Home » Opinione » Bisedimet në Bruksel – pa përfshierjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Bisedimet në Bruksel – pa përfshierjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

 

Përqëndrimi i plotë i vëmendjes politike vetëm kah serbët e Kosovës, len përshtypjen e hidhur të nënvlerësimit, bile edhe të mospërfilljes dhe injorimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Eskalimi i situatës në shumë pjesë të rajonit shumë lehtë mund t’i shpëtoj kontrollit dhe rrezikon ta ndezë flakë mbarë Ballkanin. Rasti i lapidarit  në Preshevë na mësoi se sa shpejtë mundë të eskaloj situata, duke rrezikuar të gjitha të arriturat politike në rajon me paraqitjen e revanshizmit. Bisedimet për Luginën e Preshevës duhet të mbahen vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, si garancë për implementimin e suksesshëm të tyre. Dobësitë dhekeqmenaxhimi i pushteteve lokale në komunën e Preshevës dhe në atë të Bujanocit, e dëmtojnë çështjen shqiptare. Është i domosdoshëm roli unifikues i faktorit politik shqiptar  nga kreu i Shqipërisë dhe Kosovës, që të organizojnë një tubim të përbashkët të lidershipit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu si veproi këto ditë Parlamenti i Serbisë me serbët që jetojnë jashtë Serbisë.

 

 


Raundi i pestë i bisedimeve të Brukselit


Intensiteti i bisedimeve të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, ka arritur kulmin. Derisa hapat e parë të këtyre bisedimeve ishin të ngadalshëm dhe sikur provohej të matej “pulsi”, duke hedhur herëpas herë “ballona provues”, sa për të testuar disponimin e opinionit të palëve të bisedimeve, me ndërmjetësimin e BE dhe të udhëhequra nga baronesha Ashton.

Paralajmërimet e zyrtarëve europian janë se ato bisedime kanë hyrë në fazën “më të vështirë”, qysh në bisedimet e 19 dhe 20 shkurtit 2013 midis Kryeministrit Thaçi dhe premierit Daçiq në Bruksel.

Imponimet e tempos së përshpejtuar të këtyre bisedimeve vijnë nga nevoja e Serbisë për marrjen e ftesës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke marrur “bekimin” e Kosovës dhe mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare.
Pritjet nga këto bisedime janë se serbët e Kosovës do të realizojnë të drejtat e veta si dy entitete:
– Për enklavat serbe që shtrihen gjithandej Kosovës dhe janë të shpërndarë si “lëkura e leopardit”, duke mos pasur kontinuitet territorial me Serbinë dhe as lidhmëri të pashkëputur territoriale midis vetes. Ky grup i serbëve të Kosovës pothuajse në shumicën prej tyre kanë pranuar Pakon e Ahtisarit dhe japin shenja inkurajuese për integrim të tyre në shtetin e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi. Prandaj, ky grup i serbëve nuk paraqet ndonjë problem të veçantë, meqë konsiderohet si çështje pothuajse e zgjidhur. Andaj, bisedimet e Brukselit nuk do ta kenë këtë problem.
– Grupi i dytë i serbëve të Kosovës, serbët e veriut të Kosovës përfshinë grupin më problematik. Sepse, këta janë nën organizim dhe kontroll të plotë nga Serbia. Prandaj, bisedimet e Brukselit do të përqëndrohen në mënyrë të veçantë për zgjidhjen e çështjes së tyre. Legalizimi i të të ashtuquajturave “struktura paralele” do të jet në agjendë të këtyre bisedimeve.
Pra, shihet se opinioni dhe zyrtarët politik ndërkombetarë e vendorë janë koncentruar në zgjidhjen e këtyre problemeve, të cilët me plotë të drejtë janë cilësuar si “të vështirë”. Edhe vendimet dhe kompromiset lidhur me zgjidhjen e tyre do të jenë tejet të vështira.

 

                          Nxitimi i BE-së
Ajo që bien në sy është nxitimi i madh i ndërkombëtarëve që me shpejtësi të pabesueshme t’i zgjidhin këto probleme që nuk kanë mundur me dekada të zgjidhen. Kurse tani është caktuar një afat tejet i shkurtër, prej më pak se dy nuajve për të dhënë zgjidhjen definitive!
Kuptohet se ky nxitim vjen nga nevojat e Serbisë. Kurse, Kosova tregohet mjaftë “kooperuese” dhe shpreson që konstruktiviteti i saj të shperblehet me shpejtimi e procedurave për liberalizimin e vizave. Duhet përkujtuar se Kosova është i vetmi shtet i Europës qytetarët të cilës nuk mund të lëvizin pa viza. Pra, Kosova ka mbetur si një “oazë” në botën që e rethon, qytetarët e të cilës janë të izoluar.

Përqëndrimi i plotë i vëmendjes politike vetëm kah serbët e Kosovës, me fokus në serbët e veriut të Kosovës, len përshtypjen e nënvlerësimit, bile edhe të mospërfilljes dhe injorimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata janë lënë plotësisht pasdore, si nga ndërkombetarët, ashtu edhe nga qeveria e Kosovës, duke e neglizhuar këtë problem sikur të mos ekzistonte fare.
Me këtë rast, fitohet përshtypja se Serbia me injorimin mospërfillës dhe përbuzës të problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sikur ka marrë krahë dhe është duke fluturuar nga prepotenca dhe arroganca e sajë, që e arriti kulmin me heqjen dhe grabitjen e lapidarit të UÇPMB-së në mëngjezin e hershëm të 20 janarit 2013.
Sa duket, Serbia e ka të vështirë të bëjë dallimin midis zgjidhjes se problemeve dhe pacifizimit me dhunë të shqiptarëve.

 

Pra, ashtu sikur bënte dikur Millosheviqi duke u mbështetur në forcën e armëve si mënyrë për “zgjidhjen” e çështje së shqiptarve të Kosovës, ashtu veproi edhe qeveria e pasuesit të tij Daçiqit, i ndihmuar nga partia e Nikoliqit, që i takon proviniencës së Sheshelit.
Asnjëri nga këta politikanë të Serbisë nuk mësoi nga historia se “zullumi këputet prej së trashi”, pra, se sa me tepër dhunë të ket, aq më i afërt është fundi i atij pushteti. Rasti i Kosovës e dëshmoi katërcipërisht këtë.

 

                 Situatë shpërthyese në rajon
Por, rasti i lapidarit në Preshevë na mësoi se sa shpejtë mundë të eskaloj situata, duke rrezikuar të gjitha të arriturat politike në rajon, me paraqitjen e revanshizmit shqiptarë ndaj varrezave dhe përmendoreve serbe në Kosovë, në shenjë hammarrjeje ndaj vandalizmit të qeverisë dhe xhandarmerisë serbe ndaj lapidarit në Preshevë. Pastaj doli në skenë  dora e fshehur e revanshizmit serb, me rrënimin dhe demolimin e varrezave shqiptare në fshatin Osllare të komunës së Bujanocit.
Eskalimi i situatës në shumë pjesë të rajonit shumë lehtë mund t’i shpëtoj kontrollit dhe rrezikon ta ndezë flakë mbarë Ballkanin. Sepse, situata e brishtë politike e shkaktuar nga tensionet e mëdha midis pozitës dhe opozitës maqedone dhe bojkotimi nga ana e saj e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në mars të këtij viti, të cilës poqese i shtohen edhe pakënaqësitë e shqiptarve me pozitën e tyre mospërfillëse dhe diskriminuese në Maqedoni, na bënë të qartë situatën eksploduese në këtë shtet fqinjë të Serbisë dhe Kosovës.
Ndërkaq, kur kësaj i shtohet situata shpërthyese në Greqi, e shkaktuar nga kriza e madhe ekonomike dhe borxhet e papërballueshme të sajë ndaj BE-se, ku grevat dhe demostratat e dhunëshme, që nuk kursejnë ndezjen dhe shkatërrimin e objekteve të vlefshme dhe pronës publike. Pra, bomba sociale, për shkak të rënies drastike të standardit jetësor dhe papunësisë aty kërcnon me shpërthime të pakënaqësive rrënuese e shkatërrimtare.
Nga e gjithë kjo tabllo e paraqitur vërejmë se konstatimi se Ballkani paraqet “fuçi baruti”, nuk mungon së qeni aktual dhe kërcnues edhe tani.

 

Pretendimet serbe në Bosne me qëllim të bashkëngjitjes së Republikës serbe me Serbinë, janë pjesë e retorikës së politikës  zyrtare të Beogradit, si dhe për ndarjen e Maqedonisë midis Bullgarisë, Greqisë e Shqipërisë dhe Kosovës, gjithashtu paraqesin kërcnim real për paqen dhe stabilitetin politik në Ballkan.
Andaj, lënia pasdore e situatës në Luginë, sikur rrezikon mundësinë e shpërthimeve shkatërruese dhe destabilizimin e plotë të rajonit.

 

        Bisedimet për Luginën – vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve

 

Këto ditë u paraqitë në publik nisma e ndërkombëtarë për “bisedimet” Luginë e Preshevës – Qeveri e Serbisë. Kjo nismë më tepër i gjason qetësimit të gjakërave derisa të përfundojnë bisedimet e Brukselit lidhur me statusin e serbëve te veriut te Kosoves, e më pak lidhur me zgjidhjen e problemeve reale të tyre.
Sepse, çdo bisedim, pa ndërmjetësimin dhe garancën e ndërkombëtarëve, jo vetëm që nuk do të jepte rezultate pozitive, por do ta kompromitonte dhe do ta varroste përfundimisht çêshtjen e shqiptarëve të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare. Sepse, kushtet për bisedime “shkel e shko”, ku disa liderëve politik shqiptarë të Luginës do t’ u mundësonte sjellje të papërgjegjshme, duke e degjeneruar kauzën kombëtare nga korruptimi i saj nga qeveria serbe dhe pasurimin e tyre dhe të “sponzorëve” që i financuan zgjedhjet lokale dhe “fitoren” e tyre me vjedhjen “industriale” të votave me paranë publike të përfunduar në xhepa privatë të firmave sponzoruese që liderët “kukull” i kanë aty për t’ua mbrojtur interest, duke e korruptuar kështu skajshmërisht dhe tmerrësisht politikbërjen lokale “allashqiptarçe” në Preshevë, kurse atë të “vllazërim–bashkimit” shqiptaro-serb në Bujanoc.

 

                   Keqmenaxhimi në komunën e Preshevës
E tillë ishte situata e ndarjes së reth 150.000 eurove nga Trupi Koordinues i qeverisë serbe, pikërisht në dhjetor 2012, pra mu në kohën e fillimit të rrebeshit të kërcnimeve nga qeveria serbe për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Të gjithë përfituesit ishin firma “sponzoruese” të Ragmi Mustafës dhe partnerëve të tij të koalicionit qeverisës të pushtetit lokal në Preshevë.

 

Me këtë veprim, sa duket edhe u korruptua rëndë politika lokale, duke abstenuar  lidhur me (mos)mbrojtjen e lapidarit dhe lënien e tij nën mëshirën e fatit dhe në ruajtje e kujdes të gazetarëve, të cilët u lanë të vetëm në “kujdestarinë” pranë lapidarit, duke pritur me durim që të mos u shpëtoj kamerave dhe aparatave fotografik të tyre, pa u regjistruar kjo ngjarje. Dhe kamerat e tyre na treguan qartë skenat se si kishte mbetur i pambrojtur lapidari, edhepse ekzistonin shumë premtime, bile edhe kërcnime se nuk do të lejojnë që “as një milimetër të lëvizet nga vendi”. Pastaj, shkuan aq larg, sa që premtuan “dorëheqje të parevokueshme” dhe se do t’i lëshojnë të gjitha institucionet etj. Kurse, në fund doli se as ata vet nuk i besuan premtimeve dhe kërcnimeve të tyre, duke ua bërë të qartë të gjithëve se, megjithatë, nuk e kishin seriozisht.
Mos të harrojmë se partia e këtyre firmave sponzoruese, dmth partia e Ragmi Mustafës, zyrtarisht nuk e pranon Trupin Koordinues! Kurse, praktikisht merr “pare me thes” prej tyre. Bile, edhe në këtë vit (2013) janë premtuar gjithashtu edhe 150.000 euro tjera që në momentin e “volitshëm” do t’u jepen firmave të njejta, ose duke shtuar apo eventualisht duke e hequr ndonjërën nga ato, sipas rastit dhe nevojave të caktuara,  si  firma “të suksesshme” që i kontribuojnë “klimës politike konstruktive” në Preshevë.

 

                 “Interesi” si kryefjalë
Pra, kjo është pasqyra aktuale e politikbërjes shqiptare në Luginë të Preshevës, ku gjithandej mund të dëgjosh kryefjalën “interes”, ku njerëzit e mbështetur për muri nga skamja e papunësia, u mbështeten “biznes-politikës” dhe “politikanë-biznesmenëve” lakmitarë, të cilët zhvatjen dhe keqpërdorimin e parasë publike dhe buxhetit komunal e konsiderojnë si “aftësi” të tyre dhe janë të gatshëm për ta dëshmuar “kostruktivitetin” e tyre me pushtetin serb, sa herë që  e kërkon nevoja dhe interesi i tyre personal.

 

        Përjashtimi i shqiptarëve nga puna në komunën e Bujanocit
Kumbaria e trashëguar familjare me kreun politik serb, të cilën e kultivojnë me dekada familjet e disa politikanëve shqiptarë që aktualisht qeverisin pushtetin lokal në Bujanoc, si dhe lidhja e interesave biznesore me ata, aktualisht i kanë në dorë “levat” e politikbërjes “serbo-shqiptarçe” në këtë komunë, duke përjashtuar nga puna reth 58 shqiptarë për periudhën kohore pa e kryer “çerekun” e madatit. Sipas këtij “turri” që kanë marrë, deri në fund të mandatit të tyre në maj të vitit 2016, nëse vazhdojnë me të njejtin tempo, ata kërcnojnë realisht se do të përjashtojnë edhe 3-4 herë më shumë, dmth. reth 300 punëtorë shqiptarë, që do të thotë se poaq familje mbeten pa “idare”, duke i “falemnderuar” këtij pushteti lokal, të udhëhequr nga PD e Nagip Arifit në koalicion me serbët në Bujanoc. Gjithashtu, sipas lajmeve që u publikuan këto ditë në media, mësuam se  ata paralajmërojnë se së shpejti do t’i fusin “masat e përkohëshme” në pesë shkolla shqipe në Bujanoc, duke arritur rezultate antishqiptare të cilat do t’ia kishte zili edhe regjimi i Millosheviqit !

 

Uniteti i munguar institucional i shqiptarëve të Luginës
Interesat meskine individuale dhe grupore që aktualisht qeverisin në Preshevë dhe Bujanoc, janë duke i kontribuar në vazhdimësi dhe një kohë të gjatë rrënimit të çfarëdo institucioni të përbashkët të shqiptarëve të Luginës, duke  e penguar zhvillimin e bisedimeve cilësore lidhur me statusin e shqiptarëve në Luginë, si dhe për problemet që aktualisht i preokupojnë ata, duke punuar me vendosmëri e përkushtim për angazhimin  dhe ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve si nxitës dhe garantues të implementimit të marrëveshjeve të arritura.

 

Sepse, akoma nuk kemi një institucion të përbashkët me kompetenca të plota ekzekutive: Këshilli Kombëtar qëndron në “këmbë të qelqëta” për shkak të sabotimit dhe injorimit të tij nga Qeveria e Serbisë, por edhe nga  partitë politike shqiptare, që aktualisht udhëheqin komunën e Preshevës dhe të Bujanocit.

 

Kurse, Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë, edhepse ka legjitimitet nga vota qytetare, megjithatë, nuk është organ ligjvënës, sepse nuk ka bazë dhe konstituim përkatës ligjor. Andaj, ai nuk mund të merr vendime që obligojnë komunat dhe administratën, por miraton vetëm “deklarata” me karakter politik dhe janë joobligative. Sepse, as nuk kanë as staf e as buxhet, e as administratë përkatëse.
Duke marrë parasysh të gjitha rethanat e përmendura të situatës reale që aktualisht mbretëron në Luginën e Preshevës, vështirë se mund të presim diçka reale nga bisedimet e paralajmëruara. Situata e tanishme i përngjet asaj të viteve të 90-ta në Kosovë, kur ndërkombëtarët duhej të “fluturonin” për të takuar”liderët” e atëhershëm shqiptarë: Presidentin Rugova, Veton Surroin, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, etj., të cilët shpeshë kishin qëndrime diametralisht të kundërta për çështjet e njejta politike. Ata më tepër atëherë i përngjanin një orkestri të çakorduar dhe të ç’ekuilibruar, duke krijuar shpeshë “kakofoni” shurdhuese dhe diskredituese të politikës shqiptare.
Në Luginën e Preshevës situatën e ndërlikon edhe më tepër ndikimi “implicit” i Serbisë nëpërmes pushtetarëve dhe biznesmenëve dhe matrapazëve politik shqiptarë, të cilët me demagogjinë dhe destruktivitetin e tyre proverbial, shpeshë dinë t’u japin “vulën” proceseve pikërisht aty ku nuk është interesi real i shqiptarëve, duke lozur lojën politike të qarqeve antishqiptare, për qëllime lakmitare grupore  e individuale.

 

Tubimi i lidershipit gjithëshqiptarë në Parlamentin e Shqipërisë është i domosdoshëm

 

Andaj, është i domosdoshë roli unifikues i faktorit politik shqiptar  nga kreu politik i Shqipërisë dhe Kosovës, që së pari të organizojnë një tubim të përbashkët në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu si veproi këto ditë Parlamenti i Serbisë, i cili i mblodhi të gjithë lidershipin e serbëve jashtë Serbisë, për të debatuar problemet dhe për të miratuar Platformën e veprimit të përbashkët të  tyre.

Pra, vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohej një performance e akorduar e politikës gjithëshqiptare në Ballkan, duke zëvendësuar takimet individuale me krerët politik, që më tepër bëhet për efekte mediatike, se sa realisht ka efekte praktike dhe strategjike të performansës politike  dhe veprimit praktik të të gjithë shqiptarve, kudo që janë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch