim mbi vete përgjegjësitë historike për këto troje tona stërgjyshore. Sepse, në të kundërtën, historia nuk do të na falë! /Mr.Nehat Hyseni/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch